Kreu Të ndryshme “Tirana in Between”/ Shkrimtari austriak Robert Menasse në rezidencën letrare “Poeteka”

“Tirana in Between”/ Shkrimtari austriak Robert Menasse në rezidencën letrare “Poeteka”

Prej disa vjetësh tashmë, ambasada e Austrisë në Tiranë, në bashkëpunim me “Poetekën”, organizon programin kulturor “Shkrimtar në rezidencë”. Pas disa përvojave mbresëlënëse me autorë, artistë e përkthyes, si Erwin Einzinger, Christian Thanhauser, Ilir Ferra, apo përurimit të letërsisë austriake përmes kartolinave letrare “From Tirana/ Vienna with Love” dhe veprimtarive në Klubin e Leximit, viti 2019 sjell në Tiranë shkrimtarin Robert Menasse, një nga emrat më të njohur të letërsisë bashkëkohore austriake.

Librat e këtij autori të mirënjohur janë përkthyer në mbi njëzet gjuhë, ndër të tjera, në anglisht, frëngjisht, spanjisht, italisht, kinezisht, arabisht, bullgarisht, kroatisht, çekisht, danisht, greqisht, hindu, holandisht, norvegjisht, polonisht, portugalisht, rusisht, serbisht, sllovenisht dhe suedisht.

Robert Menasse (Vjenë, 1954) studioi gjermanistikë, filozofi dhe shkenca politike në Vjenë, Salzburg dhe Messina. Në vitin 1980 ai përfundoi tezën doktorale me titull “Der Typeus des Außenseiters im Literaturbetrieb. Am Beispiel Hermann Schürrer”.

Nga viti 1981 deri në vitin 1988 Menasse punoi si pedagog në Institutin e Teorisë së Letërsisë pranë Universitetit të São Paulo-s në Brazil. Me t’u kthyer nga Brazili në Europë, Robert Menasse jetoi mes Berlinit, Vjenës dhe Amsterdamit, duke punuar si publicist i pavarur, kolumnist dhe përkthyes nga gjuha portugeze në gjermanisht.

30 vjet më herët, në vitin 1989, revista “Literatur und Kritik” ishte ajo që botoi poezinë e parë të Robert Menasse-s (“Kopfwehmut”), ndërkohë që romani i tij i parë “Sinnliche Gewissheit” ishte botuar që në vitin 1988. Kjo vepër përqendrohet rreth një historie gjysmautobiografike dhe trajton jetën e austriakëve në mërgim, saktësisht në Brazil, ku jetoi edhe Menasse. Romanet e mëvonshme të Robert Menasse-s janë “Selige Zeiten, brüchige Welt” (1991), “Schubumkehr” (1995) dhe “Die Vertreibung aus der Hölle” (2001).

Kritika ka nënvizuar se gjuha stilistike e tij është ndonjëherë lozonjare, por jo rrallë edhe mjaft sarkastike. Temat më të pranishme në romanet e këtij autori janë vetmia dhe tjetërsimi brenda marrëdhënieve njerëzore, krijuar si pasojë e rrethanave të jetës apo karakterit të personazheve. Në veprën e tij, Menasse shpesh qorton atë që ai e vështron si formë të fshehtë të antisemitizmit, një dukuri kjo ende e përhapur në botën gjermanofolëse sot. Romanet e Robert Menasse-s shpesh kanë referenca të gjera e të thella filozofike, duke iu referuar herë filozofëve Hegel, Spinoza etj.

Robert Menasse ka shkruar gjithashtu edhe disa ese të rëndësishme e të çmuara mbi Austrinë (veçanërisht mbi identitetin dhe historinë austriake). Mes tyre veçohet “Land ohne Eigenschaften” (1992). Kohët e fundit ai shkroi edhe mbi të ardhmen europiane dhe Bashkimit Europian, duke kritikuar prirjet e ringjalljes së nacionalizimit (veçanërisht në Gjermani, por edhe diku tjetër) si edhe lëvizjet anti-europiane të integrimit, të cilat ai i interpreton si një reagim ndaj krizës financiare të euros gjatë viteve 2007-2008 dhe pasojat e saj sot (“Der europäische Landbote”, 2012).

Në vitin 2017 Robert Menasse botoi romanin e tij analitik me titull “Die Hauptstadt” (“Kryeqyteti”), i cili është përshkruar si romani i parë kushtuar Brukselit të shekullit XX, si kryeqytet i Bashkimit Europian, në rrugët me kalldrëm të të cilit zhvillohen disa nga ngjarjet tronditëse të ditëve tona.

Kjo vepër u vlerësua me “Deutscher Buchpreis” (i barasvlershëm me “Man Booker Prize” apo “Prix Goncourt”) një çmim i përvitshëm ky që ofrohet nga Shoqata Gjermane e Botuesve dhe e Librarëve për romanin më të mirë në gjuhën gjermane gjatë vitit.

Historitë jetësore të personazheve e çojnë lexuesin në gjashtë vende të Bashkimit Europian. Ngjarja ka në qendër zyrtarë të Departamentit të Kulturës, prej të cilëve pritet ta përmirësojnë, t’i japin një lustër a t’i kthejnë shkëlqimin e venitur imazhit të Komisionit të BE-së, në një nga përvjetorët e tij. Kjo do të realizohej përmes një veprimtarie të llojit “Big Jubilee Project”, ku përfshihen të mbijetuarit e kampit të përqendrimit në Aushvic…

Romani “Kryeqyteti” është vlerësuar lart nga kritika letrare si një nga panoramat më “gjithëpërfshirëse, pothuajse balzakiane”, shkruar në traditën më të mirë e më të pasur të romanit europian. Vepra paraqet atë mjedis dhe ato marrëdhënie të ndërlikuara që letërsia, si asnjëherë më parë, nuk e ka marrë në shqyrtim në mënyrë aq të spikatur.

Përveç krijimtarisë së vet të çmuar ndërkombëtarisht, Robert Menasse spikat edhe në veprimtarinë e tij në dobi të letërsisë dhe të shkrimtarëve. Një prej tyre është edhe rithemelimi i çmimit “Jean Améry” që jepet për eseistikën më të mirë eurpoane. Ky çmim u ringjall nga Robert Menasse, falë fondit që ai dhuroi pasi kishte fituar Çmimin e Shtetit Austriak për Letërsinë (1998 – ky çmim jepet çdo vit ose një herë në dy vjet për artistë të shkëlqyer prej moshave të reja e të mesme nga fusha të ndryshme të artit). Fituesit e çmimit “Jean Améry” kanë qenë emra të njohur, mes të cilëve Imre Kertész, Adam Zagajewski, Dubravka Ugrešić, Karl-Markus Gauß, Drago Jančar, Lothar Baier, Barbara Sichtermann, Mathias Greffrath, Reinhard Merkel, Franz Schuh, Doron Rabinovici, Michael Jeismann…

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Durs Grünbein: Fjalët, çfarë janë ato, miq apo armiq?

Intervistoi Arno Widmann(botuar më 30.10.2020, në Frankfurter Rundschau) Përktheu nga gjermanishtja Valon Veliqi Z. Grünbein, cila...

“E verdhë mbi të zezë”, cikël poetik nga Nafije Zogaj

GJETHE TË GJELBËRTA FILLUAN TË BININ dielli u shkëput nga yjetqë i rrinin larg zërit të zi të natësu...

“Kush ma gjen lisin e moçëm?” tregim nga Mehmet elezi

1. Qyteti dhe vetë kalaja mbi lumë u mpakën prej tute. Çka po u shihnin sytë, nuk ishte parë...

“Paris mon amour”, tregim nga Roland Gjoza

Nuk e di a beson në Krisht e, nëse beson në Krisht, beson dhe te Viktor Hygoi, i cili ta dëgjon fjalën...

KATEGORITË