More
    KreuLetërsiBibliotekë"Zhulieta Guiçardi", tregim nga Roland Gjoza

    “Zhulieta Guiçardi”, tregim nga Roland Gjoza

    Që nga mosha 20 vjeçare, kur u vendos në Vjenë, Bethoveni ndërroi 32 shtëpi. Atëhere ishte shurdh, miop, vuante nga tuberkulozi, ceroza në mëlçi, barku, pritej t’i nënshtrohej katër operacioneve të vështirë, por pa sukses. Ishte më i madhi kompozitor i kohës, po jetonte vetëm, bridhte fushave, u largohej njerëzve dhe, kur duhej të fliste me njeri, përdorte letërkëmbimet. Fletoret e letërkëmbimeve arrijnë në më tepër se 11000 faqe, aty janë dhe dialogët me Zhulieta Guiçardin, të dashurën e tij të ëmbël, lozonjare, që s’e kishte më. Ai i humbi të gjitha; femrat, miqtë, shëndetin, vëllezërit, nipin, që e kishte si djalë, për hir të artit.

    Kur e braktisi Zhulieta Guiçardi, ai, nga dëshpërimi i madh donte të vriste veten. Pasioni i rrëmbyer e bënte të harronte gjëndjen e vështirë ku ndodhej, ndërsa virtyti, se ai ishte puritan, e revoltonte, mbahej krenar, po ishte mizantrop, sarhosh i prapë, endacak, i trishtë, i gëzuar kur dilte në natyrë, fodull, i rëndë, i pakomunikueshëm, fëmijët e ndiqnin siç e ndiqnin dhe mizat mantelin e tij të ndragur, të strepsur e të kruspullosur, siç e ndiqnin dhe vagabondët, sepse ai kompozonte me zë dhe i binte pianos në ajër, ngaqë s’dëgjonte dhe në këto raste dukej si një i çmendur. Flokët e dendur e të gafrruar i ngriheshin mbi ballin e madh e të kërcyer si një brerore e pështjelluar në kaos, ato i mbulonin kërcënueshëm e përplot kaçurrelëza të kapërthyera keqas me njëra — tjetrën, faqet me prerje të thella prej dëshpërimit e vuajtjeve, supet dhe shpatullat e gjëra e të ngjeshura si të një luani.

    Ai kishte marrë nje palë vegla dëgjimi prej mekanikut Maelzel, po përsëri s’dëgjonte asnjë tingull, asnjë fjalë, ai, pikërisht ai, Ludvig Van Bethoveni, që këtë shqisë duhet ta kishte më të përsosurën. Zoti e kishte vënë në provën më të skajshme.

    Ishte koha kur Vjena përulej para Bramsit. Bethoveni dhe Mozarti quheshin të vjetëruar, të dalë mode, opera italiane kishte zbritur në qytetin e vjetër të artit si një Kopsht Edeni. Vjenezët kishin hequr dorë nga bravura dhe ishin hedhur me pasion djaloshar te gazi popullor i tarantelës italiane te Rosinit.

    Bethoveni dilte nga shtëpia në Heiligenstadt, lagje në periferi të Vjenës dhe bridhte fushave në prag stuhie. Ishte periudha më e rëndë për të, shurdhimi i plotë dhe ndarja përfundimtare me njerëzit. Ai komunikonte vetëm me letra. Atje në fushën me gjurmë rrotash karroce dhe thundra kuajsh, në baltën e trazuar të vjeshtës përplot gjethe të vdekura, ai gjente shpresën dhe vullnetin për të krijuar, atje, nën rrebeshin dhe rrufetë që buçisnin, ai thërriste si një i marrë; Jam unë, jam unë, qeë do t’ju sjell të dëshpëruarve gëzimin, ja kjo është bota, një prag stuhie, një terr i mbushur me rrufe urrejtjeje për mosmirënjohësit dhe armiqtë e krijuesit, një kaos, një plojë, unë jam, unë jam durimi, vullneti dhe gezimi,  po patet durimin,keni jeten, po patet vullnetin, keni krijimin, po patet gezimin, keni dashurine.

    Atë nuk e shikonte askush, se të marrët nuk merren seriozisht dhe lihen të marrosen edhe më keq. Nuk kishte ditë që ai s’dilte fushave, rrokte pemët dhe rrotullohej me një klithmë që I dilte prej shpirtit të trazuar. Ishin ditë stuhie. Kjo I pelqente pa masë; stuhia. Rrapëllima gjëmimtare, shkundullimi, krisja dhe shpërthimi, të cilat nuk I dëgjonte, po I merrte me mend prej rrebeshit të tërbuar që e lagte dhe pemëve që tundeshin gjëmshëm, gati të thyheshin e t’i binin mbi kokë. Kjo kryengritje e natyrës e marroste, i sillte gëzimin dhe rebelimin. Karrocat që i kalonin pranë nxitimthi e me rrapëllimë në dritën e fundit e teë marrtë të ditës në prag të shpërthimit të shtrëngatës, veçse e stërpiknin me baltë buzën e tij që i shqiptonte këto fjalë dhe ballin e lartë që mendonte Simfoninë e Nënteë, pjesën e jashtëzakonshme kur instrumentat pushojnë dhe hyjnë zërat me madhështi hyjnore për të shpallur gëzimin.Ai atje e krijoi këtë simfoni,fushave të Vjenës në stuhi duke thirrur pa dëgjuar asgjë ,duke nxjerrë tinguj të një orkestre ajrore prej 1000 instrumentistësh, pa dëgjuar kurrfarë tingulli, duke parë shfaqjen më të egër dhe më madhështore të natyrës, po pa dëgjuar shpirtin e saj. Kjo ishte dhimbja e Zotit, që ai e dinte dhe e pranonte me një nënshtrim mistik.

    Një ndajnate një karrocë ndaloi pranë tij, një karrocë fisnikësh me dymbëdhjetë kuaj që ende shkumbëzonin e shkrofëtinin me hingëllima të zgjatura. Kishte dalë njëra rrotë, që ende rrotullohej në fushë, në rrebeshin që kish nisur me bubutimë, gjersa u pengua në një pemë dhe u përmbys në ligatinë, nën dritën e verbtë të vetëtimave. Prej saj doli një burrë dhe pas tij u duk koka e një femre me vel mbi fytyrë. Ajo ngriti velin dhe, në një grimë dritë rrufeje, ai pa fytyrën nazike, aq të bukur e mizore të Zhulieta Guiçardit. Sa e urrente, ose më mire,sa e përbuzte! Iu shua muzika në shpirt dhe e kaploi nje valë tërbimi. Ajo e kishte lënë. Ai thirri në shtërngatë; Kjo është nata ime, stuhia ime, ç’doni ju këtu, në këtë sallë me fantazma, kthehuni mbrapsht! Këtu luhet Simfonia e Nëntë! Ju jeni të paftuar.

    Kaq donte Zhulieta dhe zbriti nga karroca. Kush jeni ju? thirri ajo. Ai nuk iu përgjigj. Unë po shkoj në Vjenë të takoj Ludvig Van Bethovenin, tha ajo.

    Ai nuk dëgjoi asgjë. Këqyri kurmin e saj që u shfaq pas fustanit të lagur krejt të puthitur pas kofshëve e gjinjve dhe kujtoi kohët e arta në Hungari në Martonvasar, te pronat e Tereza Brunsuik, kushurirës së saj. Ai ishte i ftuar atje. I binte pianos nën dritën e hënës. Larg dukeshin kuajt hergjelë të ciganëve dhe zjarret në brymën e natës. Perdet fryheshin nga era dhe tërhiqeshin përjashta neë qiell, plot flutura nate vërtiteshin rreth shandanëve të mëdhenj me qirinj të kuq, të gjatë, që lëshonin një ame trëndafilash dhe shkrumbi. Tereza i qëndronte pranë dhe motra e saj, Jozefina, nuk ia ndante sytë. Ai i dashuronte të dyja. Ai nuk dëgjoi asgjë, po shfryu flegrat e hundës, se një taft pluhuri e goditi befas dhe pas pak ai u trondit kur pa mbi piano një thundër përplot lesh ngjyrë kafe të një kali hamshor që hingëllinte hareshëm mbi kokën e tij. Ai u skandalizua, mbi kalë ishte një grua e re që i buzëqeshte, një femër nazike me çizme të gjata lëkure, që u përkul dhe i mori dorën. Mirëmbrëma, Bethoven! Më thanë se keni ardhur dhe nxitova t’iu shikoj.

    Kali nuk e hiqte njërën këmbë nga pianoja e zezë ku dukej një e gërvishtur e madhe. Nuk po e mblidhte dot veten. Aty pranë kishte shishen me verë Ofener, mbushi një gotë dhe e ktheu me një frymë. A do të vini me mua në fushë? Ciganët e mi këndojnë këngë shumë të trishtme.

    Kali u ul me një shenjë që i bëri ajo dhe ai u bind menjëhere, zuri vend pas saj dhe fluturoi në ajër duke u tundur rrëzë qafës së një femre që e joshte për ta puthur. Dhe ai s’priti po e puthi, një herë,dy, njëqind herë.

    Ai i kishte kërkuar Francit, mikut të tij, dorën e së motrës,Terezeës, të cilën e dashuronte prej vitesh, qysh atëherë kur i mësonte pianon.

    Po kjo Zhulieta Guiçardi po e varroste të gjallë. Hapu dhe të futem e mbulomë sa më parë, se nuk e mbaj dot këtë turp.

    Ajo e ndali kalin në mes të fushës dhe u kthye nga ai. Nuk kishte parë femër më të bukur, më hamgjitëse, më finoshe, gati si një lule, që i hap petalet në sytë e tu. Ishin nën dritën e hënës. Poshtë vezullonte bari dhe margarita e bardhë e egër, një pjesë e saj e shtypur nga kuajt. Ajo i tha; I dëgjon këngët e ciganëve? Dashuria është e shkurtër, këndojnë ata, se gjaku s’është njëlloj, kur ka dritë hëne është i kuq, kur ka vranësira bëhet blu, po ti dashuromë kur ka dritë hëne kur dhe gjaku është i kuq..atëherë dua të ngul thikën, që gjakun ta kem në duar, gjakun tënd të kuq, që t’i ma falë mua..I dëgjon?

    Po ai s’dëgjonte asgjë. E shikonte në sy, në buzë, në gushën e bardhë me shkëlqim, në gjinjtë e shtërnguar, në flokët e gështenjtë që i merrte era. Të dashuroj, i tha. Dhe unë të dashuroj, Bethoven, i tha ajo. Nxorri nga gjoksi një thikë që vetëtiu në dritën e hënës. Kjo është thikë cigane, tha ajo, merre dhe ngulma. Tani! Sa e bukur ishte! O zot! Hapu dhe, pëshpëriti ai.

    Ajo e çoi te ciganët, te zjarret e mëdhenj. Fusha u mbulua krejt nga bryma dhe një pjesë e kuajve flinin në këmbë nën dritën e hënës. Ai i zgjati një cigani një fletore dhe një pendë dhe i tha t’ia shkruante fjalët e kengës. O zot, pëshpëriti, dhe në agim në pianon e gërvishtur në sallën e madhe pa njeri, në praninë e Xhulieta Guiçardit që e vështronte me dashuri, kompozoi për të, sonatën :Drita e hënës”

    Tani ajo i fliste në terrin e zi dhe të përflakur të shtërngatës nën shiun e furishëm dhe ai nuk kuptonte asgjë, bëhej gati të ikte, po nuk ikte dot, sepse ajo ishte më e bukur se atëherë, megjithëse kishin kaluar gati 20 vjet. O ç’plagë iu hap. Ç’vuajtje. Kush jeni ju? e pyeste ajo. Pse nuk përgjigjeni. Ia shkroi në leter; Kush jeni ju, zotëri? Pani, i tha ai, fantazma e tij.

    I shoqi i bëri shenjë të mos merrej me të, se ai dukej që ishte një i marrë, po ajo këmbëngulte, se kishte pikasur te ai një të njohur të vjetër, po pa e sjellë ndër mend plotësisht. Bethoveni në atë kohë dukej si një 70 vjeçar. Ku po shkoni, zonjë? e pyeti ai. Ju, mos jeni, mos jeni ai..Bethoveni?Jo,zonjë, nuk jam ai. Ku po shkoni? Te Bethoveni, t’i kërkoj një favor për tim shoq, kontin Gallenberg. Nuk e di nëse ka për të më pritur. Ai nuk pret, po dhe nuk përze, zonjë. Nuk ka zemër. Ku e njihni ju? e pyeti ajo. Oh, atë e njohin të gjithë. Është shumë i famshëm. E di, iu përgjigj ajo, ai gjithmonë ka qenë i famshëm, po fatkeq.

    Të gjitha këto u shkruan në fletore në karrocë, ndërsa shiu i kishte lagur të dy, i kishte bërë qullë.

    Një karrocë tjetër i mori dhe, kur ajo vuri këmbën në shkallëzë me fytyrë nga ai, Bethoveni thirri me pezm; Zhulieta Guiçardi, ju kam dashur më shumë se të tjerat. Ndërsa sot, ju përbuz më shumë.

    Kur ajo u bë gati ta ndiqte, ai u zhduk në errësirë.

    Ai e mori në shtëpi, në dhomat e tij të varfëra dhe ajo u ul në kolltukët e rrjepur. Ishin ende të rinj. Ajo bënte përshtypje të madhe. Ai i shërbeu si një shërbëtor, e çoi në opera, po rangu i saj i lartë i donte karrocat me dymbëdhjetë kuaj, kështu që ai u shkund nga xhepat dhe kur ajo i fliste me afsh për ndjenjat e saj, ai s’dëgjonte asgjë. Ajo detyrohej t’ia shpjegonte ato shpërthime që i vinin nga shpirti me një pendë pate në fletoret e tij të kruspullosura të bashkëbisedimeve. Shpesh herë e gjente të sëmurë. E çonte ajo te mjeku dhe priste me ditë që ai te përmirësohej. Ai i thoshte; Më fal që të dashuroj, unë s’di ç’bëj, ti je kaq e bukur, po unë të mundoj, e dashur, nuk e di si do të vejë fati im.. Një dite ishin në një tavernë. Ai u ul në piano, në një piano të vjetër që e kishte mbuluar pluhuri, ngriti kapakun dhe nderi gishtërinjtë mbi tastjerë. Pronari i tavernës i tha se ajo piano nuk punonte, po ai nuk e dëgjoi.  I ra sonatës; Drita e hënës për Zhulieta Guiçardin. I binte tasteve i zhytur thellë në ndjenjat e tij melankolike e delikate, po askush nuk dëgjonte gjë, se pianoja nuk nxirrte tingull. Ata e njohën     Bethovenin dhe për respekt e dëgjuan deri në fund, sepse ai të magjepste me furinë hyjnore të lojës së tij. Kur mbaroi, u bë heshtje. Zhulieta Guiçardi kishte ikur. Pas ca muajve ajo i çoi letër ku e lajmëronte se ishte martuar me kontin Gallenberg. Atë ditë ai donte të vriste veten. Po e mbajti vullneti i tij i fortë dhe mësimi i Plutarkut se njeriu duhet t’i nënshtrohet fatit.

    Dy ditë pas stuhisë, ai e këqyrte Zhulieta Guiçardin të gjunjëzuar te këmbët e tij duke qarë dhe duke fshirë lotët me një shami të parfumuar. Miku im i vjetër, unë ju dashuroj, gjithmonë ju kam dashuruar,  po nuk kisha forca për të duruar sakrifica, nuk isha në gjendje t’iu ndihmoja në fatkeqësi, nuk jam lindur për të vuajtur, konti, im shoq, më ka bërë të lumtur, po ai rrezikon të vritet, vetëm ju mund ta shpëtoni, falmëni dhe ndihmomëni në ditën më të keqe të jetës sime. Ju jeni njeriu më i shquar i Gjermanisë, keni plot miq në pallatin e Arkidukës, i lutem zemrës suaj, në qoftë se ruan një grimë dashuri për mua, po nuk i falem, jo, mendjes suaj, që ka plot arsye të kundërshtojë, bëjeni këtë për mua.. në emër..në emër të asaj nate..ju kujtohet? Hëna, kuajt, kënga e ciganëve kur ju më kushtuat sonatën më të bukur…

    Sa e vogël, sa e zakonshme i dukej kjo grua Bethovenit. Shkoni, i tha, ju përbuz! Po në të vërtetë e donte akoma. Me zjarr, me shumë zjarr. Ajo u çua me sytë plot lot dhe ai për pak sa nuk e mori në krahët e tij që t’i jepte një puthje të gjatë në buzët e ngrohta ku kullonin lotët. Po Bethoveni ishte stoik, nuk i pëlqente cënimi i krenarisë, ai ishte aq i pastër dhe korrekt, sa dinte të sakrifikonte dhe një ndjenjë si kjo. Nuk tha atë që ndjeu, atë që po e mbyste, që po ia merrte frymën, sepse përherë i gjente forcat t’i nënshtronte ndjenjat për hir të një qëllimi të larte, ngriti kokën krenare, kokën e një luani plak të rregjuar përpara asaj bukurie verbuese përplot tundim satanik dhe, me rreptësi, thirri; ik, të përbuz!

    Jo! shpërtheu ajo, jo, ju më dashuroni. M’u betoni që nuk më dashuroni. Nxirreni thikën cigane që ju dhashë atë natë. Ç’prisni, ngulmani! Tani, këtë çast! dhe i tregoi gjoksin që i ulej dhe i ngrihej, pastaj ngriti dorën e futur në një dorashkë sateni me dantellë dhe bëri kryqin. Ai nuk e priste qe ajo te ngrinte krye, u platit, gati po i merrej fryma prej një pendimi ngashnjyes, iu kujtua ajo natë në fushë, zjarret, kuajt, ciganët që këndonin këngë të trishtme dashurie, ajo thikë me majë të mprehtë që vezulloi fort në dritën e hënës. U ngashërye, për pak sa nuk zgjati duart drejt saj, po shpejt e mblodhi veten dhe, nën furinë e një krize të papritur, thirri; Zhdukuni! Nuk dua t’ju shoh, nuk dua! Jashtë!

    Ajo e pa në sy për herë të fundit, me lotët që i rridhnin papushim nëpër faqe e buzë, krejt në heshtje, e tmerruar, po llahtarisht e bukur, me atë vuajtjen e saj sfilitëse, e fyer dhe e poshtëruar, e lënduar në sedrën e brishtë të gruas, që s’është mësuar me një sjellje kaq të vrazhdtë, sepse ende s’i besohej që ai po e dëbonte, ndonëse e ndiente, me nuhatjen e hollë të dashnores, se ai ende e dashuronte me zjarr, kurse Bethoveni, duke u dridhur, ia pa dhe ia ndjeu me dhimbje të thellë, jo vetëm lotët, po dhe bukurinë, atë dobësi që mund t’ia prishte mendjen e që, për një çast, iu duk hyjnore, e madhërishme, si natyra ne stuhi, gjithashtu ia pikasi me pendim e vuajtje sfilitëse dhe atë fërgëllimën e beftë të femrës tunduese e lozonjare që është mësuar vetëm ta dashurojnë dhe t’i plotësojnë çdo tekë.

    Bethoveni zuri shtratin. O, sa e kishte dashur! Ne mbrëmje shkoi te Arkiduka dhe e shpëtoi kontin Gollenberg nga dueli. Ai është armiku im, tha, është e arsyeshme që, unë, sa të mundem, t’i bëjë mirë.

    Të nesërmen Zhulieta Guiçardi erdhi ta falenderonte, po ai s’e priti. Kështu bëri dhe me Tereza Brunsuikun, të cilës i kushtoi sonatën e famshme; Apasionata, po dhe me Jozefina Stakelbergun. Ai nuk ua fali që nuk e dashuruan deri në fund, po nuk i harroi, portretet e tyre të dashura i mbante në albumet e tij.  Edhe para operacionit të pestë, që s’u bë dot, se ai vdiq në moshën 57 vjeçare, krejt i vetmuar, ai i puthte portretet e tyre me mall te madh dhe fliste si i marrë; Prapseprapë ju dashuroj, ju kam falur te dashurat e mia të përjetshme, po më fort më ka prekur zemrën Zhulieta Guiçardi me atë thundrën e kalit mbi piano atë natë në Martonvasar. Me atë thundër kali do të shkoj në varr.

    NJË KOMENT

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË