More
    KreuLetërsiShënime mbi libraVirion Graçi: Zoti rrëfimtar - Mitrush Kuteli

    Virion Graçi: Zoti rrëfimtar – Mitrush Kuteli

    I

    Leximet dhe rileximet e veprës së Mitrush Kutelit kanë si pasojë sprovën, jo të vlerave të saj të padyshimta letrare-estetike, por të përkufizimeve, klasifikimeve e etiketimeve të mëparëshme të saj, nga të tjerë studiues e kritikë letrarë e deri te lexuesi, i ashtu-quajturi padrejtësisht – lexues i pa specializuar. Kutelin e përcjell fati i çdo shkrimtari të madh, duke hyrë në radhën e klasikëve të lexueshëm, tepër të pakët në traditën tonë letrare, duke u lakuar emri dhe kujtimi i tij – gjithmonë e më shpesh bëhet e paprekshme, e pa ripërkufizueshme letërsia e tij; emri i autorit sikur demoralizon ose përjashton nevojën për ta parë veprën nga kënde të reja, për t’u marrë me secilën pjesë, për të ripërkufizuar ose për t’u ikur disa formulimeve të familjarizuara, tashmë.

    Mitrush Kuteli, ndonëse profesioni i tij i parë nuk ishte letërsia, bëhet shkrimtar i dorës së parë në letërsinë shqipe, përkthyes i sërës së parë, kritik letrar, kujdesar e përcjellës i trashëgimisë krijuese të dy emrave kumbues në kulturën shqipe: Fan Nolit e Lasgush Poradecit. Për ta kuptuar sado pak dukurinë Mitrush Kuteli, pikënisjet e prodhimtarisë së tij të çmuar, gjurmojmë pohimet te tij për fillimet e tij, si moto të jetës e të punës. Në 29 qershor 1938, duke bërë gati për shtyp “Netë shqiptare” Kuteli shkruan në faqen e fundit: “Kjo librë lipsej të përmbante, si pas dëshirës s’aherëshme, dymbëdhjetë rrëfime e rrëfenja të cilat të pasqyrojnë të pasqyrojnë pak a shumë vijat e para të jetës shqipëtare në vise e kohëra të ndryshme. Rrethanat e jetës e të jetesës m’a patnë shembur këtë dëshirë. Po në s’munda t’a plotësoj dje do mund më pak nesër a pasnesër. Duke jetuar për shumë kohë larg Shqipërisë po ndjej dendur e më dendur qysh kuvendi e penda më rëndohen fortë e më fort… (shkurt-v.g) Duke shtypur këtë librë nuk po ndjek tjatër qëllim përveçse përmbushjen e një pjese të një dëshire djaloshare kur ëndërronja, punonja e lëftonja për vendin t’im.” Libri AGO JAKUPI E TË TJERA RRËFIME, Tiranë, 19943 ka përkushtimin: KUSHTUAR KUJTIMIT TË BABAJT TIM, DJEGUR ME GJITHË SHTËPI PREJ USHTRISË ITALIANE, NË SHTATOR 1943.- SHUMË NGA FJALËT E KËSAJ VEPRE JANË FJALËT E TIJ.

    Në paradhënien e librit “Sulm e lotë” shkruan: “…s’jam as shkrimtar. Nëse kam shkruar gjësend, këtë e kam bërë vetëm nga malli i gjuhës së Nënës, nga malli i Nënës vetë, nga malli i Tokës ku ja lindur.”E po te kjo fjalë hyrëse: “Mua më duket se vdekja e një shkrimtari, si shkrimtar, fillon atëherë kur pushon të flasë me vetë veten në gjuhën e tij. Nis atëhere përleshja e shprehjeve dhe veshja e mendimeve me petka të huaja – ose me petka balashe – të cilat, ay vetë, i errësuar nga pikëpamja e gjuhës, s’ka se si t’i dallojë se janë të huaja.” 

    Kuteli mërgimtar në kohët e arta të krjimtarisë s tij, është i rrënjosur në botën shqiptare, duke e kërkuar, krijuar e zbuluar atë; krahas shpërnguljes në prehistori, në Iliri a në fillimet e historisë sonë, gjurmëve të etnisë për të përvijuar kufijtë e shqiptarisë – ku doemos e presin edhe përrallat, mitologjia, folklori, rrëfenjat krahinore e, disi më pak të dhënat e provat materiale historike – Kuteli është shkrimtar i së tashmes, protagonist i kohës në të cilën jeton nëpërmjet tregimeve, poezisë, shënimeve për aktualitetin e për të afërmit e tij, publicistikës, kritikës letrare. Midis akteve të dramave kombëtare-shoqërore ai përvijon botën vetjake/familjare, shfaqet jo vetëm si bartës i fjalëve, historive, brengave, jo vetëm si trashëgimtar – por edhe si prijës shpirtëror, udhërrëfyes i pasardhëve të tij – të tëra këto nëpërmjet letërsisë, me forcë përgjithësuese duke përfshirë pas vetes edhe pasardhësit letrarë, shkrimtarët e rinj dhe ata të së ardhmes. Kemi parasysh disa përbërës të veprës së tij: (a) rrëfenjat në të cilat shfaqet autori si plotësues narrativ/autor i pranishëm; (b) për përkushtimet e librave  dhe (c) tre shkrimet e tij autobiografikë – njëri zyrtar, sipërfaqësor, i rrumbullakosur sipas politikës shtetërore të kohës për të qenë e pranueshme nga zyrtarët e shtetit totalitar, i quajtur – Kujtesa e përkthenjësit Dhimitër Pasko për heqjen e normës së përkthimeve për gjithnjë, ose të paktën për një kohë të kufizuar prej tre vjetësh. Nga shkrimet autobiografike, Kujtesa është teksti më i gjatë i tij, e për arsyet e ditura, në asimetri me jetën shpirtërore dhe zhgënjimet dramatike të autorit; shkrimi tjetër autobiografik – Testamenti, letër familjare drejtuar të shoqes Efterpi – gëzon statusin e një teksti klasik në kulturën tonë për marrdhëniet e shkrimtarit me atdheun, për marrdhëniet e shkrimtarëve mes tyre, sinoptikë gri për fatin njerëzor e krijues në vende si Shqipëria. Testamenti i Kutelit, ndër tekstet më të popullarizuar të këtij lloji te ne, më i ribotuari, më i cituari duket si pjesa nënujore e historisë sonë, ana tjetër e medaljonit në të cilin janë gdhendur emrat e zgjedhur të shkrimtarëve, artistëve, intelektualëve shqiptarë, tekst sintezë me të njëjtin ndikim emocional e ngjashmëri semantike që ka pasur në kulturën perëndimore pjesa e Pushkinit: “Mozzarti dhe Salieri”, (1820) sinonim i bashkëjetesës së detyruar 18 vjeçare mes gjeniut dhe mediokritetit – midis Mozzartit dhe ish mësuesit të tij të kompozimit, Antonio Salierit. Në Testamentin e Kutelit, ngjashëm me tekstin e Pushkinit numërohen antitezat e papajtueshme – i talentuari që është i zoti që bën hije dhe mediokrit, i miri dhe i keqi së toku, në tokën e gjarpërnjve, në armiqësi, artisti i madh dhe helmuesit/vrasësit e tij, sikurse (sipas versionit fikshëm të Pushkinit) vepron Salieri ndaj Mozzaritit. (Mbetet kureshtia nëse kjo ngjashmëri mes dy teksteve është e rastësishme, prej nga zhgënjimeve jetësore të Kutelit, apo edhe ndikim leximi, njohje e tekstit të Pushkinit). Shkrimi i tretë autobiografik që e përmason hapësirën intime të Kutelit – është meditim poetiko-filozofik pikërisht për vdekjen e vet të cilën e ndjen pranë, poezia:  ÇAST  LAMTUMIRE, kushtuar të birit, Pandeli Pasko, mars 1967, disa javë para ikjes në amëshim. Në përgjithësi, gjeografia shpirtërore dhe tokësore të shkrimtarit, shtrirja në kohë imagjinare e në etapa historike përbëhet nga shqiptarët e çdo periudhe dhe Shqipëria, Shqipëria e brendëshme dhe Shqipërinë e përjashtëme.Në çdo pjesë të trashëgimisë letrare të Kutelit ndihet trinia e tij e shenjtë – (1) vijat e para të jetës së shqiptarëve – (2) lufta e puna për vendin e tij – (3) shkumë ndjenje e shprehur në shqipen e pastër burimore.

    II

    Kuteli, shkrimtar i rilexuarpërherë zgjon kënaqësi estetike, mendime të reja; vepra e tij letrare të fton në pamje e domethënie të reja të ekzistencës njerëzore; edhe përvoja jonë na mundëson ndërveprimin e pa ndërprerë me tekstet e tij, përjetimin e nuancave të reja kuptimore e emocionale, koncepti i veprës së hapur, ose i bashkautorësisë – U. Ecco.

    Ndalemi te Vjeshta e Xheladin beut… Ky tregim përmendet shpesh, është pjesë e librave të letërsisë për shkollat e mesme, shoqëruar me pyetjet: Si e jep shkrimtari figurën e Xheladin beut? Në ç’plan e ka demaskuar autori klasën feudale? Dhe përgjigjet e mbresat për personazhin, Xheladinin kanë qenë e janë të njëjtat. Vjeshta, si tregim nuk ka pasur fatin e trazuar të autorit dhe të pjesës tjetër të krijimtarisë së tij në periudhën totalitariste, përkundrazi, botohet e shfrytëzohet edhe për qëllime jashtë letrare në libra të letërsisë së zgjedhur artistike.

    Vjeshta e Xheladinit është krahasuar barazimisht me Vjeshta e patriarkut, e Gabriel Garsia – Markezit, me realizmin magjik latino-amerikan. Në këtë rrafsh krahasues, pranë veprave të tipologjisë së sundimtarit/tiranit/diktatorit/patriarkut në ndeshje me kohën e kufizuar historike si sundimtar/tiran/diktator/patriark, në përplasje dhe me ligjësitë biologjike të cilat i varfërojnë deri në pamundësi disa veprimtari fiziko-fiziologjike, Vjeshta e Xheladinit takon dhe Migel Asturiasin me “Zoti president”, roman tip për një diktator të Amerikës Latine, takohet me romanin me element historikë të Mario Vargas Llosës “Festa e cjapit”, me në qendër diktatorin Rafael Trujillo, i shquar për krime dhe oreks të panginjur seksual. Nuk është vetëm epërsi e zhanrit – romani kundrejt tregimit – kur vrejmë se Xheladin beu si krijim letrar përballë këtyre romaneve, është krijim modest. Në vetvete ai nuk e ka përkorjen që kanë tregimet e tjetra të Kutelit: “Xha Brahua i Shkumbanicës”, “Të vdekurit”, “E madhe gjëma e mëkatit”, “Rinë Katerinëza”, “Hekuri dhe Çeliku”, dhe – në tërësi rrëfimet e “Netëve Shqipëtare” e të “Kapllan Aga i Shaban Shpatës”. Te Vjeshta e Xheladinit mungojnë ato karakteristika që i shquajnë tregimet e tjera të Kutelit dhe janë tipare shquese edhe për realizmin magjik: e jashtëzakonëshmja, e mrekullishmja, mbivendosja e planeve rrëfimtare nga imagjinarja në të mundshmen e anasjelltas, mungojnë retrospeksionet/kryqëzimet mes botëve të  e gjendjeve të ndryshme, mes personzheve të të dy botëve, të gjallët e të vdekurit, mungojnë gjithashtu elementë të tjerë me origjinë nga trashëgimia folklorike – gjuha e poetizuar, e figurëshme. Te Vjeshta e Xheladinit… nuk krijohet një personazhi i ri, nuk thuret një histori e re, një situatë e re, por kemi personazhin klishe, klishe e oksidentalizmit – sundimtari oriental i pa pangopur seksualisht, mizor me bujqit dhe me njerëzit poshtë tij për nga pasuria e pushteti, grykës, pervers, i zhveshur nga çdo princip moral a vlerë shoqërore. Jo vetëm kaq, Xheladin beu nuk krijohet para lexuesit si i tillë, ai shpallet menjëherë i tillë sepse edhe babanë, gjyshin, stërgjyshin i ka pasur të tillë, krejt bejlerët kanë qenë të tillë, sipas autorit. Duket sikur i përkasin një superstrukture shtetërore të ngritur mbi seksokracinë, eromaninë dhe veset, e jo një perandorie e ndërtuar si regjim ushtarak theokratik. Xheladini nuk jepet si personazh fiksional më vete, me biografinë e tij, aq sa ja lejon zhanri karakterizimin – një sundimtar i moshuar me manira të çmendura seksuale, por si ilustrim i një perceptimi të gatshëm. Numëri i madh i përdhunimeve dhe vijimi klithës i asaj manie nuk e pasuron kuptimisht e figurativisht personazhin, përkundrazi, e zbeh, e zhbën. Nëse duhet t’i gjejmë në Amerikën Latine dhe realizmin magjik një sivëlla letrar Kutelit, ai është Huan Rulfo (1918-1986), nga shkrimtarët më të shquar të shek.XX, prirës dhe idhull i shkrimtarëve si Borges, Kortazar, Garsia Markez, I. Alende, etj, autor i një vepre letrare që nuk i kapërcen 300 fletët: “Rrafshina në flakë”, tregime, 1953, “Pedro Paramo”, roman, 1955. Stilit i tij përkufizohet nga Hose Manuel Cavallero:  “Te Rulfo planet narrative mbivendosen e ndërthuren, derisa formojnë një lëmsh të ngjeshur me tregues tematikë. Kufiri midis së mbinatyrshmes dhe së natyrshmes, midis së trilluarës dhe të besueshmes, bëhet gati i pakapshëm.” Gjuha e H.Rulfos cilësohet sa rustike aq dhe universal. I pyetur përse nuk po shkruante më prej tridhjetë vitesh, Rulfo shprehej: “Xhaxhai im që m’i tregonte historitë, më ka vdekur”. Të njëjtat cilësime e përgjigje do t’i shkonin natyrshëm edhe veprës së Kutelit, rrëfenjave të tij, të treguara nga dikush dhe gjuhës rustike e universal njëherësh, përdorur mjeshtërisht.

    III

    Në prozën e Kutelit, edhe te Vjeshta e Xheladinit, dëshmohen disa motive, të cilët, në masë të ndryshme njësohen organikisht me lëndën folklorike e mitologjike.Të renditura, jo sipas rëndësisë dhe shkallës së pranisë gjejmë: Motive patriotike-çlirimtare, përkatësisht anti-osmane; së dyti: Motive fetare – ndihet anësia e një autori kristian-ortodoks; së treti: Letërsi me motive/zë politik/klasor.

    Për të parën, letërsi me tezë patriotike – shembujt nga proza e Kutelit janë të shumtë: Bejlerët shihen si pushteti absolut – mjeti me të cilin Porta e Lartë sundon e administron shqiptarët. Ata janë jo vetëm ushtruesit e pushtetit otoman ndaj bashkëkombasëve të tyre, por (sipas Kutelit) edhe shumëfishim i atij pushteti, i atij sistemi grabitës, dhunues e shfrytëzues.

    Për të dytën, letërsi me motive fetare/kristiane shenjat janë me tepri te Xheladin beu dhe në tregime të tjera të Kutelit. Domethënës qëndrimi ndaj femrës, dashurisë seksuale, përshkrimi i femrës dhe zonave të saj më erogjene; te Vjeshta e Xheladinit përshkrimet trupore të femrave bëhen me fjalor vulgar, me qëndrime seksiste; te E madhe është gjëma e mëkatit ku kemi femrën e bukur, joshjen seksuale dhe aktin seksual, femrës, trupit të saj, tundimeve të shkaktuara nga bukuria vajzërore i kushtohen vargje të shenjtëruara, përzgjedhur nga “Këngët e Solomonit”.Te Gjëma e mëkatit, kulmohet fryma/formimi/anësia kristiane e autorit. Kuteli i edukuar edhe si besmitar ortodoks, përveç porosisë në testamentin e tij (në vitin antifetar1967) për kryqin te varr, siç e ka pasur baba, gjyshi, stërgjyshi, duket ngado. Në njërën nga rrëfimet shkruan se beu i Ohrisë ia kalonte krajlit të Moskës për pushtet/lakmi, abuzime, çka na duket tepër e ekzagjeruar, në çdo sistem vlerësimi. Po ashtu, si njeri me kulturë, e në këtë mes nuk përjashtohen njohuritë historike, Kuteli e ka ditur se oborret mbretërore të të krishterëve nuk ngeleshin pas atyre muslimane në argëtime, dëfrime, por edhe në mizori, shtypje e shfrytëzim ndaj të tjerëve. Tek e fundit, statusi i bujk-robit dhe i femrës në mbretëritë e krishtera nuk ka qenë më i mirë se në perandorinë otomane.

    Për nënvizimin e tretë – letërsi me zë politik/klasor na nxit të besojmë rrëfimiet, por edhe të dhëna jashtë letrare, të lidhura ngushtë me autorin, me epokën: F. Noli e nolistët të cilët Kuteli diku e kritikon për mos zbatim të programit agrar, pak gjërat që patën mundësi të bënin në qeverisjen jetëshkurtër ishin djegia e sarajve të bejlerëve në rrethinat e Tiranës; po ashtu, krijimtaria letrare e F. S. Nolit jep prova të stigmatizmit, urrejtjes, armiqësisë me bejlerët/bejlurçinat/sejmenët e tyre; në po ato vite anëtarë të shoqërisë “Bashkimi”, një manifestim paqësor e stimulues politik e tejçojnë në djegie të sarajeve të bejlerëve të Beratit; në këto vite Krist Maloki shkruan me paragjykime tipike orientaliste, dmth anti-orientale artikullin: “Oksidental apo oriental”, në këtë rrugë janë të majtët me Ismet Toton, ata të neoshqiptarizmës me Branko Merxhanin dhe vetë Ahemt Bej Zogolli i cili ndërmerr një sërë hapash kushtetues për oksidentalizimin e vendit. Xheladini i Kutelit, me tërë shpërfytyrimet shqisore, morale – u gjet e gatëshme, e përdorëshme, e pa tejkalueshme edhe nga propaganda komuniste e pas vitit ’45. Shkrimtarë të afërt me regjimin komunist, si Shevqet Musaraj (“Para Agimit”), Ali Abdihoxha (“Tre ngjyrat e kohës”, “Një vjeshtë me stuhi”), Jakov Xoxa (“Lumi i vdekur”), Vath Koreshi (“Dasma e Sakos”) apo Dritëro Agolli (“Njeriu me top”, “Njerëz të krisur”) japin bejlerë&fshatarë të kamur ku e ku më të pranueshëm se beu – përbindësh i Kutelit.

    ***

    Në autorë të zakonshëm jemi përpara detyrës të hetojmë në krijimtarinë e tyre ndikimet e epokës në të cilën jetuan, punuan, me shkrimtarë të mëdhej si Kuteli duhen parë edhe ndikimet e shkrimtarit te epoka e tij, në bashkëkohësi, në vijimësi. Kështu, proza e Kutelit në letërsinë moderne shqipe qëndron si Adami në kopështin e Edenit; prej brinjëve të saj duket se janë frymëzuar autorë e vepra të tjera. Për shembull, fluturat, si rimishërime të shpirtërave të të vdekurve, shfaqur për herë të parë te Kuteli: “Asohere, në kohën e vegjëlisë s’ime kur vdiste njeri shpirti i tij bëhej flutur: pleqtë e plakat – flutura të zeza, të rinjtë – flutura të shkruara, të rejat – flutura të bardha. Foshnjat bëheshin flutura të arta o flutura të ergjënta” – i shohim me të njëjtin përdorim metaforik në disa poezi të bukura të D. Agollit; rrëfenjën e kërkuesit të florinjve dhe lidhjen e tij me vajzën e vdekur e gjejmë si roman më vete te Romeo Çollaku, “Varrezat e vendlindjes”, vajtje-ardhjet e të gjallëve te të vdekurit e ndërsjelltas, krahas meditimeve poetike për fluturat e gjejmë dhe te veprat e vona të Z.Çelës: “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, “Las Varrezas”, etj; “Dasma e Sakos”, e V. Koreshit, duket si ritregim Xheladin Beut, sikurse gjen jehonë, rimerret e lëvrohet përsëri në letërsinë shqipe udhëtimi i të gjallit me të vdekurin. Ka dhe përkime të tjera temash e variantesh, të cilat, nëse nuk mund të provohen si ndikime të drejtëpërsëdrejta nga proza kuteliane, na ndihmojnë të pranojmë se shembulli i veprës së tij letrare ka qenë dhe është shkollë e madhe mjeshtërie krijuesit tanë.

    NJË KOMENT

    1. Ju falenderoj nga zemra per kete studim mbi Kutelin tone. E lexova me endje e vemendje.Eshte nje kendveshtrim tejet origjinal.
      Pergezi.e e Faleminderit edhe nje here!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË