Ca grimca fragmentesh nga Dhiata e Re kanë mbetur nga përkthimet liturgjike të Theodhor Haxhifilipit. Ato pak të shpëtuara janë meritë e konsullit austriak në Janinë, Georg von Hahn dhe dy bashkëqytetarëve të Dhaskalit të famshëm: Lef Nosi dhe Simon Shuteriqi.
Një përkthim të plotë të liturgjisë së Shën Gjon Gojartit Lef Nosi e botoi me fragmente në revistën “Kopështi letrar” (1918). Një pjesë të Ungjillit sipas Gjonit dhe një fragment të “Horologiumit”, të nxjerra nga dy radhonj në Manastirin e Shën Gjonit, prej Hahnit u botuan në veprën e tij.
Mbetet edhe Alfabeti i famshëm i Dhaskal Todhrit (siç e quanin elbasanasit) i zbuluar prej Hahnit gjatë vizitës së tij në këtë qytet më 1850. E gjithë vepra kryesore (përkthime kishtare dhe shkrime laike, historike, gjuhësore) u dogj nga familja pas presionit të kishës greke gjatë epidemisë së kolerës në Elbasan më 1806-1807, e cila fajësonte shkrimet e Haxhifilipit si shkak të sëmundjes së tmerrshme.
Pjesa tjetër u zhduk gjatë djegies së bibliotekës së Manastirit 700-vjeçar të Shën Gjon Vladimirit më 1944.
Jetëshkrimin e Theodhor Haxhifilipit e ka botuar prof. Namik Resuli në Historinë e Letërsisë së Vjetër Shqipe, botuar më 1940.
Pasardhësit e Theodhor Haxhifilipit sot mbajnë mbiemrin Haxhijakovi. Ka të ngjarë që edhe Theodhori të ketë pasur këtë mbiemër, sepse prof. Simon Shuteriqi e quan Theodhori i Haxhi Filipit, pra Haxhi Filipi mund të ketë qenë i ati (titullin Haxhi në periudhën osmane e mbanin edhe të krishterët që vizitonin varrin e Krishtit në Jerusalem).
Stërnip i tij ka qenë edhe i nderuari Toder (Teodor) Haxhijakovi, i burgosur politik nga diktatura, i cili vdiq në rrethana misterioze 10 vjet më parë.
Ato pak fragmente të Dhiatës së Re të përkthyera nga Theodhor Haxhifilipi nuk kanë ndonjë vlerë të madhe letrare, por kanë një vlerë të paçmuar gjuhësore, sepse tregojnë gjuhën e popullit, si flitej në Elbasan 230 vjet më parë. Te gjuha e Haxhifilipit janë ruajtur elemente të toskërishtes, që mungojnë krejt në të folurën dialektore të elbasanasve. Janë të paasimiluara grupet e bashkëtingëlloreve mb, nd, ng, karakteristike për gegërishten. Mungojnë zanoret hundore, si p.sh. Iii-nji-një, Aaa-asht-është.
Nuk përdor fjalën nime për tani, tashti, si elbasanasit e 50 vjetëve më parë, por përdor fjalën nashti, sikur të ishte prej Berati. Gjyshi im, përkthyesi i Shopenhaurit, Salim Ceka, të folurit me hundore dhe grimasa gjuhësore e quante: ZHARGON TË PUSIT TË PLEHNIT, duke iu referuar një lagjeje periferike.
Disa fragmente përkthimesh nga Dhiata e Re prej Theodhor Haxhifilipit:
– Po kur të vinjë ai shpirti drejtësisë do ju thek në çdo vërtetni e nuk ka me fol prej vetiu, pos a të ndëgjojë do flasë nde do rëfejë për t`ardhmit juve.
– Ai mu do laftojë, se prej meje do dalë nde do kallëzoj juve.
– Pra, thanë cirakete shoq me shoq, ç`asht këjo qi na thotë, ne njicik pra, nuk më shifni persi në pak herë pra do më shifni, se do shkoj ke babai.
– Po unë të drejtën them juve, qi ju bahet mirë juve, qi të shkoj unë, se ne mos shkofsha unë, hiri nuk vjen me ju.
– Kam ne shumë për t`ju thanë juve, po nuk mundi, mbani mende nashti.
– Do t`ju banjë syrgjyn juve, po do vi koha, qi kushdo qi do t`ju vrasi juve, do t`i duket sikur i banj kurban perëndisë.
– ma, nashti po shkonj ke Ai, qi më dërgoi e njeri nuk më pyet ku shkon?
– vërte, vërte themi juve, se do qani e do vaji ju, ma dynjaja do gëzojë e ju do helmohi, po helmi juje do kthehet në gëzim.
Për sa i përket jetëshkrimit të dhaskalit elbasanas, shumë pak dokumente shtojnë diçka mbi atë që njohim nga Lef Nosi, të botuar së pari në revistën “Kopështi Letrar” dhe më pas në Historinë e Letërsisë së Vjetër Shqipe të Namik Resulit.
Janë dy dokumente të kishës ortodokse që flasin për ndërmjetësimin e Theodhor Haxhifilipit në një mision paqtimi midis katundareve të Gore-Oparit me tregtarët voskopojarë. Djegia e bibliotekës dhe arkivit të Manastirit të Shën Gjonit, ku shërbeu si Epitrop, djegia e Voskopojës, bibliotekës, shtypshkronjës dhe Akademisë, djega e arkivit dhe bibliotekës së Manastirit të Ardenicës, suprimimi i Patrikanës së Ohrit nga Patrikanë Greke e Stambollit në 1767 dhe djegia e parë e Voskopojës dy vjet më vonë, zhdukën gjithçka që mund të fliste më shumë për Dhaskal Todhrin. Kryekisha e Shën Mërisë së Kalasë është shumë e re. U ndërtua 30 vjet pas vdekjes së Dhaskalit, prandaj është e kotë të gjesh diçka në arkivin e saj.
Ka mbetur ky xhevahir i vetëm i profesor Namik Resulit, që po e riprodhoj të plotë.
Theodhor Haxhi Filipi
Jetëshkrimi
Theodhori i Haxhi Filipit ose, siç e quanin elbasanasit, Dhaskal Todhri, ishte nga një derë e mirë elbasanase dhe me shumë të ngjarë lindi në këtë qytet aty nga “e katërta dhjetëvjete” e shekullit XVIII. Që në vogëli i ati e dërgoi për të studiuar në shkollën e famshme të Voskopojës.
Si kreu mësimet u kthye në Elbasan dhe u emërua “dhaskal” i shkollës greke të atij qyteti. Qe edhe predikator i kishës orthodhokse dhe epitrop i Manastirit të Shën Gjonit. Ndoshta për të plotësuar dëshirën e vendasve, që donin ta dëgjonin meshën në gjuhën shqipe, përktheu nga greqishtja shumë libra liturgjikë. Nga se na thotë Hahni, i cili qe i pari që u interesua për të, Theodhori nuk kishte shqipëruar vetëm Dhiatën e Re, por edhe atë të Vjetrën. Mjerisht të gjitha këto dorëshkrime u zhdukën prej familjes së tij, e cila e trembur nga kolera që ra asokohe në Elbasan, i dogji.
Pas vitit 1801, në moshë të shkuar, Theodhori shkoi në Europë dhe atje, me ndihmën e tregtarëve voskopojarë të mërguar, treti dhe bëri gati shkronjat e alfabetit të shpikur me qëllim, që të shtypte dorëshkrimet e veta. Kur po kthehej në Voskopojë, në shtypshkronjën e së cilës do të botonte veprat, qiraxhinjtë vllehë frashallinj u vunë re barrave që ishin të rënda dhe duke i pandehur plot me të holla, e vranë të mjerin dhaskal natën në gjumë e sipër në mal të Dhiavatit përmbi Resnje. Si datë e vdekjes i është caktuar viti 1802 a 1803, sepse në kishën metropolite t`Elbasanit gjenden disa akte të shkruara dhe të nënshkruara nga dora e Theodhorit, duke filluar që nga viti 1768, po këto nënshkrime nuk i gjejmë më pas vitit 1801.
Me vdekjen e Todhrit edhe vepra e tij mbeti e pakryer. Të vetmet shkrime që na kanë mbetur janë: Një përkthim i plotë i liturgjisë së Shën Gjon Gojartit, botuar pjesërisht në revistën “Kopështi letrar” (1918) nga z. Lef Nosi; ca përkthime të tjera letrare të trazuara edhe me përkthime të bëra prej priftërinjsh të paditur; dy fragmente, njëri prej të cilëve është një përkthim i një cope t`Ungjillit sipas Shën Janit dhe tjetri një copë nga “Horologiumi”, të botuara që të dyja nga Hahni në veprën e tij, i cili i nxori nga dy radhonj, njëri me shtatë dhe tjetri me dymbëdhjetë fletë, që mundi të shtjerë në dorë kur qe në Elbasan më 1850, si edhe disa fletë të shkëputura fshehurazi nga disa dorëshkrime të Manastirit të Shën Gjonit prej dr. Pekmezit.
Alfabeti i Theodhorit
Në kundërshtim me mesonjësit voskopojarë t`Akademisë së re, Todhri nuk deshi të përdorë për shqipen alfabetin grek, por shpiku për të ai vetë një alfabet krejt të posaçëm dhe këtu qëndron gjithë rëndësia e punës a më mirë qëllimi i mjeshtrit elbasanas. Ky alfabet përbëhej prej 57 shkronjash dhe është pa dyshim më i përsosuri dhe më i ploti i alfabeteve të vjetër e të rinj, për të shënuar në shkrim secilin tingull të gjuhës shqipe. Siç na dëshmon Hahni, alfabeti në fjalë pati njëfarë përhapjeje jo vetëm në Elbasan, por edhe nga sa duket në Berat dhe Voskopojë, i përdorur nga tregtarë, me të cilin mbanin llogaritë e veta dhe për letërkëmbim nga ca familje.
Doktor Hahni e pandehu shumë të vjetër këtë alfabet, saqë nuk vonoi ta quante “pellasgjik”.
Por më 1901, dr. Pekmezi u dërgua prej Akademisë së Vjenës n`Elbasan për studime dialektologjike dhe me një porosi të veçantë për studimin e shkrimit të vjetër të këtij qyteti. Pas hetimeve të tij dhe të profesorëve të tij rezultoi se alfabeti nuk është aq i lashtë sa pandehej, por i shpikur vonë prej një njeriu me dituri të thellë. Kështu z. Pekmezi duke i rrëzuar të tëra teoritë e përparshme, përfundon duke thënë së: “Alfabeti i vjetër i Elbasanit është alfabeti greqisht kursiv i shekullit XVIII, i stilizuar individualisht.”
Përveç fragmenteve shqipe që na ka lënë Todhri, në një vepër greke të Manastirit të Shën Gjonit gjejmë edhe një himn të gjatë hartuar greqisht, me të cilin mjeshtri nderon shenjtorin.
Siç e shënuam edhe më lart, shkrimet që na ka lënë Todhri, mbasi janë shumë të pakta dhe mbasi nuk u shtypën kurrë në kohën e tyre, sot nuk kanë as vlerë letrare, as vlerë gjuhësore(!), por ajo që e nderon autorin e këtyre shkrimeve dhe që e vë në krye të letërsisë sonë të re, është qëllimi me të cilin u shkruante, “qëllimi që e shtyu dhaskalin elbasanas të veprojë”.
Dëshira e Todhrit duke përkthyer vepra kishtare në gjuhën tonë ishte sigurisht e dyfishtë a) të trajtonte një gjuhë letrare të përbashkët b) t’i vinte një gardh të fortë propagandës greke. Ndoshta do t`i ketë shkuar nëpër mend edhe mendimi i një kishe orthodhokse kombëtare, që të përdorte gjuhën shqipe në liturgjinë e saj.