More
    KreuLetërsiBibliotekëStefan Çapaliku: Virusi më përndjekë, por unë jam ma i shpejtë -...

    Stefan Çapaliku: Virusi më përndjekë, por unë jam ma i shpejtë – pjesa I

    – nga ditari i Martin Cukut –

    1. “Tamam sot, me 1 Mars 2020, bahen dhjetë vjet që rri në Itali, pa kurrfarë dokumentash. Punoj në të zezë. Në ndërtim. Më ka marrë në punë Gjeto Marku, një bashkmoshatar, shok filloreje. Gjeto më pat dalë borxhi. Me ardhë këtu në Itali hajde, më tha, vec ta dishë mirë se më të siguru punë mundem e dokumenta jo. Kështu pra u banë dhjetë vjet këtu. Dhjetë vjet me frikë se mos po më kthejnë mbrapa. Dhe tash… Tamam tash që du me ikë nuk më lanë. Keni pa ju kështu?! Fiks në ditën që kisha marrë vendimin të kthehesha në katundin tim në Shqipëri, më kapën. Dhe e bukura asht se nuk më kapën se s’kisha dokumenta, por më kapën se kisha temperaturë. Shkurt me ju thanë, më kanë futë këtu në karantinë, për punë të atij coronavirusit” 

    2. “Quarantina asht organizu në një katund që quhet Cinquantina. Jena rrotull 50 vetë me grip. Dhe e bukura asht se asnjeni prej nesh nuk ka coronavirus edhepse natën dëgjohen vetëm të kolluna e teshtima. Grip more, asht thjesht grip. Na kanë thanë se rakia, hudrat, djathi me erë e çdo gja tjetër e qelbun që hahet, i vjen hakut coronavirusit. Vetëm unë dhe një marokin jena pa dokumenta. Të tjerët: gjashtë sirian, katër kongolez, dy boshnjakë e tre kubanë kanë dokumenta të përkohëshme. Letra pune kanë vetëm italianët. Janë kund 33 vetë. Kështu që ne të sipërpërmendunit, ndihena si mbretën. Po na shërbejnë italianët.”

    3. “Me ne asht edhe një prift vullnetar, Don Tarcisio. Ai jep meshë përditë te korridori dhe ka një të mirë, se kurrë nuk na thotë që t’i japim njeni-tjetrit shenjën e paqes. Këtë e mora vesh që ditën e parë kur sapo u mata t’ia jepja dorën një kongolezes që më kishte ndejë skiç. Bash atëhere prifti bërtiti “Mos! Mos ja jep shenjën e paqes!”. U shtanga! Vetëm buzëqeshini njeni-tjetrit, shtoi ai. Atëhere unë nxora jashtë dhëmbët e mi, kurse ajo të vetat…”

    4. “Ky marokini asht tregu i mençëm. I ka marrë prej banke të tana paret që ka fitu në të zezë dhe me to ka korruptu një roje. Del çdo natë fshehtas. Më thotë se shkon te një katund tjetër përbri, në Trentina, që deri më tash nuk gjendet në izolim. Ai krenohet se atje paska zanë një dashnore, dhe kur vjen i lutet Allahut çdo natë për mos me ia ngjitë asaj gripin. Marokini e ka emrin Abdelkabir. Ai asht i sigurtë se po ia ngjiti gripin Immacolatës u dhje puna. Immacolata ka me ia ngjitë të shoqit, Remigios, Remigio dashnores së vet, e kështu tash hapet loja deri sa ta fusin në karantinë edhe atë katund.”       

    5. “Kurse kjo kongolezja, që s’më la prifti me i dhanë dorën, e ka emrin Aminata. Asht punëtore e madhe. Tanë ditën lanë tesha. S’e mora vesh ende se ku i ndyn gjatë natës gjithë ato tesha. që i lanë gjatë ditës. I lanë me dorë. Me këtë rast mora vesh se paska tipa që urrekan lavatriçen. S’kam pa zezake ma pastërtore. Them të shkoj e ta ndihmoj se kushedi, ndoshta i hyj ne qef. Trembem vetëm se ajo mban në dorë një pirajkë druni, me të cilat rrahë teshat buzë një lugu prej guri.” 

    6. “Abdelkabiri asht nga një provincë e thellë e Marokut që thirret Tan-Tan dhe që asht në kufi me Saharën Përëndimore, Mauritaninë dhe Algjerinë. Por megjithëatë asht djalë i mirë, besnik. Madje me të kemi mendu të themelojmë një sindikatë. Ligji italian po thonë se i lejon edhe këta që janë pa punë të bajnë pjesë në sindikata. Do ta quajmë “Sindikata Covid-19”. Me këtë rast kemi shpresë të marrim letra pune si udhëheqës sindikate.” 

    7. “Kaloi dhe dita e shtatë. Çfarë koincidence dita e shtatë korrespondon me datën 7 Mars 2020. Ia thashë këtë dy boshnjakëve, Imranit me Harunin. Por nuk I bani përshtypje.  Janë binjakë dhe rrinë gjithë ditën shtri. Italishtja e tyne asht në pikë të hallit. Nga krevati majtas rri Haruni e nga krevati djathtas, Imrani. Kështu të paktën thonë, se kush po i merr vesh. Unë për vedi e kam pasë një dajë të babës kpuctar në Bosnje, që pati ikë në kambë gjatë Luftës së Dytë, por këta nuk ia kishin ndi kurrë emrin. Më vjen çudi.”

    8. “Tre kubanët janë një mashkull, Calixto, dhe dy femna Beatriz me Caridad. Këtë të fundit e thërrasin për shkurt Cari. Calixto ka dy problem. Përvecse ka temperaturë të lartë edhe gërhet natën. Si puna ime. Mendova të përfitoj prej kësaj dhe me pretekstin se Calixto më len pa gjumë, kërkova të ndërroj dhomë e të shkoj e të fle me ata dy kubanezet. Beatriz e priti me entuziazëm propozimin, kurse Cari, çuditnisht, kundërshtoi.”  

    9. “8 Mars 2020. U banë tetë ditë që jena të gozhdum këtu brenda. Askush nuk vjen të na takojë në Cinquantina. As Gjeton nuk e kalë lanë me më pa. Kulmi asht se nuk kena as internet. Vec çka marrim vesh nga rojet. Mirëpo, unë pak nuk di mirë italisht, e pak atyne nuk i merret vesh fjala prej maskave që kanë mbulu fytyrën, sa ka rrezik me qenë krejt i keqkuptum. Kështu p.sh nuk di mirë: a asht sot dita ndërkombetare e shkrimtareve apo ka qenë me 3 Mars e kanë dashtë me qitë kujin rojet me mu?”    

    10. “Roja i portës lindore, i cili zbulova se ishte arbëresh, më tha se edhe në Tiranë kanë me u ba punët keq. Hoqa dreqin me e marrë vesh se çka po më thoshte. Ai e paska pasë fjalën për një farë demonstrate përgjatë së cilës presidenti ynë na qenka ulë në gjunjë dhe paska bashku durt në formë skifteri dhe se ambasadorja amerikane në Shqipëri qenka shqetësu se pse presidenti qenka tallë me flamurin amerikan. Nuk dita me i lidhë bashkë këta dy gjana. Por hajt, ma mirë me u kthye me një lajm te Abdelkabiri, se pa asgja.”  

    11. “Sot nxorën nga karantina si të shërum nja pesë italianë. Duhet të kenë pasë miq të fortë, se edhe unë nuk kam temperaturë, por askush nuk më nxjerr prej këndej. Më ka shku ndër mend të shtihem si i marrë, ashtu si pata ba dikur në ushtri, por kam hall se prapë nuk do më nxjerrin, ngaqë kanë frikë se mos infektoj të marrët e tjerë. Hej more sherr! Jam në hall të madh.”

    12. “Sec kam një dyshim qe ketu ne Cinquantina ka plasë homoseksualiteti. Kur i pashë fillimisht ata dy kubanezet duke u puthë me njena-tjetren m’u dukën si libaneze. Vonë dyshova se mund te ishin edhe lesbike.

    13.  Abdelkabirin e zunë në flagrancë me Immacolatën. I zu i shoqi, Remigio, i cili si duket këtë e kish pritur prej vitesh. Remigio, më tha Abdelkabiri, po çmendej nga gëzimi, që më në fund ia kish dalë ta kapte në flagrancë Immacolatën e shkretë. Kështu ai do e kishte shumë të lehtë që t’a ndante. Por kish gabu Remigjio, se sapo kish denoncu në polici që kish zanë të shoqen në flagrancë me Abdelkabirin, që vinte nga Cinquantina, ata kishin vendosë atypëraty që ta shpallnin edhe Trentinën, fshat në Quarantinë.”

    14. “Në darkë në katund bie një qetësi e madhe. Nuk ka as pula e as gjela, se i kanë heqë, nga frika se mos ia ngjisim virusin. Tashti që u bamë edhe 45 vetë, mbas daljes së atyre pesë italianëve, vetmia asht edhe ma e thellë. Aminata, kongolezja që lanë tesha, më lexon disa poezi të vetat shumë të trishtushme, prej të cilave nuk marr vesh asgja. Ajo thotë se ia kushton të dashtunit të vet, që e ka larg. Aminata asht krejt e zezë. Mbas prendimit të diellit nuk i dalloj asgja tjetër përveç dhambve dhe të bardhave të syve”   

    15. Jam merzitë. Nuk asht karantina për ne shqiptarët. Aq jam mërzitë sa më asht mbushë mendja top se duhet me u kthye me se s’ban për në Shqipëri. O me u kthy o me vdekë! Pse do të ikësh në Shqipëri, më pyeti sot ai roja arbëresh, a s’ke frikë nga coronavirusi?! Do iki, do iki se ma merr mendja që coronavirusit i duhen edhe 50 vjet të arrije atje, ngaqë na ka lanë komunizmi shumë mbrapa, i thashë.” 

    16. “12 Mars 2020. Imranin me Harunin ka ardhë me i pa teze Merjemia prej Mostarit. U takun natën në sy të atij rojes arbëresh. Ajo i ka sjellë hallvë, kafe turke dhe hurma arabije. Trimneshë e madhe Merjemia. As nuk pyeti fare për coronavirusin dhe i përqafoi të dy binjakët. Ndërkohë mu më ka paditë Aminata për molesti seksuale, sepse i qenkam pas afru ma afër se distanca e lejume, prej një metri. Simbas saj e paskam ekzagjeru, duke iu afru rreth 83 cm.”

    17. “Për arsyen e masipërme, por edhe për disa të tjera që s’po i jap emen, Gjykata e sajume, këtu në Cinquantina, më dënoi me 40 ditë qëndrimi ma shumë se të tjerët në quarantine. Nuk di a të gëzohem mbas këtij dënimi, a jo? Se do Zoti e po më paisin edhe me dokumenta me këtë rast.”

    stefan/çapaliku/tiranë/mars/2020

    Vijon në: https://exlibris.al/stefan-capaliku-virusi-me-perndjeke-por-une-jam-ma-i-shpejte-pjesa-ii/

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË