More
    KreuLetërsiShënime mbi libra“55 ditë” e Mirela Oktrovës - Ditari i luftës, simbiozë e kujtesës...

    “55 ditë” e Mirela Oktrovës – Ditari i luftës, simbiozë e kujtesës me përjetësinë

    Nga Ledia Dushi

    Duket se ne të gjithë, të vetëdijshëm apo në mënyrë instiktive, një ditë vendosim të jetojmë, në një mënyrë apo në një tjetër. Kjo varet nga kushtet, aspiratat, dëshirat, përpjekjet, fati… Studiuesja dhe gazetarja Mirela Oktrova nuk është vetëm mike e mirë në kuptimin njerëzor, por më së shumti është mike e përkryer e së vërtetës. Dhe të vërtetën absolute nëpër të cilën jeta e saj ka gjalluar me ditë të tëra, këtu e njëzet vjet të shkuara, Mirela Oktrova e bën të mundur për ne nëpërmjet librit të saj në trajtë ditari, të titulluar “55 ditë”. Kujtesa është thelbi i këtij libri. Kujtesa është edhe mjeti për t’i bërë rezistencë indiferencës. Duket se diçka është e kjarët te Mirela, brenda saj ka zënë fill dhe është rritur që në krye të herës dëshira e pamatë për t’u gjendur në vendet ku ndodhin faktet më të rëndësishme, ku zhvillohet historia. Disa vendosin ta tregojnë realitetin e fakteve në mënyrë objektive, të tjerë përdorin filtrin e botës së brendshme, duke u dhënë udhë emocioneve dhe ndjenjave.

    Në secilin nga rastet, dëshmia e tyre, e gjallë dhe e drejtpërdrejtë, e mundëson lexuesin të njihet me një episod të caktuar nëpërmjet syrit të atyre që i kanë përjetuar personalisht.

    Duke lexuar “55 ditët” e Mirelës, i kam ndier të gjitha këto. Jam ndier e transportuar në një realitet tjetër, ndryshe nga ai që jetojmë, ndryshe nga ai që jemi mësuar të na kallëzohet, ndryshe nga ai që na e shërben politika me këmbëngulje të papërtuar. Autorja, me profesionalizëm e pjesëmarrje personale, siç thotë Violeta Murati, për Shqipërinë ky është rasti i vetëm në gazetari, kallëzon përvojën e saj, një studiuese e gazetare shqiptare në misionin gjerman. Teksti i saj është një gërshetim i shkëlqyer mes refleksioneve të një gazetareje dhe zërit të vetë njerëzve. Ditari i sapobotuar i Mirela Oktrovës është një zë i ruajtur me diskrecion, sepse diskret e kërkon zërin e vërteta. Është më e pakta të vendosim ta falënderojmë gjatë e ngadalë Mirelën, edhe për faktin e padiskutueshëm që e mishëron thënia e jashtëzakonshme: çdo luftë zhvillohet dy herë, një herë në fushën e betejës dhe një herë tjetër në kujtesë… Kjo e dyta, si një mënyrë për t’u çliruar nga e kaluara. “55 ditë”, botuar nga Onufri, është një simbiozë e kujtesës me përjetësinë. Kujtesa, pra, është ky ditar, ndërsa përjetësia janë fotot të cilat e bëjnë përfundimisht dhe pakthyeshmërisht të pavdekshëm momentin piskatës historik.Shoqëria bashkëkohore është shënjuar nga ngjarje të shumta traumatike që dora-dorës e kanë modifikuar forcërisht nocionin e kujtesës. Nga Lufta e Parë Botërore te Shoah, nga bomba atomike te gjenocidi i luftërave të Ballkanit, për të kaluar përmjet shndërrimeve të thella socio-politike të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, kujtesa kolektive ka marrë, në të vërtetë, trajtën e një konflikti të pashmangshëm mes “kujtesës” dhe “harrimit”, mes përkujtimit të një ngjarjeje dhe fshirjes së një të kaluare shpesh kontroverse. “55 ditë”, i shkruar përplot me dashuri dhe respekt, është thirrje e qetë dhe e mirërreshtuar me qëllimin e pafundmë për të mos harruar dramën e Kosovës, dramën tuaj…Në mbyllje dua t’i thërras në ndihmë një legjende hasidike që e kam shumë për zemër, legjendën e Rabbi Baal-Shem-Tov-it, i njohur edhe si Besht, kur hebrenjtë dhe krejt njerëzimi po vuanin aq shumë nga djajtë. Kështu Beshti dhe ndjekësi i tij janë dënuar me ekzil në një ishull të largët. Ndërkohë ndjekësi i lutet Beshtit që të përdorë fuqitë e tij misterioze në mënyrë që të kthehen në shtëpi. Por Beshtit nuk i kujtohet asnjë fjalë, asnjë lutje. Ka harruar gjithçka. Atëherë Beshti i përgjërohet ndjekësit të tij që t’i kujtojë ndonjë lutje, por as ai nuk mban mend asgjë, përveç diçkaje, dhe ky është alfabeti. E kështu ia nisin të dy njëzëri Aleph, beth, gimel, daleth… derisa iu rikthehet kujtesa.Kjo legjendë, mbi të gjitha, emfatizon forcën mistike të kujtesës. Siç thotë Elie Wiesel, pa kujtesën ekzistenca jonë do të ishte e paplotë dhe opake, si një qeli burgu ku nuk futet fije drite; si një varr që e zmbraps jetën. Kujtesa e shpëtoi Beshtin, e nëse ka diçka që mund ta shpëtojë njerëzimin, është kujtesa. “55 ditët” e Mirela Oktrovës që u ndeshën me 15 000 fate njerëzish, që e tronditën me jetën dhe dëshmitë e tyre, dëshmitë e atyre kohëve lotthara kur natën e shkurtonte halli dhe gjumin e zbonin mbresat, janë vetë fati i popullit shqiptar të Kosovës, janë ai alfabeti që duhet t’i kthejë kujtesën një populli mbarë, kujtesën që do të mund t’i ngjallë shpresën, shpresën që na kujton se Paqja nuk është dhuratë e Zotit, por dhurata jonë për njëri-tjetrin. Në mbyllje, dua të them se libri i Mirela Oktrovës më sjell ndër mend një simotrën e saj gjerësisht të njohur, gazetaren Lili Gruber, zemra e së cilës patjetër ka mbetur në shesh lufte dhe thotë: U largova nga Bagdati, pa e lënë realisht Irakun…Afërmendsh, zemra e Mirela Oktrovës ka mbetur në sheshdramën e 20 vjetëve më parë, por përveç zemrës ka mbetur edhe pengu i rëndë se ajo çka ka bërë është më e pakta dhe e shpreh me këto fjalë: “Këtë herë me fytyrë të ndryshuar, jo vetëm prej diellit të parakohshëm mesdhetar, por para së gjithash prej ndjenjës së pamundësisë për të bërë diçka më shumë, për të ndihmuar disi më shumë, qoftë edhe në një mënyrë a formë tjetër…”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË