More
    KreuIn memoriamXhevair Lleshi: 100 vjet Italo Calvino

    Xhevair Lleshi: 100 vjet Italo Calvino

    Një nga shkrimtarët më të dalluar të prozës së re italiane: ITALO KALVINO (Italo Calvino (1923), një natyrë e shkathët, mjaft inspiruese, që e ndiente kaq afër sakrificën biblike! Ai e ka dëshmuar vlerën e vet që me romanin neorealist Rruga deri te çerdhja e merimangës, një vepër e përmendur e që flet mbi luftën partizane. Ka qenë kudo dhe kurrkund, në luftë dhe në vuajtjet e ashpra njerëzore, për një periudhë kohe dhe ka vërejtur se raca e atyre njerëzve qe tejet e lidhur edhe me biblën. Romani veçohet nga veprat e tjera me tematikë të ngjashme edhe për shkak se djaloshi Pin është realizim i suksesshëm si personazh. Se personazhet e Italo Kalvinos janë njerëz të bukur, gra e burra, që respektojnë me shpirt, pa hile, kishën dhe të mirat e jetës.

    Në letërsinë bashkëkohore një vend i posaçëm i takon novelave dhe tregimeve krejt të veçanta të Kalvinos, Tregimet (I raconti, 1958), libër ku janë përmbledhur tregimet dhe romanet e shkurtër. Edhe pse gjithëherë është fjala për një prozë plot dritë dhe stilistikisht të latuar, veçanërisht të pasur me vlera njerëzore e poetike, ku vijnë bukur përshkrimet, batutat, dialogët, personazhet herë që vuajnë thellë prej dobësisë së pa përshkruar, herë janë shumë të turpshëm e që ngurrojnë dhe herë me tone të forta duke nxjerrë në pah karakteret e spikatur… Ndoshta disa nga këto tregime meritojnë vëmendje më të madhe, qoftë edhe pse e kanë arritur ekuilibrin e përkryer mes angazhimit etiko-ideologjik dhe formulës letrare origjinale të Kalvinos, e cila përfshin realizmin e spikatur, prirjen për përrallëzim, por që sjellin tematikë moderne. Nganjëherë duket me kuptim që Kalvino përpiqet të trajtojë ato gjëra që edhe s’kanë për të ngjarë kurrë.

    Novelat nga cikli Korbi vjen i fundit (Ultimo viene il corvo, 1949), frymojnë nga interpretimi vetjak i përvojës së vështirë të luftës partizane, morali i praktikuar, që është i bukur, krejt ëndërr, histori që mund të lexohen lirshëm e që janë mjaft të bukura, por që nuk ndodhin kurrsesi…  Ndërsa rrëfimet e gjata Hyrja në luftë (Entrata in guerra, 1954), evokojnë përjetimet nga fronti italo-frëng dhe prapavija e tij. Gjendja është trishtuese, edhe ti mendon se personazhet ngecin “në baltë”, nuk përparojnë ndër vèti, veç përsëris në gjëra pa kuptim për ta. Romanet e shkurtra (ose tregimet e tjera, novelat) Spekulimi ndërtimor (La speculazione edilizia, 1957) dhe Reja e blozës (La nuvola di smog, 1958) paraqesin këtë tregimtar gjithnjë aktual në kërkim të ftillimit artistik të shenjave qenësore të jetës bashkëkohore, të cilat do të mund të përmblidheshin në konceptin “përkohësi”, se kur janë të bindur se po bëjnë diçka të mirë, duke e pasur mendjen te moti dhe te vorba që mbahet e ngrohtë… E shikon pak si zi realitetin e gjërave, e hedh farën se edhe në gur ku qëllon që mbin…

    Përkohshmëria është vërtet e dukshme në lëkundjet jetësore dhe prirjen e heronjve të tregimit të parë, intelektuali borgjez, ish partizani dhe komunisti. i cili kot përpiqet të përshtatet në jetën aktive. Kjo është e vërtetë, por fara e hedhur kuturu nuk mbin dhe perspektiva duket se shkretohet. Duhet më parë të sigurohen disa gjëra elementare, që prej motesh nuk iu dukej shenja dhe malet herë pas here rënkojnë. Ndoshta ngaqë s’kanë sukses as në dashuri, as në zanat, më në fund as në spekulimin ndërtues, e cila simbolizon vrapin e pasluftës për t’u pasuruar. Po edhe për të parë motin, duken si perëndi që kanë ngrirë, nuk bëzajnë, sepse nuk mund të bëjnë kurrgjë, pastaj qeshin. Vetëm e qeshura të bën që të mendohesh.

    Edhe në tregimin tjetër heroi është intelektual, i izoluar dhe pa orientim të vërtetë, i ngatërruar në fabulën shpirtërore që zbulon hipokrizinë e kapitalit gjoja human dhe ndihmues: industrialisti financon entin për luftën kundër përhapjes së tymit të fabrikës i cili rri pezull mbi qytet, po edhe i shkaktuar nga makinat e tij. Durim, o njeri, ti vazhdo të bësh punën! Po sikur në këtë qytet në vend të pluhurit dhe tymit që rri pezull, të gjendet një mister? Por as misteri nuk pi ujë! Atëherë të vihet një kryq i madh, mbase retë largohen nga respekti për të!…

    Në sferat e tregimit modern, fantastik, me domethënie alegorike, Kalvino ka depërtuar me triptikun Të parët tanë (I nostri antenati, 1960). Më parë duhet të ushqejmë shpirtin dhe mendjen, pastaj gojën! Në tregimin e parë, Viskonti i përgjysmuar (Il visconte dimezzato, 1952), botëkuptimi bizar mbi njeriun, të cilin, në kohën e luftërave turke, gjylja e topit e ka ndarë në dy pjesë dhe që asokohe jeton i ndarë me sakrificën, pa e pasur mendjen se feja është shpirtërore, po shqiptohet me gojë dhe njerëzit vuajnë nga uria, duke sugjeruar disa të vërteta morale dhe “filozofike”: te njeriu jeton e mira dhe e keqja, psika në njeriun bashkëkohor është e ndarë, e plagosur dhe jo e plotë. Fundja kur s’ke të hash, nuk ndjen dhe nuk mendon dot dhe s’mund ta fshehësh, sepse uria të vret, ta vdes kryelartësinë.

    Baroni që fejohet (Il barone rampante, 1957), flet në mënyrë alegorike për aristokratin e ri i cili e ka braktisur shtëpinë dhe jeton në drurë: kuptimi i vërtetë i fabulës siç duket qëndron në kundërvënien e ekzistencës instiktive, të kuptuar si liri. Të duket sikur malet ulërijnë, sikur kërkojnë ndihmë e pastaj bien në një heshtje të thellë. Alegoria mbush kodrinat dhe malet me rënkim, me terr, ndaj jetës së nënshtruar nga normat shoqërore, por edhe në mendimin e Kalvinos që pikërisht vetmia dhe e pazakonshmja janë “kusht” i jetës së vërtetë. Jo, jo, nënvizon personazhi, kjo është logjike krejt materialiste, s’ka punë uria me besimin në Zot! Vërtet një mendim i shkathët dhe sigurisht kthehen sytë nga qielli i surmët…

    Tregimi i tretë është Trimi i paqenë (Il cavaliere inesistente, 1959), me ngjarjen nga kohët legjendare të kalorësve, kurse heroi kryesor është trimi i paqenë në pancir, simbol i njeriut në kohën industriale dhe bartësi i mburojës së tij, simbol i instinktit të pastër. Kështu mund të fshihet dielli nëpër re, ku era sikur rrokulliset kuturu dhe fillon të fishkëllejë si me alarm, Kodrinat mbulohen me re e mjegull. Nata nuk të lë të shquash më asgjë. Kalvinon e sulmojnë për shkak të braktisjes së realizmit bashkëkohor dhe të problematikës së gjallë të së sotmes, mirëpo për të nuk kanë qenë të huaja preokupimet morale dhe psikologjike, edhe pse Të parët tanë, përkundër mendimit origjinal dhe tërheqës si dhe shprehjes së këndshme, nuk ngjallin përshtypje të qëndrueshme për arsye të subjektivitetit dhe alegorizmit tejet të tejdukshëm. Por askush nuk kthen përgjigje, Ai i ka shumë për zemër alegoritë! Thoni ç’të doni! Ndoshta, subjekti alegorik e ndien se moti po keqësohet dhe duan të kthehen pas, fundja të hanë diçka…

    Trajtimit realist Kalvino i kthehet në romanin Dita e një anëtari të komisionit zgjedhor (La giornata di uno scrutatore, 1963), në të cilin frymëzohet në shikim të parë nga aspekte periferike të realitetit bashkëkohor politik, të cilit i qaset me shumë dyshime dhe aluzione. Askush nuk do që të zhgënjehet kur të jetë i pranishëm në zgjedhje para komisionit! Jemi larg prej të vërtetave tona, thua? Por e bukura është se askush nuk kthehet dot pas! Është e pamundur! Ndërkaq me zhanrin fantastik përsëri merret në librat e prozës Tregimet kozmokomike (Le cosmocomiche, 1965) dhe Ti me zero (Ti con zero, 1968), mirëpo kësaj here frymëzohet nga zbulimet moderne shkencore. Ato të zënë pritë, aty ku edhe e vërteta nuk gjen vend për t’u ulur. Atëherë ç’mund të bëjnë? E mira e të mirave është që të trokasin në shtëpinë më të afërt, ku të shohim dritë shpirtërore.

    Dhe në këtë mënyrë i afrohet llojit popullarizues të letërsisë shkencore-fantastike, e cila edhe në Itali ka ithtarë të rëndësishëm (për shembull L. Vaka, Shembujt e ardhmërisë – Esempi di avveniere), ndonjëherë edhe ndër tregimtarët realistë (Berto, Fantabarka – La fantarca). Shì aty ku kuajt tërhuzen, çukërmojnë me thundrat që rrëshqasin në dëborë, shfryjnë avull nga flegrat e hapura jashtë mase, tundin kokën, e kthehen majtas – djathtas me vrull, sikur të parandiejnë rrezikun që i pret. Kështu mund të themi që interesimi i tregimtarit kryesisht kthehet për nga viset e zhvilluara të Siujdhesës dhe po ashtu nga problemi i frustrimit psikologjik e historik të proletariatit dhe intelektualëve. Se vetëm kështu mund të shohin dritë në mes të një fushëtire që mbyllet më një pyll që nxin. Trokitje shpirtërore pa fund dhe strehët vazhdimisht pikojnë. Por, sidoqoftë, bie në sy sikur edhe njëherë u ka kaluar rasti për ripërtëritjen radikale e revolucionare të institucioneve të moçme, të cilave u shquhet zjarri i ndezur i mendimeve, i revolucionit që tymos, dhe se të djegin sytë, që ndihet edhe jashtë stimës së librave, të cilat ende, ndonëse në atë vatër të sajuar kanë më shumë prush që xixëllin nën një shtresë hiri të hollë. Kështu ndodh në jetë.

    Tregimtarët e rinj e manifestojnë nga pozitat e ndryshme ideologjike e ndjesore përjetimin e krizës, zemërimin dhe pafuqinë e shkaktuar nga realiteti i përditshëm gri dhe monoton, i cili e mbyt individualitetin njerëzor. Në shikim të parë pa ndjesi, një palë trajtojnë endjet etike të të ashtuquajturve aristokraci punëtore, ndërsa të tjerët, më të stërholluar, me shije elegjiako-pikëllimtare, evokojnë me saktësi psikologjike në të cilin kënaqen, dështimet fatkeqe të ish partizanëve dhe çifutëve të ndjekur dhe kundërshtarëve politikë të fashizmit, duke pritur t’i bënin vend pranë zjarrit. Ose duke iu kthyer në mënyrë moderne traditës realiste, paraqesin botën e imtë dhe nëpunësinë, më në fund përpiqen të ndriçojnë prapambetjen psikologjike dhe ideologjike të intelektualit bashkëkohor nga aspekti i perspektivës ironike dhe moralo-alegorike.

    Do të vërejmë që një vëmendje të posaçme kanë tërhequr shkrimtarët të cilët janë përpjekur të ndriçojnë dukurinë e realitetit “tekanjoz”, para së gjithash, me ndihmën e eksperimentimit gjuhësor dhe stilistik, neoeksperimentalizmi, ku ka meritë të veçantë revista milaneze. “Il Verri” – titullin e ka sipas vëllezërve Veri, të cilët kanë qenë ndër iluministët më të shquar lombardezë, ose përmes rrugës së unisimit absolut, mimetik, me materien e drejtpërdrejtë të realitetit, letrarisht e formësuar pa ndonjë interpretim të dukshëm ideologjik ose politik. Edhe pse kjo zhytje në “detin e objektivitetit”, siç shprehet njëri nga këta shkrimtarë, ka pasur pikëtakime me “romanin e ri” frëng dhe me disa tendenca të prozës tregimtare anglo-amerikane, shkrimtarët italianë kanë arritur rezultate origjinale, sepse nuk e harrojnë mësimin e neorealizmit, do të thotë interesimin ndaj situatës konkrete shoqërore dhe gjendjen etiko-psikologjike. Kalvino të afrohet vetvetiu, të jep dorën, pasi është endur një kohë të gjatë në rrugën për të gjetur njerëz të mirë, njerëz të perëndisë, të cilët të afrojnë zjarrin, shpresën, gjendjen shpirtërore në një jetë përplot shprehje…

    Tiranë 19 shkurt 2023

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË