More
    KreuArte pamoreXhyher Cani PhD: Emil Zola dhe fotografia - një faqe dashurie

    Xhyher Cani PhD: Emil Zola dhe fotografia – një faqe dashurie

    Shkrimtari Emil Zola si artist fotograf afirmohet fillimisht si eksperimentues autodidakt i pasionuar pas njohurive teknologjike të përparuara në fushën e fotografisë, që i teston dhe i pasuron me mësime dhe vizita në atelietë e mjeshtërve të mëdhenj.

    Krahas Emil Zolait romancier, krijuesit të ciklit të Rougon –Macquar-it,  Zolait  gazetar dhe kritik i artit, Zolait autor i  pamfletit elokuent kundër padrejtësisë “Unë akozoj/J’accuse ”, ekziston dhe një profil më pak i njohur nga formati-gjeni i shkrimtarit, po aq magjepës sa dhe portretet e tjera – Emil Zolai fotograf.

    Gjeni i letrave dhe lider i romanit naturalist, Emil Zolai (1840-1902) është gjithashtu një njeri i imazhit. Edhe pse fotografia filloi si hobby për babain e serisë Rougon-Macquart, edhe në këtë fushë krijimtarie artistike spikat talenti madhor i tij dhe pasioni për fotografinë, që zgjati deri në fund të jetës.

    Në këtë profil të dyfishtë artistik takohet shkrimtari gjenial dhe fotografi plot ndjenjë që punonte me devizën : “Asnjë ditë pa shkruar dhe asnjë ditë pa imazh”.

    Zolai si artist fotograf afirmohet fillimisht si eksperimentues autodidakt i pasionuar pas njohurive teknologjike të përparuara në fushën e fotografisë, që i teston dhe i pasuron me mësime dhe vizita në atelietë e mjeshtërve të mëdhenj. Të dyja këto profile, të ushqyera nga vizioni krijues, karakterizohen nga i njëjti mekanizëm: syri, i cili vështron, vëzhgon dhe pasqyron me realizëm natyrën dhe shoqërinë.

    Më 1894, Emil Zolai ishte 54 vjeç dhe pothuajse e kishte përfunduar veprën e tij madhore letrare, Rougon-Macquart, kur nisi një krijimtari të re, atë të fotografisë, duke instaluar nga një laborator fotografik në secilën prej rezidencave e tij, në Paris, Verneuil dhe në Medan. I etur për të fotografuar, ai realizoi një fond prej 7000 negativash fotografike me tema intime, shoqërore dhe artistike, duke skicuar kështu albumin e tij të ardhshëm, që përbën kantierin e tij të madh fotografik që tashmë kishte ëndërruar.

    Shkrimtari ndante ndërkohë jetën e tij familjare në çift me bashkëshorten legjitime, Aleksandrina Melej (Alexandrine Meley), me të cilën nuk pati asnjëherë fëmijë dhe me të dashurën, Zhanë Rozero (Jeanne Rozerot ), që i solli në jetë dy fëmijë, Denizën dhe Zhakun (Jacques). Kjo jetë e dyfishtë do të mbetet e fshehtë deri në vitin 1891, datë që përkon edhe me fillimin e pasionit të tij për fotografinë. Më 1897, Zolai realizon albumin i tij luksoz fotografik, të titulluar Denize dhe Jacques, Histoire vrai, me dedikim plot ndjenjë, kushtuar Zhanës, që përfundimisht legjitimon lidhjen e tij intime familjare në imazh.

    Në fokus është kryesisht sfera familjare ; portretet e gruas, portretet e së dashurës dhe fëmijëve që formojnë ansamblin madhor të veprës së tij fotografike ; portrete krejt të thjeshta, të realizuara me spontanitetin e çastit, me një përkujdesje të përpiktë të dritës dhe gjithmonë me një tis ëmbëlsie në përjetësimin e modeleve. Të kompozuara në çaste madhështore apo të thjeshta, por gjithmonë shprehëse, albumi familjar bëhet një fiksion nostalgjik.

    Këto fotografi luajnë rolin e talismanit dhe janë objekte fetishe që mishërojnë portrete të dashura.Vetëm një pakicë fotografish, të gjykuara të vlefshme, i kushtohen rrugës së botimit. Ky libër fotografik familjar me faqe imazhesh është një roman i vërtetë fotografik, ku takohen së bashku brezat familjarë, kronika dhe ritmi i jetës. Në këtë kontekst, albumi fotografik është tepër intim dhe bëhet një formë shprehjeje e jetës së përbashkët protokollare, ku vatra familjare depoziton yjësinë e ndjenjave që e rrethon.

    Në këto negativa fotografike, përfaqësuese të temave të parapëlqyera të Zolait, shihen kompozime formale të imazheve me një poetikë ikonike, ku fotografitë e tij evokojnë tablotë e pikturës, me ekulibrat dhe simetritë, me rimat dhe ritmet plastike, me plane që të kujtojnë  skicat topografike të romaneve të tij. Kjo intuitë formale që merr pjesë në realizimin e bukurive të këtyre fotografive, nuk është asnjëherë abstrakte; ajo shërben si poezi, duke thyer kodet estetike të imazheve të epokës me skena të mbingarkuara panoramike marramendëse. Veç sferës familjare, në fokusin e aparatit të Zolait u përjetësuan edhe portretet e miqve të tij, Maupassant-it, Huysmans-it dhe Cézanne-it.

    Figurë e shquar e natyralizmit letrar, ku përshkrimet e tij ishin më të vërteta se vetë natyra, Zolai ishte gjithmonë i pranishëm për të fiksuar të dielat familjare, shëtitjet me biçikletë dhe lëvizjet e trenave të Parisit. Fotografia e tij mbetet intime dhe dokumenton të përditshmen, duke fokusuar qeniet e tij më të dashura. Pa dyshim që Zolai bëhet me kohë fotograf me një përgatitje të lartë teknike. Ai zotëron përdorimin e aparatit të tij panoramik, duke variuar me këndet e pamjeve dhe duke u përpjekur papushim të fiksojë përjetimet e tij të ndjera estetikisht.

    Shtëpi angleze

    Në raportin mes shkrimtarit dhe fotografit shihet një relacion pjellor mes njeriut dhe objektit teknologjik, një praktikë racionale që mundëson forma pamore krijuese të një fotografi që nuk i mungonte tashmë syri estetik dhe artistik.

    Fotografia e Zolait nxjerr në pah energjinë mbi palëvizshmërinë, vë në dukje ritmin e jetës kundër pozave statike të përftuara në atelie. Kështu, lëvizjet trupore të fëmijëve që vrapojnë drejt objektivit, lodrat vallëzuese të kushërinjve në Medan, sfidat e turmave në Ekspozitën Universale të Parisit të vitit 1900, dinamika plot jetë e Londrës, kur ndodhej në ekzil, flasin për një temperament artisti, për një nënshkrim vetjak estetik, për një aventurë fotografike drejt horizonteve me sharm, larg kopjeve naive të një realiteti të përditshëm.

    Fotografia është një akt refleksioni. Artisti që fotografon, përpiqet të japë identitetin e objektit që fokuson, ai e asimilon, e sintetizon dhe e përshtat atë në kompozimin artistik që synon. Sigurisht, procesi i fotografimit nuk është thjesht regjistrim automatik. Artisti i vërtetë nuk braktis rendin pamor, por respekton gjithë kriteret artistike dhe teknike: pozimin, kuadrimin, ndriçimin, si dhe proceset kimike. Raportet e Zolait me fotografinë janë komplekse dhe origjinale.

    Vepra fotografike e Zolait evokon një qasje tjetër të shkrimtarit, një tonalitet ndryshe, pothuajse sentimental me stilin e shkrimtarit që ishte nganjëherë edhe gazetar, edhe polemist, dhe kaloi nga realizmi në natyralizëm. Imazhet e albumit fotografik nuk evokojnë ciklin e romaneve të tij, por na hapin me dashuri dhe ëmbëlsi portën e sferës intime të autorit.

    Emil Zolai shkrimtar nuk mund ta konsideronte fotografinê si njê kalim kohe për t’u argêtuar, pêrkundrazi, ai kuptoi shumê shpejt autonominê reale dhe shkencore tê kêtij mjeti shprehês.

    Mendimi i Zolait kulmon në vëzhgimin e tij estetik “mbi faktet e natyrês”, kur e përkufizon fotografinë si mjetin ideal për të kapur dhe theksuar një veshtrim në detaje tê realitetit. 

    Rrethinat e Londrës – Pallati i kristaleve

    “Kur evokoj objekte qê kam parë, – shkruante Zolai -, unë i rishikoj tê tilla, ashtu siç janë realisht, me linjat, format, ngjyrat, aromat  dhe tingujt e tyre”.

    Edhe pse Zolai këshillohej me mjeshtrin e madh fotograf të kohës, Nadar-in, me të cilin shkëmbente një korrespondencë të pasur, Zolai në fushën e fotografisë u vetëformua si autodidakt, përmes eksperimentit dhe, më pas, fitoi përvojën e duhur. Koha e pozimit, korrigjimet e nevojshme gjatë punës, cilësia e pllakave të xhamta të përdorura, aplikimi me rigorozitet i teknikave vetjake dhe përpjekjet e panumërta për të kapur atë që kërkonte në objektin e fokusuar, të gjitha këto cilësi lartësonin veprën fotografike të Zolait.

    “Sipas mendimit tim, ju nuk mund të thoni se e keni parë diçka në themel, nëse ju nuk i keni bërë një fotografi”, – theksonte në një intervistë Njeriu i letrave, i pasionuar pas imazhit.

    Në këtë refleksion të Zolait, që përkufizon me elegancë vështrimin fotografik, bëhet e mundur të shikosh edhe atë që nuk mund ta dallosh. Në fakt, detaji vjen nga fuqia e objektivit, nga përpikmëria e kuadrimit, nga improvizimi i çastit të fokusimit, me një fjalë, nga i gjithë sistemi teknik dhe niveli i dijes së fotografit që manipulon.

    Zolai punoi në epokën e pllakave të xhamta, por edhe më pas, me daljet e para të pelikulës, ai zotëroi me përsosmëri gjithë proceset kimike argjentike ose cianotipe.

    Për 10 vjet rresht, Zolai do të kompozonte albume fotografike vetjake, pa kërkuar kurrë t’i publikojë këto imazhe. Për të, fotografia ishte “Violina e tij e re e Ingresit”; ajo u kthye në burim frymëzimi dhe dëshmi kënaqësie e sferës intime familjare dhe shoqërore. Dhe për ironi të fatit, duhej pritur njëqind vjet, deri në vitet 80 të shekullit të kaluar, që publiku të befasohej me një faqe tjetër artistike të këtij mjeshtri të madh që kishte gdhendur tashmë letërsinë.  Zolai fotograf  (Zola photographe) do të ishte libri që do të botonte nipi i tij, duke nxjerrë në pah pasionin dhe dashurinë e gjyshit të tij të shquar për fotografinë. Për historianët dhe kritikët e fotografisë, metoda letrare e natyralizmit ndikoi në praktikën e tij fotografike fine.

    Ky aktivitet i babait të natyralizmit për një kohë të gjatë është injoruar apo është lënë në hije, nisur nga masivi gjigand i prodhimit të tij letrar Aktualisht, është e vështirë të vlerësohet realisht veprimtaria e tij fotografike, ngaqë ende sot trashëgimi i koleksionit të tij fotografik nuk është rekuperuar dhe restauruar tërësisht.

    Denisa dhe Zhani

     ”Zolai fotograf “  i François Emil – Zola-it  dhe i Massin-it ka qenë, në fakt, një zbulim për publikun, por, në një farë mënyre, ka rritur edhe enigmën e profilit teknik dhe artistik prej mjeshtri fotograf të Zolait. Në punën e tij spikat mënyra e të shprehurit plot vërtetësi, e karakterizuar nga mungesa e retushit, braktisja e aksesorëve kanonikë, shfrytëzimi i kapjes së çastit të duhur, pozimi me fleksibilitet kohe, procesi i fotografimit gjithmonë në mjedise të hapura, madje edhe kur fotografonte natën etj.; kjo mënyrë e të shprehurit është provë e shijes së tij për procesin e të fotografuarit, ku teknika ngjizej me ndjenjën e tij artistike. Fotografitë në statusin e babait të familjes që Zolai realizon në albumin e famshëm Histoire vrai, që shkrimtari fotograf u dedikon fëmijëve dhe Zhanës, është përmbushja e përkryer e aktit të devocionit familjar, duke krijuar një “mal” imazhesh që do të vazhdojë të ngrihet deri në fund të jetës së tij

    Ky legjitimitet familjar nënshkruhet nga një baba shkrimtar, i dashuruar dhe i pasionuar pas fotografisë, që koleksionon në objektivin e tij me një art të madh dhe me natyrshmëri të afërmit e tij, duke e bërë tejet të dukshme lumturinë që ai përjeton. Zolai shkrimtar, i dashuruar pas imazhit, është një fotograf i mirë, një artist ekuivalent me profilin e artistit që hyri në histori me penë në dorë. Zolai është një amator që nuk ushtroi artin e tij në fotografi me amatorizëm, por një fotograf që ushtroi artin e tij plot përkushtim dhe me përsosmëri teknike. Vizioni i Zolasë  si autor që skanoi në detaje shoqërinë e kohës, bashkohet me vështrimin e fotografit, ku kujdesi, saktësia, improvizimi i çastit të gjetur janë të pranishme në negativat e tij. Por, megjithatë, Zolai nuk ka ekspozuar kurrë, ai nuk i shpërndau kurrë imazhet e tij, edhe pse spikasnin nga humanizmi. Në të dyja aktivitetet e tij krijuese, si shkrimtar dhe fotograf, ku njëri aktivitet është publik dhe tjetri privat, kodi krijues estetik është i pranishëm. Shënimet teknike të zbuluara më vonë në fletoret e punës së shkrimtarit, sjellin të dhëna për kohën e pozimit, kapjen e objektivit, kompozimin kimik të kripërave dhe shkallën e ndriçimit, cilësi që karakterizojnë një fotograf të emancipuar teknikisht.

    Zolai dinte të vështronte me sy piktori dhe të fiksonte vizionin e çastit; Zolai kishte frekuentuar shkollën e piktorëve, në atelienë e Manesë (Edouard  Manet), ku edhe aty mori mësime; dhe kjo nuk ishte pa efektivitet. Zolai mësoi nga piktura kapjen e detajit dhe sensin e kompozimit dhe, ashtu si Maneja, vështrimi i tij artistik dinte të depërtonte në terren, veçanërisht në mjediset peisazhiste. Madje, teksti zolian i dosjeve përgatitore të veprave të tij është përceptuar si një performancë vizuale, ku cilësitë më të spikatura janë përpikmëria, saktësia, njëkohëshmëria dhe gjerësia, cilësi që flasin për përsosmërinë e aparatit fotografik. Zhvendosja e Zolait shkrimtar në terrenin e piktorëve, në vetë vendin e aksionit, zbulon më mirë statusin e fotografit.

    Zolai është një romancier fotograf dhe jo një fotograf romancier. Në këtë pikëvështrim, Albumi fotografik i Zolait është një vepër krijuese artistike, ashtu si romani i tij natyralist, sepse na ofron një narrativë të jetës dhe me këtë kureshtje ne e “lexojmë”.

    Por një album ka karakter privat dhe nuk ka karakterin publik të romanit. Sigurisht, procesi i krijimit të Albumit nuk është ai i romanit. por kur shkrimtari është dhe fotograf, hyjëzimi artistik vezullon edhe më shumë.

    Burimet e konsultuara

    Zola, Emile,  Lettres à Jeanne Rozerot,1892-1902, presentée et annotée par Brigitte Emile –Zola et Alain Pagés, Editions, Gallimard, Paris, 2004.

    La photographie zolienne: Histoire vraie, in “Ariane”, Revue d’études littéraires française: Le Cercle des Muses (II), n°17 (2000-2001).

    Une ethnographie inédite de la France, textes établis et présentés par Henri Mitterand, introd. de Jean Malaurie, avant-propos de H. Mitterand, Plon, 1986.

    Le Roman mis à nu par la photographie, mëme, in “Romantisme”, n°105 (1999).

    Les métamorphoses du ‘cadre. Le principe du cadrage dans l’avant-texte des  Rougon-Macquartin Jean-Pierre Leduc-Adine (dir.) Zola. Genèse de l’œuvre, CNRS Éditions, 2002,

    Philippe Ortel, La Littérature à l’ère de la photographie. Enquëte sur une révolution invisible, Nîmes, éd. Jacqueline Chambon, 2002.

    ZOLA PHOTO, 480 documents choisis et présentés par François – Émile-Zola et  Robert Massin, Editions² Hoebeke, 1990.

    Zola en images”, Les Cahiers du naturalisme, n° 66.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË