More
    KreuLetërsiBotime të rejaYlljet Aliçka - “Valsi i lumturisë” botohet në gjuhën frënge

    Ylljet Aliçka – “Valsi i lumturisë” botohet në gjuhën frënge

    Botohet në Francë romani “Valsi i lumturisë” i shkrimtarit Ylljet Aliçka, nga shtëpia botuese “L’esprit du temps”, përkthyer nga Michel Aubry, me parathënie të Ismail Kadaresë.
    Në parathënien e këtij botimi në gjuhën frënge shkrimtari Ismail Kadare shkruan, ndër të tjera: “Një roman i shkruar me art dhe dinjitet.” Ndërsa botuesi francez shkruan për këtë libër: “Një rrëfim jashtëzakonisht ironik dhe absurd, i frymëzuar nga një histori e rrallë, ku zbulohen dy botë, gjë e rrallë kjo për romanin tradicional. Është kjo qasje që e bën letërsinë e Aliçkës origjinale dhe njerëzore.” Ndërsa pas botimit të këtij romani në Itali, gazeta “Corriere della sera” ka shkruar: “Qesh hidhur tek lexon këtë roman, e megjithatë qesh.”

    Ndërsa ish-ambasadori italian në Shqipëri, Mario Bova, shkruan në revistën L’indic: “Si vepër letrare, “Il sogno italiano” (Valsi i lumturisë) i kapërcen fuqishëm kufijtë e një hapësire kombëtare e lokale, për të arritur fuqinë e një reflektimi mbareuropian, për tragjedinë e tmerrshme të fenomeneve të emigracionit drejt kontinentit.”
    Romani “Valsi i lumturisë”, i botuar nga shtëpia botuese “Toena”, mbështetet në një ngjarje të vërtetë. Në dhjetor të 1985-s gjashtë anëtarët e familjes Popa hynë ilegalisht në ambasadën italiane. Rasti i tyre bëhet çështje ndërkombëtare për Shqipërinë e vogël e të izoluar. Familja Popa, një familje e thjeshtë nga Durrësi, hyn tinëzisht (duke u hequr si turistë) në ambasadën italiane dhe aty kërkon menjëherë strehim politik. Shteti totalitar shqiptar pëson një tronditje të madhe nga ky gjest. I quan shtetasit e vet “kriminelë”. Kush kishte guxuar ta bënte më parë një gjë të tillë, ishte pushkatuar. Ngjarja që erdhi nga këta njerëz të thjeshtë, mori përmasa të paparashikueshme ndërkombëtare. Gjashtë anëtarët e familjes Popa, nga frika e dënimit, deklaruan se do të vetëvriteshin nëse ambasadori italian i dorëzonte në duart e sigurimit të shtetit shqiptar. Ata u mbrojtën për rreth 5 vjet në ambasadën italiane, veprim që u bë shkak për tensionimin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, por edhe shkak për kthimin e vëmendjes së ndërkombëtarëve drejt Shqipërisë. Ambasada italiane rrethohet me mbi 600 mijë policë. Përtej brigjeve, televizioni italian transmetonte ngjarjen reale nga Tirana.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË