Në vitin 2005 Ardian Klosi, një talent aq i përkorë i përkthimit dhe njohës i dijes shqiptare, boton librin “Netët pellazgjike të Karl Reinholdit”, me tekste të vjetra shqipe të mbledhura prej K. Reinholdit (1834-1880) mes arvanitasve të Greqisë, në vitet e mesit të shekullit të 19-të. Ky mbledhës tekstesh të vjetra, në profesion ishte mjek, që si dhe të tjerë specialistë fushash të ndryshme, kishte shoqëruar mbretin e parë të Greqisë së pavarur, Otton e Bavarisë, për të ndihmuar me aktivitetin e tyre mbarëvjtjen e atij vendi. Punoi në flotën detare greke si kryemjeku i saj. Pikërisht në ishujt Poros, Specia, Hidra dhe në Peloponezin perëndimor, kishte vrejtur se ishin të shumtë ata detarë, që flisnin një gjuhë tjetër, ndryshe nga greqishtja, që ai vet kishte nisur ta mësonte për të kryer detyrën e marrë përsipër. Këtu nis dhe “aventura” e pasionit të tij të ngulët ndaj arvanitishtes, që ai do ta cilësonte nëpër dorëshkrimet e tij të shumta si “gjuhë pellazgjike”. Panajot Kupitori nga Hidra, në letërkëmbimet e shumta mes tyre, do t`i shkruante dikur se “Shum`u gëzuashë, çë më kultove e më shkruajte edhe ndë gluhë të zogut, undrë [sikundër] thonë Arbëreshtë…”
Duhet thënë se botime dhe dorëshkrime të shumta të K. Reinholdit, kanë tërhequr jo pak vëmëndjen e albanologëve të njohur europianë të kohës. Nëpër vite, dorëshkrimet e tij u endën nëpër duar të disa prej tyre, si dhe në biblioteka, derisa balkanologu dhe albanologu i njohur Gustav Veigandi, ia dhuroi materialin e dorëshkrimeve shtetit shqiptar më 1929. Dhe A. Klosi, pasi rezulton sipas tij se ato pothuaj nuk janë prekur nga duar gjuhëtarësh, folkloristësh e antropologësh, pas një “gjumi” të gjatë të tyre, ai i nxjerr në dritë këto dorëshkrime të çmuara, përmes transkriptimit në alfabetin e sotëm të teksteve, përfshirjes së spiegimeve dhe një glosari të pasur me fjalor të greqizmave, turqizmave, fjalëve të veçanta dhe frazeologjik, vendosur në fund të librit. Pra, e bën të njohur këtë thesar para studiuesve të fushave dhe lexuesve të tjerë të interesuar.
Në këtë botim, përfshihet një mori tekstesh me gjuhën origjinale të arvanitasve të kohës, me dialogë, me proza të shkurtëra, anektoda e gjëegjëza. Është interesante të kujtohet se Reinholdi, ka një letërkëmbim të dendur me mikun e tij, me të cilin janë njohur në anijen e flotës detare, pra, me “paterin” [priftin] Vasil Saqelarin, prej të cilit, merr rregullisht tekste në shqip me këngë, me anektoda, përralla, dialogje. Prifti arvanitas, i dorëzon rregullisht mjekut gjerman tekste shqipe dhe, duke qënë se i ka vdekur priftëresha, priftit të varfër me këtë rast, i krijohet mundësia që të sigurojë disa të ardhura sado modeste nga kjo punë, që e bën me porosi të “jatroit gjerman”.
Dhe pikërisht nga pjesa e këngëve popullore arvanite, më tërhoqi vëmendjen, diku nga mesi i librit (f. 261), teksti i këngës “Kur më vjen burri nga stani”. Gjithë teksti këtu vrehet se ka 8 vargje, që mund t`i supozojmë të organizuara në 4 strofa 2 vargëshe të rimuara. Përmbajtja e kësaj kënge, të kujton menjëherë interpretimin virtuoz të sopranos Tefta T. Koço. Një këngë kjo, që sa herë e dëgjon, përveç vokalit qiellor të saj, të rrëmben për harenë dhe humorin aq njerëzor që përcjell. Është një këngë, që dëgjohet shpesh dhe në mjedise festash e gëzimesh të ndryshme
Por ndërkaq, duhet sjellë ndërmend se teksti i kësaj kënge aq të njohur, është prezantuar si variant i këngës popullore, të përpunuar nga poeti Lasgush Poradeci. Dihet se këngëtarja T. T. Koço, krahas mjaft këngëve popullore qytetare si: “Këndon kumrija”, “Zare trëndafile”, “Moj hyrije, bukurije”, “As aman, moj lule”, “Fry moj er` e mali” etj, ka interpretuar dhe disa këngë të tjera, që janë mbështetur në poezi të Lasgushit, apo të përshtatura prej tij nga këngë të njohura të lirikës popullore shqiptare si: “Kroi i fshatit tonë”, “Kur m`u rrite, vogëloshe”, “Qante lulja lulen” e disa të tjera.
Kompozitori Kristo Kono (1907-1991), që kishte studiuar për muzikë në Francë e pastaj në Itali, fare i ri aso kohe, ishte ai që kishte krijuar muzikën e shumicës prej tyre, duke ruajtur fort të spikatur në to melosin e këngëve popullore shqiptare. Mbi poezinë e Lsgushit, K. Kono ka kompozuar mjaft këngë e pjesë muzikore. Në letërkëmbimin që poeti ka me të, i drejtohet me venerim “mjeshtri Kristo Kono” dhe e quan dhuratë të çmuar kompozimin që i ka bërë poezisë së tij “E mora shoqezën përkrah”. Ai i shkruan veç të tjerash mjeshtrit të muzikës, pasi e ka shijuar magjinë muzikore të saj: “Mua më ka ëmbëlsuar me një mijë nektare tëëmbla fort… dhe më ka therur me një mijë thika të mprehta fort… Si i ke hyrë ti Kono këngës kaq me delikatesë, duke e interpretuar. Ti s`ke bërë një vijë melodike, po një interpretim. Një interpretim elokuent pa folur gjë. Ke muzikuar një mister, që ringjall së fellash dashurinë, që tund prej fundesh universin e zemrës sime duke kënduar. E ke mbushur poemin me një parfum muzikal të pambaruar”. Për këngëtaren me zë ëngjëllor shprehej: “Tefta nuk këndon, por fluturon”.
Tani të rikthehemi tek teksti i këngës “Kur më vjen burri nga stani”. Në tekstin që ka përpunuar Lasgushi, janë ruajtur të 8 vargjet, të cilat, janë po ashtu dhe në këngën arvanitase, që gjendet në dorëshkrimet e Renholdit.
Nga konsultimi me përmbledhjet e këngëve tona të deritanishme të lirikës folklorike dhe në bisedë të bërë me ndonjë studiues të folkloristikës, nuk rezulton që kjo këngë, të jetë e përfshirë në to. Pra, duket se ajo nuk rezulton e njohur nëpër fshatra e krahina ndër ne, përveçse nga ajo e kënduar nga T. T. Koço, qysh këtu e gati një shekull përpara.
Atëhere duket se Lasgushi, ka gjasa që të jetë mbështetur në variantin e këngës arvanitase – për të krijuar pastaj tekstin e përpunuar të kësaj kënge, kaq të njohur në repertorin e interpretimit vokalo. Por këtu, shtrohet natyrshëm pyetja se në çfarë rrethanash ka ndodhur njohja e tij me këtë tekst?
Duket se kërshërisë dhe vëmendjes së poetit, nuk do t`i ketë shpëtuar që të gjejë rastin e të shfletojë radhonjtë e dorëshkrimeve të Reinholdit, që kishin mbërritur në Tiranë. Dhe që duhet thënë se sipas A. Klosit, rezulton që ato të kishin provuar pothuajse indiferencën edhe të dijetarëvë e specialistëve të drejtpërdrejtë të atyre fushave. Por duket se këtu, ndikonte edhe fakti se konsultimi me to, kërkonin njohës të gjermanishtes dhe poetit, dihet se kjo nuk i mungonte. Por sidomos, nuk i mungonte etja e thellë dhe pothuaj obsesive që ai kishte dëshmuar për të gjurmuar dokumente e thesare, që lidheshin me botën shqiptare. Mund të kujtojmë impresionin e fort, që ai provoi kur ishte ende student i ri në Vjenë në vjeshtën e 1924-ës dhe kërkoi e gjeti në arkiva të bibliotekave të atjeshme, veprën e Bogdanit “Çeta e profetëve” (Cuneus Prophetarum), prej së cilës, siç shkruan, aq u mrekullua, kur pati gëzimin ta shikojë me sy, ta prekë me dorë, ta studiojë e përpijë në shpirtin e tij, sa dhe e kopjoi me dorë një poezi kozmogonike bogdaniane, që sipas tij, nga koncepsioni i saj origjinal, e idesë së fuqishme dhe e formës së veçantë të saj, “Kozmogonia e të Madhit Shqiptar [Pjetër Bogdani] iu bën ballë me cilësit` e veta, kozmogonisë asiriane (babilonase), ashtu sikundër këtë e shohim në Biblën hebraike dhe kozmogonisë hindike, ashtu sikundër këtë na e çfaqin Vedat e shenta”. Dhe për më tepër, – siç del nga letra e hapur, shkruar prej manastirit të Shënavlashit të Durrësit më 1942 dhe botuar në një gazetë të kohës – e përcaktonte atë vepër si “monument letrar”, jo vetëm i gjuhës shqipe, por i “republikës së letrarëve përgjithësisht”. Pra, kishte bindjen dhe konfirmonte plot endje se edhe letërsia shqipe, e kishte tashmë të dëshmuar praninë e saj në republikën e përbotshme të letrave, një status ky real dhe i merituar. Po kështu, mund të kujtojmë studimin e tij të vëllimshëm mbi koloninë shqiptare të Bukureshtit, ku përcillet një informacion tejet i zgjeruar, vjelë e ruajtur me një zell e disiplinë shembullore. Që duket se kjo disiplinë e ky vullnet pune, ishin pjesë e pandarë e personalitetit të tij, fituar nga një kulturë e fortë gjermane.
Pra, atëhere mund të shtyhemi të mendojmë se edhe zbulimi i këtij teksti kënge arvanitase dhe pastaj përfshirja e tij në një tekst më të zgjeruar prej poetit, nuk ishte e rastësishme. Teksti origjinal popullor, formulohet brenda një narrative subjektore, gërshetuar me doza humori e deri përtallje, sigurisht pa të keq. Zonja arvanitase, duket se e pret burrin e saj, sipas rastit: të vijë nga stani, pastaj nga kisha, nga ara dhe nga vjelja e ullinjve. Sigurisht, ka një gradacion të skajshëm emocional dhe erotik, në këto pritje të saj. Ndryshe është kur vjen burri nga stani, gjithë shëndet dhe uri shtrati, e po ashtu edhe kur vjen nga kisha të kremteve, i rehatuar, endërrimtar nga psalmet e dëgjuara dhe ikonat shndritëse nën dritën e qirinjve, veshur mirë e mbase dhe i parfumosur. Dhe pastaj merren me mend ato situatat e tjera, kur burri i vjen aq i lodhur, i pluhurosur e i baltosur nga ara, apo nga skalafitjet e mundimshme në vjeljen e ullinjve. Prandaj dhe anonimati, ka thurrur këto 8 vargje në gojën e gruas nazike e ca të sertë arvanitase.
Kur më vièn burri nga stani
Puf, puf, puf ma bën fustani;
Kur më vjèn burri nga klisha,
Puf, puf, puf ma bën këmisha;
Kur më vjèen burri nga `ndara,
Dal-, i bënj një m.t përpara;
Kur më vjen burri nga [u]llinjtë,
Mar një shkarp`-i nxièr sitë.
E poeti, pra Lasgushi, merr tharmin dhe magjinë e kësaj kënge, duke derdhur e tretur pastaj në të, tërë nektarin e artit të tij. Një shtesë të tillë, e kuptojmë dhe nga letra që i shkruan atij Tefta Tashko prej Rome, më 9 maj 1937, ku ajo, shprehet e ngazëllyer, që ka marrë vesh nga një letër e tij se do të bëjë zgjatimin e këngës “Kur më vjen burri nga stani”. “…jam fort e prekur prej ofertës suaj dhe ju falenderoj shumë që më parë. Jam aq më shumë e gëzuar se do të jetë e para herë, që do të më jepet rasti të këndoj fjalët e një poeti shqiptar, që gjithë atdheu ynë e njeh dhe e admiron talentin e tij”. Nga një letër të marrë prej vëllait të saj, Gaqo Tashkos, ajo shpreh admirim për poetin, që ka nisur përkthimin e një serenate të Shubertit dhe pret zgjatimin e këngës popullore “Kur më vjen…”. Dhe në një letër, që i shkruan një muaj më pas (14. 6. 1937), duket se është shkruar edhe pjesa e dytë, kur i kujton poetit se, kur regjistronte këngën e plotë në shoqërinë muzikore “Columbia”, e pati ca të vështirë se e kishte përfshirë një e qeshur e fortë.
Çfarë kishte ndodhur me tekstin e këngës?
Poeti duket se nga teksti original shmangu vetëm një fjalë rëndonjëse nga vargu i 6 dhe si ruan gjithë vargjet e tjera, strukturon në linja të hijshme tërë poezinë e këngës. Them poezi, se ajo i ka tërë hiret dhe misteret, që mbart një poezi e njëmendët, aq më tepër e dorës së Lasgushit. Dhe prandaj bie në sy këtu një mozaik pamjesh e gjendjesh/përjetimesh njerëzore, humor, refleksion, rizgjim shpirti prej errësimit sensual të përkohshëm. Dhe ja pjesa shtesë e Lasgushit, strukturuar sigurisht edhe brenda kërkesave të ritmit muzikor:
“Kur më vjen burri nga arat
Dal i bëj një zë përpara
Kur më vjen burri nga ullinjtë
Marr një shkarpë e i nxjerr sytë,
Kur e shoh burrin të verbër,
kur e shoh, kur e shoh,
oh, oh, ç`më shpon në zemër, oh, oh.
Kur e shoh burrin pa dritë
Plot me lotë më mbushen sytë.
Ç`thashë ashtu a unë korba,
ç`thashë ashtu, ç`thashë ashtu?
Jo, moj, jo, sytë s`ja nxorra jo, moj, jo!”
Në këtë shkrim, jemi ndalur vetëm tek një tekst kënge popullore arvanitase. Çuditërisht dhe aq mrekullisht, ai tekst ka bërë bashkë Lasgushin, Tefta Tashko Koçon, Kristo Konon, Reinholdin, priftin vejan Vasil, një studio të njohur muzikore “Columbia” në Romë dhe një Këngë [“Kur më vjen burri nga stani”], që i mbush me aq gaz e hare njerëzit, kudo ku ajo këndohet e dëgjohet.