Kurrë nuk më kishte shkuar mendja se pas tre vjetësh e ndonjë ditë më shumë do të takohesha rastësisht me vrasësin tim, i cili dukej sikur më ishte hedhur në shkretëtirën e harresës. Kur e pashë në fillim, i thashë vetvetes: mos mendja më është ngatërruar aq shumë, saqë nuk jam në gjendje ta njoh? Disa çaste e kam vështruar njeriun për të cilin isha i sigurt se ishte vrasësi im. Zëri i brendshëm më tha: sa shumë paskësh ndryshuar! Qenka stërkequr e plakur shumë…
Ditën që më kishte vrarë, kishte përjetuar një kënaqësi të madhe, i bindur se nga shpirti kishte hequr një barrë të rëndë. Mirëpo gjërat nuk kishin shkuar siç kishte dashur të shkonin. Prej atij çasti unë gjithnjë e më tepër i shfaqesha në mendje, i shfaqesha në ëndërr, i shfaqesha edhe kur bënte dashuri me vajza të bukura. Trajta ime herë e gjallë, herë e vdekur, i shfaqej më së shumti gjatë natës e më pak gjatë ditës. Sapo shtrihej për të fjetur, e ndiente praninë time jo vetëm në një skaj të mendjes, por edhe në një skaj të dhomës. Kurrë nuk guxonte ta fikte dritën, i bindur se në velin e errësirës trajta ime do të ishte më konkrete. Dikush i kishte thënë se hijet e njerëzve të vdekur drita i bën të padukshëm, madje i zhduk edhe nga hapësira e mendjes. Sapo i bëhej sikur e kaplonte një gjumë i shqetësuar, trajta ime i shfaqej afër veshit. Pastaj i pëshpëritja do fjalë me zë të vrazhdë, të cilat ai nuk ishte në gjendje t’i dallonte nëse ishin të vërteta ose i trillonte mendja e tij. Ato fjalë i shkaktonin neveri të madhe në shpirt. Shpesh ngrihej nga shtrati i xhindosur.
Me mendje të shthurur e me sy të buhavitur vinte te varri im dhe më vriste me shtatë plumba, i bindur se herën e parë nuk kishte mundur të më vriste tërësisht. Gjatë rrugës teksa kthehej në shtëpi e ndiente veten të ngazëllyer, i bindur se kurrë më s’do t’i shfaqesha as në ëndërr, as në zhgjëndërr… E vrava për herë të dytë atë njeri të mallkuar, thoshte me zë të shfrenuar derisa ecte i kalamendur rrugës gjysmë të errët. Pastaj lëshonte do qeshje krikëlluese. Pak para se të arrinte te shtëpia, zëri i mendjes i thoshte: ke harruar të bësh veprimin kryesor që do të të qetësonte edhe më shumë… Ngadalë, i dehur nga kënaqësia, kthehej te varri im e pastaj pshurrej duke qeshur marrëzisht. Me një zë të shfrenuar, thoshte: kur të vijë pranvera, asnjë lule të mos çelë mbi varrin tënd! Derisa e vështronte avullin e verdhë si dilte nga varri im, zemra i rritej sa një mal…
Kur hynte në dhomën e tij, fryma për pak nuk e lëshonte. Trajta ime i shfaqej në dy pjesë: njëra ishte e vdekur dhe tjetra e gjallë! Një zë i brendshëm i thoshte: sa herë do ta vrasësh, ai do të shumohet si bimë e hidhur… E kaplonte pendimi pse më kishte vrarë për herë të parë e për herë të dytë. I kredhur në vorbullën e një dhembjeje të paanë, i betohej vetes se më nuk do të më vriste, madje edhe nëse shkoja te shtrati i tij dhe mundohesha t’ia nxjerrja të dy sytë… O Zot, thoshte derisa përpëlitej në shtrat tërë natën, tash po e kuptoj se më e mundimshme është të jesh vrasës sesa i vrarë! Tërë natën e kalonte në një gjendje të neveritshme, as i fjetur, as i zgjuar, as në ëndërr, as në zhgjëndërr… Shtëpia e tij i shëmbëllente një varri në të cilin ishte varrosur për së gjalli…
Një ditë e ftoi mikun e vet më të besueshëm, të cilit i tha: më shumë po më shqetëson për së vdekuri sesa më ka shqetësuar për së gjalli! Miku i tij, pasi u krodh disa çaste në do mendime të thella, i tha: ndërroje shtëpinë! Ndoshta hija e tij nuk mund të të gjejë kudo që të shkosh.
Të nesërmen mori një shtëpi të bukur me qira në periferi për gjashtë muaj. Kur u zhvendos në shtëpinë e re me gjithë familje, e ndjeu veten të liruar nga një barrë e rëndë. Tash e tutje do të jetoj i qetë pa më shqetësuar ai i mallkuar, tha me vete i ngazëllyer. Mezi priti të vinte nata e të shtrihej për të fjetur, ngase prej se më kishte vrarë s’kishte mundur të flinte. Tërë kohën hija ime i shfaqej në imazh… Sapo e kaploi gjumi i parë, hija ime vetëm në eshtra iu shfaq afër shtratit. Disa herë me një zë të çjerrë e thërrisja që të zgjohej e të më vriste përsëri. Disa çaste vazhdoi të qëndronte si në ferra pa e ngritur kokën nga jorgani. Pastaj disa herë e thërrisja në emër me një zë të llahtarshëm, me një zë që i shëmbëllente ulërimës së ujkut të tërbuar… Më thuaj pse më vrave, pasi asgjë të keqe nuk të kam bërë? Dikur u zgjua nga një gjumë i shqetësuar dhe pastaj me sy të zgurdulluar zuri ta vështronte hapësirën e dhomës. Me sytë e vagëlluar, nëpër të cilët sorollateshin do përfytyrime të vdekura, iu bë sikur përtej dritares e pa fytyrën time, një fytyrë të zbehtë që i shëmbëllente një kufome të cilën koha nuk kishte mundur ta dekompozonte. Kurrë në jetë nuk kishte parë fytyrë më të vdekur e as sy më të tmerrshëm që e vështronin me një urrejtje të madhe… Kjo fytyrë e shëmtuar, këta sy të verbër janë të rrejshëm, i tha vetvetes me zë të përvajshëm. Mendja ime e sëmurë po i trillon. Kam frikë se së shpejti do të çmendem!
Të nesërmen u rikthye në shtëpi të vet. Atje çdo gjë i dukej e mbështjellë me një qefin të leckosur. Në çdo skaj e shihte hijen time të stërkequr, të deformuar, e cila e bënte të tmerrohej. Në netët e gjata, kur përpëlitej tërë kohën e gjumë nuk mund të bënte, më mallkonte me shpirt të copëtuar pse nuk e lejoja të bënte jetë të qetë as pas vdekjes. Pastaj e mallkonte edhe vetveten që kishte menduar se me vrasjen time do të lirohej përgjithmonë prej meje. E mallkonte edhe mikun e vet që i kishte thënë: nëse ti nuk ke guxim ta vrasësh këtë gjë, mund ta bëj unë nëse më jep një sasi të vogël të hollash, por edhe nëse më shpëton nga çdo e ligë që mund të më gjejë. Hija ime ia kishte vrarë gëzimin dhe një ditë do ta vriste edhe atë. Sa herë mundohej të mendonte për diçka, gjithnjë hija ime me sy të nxjerrë i shfaqej përpara, duke i shkaktuar dhimbje e mërzi. Disa herë xhindosej si një bishë e egër dhe pastaj lumin e mllefit mundohej ta zbrazte duke pështyrë mbi fytyrën time. Mirëpo, pas pak hetonte se unë isha vetën përfytyrim, kurse pështyma i kishte rënë mbi fytyrën e tij. Një mendje e marrë i thoshte: ai po të pështyn edhe për së vdekuri, sikur nuk i ka mjaftuar të të pështyjë sa ka qenë i gjallë. Disa herë i thoshte vetvetes: më lehtë e kisha me të kur ishte i gjallë, sesa tash kur është i vdekur. Kur ishte i gjallë, mund t’i shkaktoja dhembje të madhe duke e rrahur sa herë të doja, duke e fyer me fjalë banale sa herë të doja, duke ia sharë nënën sa herë të doja… Tash, kur është i vdekur, s’mundem t’i bëj asgjë…
Kur kaluan tre vjet e ndonjë ditë më shumë, filloi ta ndiente veten se kishte filluar t’i nënshtrohej procesit të çmendurisë, i cili do të zgjaste edhe për tre vjet të tjerë. Një mesnatë kishte dalë nga shtëpia. Ndoshta ishte zgjuar somnambul. Ishte sorollatur nëpër do rrugë të zbrazëta pa e ditur nga ishte nisur të shkonte. Dikur kishte ardhur te varri im, ishte shtrirë mbi varrin tim dhe pastaj kishte filluar të dëneste me zë lutës. Ndoshta më lutej që ta falja. Ndoshta më fyente edhe më tutje më fjalë banale. Unë kisha vendosur që të qëndroja indiferent ndaj të gjitha sjelljeve të tij prej një njeriu të çmendur…