More
    KreuLetërsiBibliotekë"Veza e Zeusit" tregim nga Panos Ioannides

    “Veza e Zeusit” tregim nga Panos Ioannides

    Lidës, pas dasmës që bënë, Suani i premtoi se gjatë lindjes së fëmijëve të tyre ai do arrinte të siguronte, me çdo kusht, leje nga mjekët me qëllim që të gjendej pranë saj gjatë lindjes, se do t’i shtrëngonte dorën, do t’i ledhatonte ballin…

    Kur Lida mbeti shtatzënë në fëmijën e tyre të parë, Suani mori, vërtet, lejen që kishte kërkuar  nga mjeku i saj gjinekolog. Por në kohën që ajo lindi, nuk rastisi që ai ta mbante premtimin që kishte bërë. Ndodhej me shërbim jashtë vendit dhe paçka se programoi që të kthehej në kohën e duhur, lindja ndodhi dy ditë më shpejt nga sa kishin përllogaritur, një ditë përpara se Suani të kthehej nga jashtë. Lajmin e madh të lindjes së fëmijës ai e mësoi permes telefonit, nga motra e Lidës.

    -Urime! Na erdhi në jetë një vogëlushe e shëndetshme. Ju lumtë!

    Kur u kthye në ishull, përpara se të merrte valixhen e vet nga taksia, Suani vrapoi drejt e në klinikë. Hyri me vrull në dhomën e Lidës dhe ende pa u përshëndetur mirë e mirë me të, shkoi te krevati i vogël ku ndodhej foshnja. Një infermiere, e përkulur mbi krevat, po pudroste trupthin e njomë dhe ezmer të foshnjës.

    -T’ju rrojë! – e uroi infermierja – Shikoje, a nuk është e bukur si kukull?

    Foshnja ishte lakuriq dhe duart e saj të ligura dhe këmbët e vogla dridheshin. Hijet e tyre, ashtu siç binin në sipërfaqen e murit, i kujtonin Suanit diçka nga karkaleci dhe teatri i hijeve. “Bravo, karkalecthi im”, pëshpëriti ai. U përkul dhe puthi barkun e butë të foshnjës. Buzët e tij u mbuluan me pudër, ndërkohë që lumturisht thithte aromën e këndshme të një jete të re dhe të freskët, që vetëm një ditë më parë kishte dalë nga mitra e nënës së vet.

    U afrua pranë gruas, e cila ndiqte në heshtje veprimet e tij, dhe e puthi.

    -Ia dole mbanë më në fund dhe erdhe? – e pyeti Lida, me një ton ironie.

    -Po, ia dola! Por edhe ti ia dole mbanë, madje më mirë se unë!

    Kur pas një jave priti në shtëpi Lidën dhe vogëlushen Eleni, -“Karkalecthin”, sikurse e quanin me përkëdheli – ai u betua sërish se në lindjen e fëmijës së dytë, por edhe të fëmijëve të tjerë që mund të vinin në jetë më pas, do ta mbante premtimin që kishte dhënë për të qenë pranë saj gjatë kohës që ajo do lindte.

    Shtatzania e dytë, që erdhi dy vjet pas lindjes së Elenit, i bëri shumë të lumtur ata të dy, burrë e grua. Dhe kur një ditë asaj i filluan spazmat, Suani u gjend menjëherë në klinikë bashkë me gruan që priste të sillte të jetë fëmijën e dytë.

    Gjinekologut, i cili i priti në zyrën e vet, Suani i kujtoi premtimin që kishte mundur t’i shkëpuste përpara dy vitesh.  Mjeku, që vetëm sa për t’i përshëndetur doli dy minuta nga salla e lindjes, ku po kulmonin dhimbjet e lindjes së një gruaje tjetër që pritej nga çasti në cacst të sillte në jetë foshnjën e vet, i tha Suanit: “sigurisht që e kujtoj”. Më pas mjeku ia dorëzoi Lidën ndihmësit të vet, që ta shoqëronte te dhoma e fjetjes dhe ta përgatiste për lindjen. Suanit i sugjeroi që të priste te salloni, në katin e parë të klinikës:

    -Dhe mos u merakos. Do vi unë personalisht dhe do të njoftoj…

    Suani, nën ethet e padurimit, u detyrua dhe zbriti në katin e parë dhe zuri vend në dhomën e ndenies, ku një burrë i ri, i panjohur për të, po priste, me duar, dhëmbë dhe gjunj të shtrëngruar fort prej ankthit. Nga një kat më lart dëgjoheshin vazhdimisht klithmat e forta dhe depërtonjëse të një gruaje që po lindte.

    Gjaku i Suanit ngriu.

    -Bashkëshortja juaj? – pyeti të panjohurin, thuajse duke u dridhur edhe ai vetë.

    Burri i ri tundi kokën në mënyrë pohuese, dukshëm i përfshirë nga një shqetësim dhe ankth i madh.

    Ankthi dhe agonia e atij burrit të ri nuk zgjatën më shumë se disa minuta. Një infermiere zbriti me vrap shkallët, u afrua pranë tij dhe me një buzëqeshje të plotë i komunikoi se gjithçka kishte shkuar përmrekulli dhe se ai mund të shkonte dhe ta shihte nga afër gruan dhe djalin e vet në dhomën e tyre. Befas i riu shpërtheu në një të qeshur dhe të qarë njëherësh, diçka sa komike aq edhe për të ardhur keq,  pastaj përqafoi dhe puthi infermieren, shtrëngoi fort dorën e Suanit dhe me vrap ngjiti tre e nga tre shkallët…

    Tashmë i mbetur vetëm dhe i pushtuar prej ankthit, Suani po priste me padurim radhën e vet, që ta thërrisnin të ngjitej sipër, në sallën e lindjes. Priti një pesëmbëdhjetëminutësh të pafundmë, që më pas u bë një gjysmë ore dhe që arriti deri  një orë e plotë. Zemra gati sa nuk po i çahej. Dridhej i tëri dhe mbulohej nga djersët.

    Pas një ore e pesë minutash u duk, më në fund!, gjinekologu, që mbante veshur uniformën e vet.

    Suani u derdh me vrap drejt tij.

    -Tani është radha e saj, doktor?

    Doktori vuri buzën në gaz: “Ah, i dashur… Çfarë të të them më parë? Lida lindi…Po! Lin-di! Ishte lindja më e lehtë në tërë karierën time. Fëmijën e nxorri jashtë brenda vetëm dhjetë minutash! Përpara se unë të mundja t’ju thërrisja… Gjithsesi urime! U bëtë me djalë…”.

    Suani, që qante dhe njëkohësisht thithte hundët, vrapoi si era drejt e te dhoma e lehonës. Lida mbante në krahët e saj foshnjën e porsalindur. Suani e puthi, i përkëdheli flokët. Lida ngriti disi me vështirësi foshnjën topolake dhe ia tregoi Suanit. Ishte bjond, buçko, gjithë pala. Nëna dhe foshnja e porsalindur i kujtuan atij piktura të Madonës me foshnjën, të piktorit të famshëm Rafaelo…

    “Betohem se në lindjen e fëmijës sonë të tretë do ia dal mbanë që të jem i pranishëm në çastin e lindjes…” përtypi fjalët e tij Suani.

    “Nuk e besoj…” u përgjigj Lida me një buzëqeshje enigmatike, të mveshur me ironi. “Për më tepër, Suan, pas djalit tonë Polydefkis[1], nuk do na vijnë më fëmijë të tjerë…”.

    -Nga e di ti këtë?

    -E di… Veza e Zeusit u thye…

    Deshte, s’deshte, Suani e kapërdiu këtë.

    U shkrua më 11 Tetor 2019, në Nikosia, Qipro

    Përktheu nga origjinali në greqisht: KLEO LATI


    [1] Ky emër e ka prejardhjen nga mitologjia e lashtë greke, dhe konkretisht nga një prej dy bijve të Zeusit – Shënim i përkthyesit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË