ZJARRI NË SYTË E TU
është zjarri në sytë e tu
që dua ta zë, përvëlueshëm ta pijë
është drita e syrit tënd
që dua ta puth
në verbimin e dritës sate
të më erret nata
është kroi i zjarrtë në sytë e tu
ku dua të shuaj etjen
të pi etshëm çdo pikë zjarri
të mos mbetem
ujëvarë e zezë e dëshpërimit
është lumi i bardhë vështrimit tënd
që dua të më marri me vete
duke dalë nga shtrati
është shigjetë e ndezur syrit tënd
që dua të më ngulet në zemër
të shpojë vrimë në shpirtin tim
është loti në syrin tënd
ku më qanë dita ime…
DALLGË TË ÇMENDURA MALLI
në këtë ditë
të çmendur
etjeje
më pijnë kujtimet
në këtë det
të çmendur
zemrash
lahem mungesës sate
në këto dallgë
të çmendura
malli
NË SYTË E TU
në sytë e tu
kam lexuar më shumë
se në tërë letërsinë botërore
në shpirtin tënd
luftërat e të gjitha luftërave
i kam ndjerë
në heshtjen tënde
të gjitha heshtjet e botës
kanë rënë si perandorët
në fjalën tënde
të gjitha shpresat…
KLITHMË E ËMBËL DASHURIE
kur me syrin gështenjë më vështrove
unë në heshtje putha
dritën në sytë e tu
kur dorën ma shtrëngove
një forcë e pashpjegueshme
hyri në trupin tim
me përaqafimin tënd
të gjitha pikëpyetjet e jetës sime
morën përgjigje
kur buza jote
preku buzën time
togje pulëbardhash më dilnin nga krahërori
kur mollët …
ah , mollët kur i shtrydha
pjalm jete mbushej shpirti im
qumësht i bardhë yjesh
pema jonë në rrënjë i bënte frutat
kur bëmë dashuri
të gjitha qelizat u mblodhën në një pikë vlimi
për të shpërthyer pastaj në një klithmë të ëmbël kënaqësie
SIMFONIA …
të rrahura të shpejtuara zemrash
me ritmin e ndjenjës së bardhë
ëmbëlsi rridhte damarëve të gjakut
lumi i puthjeve vërshonte
kontinentit të Qetësisë
një urë shprese ndërtohej në ato çaste
pika zjarri pinin etjet
malli puthte etshëm
në gjirin e detit tënd
unë pija jetë
çdo gjë bashkohej me tingujt blu
në allegro…
a ka poezi,simfoni më të bukur
se ajo që krijohet
me ritëm zemre?
SHTRIRJA NË PLAZH
e sheh?
Këtu ka shum thonj
eshtra nën dhé varrosur
e ndjen?
flakën nën këmbet tona
përvelon rëra
djegia jonë e ftohtë
djegur
nën shpinën tonë të kallur
nën tokë
tërmete qytetesh të rrënuara
ka tronditje mijevjeçare dridh –
je?
permbys-je këtu
thonj ka kthetra, e dashur
nën këmbët tona
rrëshqet dheu ecja jonë
djersë e ftohtë si vdekja
ADONIS I BARDHË
A-do-nis?
ankthe afroditash vuajtje persefonash
mëri aresi gjel-o-zi më mbytën
tani po thyhem herë në ngjallje herë në vdekje
afrodita më kërkon në mbidhé persefona në nëndhé
do më shqyejnë do më shqyejnë menadat e çmendura të dionisit
djalërisë së vonë moshës së bardhë
po ia mbys lajkat po ecën pa krye
tërë jetën në kërkim sytë e mi
tani thyeju në daç më thua aq më bën
ti po ecën vijave të bardha po hapëron bardh
derisa të më marr koha
a unë kohën
të nis
i bardhë Adonis
A-do-nis?
KUR BEJMË DASHURI
toka nuk sillet
rrotullohemi ne
bota
rrudhet mblidhet në çast
kohëhapësira
(në vdekjen e vogël
sytë tanë Diell)
fluturojmë
si Ikari afër diellit
dhe s’digjemi
në ballin tim shkruhet
kujtesë e ofshamës sate
gjuha jote vizaton
harta të pista gojës sim
gjeografia e shpirtit zgjerohet
në nivel gelizash
kënaqësia kënaqet
kur bëjmë dashuri
NDEZJA E VARGUT
jam unë
apo fryma jote
që më dehën
frymëzimin?
merr trajtë vargut tim
nuk po shkruaj
unë vetëm ndjenjën
paksa po e shtrydh
po e ndezë
Ti
në vargun tim
rritesh
nuk kanë vend fialët
tërë hapësirën ke zënë
vargu merr zjarr
digjet vargu im
aromë jotja puthja shkruan
fjala nuk më bindet
ti më djeg
vargun
shkronjat
do më djegësh të tërin?
jam unë a ti
që shkruan
vargun tim?
KALLJA E MUNGESES
ende po ges zjarr
nga goja epshin tënd
gjuha ime flakë
ende po qet avull
lëkura ime e djegur
nga lëkurë e jotja
zëri yt ende përplaset
mureve të veshit
vibracionet e afshit
dridhin dëgjimin tim
syri im ende ka ngrirë
imazhin tënd
me njërin sy tëndin po shoh
zbrazëtinë e mbetur
vetëm aromën tënde
pranon shqisa ime
të papërsëritshmen aromë
truri?!!!
truri po kallet
fantazmë e trurit je bërë
ëndërr e ëndërres sime
ende po qes avull
Zjarr po qes e dashur
tronditja ime
e epigendër të mungesës
VITET PA TY
vitet,
padiktueshëm hanë vetveten,
hyjnë në vrimën e zezë
universi im tkurret
në një pikë
vetmie
thika të dhembjes
më hyjnë në asht
kthetrat e mungesës sate
gati sa nuk vdes
nga malli
pëlcas