More
    KreuLetërsiBibliotekëTregime nga Marie Luise Kaschnitz

    Tregime nga Marie Luise Kaschnitz

    Një shtëpi e qetë

    Shtëpi e qetë, thatë? Tani po që është shtëpi e qetë, por deri pak më parë ishte skëterrë. Sipër dhe poshtë nesh jetojnë familje me fëmijë të vegjël.Veç t’i përfytyroni ulërimat dhe të bërtiturat, grindjet, përplasjet dhe gërvishtjet e këmbëve të vogla, të inatosura! Fillimisht goditnim me bishtin e fshesës në dysheme dhe në tavan. Kur kjo nuk bënte punë, im shoq i binte telefonit.

    -Po, na falni, – thoshin prindërit, – të voglës po i dalin dhëmbët; binjakët po mësojnë të ecin.

    Sigurisht që ne nuk kënaqeshim me justifikime të tilla. Im shoq u ankua tek administratori i godinës; një ankesë çdo javë, pastaj u mbush kupa. Qiradhënësi u shkroi letra atyre sipër dhe atyre poshtë dhe i kërcënoi me prishjen e menjëhershme të kontratës. Fill pas kësaj gjendja u përmirësua. Banesat këtu nuk janë edhe aq të shtrenjta dhe çiftet e reja nuk kanë para për t’u shpërngulur. Si i bënë fëmijët të rrinin urtë? Epo, nuk e di me saktësi. Besoj se tani i lidhin te këmbët e krevatit, kështu që veç mund të zvarriten dhe normal që bëjnë më pak zhurmë. Ndoshta marrin qetësues të fortë. Nuk ulërijnë dhe nuk bërtasin më, por gugatin me vete, me zë fare të ulët, si në gjumë. Tani i përshëndesim sërish prindërit tek i ndeshim nëpër shkallë. Madje i pyesim: Si janë fëmijët?

    -Mirë, – thonë prindërit. Por nuk e di se përse këtë fjalë na e thonë me lot në sy.

    Libri i fundit

    Fëmija u kthye vonë sot nga shkolla.

    -Ishim në muze,- tha. -Pamë librin e fundit.

    Në mënyrë të pavullnetshme hodha sytë nga muri i gjatë i dhomës sonë të ndenjes, i cili dikur mbulohej nga një sërë raftesh plot me libra, ndërsa tani është bosh e i lyer me të bardhë, që të duket televizori i ri plastik. -Edhe, çfarë libri ishte?- thashë e tmerruar.

    Thjesht një libër,- tha fëmija. -Me një kopertinë dhe anë të pasme dhe me fletë, të cilat mund t’i shfletosh.

    – Po çfarë kishte të shkruar në të?- pyeta.

    – Nuk kam nga ta di,- tha fëmija. -Nuk na lejohej ta preknim. Ndodhej poshtë xhamit.

    -Sa keq!- thashë. Ndërsa fëmija kishte kërcyer ndërkohë për të ndezur butonin e televizorit. Muri i madh, i bardhë, u gjallërua, tregonte një kope elefantësh që kapërcenin një shtrat lumi në xhungël. Lumi i turbullt llokoçitej, nxitësit indigjenë bërtisnin. Fëmija qe rehatuar mbi tapet dhe shikonte me kënaqësi kafshët e mëdha.

    “E ç’mund të ketë brenda një libëri të tillë?!”- murmuriste.

    Përktheu nga gjermanishtja Marsela Likaj

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË