More
    KreuOpinionXhevair Lleshi: Librat – kumte të mrekullueshëm

    Xhevair Lleshi: Librat – kumte të mrekullueshëm

    1. ÇDO DITË PANAIR LIBRI

    Një ditë me libra në TEG. Kjo ishte zanafilla. Pastaj një artist i menaxhimit të librit si Albert Gjoka, njohës jo i zakonshëm i letërsisë, e bëri me formulën «Disa ditë në vit me panaire libri në TEG». Kurse këtë të diel, teksa isha me të, më dha kumtin mrekullueshëm: «Miku im, çdo ditë e vitit do të jetë panair libri në TEG! Nuk bëhet fjalë ndryshe!». Na kishte mbetur ndërmend, si rrallë ndonjëherë, kjo dëshirë e pamundur, që, kërkonte aty – këtu ndonjë organizator të talentuar. Kjo ngaqë e merrnim lehtë, pothuajse nuk e vinim re, po mrekullisht do të vinte një burrë që t’i dilte për zot librit, zotër që rëndom bien në sy, sepse çdo fjalë dhe kërkesë e tyre na bezdis dhe jo pak. Albert Gjoka është krijuesi i Bukinistit. Një qenie krejt transparente, pothuajse e ajërt, i cili bën frymë vetëm pranë librave, por që gjithmonë vjen dhe ikën pa u dukur. Kur je me të sikur buron vetëm ide për librin, dhe ta vë veshin me aq kënaqësi, vetëm kur bashkëbiseduesi i tij është i kënduar, njeri i librit. Aq sa nuk ke si të mos ndjesh njëfarë dhembshurie për të, ndonëse pak të egër, po edhe një nxitje për t’i dhënë një shuplakë asaj fytyre të bukur. E bukur prej librit, domosdo. Alberti me idetë e tij që libri dhe vetëm libri të mbizotërojë, dëgjon edhe batërdinë e fjalëve tona, mbase edhe ato thjesht artistike, por gjithmonë me sy të  ndritshëm  e aq  magjepsës,  padyshim shto këtu edhe trillet tona.

    Njerëzit, sidomos familjarë, prindër me fëmijët e tyre në mes librave, në labirintin e sajuar në një sallon të madh dhe elegant, me të gjitha librat e botuesve, studentë dhe paraadoleshentë.

    – Jam i shqetësuar, – thotë Berti, – Pas një kohe të shkurtër në klasat tona të para nuk do të ketë as  dhjetëmijë fëmijë! Më beso! Dhe të mendosh që në mes të viteve tetëdhjetë deri në mesin e nëntëdhjetës kemi pasur tetëdhjetëmijë fëmijë për çdo vit ! Pra, s’linden më fëmijë, ose më saktë s’ka më prindër të rinj! Dhe kjo po ndodh krejt para syve tanë! Ah, po, ne kemi mjaft pallate shumëkatësh, shtypshkronja edhe moderne, radio, tv, reklamë, rrjete interneti dhe portalesh! Pasuri e madhe, por pa fëmijë është kot. Jemi thjesht të vdekur të pakallur. Jeta i ngjan pemës së ullirit, çelin filiza të rinj, bien edhe gjethe, por pema është kurdoherë plot gjelbërim gjithë jetës! …

    Po shihja një grup fëmijësh vërsulur librave të tyre. Nga mëngjesi deri në darkë aty. Të lirë, në një hapësirë me librat! Ditën tjetër? Dihet, në natyrë! Eh, në natyrë do të qe mirë, por ku të lënë telefonat celularë të jesh bërë një me natyrën dhe lodrat!?  Aty, me telefonat, hahet mëngjes ,drekë e darkë! Me telefonat dhe me librat do të ishte më mirë! Me telefonat, librat dhe me natyrën, lodrat e shumta do të qe ku e ku më mirë! Kjo gjendje ku jemi na fut në grindje, na lodh brenda një rrethi vicioz që ngushtohet, mosha na ikën dhe një ditë papritur do të kujtohemi se fëmijëria na qe vjedhur, bashkë me të gjitha ato që e shoqërojnë, trallisje, elegancë, gëzim, bukuri e pamend, dashuri të skajshme, se më pas s’do të kishim as përgjegjësi jashtë letrare për fëmijët që tani janë rritur.

    Aty në panairin e librave të gjithmonshëm në TEG  ka edhe shkrimtarë buzëhollë të çdo moshe, që siç thotë miku im që më shoqëron merren me limat, limat e fjalës me të cilat limonin imët me vite e vite fjalën! Ata duan edhe s’duan që të ketë sa më shumë novatorë të një arti të madh që t’i bëjë për vete fëmijët dhe të rinjtë. Për njerëzit që nuk lexojnë më, po bëjnë sikur lexojnë, hiqen si miq të librit dhe që Albert Gjoka u jep statueta dhe medalje për t’i afruar, sepse vetëm një si ai mund t’i sjellë afër miqtë e librin, duke i veçuar për t’i hedhur në koshin e plehrave ata që mashtrojnë. Po kemi, sigurisht që kemi, edhe mashtrues të librit.

    – Nuk është pak si e pabesueshme që një njeri si ju të mos këtë miq?

    – Aspak. Tek unë vijnë vetëm miqtë e librit.

    – Po ne, a s’jemi miqtë e tu?

    – Po, juve po! Ju i shkruani librat, edhe pse jeni të gjithë jashtë mode, se nuk ju do njeri. Ata që rrinë me ju duket se u pëlqen letërsia, librat. Mes veti kini talentin. Me ju mësova se si mund të shfrytëzoheni shpejt e lehtë sepse kështu luhet më mirë me famën. Me ju, o vërtet të talentuar, mund edhe të përfitohet më shumë dhe të mos u jepet aspak. Sepse juve ju vlejnë idetë dhe kënaqësia e të shkruarit! Dhe vetëm kaq!…

    Librat tanë? Po ato nuk shiten shumë, me gjithë përpjekjen e Albert Gjokës! Se ndaj ky njeri kërkon të ketë sa më shumë fëmijë shqiptarë. Tani po fillojmë të numërojmë fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë që lindin nëpër botë dhe kurrë s’kemi për t’i pasur pranë… Me dhimbje. Po edhe dhimbja u dashka! Duket për t’ia lëruar t’ëmën kësaj jete!…

    2. MARATONA E TIRANËS. PO MARATONA E LIBRIT?

    S’ka rëndësi që të jenë apo të mos jenë edhe librat në një maratonë! Dhe unë këtë indiferencë prisja. Edhe pse u fillua një punë e bukur ajo u la në mes. Para ca kohe kur u paraqit i vetmi libër për fëmijë në pllaka metalike të holla, si faqe të zmadhuara libri, pati jehonë dhe u mirëprit, edhe pse pa maratonë. Sak, them se nuk e ka fajin maratona në pistën rreth e qark liqenit dhe Parkut të madh! Apo nuk qe thjesht e organizuar bukur dhe me praninë e televizioneve nga Evropa, maratona me praninë e maratonistëve nga shumë vende dhe mendo, që aty do të qenë të paktën dy libra vizatimorë, ose kopertinat e librave të rinj që paralajmëronin Panairin e Tiranës! Pastaj kjo do të qe maratona e vetme në botë e shoqëruar nga librat, ose kopertinat e tyre! Ndërkohë të gjithë të pranishmit do të mësonin se pas dy vitesh do të kemi Panairin e Librit!…

    Natyrisht, libri është një risk. Mund të prishte maratonën, sidomos në këtë demokracinë tonë të djegieve. Po këtë edhe si reklamë, domethënë me pagesë të botuesve, mund ta sajonin ata, se tani bulevardi më i madh e më i kulturuar është Unaza e Parkut të Madh, që thith gjithnjë e më shumë shikues që ecin në këmbë. Bulevardin e madh e ka përpirë smogu dhe protestat e vobekta para kryeministrisë sonë. Sigurisht jo si tamtame për kuzhinën e secilit për librin. Se pastaj di ajo si e qëndis…

    Ta linim për mot më mirë, sepse do të jetë Maratona e Vitit 2022, se me tre dysha s’do të jetë vit tjetër, kurse me katër dysha do të jetë edhe më e rralla, 2222, por pas dyqind vjetësh. Mendo! Se mot Tirana do të jetë kryeqytet i rinisë evropiane, por pa rininë e saj, sepse rinia ka marrë rrugët e botës…

    Maratona mbaroi me sukses kurse maratona e librit u fishk që në ëndërr.

    E solla nëpër mend thënien e një mikut tim: Të shkruash dhe të shpresosh se ke bërë diçka, përmbledh esencën e gëzimeve më të fuqishme që kurrkush s’i ka përjetuar kurrë.

    Shoqëruar natyrshëm edhe me zhgënjimin më të madh…

    3. LUSHNJA, FASLLI HALITI DHE LIBRI

    Ti kurrë s’mendove për të, për Lushnjën dhe Faslli Halitin! Unë mendova gjithmonë se ai famën e donte të përbotshme. Kurdo që të vinte. Se ai kurdoherë thoshte se i donte të gjithë atje dhe kudo, se edhe ata e donin shumë. Atë ditë të përurimit të veprës së tij unë e pashë me sytë e mi. Kishin ardhur të takonin Faslli Halitin, Veprën e tij të botuar nga «Uegen»… si një kënaqësi nga dhimbja.

    Dhe kjo është e vërtetë. Sepse kjo dhimbje për Poetin është si një mjegull dhe kjo nuk është çarë ende. Dhe letërsia e tij e veçantë ecën. Është një letërsi e bukur, e thjeshtë, një shkrim që e ndjek kohën. Do të jenë edhe dhjetë vepra të tjera. Jetën e keni aty, të përfshirë me një zemërgjerësi dhe hapësirë të jashtëzakonshme. Dhe mbetet idhujtaria për Faslli Halitin. Mjeshtri me shumë dishepuj.

    Ja ç’më shkruan Ronad Gjoza Ditën e Përurimit:

    «BALADA E NJË VEPRE QË ZOTËRON ENERGJINË DIVINE

    Ja ç’do të thotë baladë. U krijua dhe një baladë e re për folklorin. Jo ai klasik, rural, po ky i sotmi, modern. Balada ka dhe një shteg të padukshëm që të çon te mbretëria e saj. Pata fatin të jem unë që e zbulova atë shteg. U nisa dhe mbërrita si në përralla tek ai pallat mbretëror. Mirësia. Premtimi i mbajtur. Dy njerëz, njëri, që e mbante thesarin në zemrën e tij të madhe, tjetri që i kërkonte një nder; jam shkrimtar i varfër, dua të botoj librat, po s’kam!

    – E ç’të bëj unë për ty? Dua të botoj në një kollanë të gjithë librat e jetës sime. Pastaj të vdes i qetë. Njeriu që kishte në zemër thesarin e mirësisë, nuk i dha përgjigje menjëherë. Të gjithë duan të mbeten. Të gjithë e duan fundin e lumtur. Po ajo nuk realizohet për njeriun, është e pamundur. Ajo realizohet për idenë ideale. Ai që e zotëron energjinë divine, dhe ky njeri që lutej e kishte atë, po nuk ishte dhe aq i vetëdijshëm, ka një këmbëngulje prej të marri dhe një fytyrë satiri që të bën hem për t›i dhënë dërrmën, hem për t›i hapur zemrën e thesarit. Po gjithmonë ka një dilemë, sepse bilancet kurrë s›janë individuale.

    Po nuk pati shujte perëndie që të ngop, asnjë punë e shpirtit nuk kurorëzohet me skeptër e kurorë. A kanë shpirt që ushqehet me këtë shujte këta dy njerëz të pallatit mbretëror? A e ka arritur fundin e lumtur ky njeri që lutet? A e ka zemrën të hapur ai tjetri që zotëron atë pallat madhështor të nderit dhe besës? Të dy u ndanë me një premtim te pashqiptuar. Po ngjizej balada.

    Ishte një keqkuptim me vetveten në një harmoni jashtë vetvetes. Ishte një kumt që vinte prej së panjohurës, një balancë e arsyes dhe ndjenjës, e altruizmit dhe absurdes. Duheshin bërë sakrifica në emër të një të ardhmeje të errët. A ia vlente që një pjesë e thesarit të bëhej fir në emër të një ideali që këto kohët tona moderne të mbushura me një materializëm të vrazhdë, nuk e pranojnë kurrsesi? Jo. Jo, ishte krejt e pakuptueshme. Njeriu i lutjes ende kishte shpresë, ndërsa ai tjetri donte ende fuqi për t›iu përgjigjur shpresës. Po ngjizej balada e një premtimi të mbajtur ose të pa mbajtur. Të dy u ndanë. A e kishte arritur ai njeri fundin e lumtur?

    Kjo dilemë duhej ftillëzuar së pari, pastaj të vendosej nëse ai njeri që iku, e kishte shenjën e shujtës divine. Dhe kështu balada filloi të funksiononte lart, atje ku ëndrrat kanë atë blunë rrëzëlluese qiellore, se ëndrrat kanë punë me shenjtërinë. Kaloi kohë, një kohë e gjatë, se nuk është e lehtë të kurorëzohet një kalorës i lavdisë. Tjetri ishte i pavetëdijshëm për këtë që po ndodhte, por i mbushur me parandjenja të turbullta, që ke dëshirë t’i ndjesh dhe të mos ndahesh kurrsesi prej tyre. Të rrish dhe të presësh. Më mirë kështu ndoshta se sa përmbushja e një ideali. Po balada e donte dhe një imitim të modelit. Balada e premtimit të mbajtur. Dhe unë pashë një kalorës qe ngjalli një të vdekur dhe e çoi në lavdi…

    Kjo s’ndodh sot, por të dy qëlluan të shujtës hyjnore. Le ta shijojmë si një baladë.

    Ja, kështu më erdhi, mik, dhe unë kështu e shkrova. I pashë fotot dje, ty, librat, fantazmën e lumtur, që u ngjall dhe mendova (për ty) se ky njeri, pëshpërita (unë, apo… prej jashtësisë sonë vjen një zë, si ato penjtë e marionetave, që i drejton krijuesi) prandaj e bëri se është vetë i kësaj shujte. Ndryshe s’kish se si.

    Jam këtu para kompjuterit dhe të shoh ty në të njëjtin pozicion, me një shprehje dhe ndjesi sikur s’ke bërë asgjë. S’ka as pallat mbretëror, as baladë. Ke vënë buzën në gaz dhe thua me vete: prandaj e dua këtë djalë (për mua) se është i çmendur…»

    Dhe folën të gjithë. I mbajtën ison baladës së Rolandit. Me lot në sy. Pastaj u larguan duke përkëdhelur librat. Po edhe duke ndjekur një intervistë të Poetit me Kozma Gjinin. Dhe ai përmend gjëra të fisme me gjakftohtësi të epërme. Edhe kjo hyn në të fshehtat e shkrimit. Sikur të thuash një Borges, një superlativë. Edhe përmend Kadarenë, Kafkën, Tolstojin, Buzatin, Gogolin! Gjëra të mëdha ndodhën atë të shtune të 16 tetorit. Elmaz Qerreti, Prof. Dr. Xhevat Lloshi, Bardhyl Dardha, Prof. Dr. Ramiz Zekaj – drejtor i IETT, një mësuese e vjetër, Valter Dauti, vajzat e gjimnazeve që recitojnë vargjet e Faslli Halitit…

    Një buzëqeshje e Nirvanës, fjalët përshëndetëse të Helidon Don Halitit, Alfred Pezës, poetëve të tjerë të pranishëm, Anila Zurbo – mësuese në gjimnaz, kryetarja e bashkisë Lushnjë znj. Eriselda Sefa.  Në përgjegjësi e bukur! Por mungonte Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit, me gjithë ftesën dhe pranimin e saj. Dhe duam të kënaqim lexuesin edhe me dhjetë veprat e Faslli Halitit, me një dizenjim tërheqës të piktorit Helidon Don Haliti. Dhe botuesi «Uegen» duhet të ndihet mirë që librat e poetit do të jenë në nëntor në Panairin e Librit në Tiranë e më pas në promovime në disa bashki të vendit…

    4. EKSPOZITA «LULANI-MUZE» NË MBRËMJE MAGJIKE TETORI

    Prapë tetori i librave edhe për ekspozitat e pikturës! Por këtë radhë në Muzeun Historik Kombëtar. Fjalë të shkurtra. Belbëzime zërash. Maska. Pikturat e ekspozuara përkëdheleshin nga drita e butë dhe projektorët-pistoletë që i nxirrnin në pah me ëmbëlsi të veçantë. Në qendër njeriu, rrethana konkrete, malet, bora, kafshët shtëpiake, forca për të ekzistuar, brenda një kohe të caktuar, pa skrupuj, me dhe pa parime, që pse jo por janë më të këqija se gënjeshtrat, herë-herë duke jetuar në kohën e tyre edhe ideale, ku asnjëri nuk do t’i ndërronte kurrë kënaqësitë vulgare më një kënaqësi të vërtetë. Se përveç pikturave këtu mund të qenë edhe librat e shkruar për të, Ismail Lulanin, një nga penelat më të mëdha të Shqipërisë. Një libër jete e vepre, fin, elegant, i hollë e me njolla të forta që të ngrenë peshë dhe i japin dritë personalitetit të tij.

    Ti, kushdo qofsh, vjen në këtë ekspozitë, me një ëndërr tënden dhe padyshim që e ndjen dështimin, por e fsheh, se s’ke qenë në gjendje të fitosh asgjë me pikturat apo librat e tu, ndërsa një bukuri e përzier, tronditëse, vjen aty me po ata miq gërnjarë e ziliqarë të cilët po ashtu bëjnë sikur jetojnë me ideale në një realitet krejt tokësor, ku natyrisht e ndjejnë fort kundërshtinë! Aty janë krejt të lirë të thonë me zë të lartë se janë Borges, Kafka e, Saramago, po edhe Ismail Lulani, duke numëruar më pas piktorët e mëdhenj, që janë të kthjellët dhe e dinë mirë që jeta është hipokrizi. Ndërkaq gjërat janë gjithnjë komplekse. Kushdo mund ta kuptojë se në rrethanat e një ekspozite pikture, qoftë edhe Lulani-Muzé, vënë në provë atë që ju e keni po nuk e përdorni, shqisën për të perceptuar me shumë largpamësi. Se ekspozitat nuk duan t’u mungojnë librat, edhe pse i zëvendësojnë katalogët! Vijnë, domosdo që vijnë edhe sharlatanë të artit. Më vonë artistët e mëdhenj që kanë vdekur të varfër. Fjalime me dhe pa art. Mbresa. Njerëz që shkrijnë jetën çmendurisht për artin, pa përfillur asnjë kënaqësi tjetër. Asketë. Dhe befas bëhen shenjtë që ndjejnë kënaqësi nga dhimbja…

    – Kjo është tradhti prej miku! – thotë një mjekrosh i bukur. – Dikur s’guxoje të vije në ekspozita! Tani vjen dhe befas bëhesh edhe piktor i madh. Më dukej se Ismail Lulani buzëqeshte nga autoportreti, me një sarkazëm fine.

    – E ç’rëndësi ka? Sarkazma ime nuk është kurrë absurde, e rëndë, vulgare…

    – Si ç’rëndësi ka! Përse tallesh kështu?

    – Për letërsinë, pikturën, dashnoret e mia!…

    Salla e Lulani-muzé kumbonte prej zërit kozmik.

    – Për të vërtetën e artit, të letërsisë!

    – Sigurisht. Kjo më jep kënaqësi. Shpresoj deri në fund. Të tjerat s’kanë vlerë. Ose janë vlera të përkohshme. Ky është dallimi mes nesh. Ç’ta zgjasim më! Nesër sërish këtu, si sot!. Ndoshta takohemi sërish pas vdekjes. Madje kështu e lëmë. Ekspozitat e pasvdekjes!…

    Tiranë më 19 tetor 2021

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË