Përktheu: Qerim Raqi
SHIKOSHIKOKËTOPOVJENNJËMIKEDHEMIKJADËSHIRONQËTËLUAJMEJANEN ATODOTËLUAJNËNJËLOJËARGËTUESE
Sa herë në minut do ta shikosh atë gjësend të vjetër?
Nuk e kam shikuar gjatë.
Po, e ke shikuar…
E çfarë, atëherë? Mbase mund ta shikoj nëse dua.
Unë nuk thash që s’bënë ta shikosh. Por nuk e kuptoj përse duhet ta shikosh çdo minut. Nuk të ikin askund.
E di. Vetëm më duket gjë argëtuese t’ i shikoj.
Ke frikë se do të të ikin?
Sigurisht që jo. Si do të më iknin?
Të tjerët ikën.
Nuk ikën. Ndryshuan.
Të ikësh apo të ndryshosh. Ka ndonjë dallim?
Shumë. Zotri Soaphead tha se do t’ i kemë përjetësisht.
Përjetësisht amen?
Pikërisht, nëse do ta dish.
S’ ke nevojë të jesh aq e vrazhdë kur flet me mua.
Nuk jam e vrazhdë. Ti ia fillove e para.
Do të doja të bëje diçka tjetër e jo vetëm të qëndrosh duke ia ngulur sytë asaj pasqyre.
Ti je xheloze.
Nuk jam.
Je, sigurisht. Do të doje t’ i kishe.
Hm. Si do të dukesha me sy të kaltër?
Jo mirë.
Nëse vazhdon kështu unë më mirë të shkoj rrugës sime.
Jo. Mos shko. Çfarë dëshiron të bësh?
Do të mund të dilnim jashtë dhe të luanim.
Por është vapë.
Mund ta marrësh me vete atë pasqyrën tënde të vjetër. Fute në xhepin e xhaketës që të mund të shikohesh në të gjatë gjithë rrugës.
Ua! Nuk kam besuar kurrë se mund bëhesh kaq xheloze.
Eh, të lutem!
Je pra.
Çfarë?
Xheloze.
Në rregull, atëherë jam xheloze.
E sheh. Të thash.
Jo, e thash unë.
Janë vërtetë të bukur?
Po. Shumë të bukur.
Vetëm “ shumë të bukur”?
Vërtetë shumë, shumë të bukur.
Shumë të bukur dhe shumë të kaltër?
O Zot. Ti je e marrë.
Nuk jam.
Nuk mendova ashtu.
Çfarë mendove pra?
Eja tash. Është shumë nxehtë këtu brenda.
Prit pak. Nuk po mund t’ i gjej këpucët.
Këtu i ke.
Oh, të faleminderit.
E more pasqyrën?
Po, e dashur…
Dalim atëherë… Ah!
Çfarë ndodhi?
Dielli është përvëlonjës. Më dhëmbin sytë.
Mua jo. Nuk i picërroj fare. Shiko. Mund ta shikoj diellin.
Mos e bëjë.
Pse? Nuk më dhëmbin. Nuk kam nevojë as t’ i mbyllë.
Por, mbylli për çdo rast. Ndjehem çuditshëm kur shikon diellin ashtu.
Çuditshëm, si ?
Nuk e di.
E di me siguri. Si ndjehesh çuditshëm?
Të thash se nuk e di.
Përse nuk më shikon kur më flet? Dukesh e verbër si zonja Breedlove.
Duket e verbër zonja Breedlove kur të shikon?
Po. Tani po. Qëkurse i bëra sytë e kaltër ajo e largon shikimin nga unë tërë kohën. Mendon se edhe ajo është xheloze?
Mund të jetë. Janë të bukur, ti e di.
E di. M’ i bëri shumë mirë. Të gjithë janë xhelozë. Sapo i shikoj të tjerët, ata hedhin vështrimin gjetiu.
Është kjo arsyeja pse askush nuk të ka thënë sa të bukur janë?
Po, me siguri. Mund ta imagjinosh? I ndodh njeriut një gjë e këtillë dhe askush, absolutisht askush të mos thotë asnjë fjalë? Të gjithë shtiren sikur nuk i vënë re. A nuk është e çuditshme? … s’ është e çuditshme kjo, të thash?
Po.
Ti je e vetmja që më tregon sa të bukur janë.
Po
Ti je një mike e vërtetë. Më fal që të qortova pak më parë. Kur të thash se je xheloze, dhe këtë ta them sinqerisht.
S’ ka gjë.
Ashtu është, ti je mikja ime më i mirë. Përse nuk të kam njohur më parë?
Nuk ke pasur nevojë për mua më heret.
Nevojë?
E kam fjalën për… ti ishe aq e palumtur më parë. Mendoj se nuk më vure re atëherë.
Po, mbase ke të drejtë. Edhe unë kisha mall për një mike. E ti ke qenë këtu tërë kohën. Mu para syve të mi.
Jo, e dashur. Pas syve të tu.
Çfarë?
Ç’mendim ka Maureen për sytë e tu?
Ajo nuk thotë gjë. Të ka thënë ndonjë fjalë?
Jo. Asgjë.
Të pëlqen Maureen?
Po, ajo është krejt në rregull. Për të qenë gjysmëebardhë, si të them.
Të kuptoj. Por a do të doje të miqësoheshe me të?
E kam llafin nëse do të doje të dilje me të mbrëmjeve për të shëtitur apo diç të ngjashme?
Jo.
As unë. Por ajo është shumë e pëlqyer.
Kush dëshiron të jetë e pëlqyer?
Unë jo.
As unë.
Por ti nuk do të ishe e pëlqyer megjithatë. Ti nuk shkon as në shkollë.
As ti.
E di. Por kam shkuar më herët.
Përse e ndërpreve?
Më detyruan.
Kush të detyroi?
Nuk e di. Që në ditën e parë të shkollës, kur i bëra sytë të kaltër. Të nesërmen ata e sollën aty znj Breedlove. Tani nuk shkoj më aty. Por as që brengosem për këtë.
Nuk brengosesh?
Jo. Ata vetëm paragjykojnë, kështu që…
Po, ata kanë vetëm paragjykime.
Vetëm pse i kam sytë e kaltër, më të kaltër se të tyre, për këtë pra, ata vetëm paragjykojnë.
Pikërisht.
I ke më të kaltër, apo?
Posi. Shumë më të kaltër.
Më të kaltër se të Joannnas?
Shumë më të kaltër se të Joannas..
Dhe më të kaltër se të Michelenas?
Shumë më të kaltër se të Michelenas.
Ma mori mendja. A të tha Michelena diç për sytë e mi?
Jo. Asgjë.
I the ti gjë asaj?
Jo.
Pse nuk i the asgjë?
Pse nuk i thash çka?
Pse nuk flet kurrë me askend?
Unë flas me ty.
Përveç meje.
Nuk më pëlqen askush përveç teje.
Si quhet nëna jote?
Pse më mërzitë kështu?
Vetëm desha ta dija. Ti nuk flet me askend. Nuk shkon në shkollë. Dhe askush nuk flet me ty.
Si e di ti që askush nuk flet me mua?
Askush pra. Kur je në shtëpinë time madje as znj Breedlove nuk flet me ty. Kurrë. Nganjëherë kam përshtypjen se nuk të sheh fare.
Përse nuk do të më shihte?
Nuk e di. Ajo gati ta zë rrugën.
Ndoshta ndjehet e humbur që nga zhdukja e Chollyt.
Po. Ke të drejtë mbase.
Ndoshta i mungon ai.
Nuk e kuptoj përse duhet ta bënte këtë. Të vetmën gjë që bënte mirë ai ishte ta nënçmonte dhe ta rrahte atë.
Po, ti e di si janë të rriturit.
Po. Jo. Si janë?
Po, ajo sigurisht e donte ATË megjithatë?
Posi, pse jo? Dhe nëse nuk e donte , megjithatë e lejonte ta bënte me të vazhdimimisht.
Kjo nuk do të thotë gjë.
Si e di ti?
I shihja gjithnjë. Asaj nuk i pëlqente ai.
Po përse atëherë e lejonte që ta bënte?
Sepse e detyronte.
Si mund ta detyrojë dikush dikend për ta bërë?
Është e lehtë.
Ashtu, vërtetë? Si e lehtë?
I detyrojnë, dhe kaq.
Ke të drejtë mbase. Dhe Cholly mund ta detyronte këdo të bënte çfarëdo qoftë.
Nuk ka mundur.
Ai të detyrojë edhe ty, apo jo?
Mjaft!
Vetëm po të korrigjoj.
Mjaft!
Në rregull. Në rregull.
Vetëm tentoi, e kupton? Nuk bëri gjë. Më dëgjon?
Nuk po flas, pra..
Ti flet gjithnjë fjalë të pista. Kush ta ka thënë?
Nuk më kujtohet
Sammy?
Jo. Ti ma ke thënë.
Nuk ta kam thënë.
Ma ke thënë që çke me të. Më ke thënë se ai ka tentuar ta bëjë me ty kur ishe shtrirë në minder dhe po flije.
E sheh! Ti as që e di se çfarë flet. Ishte kur po laja enët.
Po pra, po. Enët.
Vetëm. Në kuzhinë.
Po, unë jam e lumtur që nuk e lejove ta bënte.
Po.
E bëre?
Çfarë?
E lejove.
Cila është tani e marrë?
Me siguri unë.
Pikërisht.
Por…
Po. Çfarë. Çfarë atëherë?
Vras mendjen si do të ishte ajo ndjenjë.
E tmerrshme.
Vërterë?
Po. E tmerrshme.
Përse nuk ja the atëherë znj Breedlove?
Ia thash!
E kam fjalën jo për herën e parë. Por për herën e dytë kur ishe shtrirë në minder dhe po flije.
Nuk po flija! Po lexoja.
Nuk ke nevojë të bërtasësh.
Ti nuk kupton asgjë, apo? Ajo nuk më besonte as kur flisja për këtë gjë.
Ishte kjo arsyeja pse nuk flisje për këtë herën e dytë?
Ajo nuk do të më besonte as atëherë.
Ke të drejtë. Është e kotë t’i thuash diç kur nuk të beson.
Pikërisht këtë po përpiqem të ta fus në atë kokën tënde të trashë.
Në rregull. Atëherë po e kuptoj. Afërsisht.
Çfarë mendon me afërsisht?
Me të vërtetë sot je e ligë.
Ti vazhdimisht thua gjëra të liga dhe të këqija. Mendoja se ishe mikja ime.
Jam mikja jote.
Mjaft me fjalët për Chollyn atëherë.
Në rregull.
Megjithatë nuk ka më çfarë të flitet për të. Megjithatë ai është larg.
Po. Shumë mirë që s’ është këtu.
Po. Shumë mirë që s’ është këtu.
Edhe Sammy është larg.
Edhe Sammy është larg.
Pra, nuk ia vlenë të flitet për të. Për ata, e kisha fjalën.
Jo. Nuk ia vlenë fare.
Tani ka marr fund.
Po.
Dhe ti nuk ke nevojë të kesh frikë se Cholly do të të ngacmojë prapë.
Jo.
Ishte e tmerrshme, si thua?
Po.
Edhe herën e dytë?
Po.
E sigurtë? Edhe herën e dytë?
Më lërë të qetë! A mund të më lësh të qetë.
Nuk e duron shakanë? Bëra shaka.
Nuk më pëlqen të flasë për gjëra të pista.
As mua. Mbase mund të flasim për diçka tjetër.
Për çfarë? Për çfarë do të flasim?
Për sytë e tu, kuptohet.
Po pra. Sytë e mi. Sytë e mi të kaltër. Mund të shikohem prapë?
Shiko sa të bukur janë.
Po. Bëhen më të bukur sa herë që i shikoj.
Janë më të bukurit që kam parë ndonjëherë.
Vërtetë?
Sigurisht.
Më të bukur se qielli!
Po pra. Shumë më të bukur se qielli.
Më të bukur se në librin për Alisen dhe Jerryn.
Po pra. Shumë më të bukur se në librin Alice dhe Jerry.
Dhe më të bukur se të Joannas?
Posi. Edhe më të kaltër.
Më të kaltër se të Michelenes?
Po.
Je e sigurtë në këtë?
Natyrisht që jam e sigurtë.
Zëri yt tingëllon i pasigurtë…
Po, jam e sigurtë. Megjithëse …
Megjithëse çfarë?
Eh, asgjë. Vetëm po mendoja për një zonjë që e pash dje. Ajo kishte sy shumë të kaltër. Megjithëse jo. Jo më të kaltër se të tutë.
Je e sigurtë në këtë?
Po. Tani më kujtohen. Sytë e tu janë më të kaltër.
Sa mirë!
Edhe unë mendoj ashtu. Mendoj se do të ishte e tmerrshme sikur dikush tjetër të kishte sy më të kaltër se ti. Kjo nuk mund të ndodh. Së paku këtu në këtë rrethinë.
Por ti nuk e di, apo jo? Ti nuk ua ke parë të gjithëve, apo jo?
Jo. Nuk ua kam parë.
Pra, mund edhe të ketë, apo jo?
Vështirë . Jo.
Por ndoshta. Ndoshta. Ti the “ në këtë rrethinë”. Askush “ në këtë rrethinë” besoj nuk ka sy më të kaltër. Por ndoshta dikund tjetër. Ndonëse i kam sytë më të kaltër se të Joannas, më të kaltër se të Michelenas dhe më të kaltër se të asaj zonjës që ti ia ke parë, mund të ekzistojë ndoshta dikush më larg që ka sy më të kaltër se unë.
Mos u bëjë budallaçkë.
Pra, mund të jetë dikush. Apo jo?
E çfarë pastaj? Ti je lutur t’ i keshë sytë e kaltër. Dhe i bëre të kaltër.
Mund të t’ i bënte edhe më të kaltër.
Kush?
Z Soaphead.
I the çfarë ngjyre dëshiroje t’ i kishe sytë?
Jo. Harrova.
E pra.
Shiko. Shiko atje. Atë vajzën atje. Shikoja sytë. I ka më të kaltër se unë?
Jo, nuk e besoj.
E shikove mirë?
Po.
Tani po vie dikush. Shikoja sytë . Shiko nëse i ka më të kaltër.
Sa e marrë që je. Nuk e kam ndërmend të shikoj sytë e të gjithëve..
Duhet.
Jo, nuk duhet.
Të lutem. Nëse sheh dikend që ka sy më të kaltër se unë, kjo do të thotë se mbase ekziston dikush që i ka sytë më kaltër. Sytë më të kaltër në botë.
Imagjino, ç’trishtim, apo jo?
Të lutem, më ndihmo dhe shiko.
Jo.
Por imagjino sikur të mitë të mos jenë mjaftueshëm të kaltër?
Mjaftueshëm të kaltër çfarë?
Mjaftueshëm të kaltër për… nuk e di. Tepër të kaltër për… ty!
Nuk dua të loz më me ty.
Oh, mos u largo nga unë.
Po, po iku.
Pse? Je zemëruar në mua?
Po.
Pe sytë e mi nuk janë tepër të kaltër? Se nuk i kam sytë më të kaltër?
Jo, por pse je budallaçkë. .
Mos shko. Mos ik nga unë. Do të kthehesh nëse i bëj?
Bëj çfarë?
Sytë më të kaltër. A kthehesh atëherë?
E kuptueshme. Unë vetëm do të largohem për pak kohë.
Më premton?
Patjetër. Do të kthehem. Tek sytë e tu.