More
    KreuIn memoriamUran Butka: Lotët e Ollgës, motrës së Migjenit

    Uran Butka: Lotët e Ollgës, motrës së Migjenit

    Isha ftuar në përkujtimoren kushtuar Migjenit më 13.10.2023 në Tiranë, me rastin e 112 vjetorit të lindjes së të tij. Por nuk munda të shkoja atje për arsye shëndetësore. Më erdhi keq, se doja të merrja pjesë dhe të kumtoja për një përkujtimore tjetër të paharruar për Migjenin, organizuar para më se gjysmë shekulli më parë, ashtu siç e kisha përjetuar atëherë.

    Isha maturant në shkollën pedagogjike të Tiranës. Kisha fatin, apo shansin -siç mendojnë ata që besojnë në Zot, të kisha pedagogë profesor Skënder Luarasin në lëndën e letërsisë dhe Ollga  Luarasin, motrën e Migjenit, për lëndën e matematikës.

    Profesor Skënderi, ishte dhe mbetet një patriot i madh, njeri i letrave dhe i fjalës së lirë, studiues dhe përkthyes i talentuar, por edhe një personalitet i fuqishëm, trim i çartur, apo sic ka thënë për të  poeti i mirënjohur Xhevair Spahiu “gojë që nuk iu mbyll dot kurrë”, antikonformist, që nuk e duronte autoritetin partiak, padrejtësinë, mediokritetin dhe servilizmin të kohës,  kritik i hapur i antivlerave sidomos në fushën e letërsisë , por edhe mëtonjës i vlerave, siç ishte vlerësimi publik për  Ismail Kadarenë, për romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, kur mjaft të tjerë e heshtnin apo e sulmonin tinëzisht. Në ato vite, por edhe më vonë, partiakët e fuqishëm dhe aparatçikët shpesh përpiqeshin ta fundosnin profesor Skënderin,  por ai ngrihej përsësi, po aq herë, së pari se ishte një personalitet i mirënjohur, sepse ishte i biri i Petro Nini Luarasit dhe e treta, mund te vihet edhe e para, sepse shpesh gjente mbrojtjen e kryeministrit Mehmet Shehu, me të cilin kishin qenë së bashku në luftën kundër fashizmit në Spanjë.

    Mbi të gjitha Skënder Luarasi ishte botuesi  i parë i veprës së plotë  të Migjenit, që e bëri atë  të njohur e të vlerësuar brenda e jashtë Shqipërisë. Nga ky botim e njoha edhe unë veprën e tij të jashtëzakonshme. Por edhe për botimin e kësaj vepre, prof . Luarasi pati probleme. Në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” i thanë që ta hiqte përkushtimin kushtuar Niçes “Ditiramb Niçes”, në krye të poezisë “Trajtat e mbinjeriut”. Profesori u tërbua, i akuzoi për censurë, retushim e manipulim dhe u largua i revoltuar. E çfarë nuk tha botuesi- Skënder Luarasi shau pushteti, ngriti lart Niçen etj,  por si edhe herë të tjera, ky skandal u mbyll nga lart, që të mos merrej vesh që shteti aplikonte censurë, aq më tepër për Migjenin.

    Profesoreshë Ollga , një zonjë fisnike, e imët, me flokë të përhimët e  me syze të rrathuar, jepte matematikë, por unë habitesha me vete sesi ajo me atë shpirt të butë, të brishtë dhe zë të njomë, jepte matematikë , ndërkohë që ngushëllohesha nga që  ajo gjithsesi e bënte atë lëndë të vështirë, – të lehtë  e të rrokshme për  nxënësit, me të cilët ishte shumë e afërt, e dashur, siç ishte edhe Migjeni dikur me nxënësit e tij në Pukë…

    Ishim përpara përvjetorit të lindjes së Migjenit. Atëherë matura e shkollës pedagogjike kishte lidhur  një  bashkëpunim me vitin e fundit  të Fakultetit të Letërsisë në Universitetn e Tiranës dhe me këtë rast ishte vendosur ta përkujtonim së bashku ditëlindjen e Migjenit,  një nismë e profesor Skënder Luarasit dhe takimi do të bëhej në shkollën tonë.  Do të mbahesshin dy kumtesa, një për poezinë nga ana e shkollës sonë dhe një për prozën, nga Fakulteti i Letersisë, si edhe dhe kujtime, refleksione etj. Prof.Skënderi, si një autoritet që pyeste vetveten, ma besoi mua kumtesën për  poezinë e Migjenit, gjë që krijoi edhe pakënaqësi dhe përplasje në drejtori. Por Skënder Luarasi ishte i patundur. Dhe ashtu u bë.  Unë e ndjeva thellësisht përgjegjësinë dhe u përgatita për këtë ditë të veçante të jetës sime.

     Ishte ora 18 e mbrëmjes së 13 tetorit. Tubimi do të zhvillohej në sallën e madhe të studimit të konviktit të vajzave. Unë shkova pak më herët atje, por ndjehesha  i emocionuar, i mbushur përplot me zjarrmin e pashuar të poezive të poetit.  Për t,u qetësuar e freskuar sadopak, por edhe për të krehur pak baluket, se isha ende 17 vjeçar,  hyra në ngrehinën e vjetër të  shkollës (dikur shkolla “Nana Mbretneshë”)  dhe kalova në banjot e katit të dytë. Kur desha të dal, pasi kisha freskuar fytyrën, dera ishte mbyllur nga brenda dhe nuk hapej, sepse dorezën e kishte vetëm nga jashtë saj. Mbeta brenda katër mureve të akullt e të heshtur. I rashë me grushte derës dhe thirra sa kisha fuqi, por nuk më dëgjoi kush, se të gjithë ndodheshin në ndërtesën tjetër, atë  të konviktit. Kishte vetëm një mundësi daljeje, një dritare e lartë, afër tavanit, e ngushtë si një drejtkëndësh, si frëngji.  Atëhere bëra të pamundurën. Kërceva fort dhe kapa me të dyja duart parvazin e saj, ku mund të fusje vetëm kokën. Arrirta ta bëj me sforcime, mandej me përpjekje të mëdha u zvarrita pas murit dhe e kalova trupin si një zvarranik nëpër dritaren e ngushtë, që të nxirrte ne taracë. Mandej gjeta një dritare klase te çelur dhe zbrita poshtë. E këqyra veten me dhimbje dhe përbuzje. Teshat më ishin zbardhur nga gerqelja, duart dhe fytyra me ishin gërvishtur,  flokët me ishin ngrehosur. U përpoqa t’i fshija teshat, por ishte e pamundur t’i pastroja. Ato u bënë si të lërosura me llaç. Si do të dilja përpara auditorit të zgjedhur? Për një çast mendova të ikja, të zhdukesha. Por si do ta lija ne baltë profesor Skënderin? Gjithashtu, ndjeva në thellësi të vetes një duf, një dëshirë të zjarrtë për t[u shprehur, për komunikuar me të tjerët mbi motivet dhe artin magjik të Migjenit, ashtu si e ndjeja dhe mendoja unë.

    Në oborr kishin dale disa nxënës të më kërkonin si edhe profesoresha Dhurata Xoxa, bashkëshortja e shkrimtarit Jakov Xoxa. “Uran, ç’u bëre?- më tha. Të ka ardhur rradha pë të folur! Eja.

    Kishte rënë mbrëmja dhe ajo nuk më dalloi  se si isha katandisur. Gjithsesi, hyra në sallën e madhe të mbushur plot e përplot me nxënës, studentë e pedagogë.  Sa më panë ashtu, plasi një pëshpëritje shpotitëse dhe ilariret i përgjithshëm. Unë u ngjetha, por nuk u ktheva pas. U gjenda përpara foltores.

    Për të dalë nga ajo gjendje dhe për të nisur fjalën, thashë me një grimë zëri: “Për ta bërë sa më të prekshme veprën e Migjenit, kam marrë pamjen e disa prej personazheve të tij”

       Kjo alibi krijoi një pauzë të përzierë humori, dyshimi apo meditimi, që më shpëtoi disi dhe unë ia nisa fjalës. Nuk mbaj mend se çfarë thashë konkretisht, di që edhe  recitova vargje të Migjenit, se e dinja përmendësh poezinë e tij. Më kujtohet vetëm se më dëgjuan në heshtje e kurioyitet bashkë dhe se fitoi fjala, jo pamja ime e zhgaravitur. Më kujtohen , gjithashtu, lotët e profesoreshë Ollgës, motrës së Migjenit, të cilës  i rridhnin lotët varg nga sytë nëpër faqet e zbehta, kur unë flisja për Migjenin.

     Më pas e kuptova se ajo rropatje që më ndodhi, ajo vendosmëri e habitshme, më rrithnin nga impresionet e Vargjeve të Lira të Migjenit. Për mua, por edhe për brezin tim, madje edhe për deklasuarit e regjimit, për të vuajtuarit dhe të nëpërkëmburit, për ne bijtë e atyre prindërve perëndimorë, që u dënuan apo u pushkatuan, por që  ne kishim brenda vetes genet e mesazhet e tyre qytetare, ishte shumë më i kuptueshëm, më i dashur dhe më i vlerësuar Migjeni. Ndryshe nga nomenklatura komuniste dhe puthadorët e saj që e trumbretonin Migjenin më tepër  si një zëdhënës të tyre, si revolucionar dhe prekursor i  ideve komuniste, pra ideologjikisht, ndryshe nga disa të paktë personalitete si Ismail Kadarej etj, që e kishin vlerësuar si novator për artin e tij. Përmbledhja e viteve të mëpasme të veprës së Migjenit, kishte parathënien e gjatë të Ismail Kadaresë.

       Dua të theksoj, se Migjeni për shtresën tonë të deklasuar ishte  një poet i revoltës kundër çdo sisteni totalitar, ne nënkuptonim brënda motiveve të vargjeve të tij të lira, lirinë e munguar, shtypjen e mjerimin nga regjimi diktatorial,  ku jetonim, vlerësonim artin e tij,  humanizmin e tij për njeriun, të  mjerët e përbuzur, për të varfërit, për të papunët, por nuk bëzanim dot guximshëm si ai. Zëri i tij i shpallur, ishte edhe zëri jonë i munguar. Prandaj e kuptonim, e ndjenim dhe e donim poetin e mjerimit, por edhe të çlirimit njerëzor.

    Rinia, të cilës i këndoi Migjeni, i dha grushtin e fuqishëm (“Ah, sikut të kisha një grusht të fuqishëm, malit që hesht mu në zemër me ia ngjeshë…”) dhe e përmbysi  atë regjim diktatorial vetëm  pas gjysmë shekulli, në vitet ’90.

     Migjeni, për mua nuk ishte një meteor, siç është thënë rëndom, por një yll dritëdhënës i pashuar në qiellin e letërsisë shqiptare.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË