More
    KreuLetërsiBibliotekë"Sportisti" tregim nga Fatlum Meholli

    “Sportisti” tregim nga Fatlum Meholli

    Në orët e hershme të mengjesit kaloja nëpër parkun “Mitri” të qytetit dhe prej larg shoh një vajzë, që bënte warm-ups. Prapavija gjelbëronte së bashku me qiellin ngjyrën e së cilit, sipas terminologjisë së artistëve, do ta cilësoja një pthalo blue e pastër. Ndërkaq rrezet e para të diellit sikur në tablotë e Volgeovit binin mbi flokët e vajzës duke krijuar një kolorit madhështor mes të bardhës dhe të verdhës. Kishte një trup prej atletjeje dhe fytyrë të njomë – mbresëlënëse!

    U afrova pak dhe në një ulëse u ula dhe vështroja vajzën e cila nga degët e pemëve nuk do të më dallonte lehtë.

    Me një timer ose telefon (vështirë ta dalloja) maste kohën mes seteve, teksa vazhdimisht tundte belin, kokën dhe qafën, krahët, duart prej bërrylave, kapte shputat e këmbëve me dorë, bënte formën e urës me trup, squats, etj.; ndërsa unë lodhesha vetëm duke e parë. Pas afër 30 minutave, u ul dhe pushoi më gjatë derisa piu një shishe të vogël 0.5 litërshe. Mendova që përfundoi sesionin, dhe bëra të çohem sa s’më vërente, por papritur vajza flokëartë nxori nga çanta një sharrë të gjatë drunjësh ngjyrë portokalli që prenë drunjtë. Mbeta i shtangur! U ula prapë.

    Kapi sharrën dhe kaloi në skajim e fushës së gjelbër të parkut. Mori pozicionin e gjuajtjes, vrapoi për disa metra dhe fiuuuu, sharra fluturoi në ajër. E bëri prapë, prapë, edhe një herë, acarohej sepse nuk e arrinte cakun. Acarohej edhe më tej, me ç’rast vazhdonte hedhjet e panumërta – gjuaj e gjuaj me shumë agresivitet deri sa sharra kapërceu një gur të zi s’di sa metra larg saj. Kur e arriti qëllimin pas disa përpjekjeve, e la sharrën atje dhe nuk e di nga ku e nxori një shtizë të gjatë, kaloi në pozicionin fillestar, vrapoi disa metra me shpejtësi dhe aq larg e gjuajti atë shtizë sa mezi dallohej. Kuptova që ushtron për gjuajtje të shtizës – sport që e njihja dobët veç nga lojërat olimpike. Më mahniti vërtet. Teksa vazhdonte t’i gjuante shtizat tjera, shumëçka më shkonte ndërmendje, por para së gjithash takimi me të.

    Gjithçka ishte mahnitëse, megjithatë ajo pjesa me atë sharrën e rëndë me formë krejt ndryshe nga shtiza ishte tejsisht unike dhe e rrezikshme!

    Nisa t’i afrohem nga mbrapa, dhe në çastin kur ajo gjuajti shtizën tjetër fillova të duartrokis me të madhe. Ajo u frikësua shumë dhe më shikoi e tronditur – s’ishte mësuar të sheh njerëz në atë kohë.

    Duartrokitje nga burri, pastaj pak heshtje.

    – Të lumtë! Të lumtë! Me të vërtetë qenke e zonja!

    Vajza niset drejt shtizës pa thënë asgjë, ndërsa unë qëndrova në të njëjtin vend. Ajo ecte ngadalë dhe shihte me bisht të syrit mbrapa – me siguri donte të largohesha, por unë qëndroja. Kur u kthye pas pak me shtizën në dorë, më tha me gjysmë zëri “Faleminderit!”, teksa i skuqesishn faqet e njoma. Bëri turr ta hedh prapë, por i dola para dhe e pengova.

    – A mund të bisedojmë pak?

    – Zotëri, ju lutem më lini t’i përfundoj ushtrimet e mia.

    – Nuk do ta zgjatim!

    – Nuk kam kohë. Më duhet të shkoj.

    – Do të jetë bisedë e shkurtë.

    – Pesë minuta?

    – Pesë, eventualisht gjashtë. Ha ha ha!

    – Po?

    – Për ç’arsye e fillove me hedhjen e asaj sharre të rëndë?

    – Oh, a të jap llogari për ushtrimet e mia? Shkova…

    – Mirë mirë, në rregull. Nuk e përmend më, vetëm m’u duk aq interesante dhe e rrezikshme sa s’kisha parë më herët. Bëre shou me mëngjes dhe unë e shijova. Andaj desha të jap këto të holla në shenjë respekti.

    – Nuk mund të pranoj para nga të huajt. Megjithatë falemnderit!

    – Të lutem merri, s’ka asgjë të keqe. E bëj me qejf!

    Vajza u largua paksa, nisi t’i fus gjërat në çantë dhe mbeti një copë herë në celularë duke shkruar. Në anën tjetër unë qëndroja me parat në duar dhe nuk largohesha. Ajo grumbulloi rekuizitat, u mbështoll e tëra me çantën e madhe, disa të tjera të gjata etj., s’di çka ishin ato! Pastaj vinte në drejtim timin, krejtësisht e skuqur në fytyrë dhe me sytë që i shkëlqenin, më zgjati dorën dhe mori paratë – m’u falënderua dhe bëri të niset. Unë e kapa në krahë.

    – T’i gëzosh, kampione! (heshtje) Mund ta bëjmë një marrëveshje?

    – Urno, zotëri?

    – Si quhesh?

    – S’është me rëndësi.

    – Më thuaj emrin, kampione.

    – Nuk jam kampione, megjithatë faleminderit. Emrin e kam Unika meqë insistoni!

    – Uau, sa emër mbresëlënës. Me të vërtetë jeni unike në të gjitha aspektet.

    – Mirë. Faleminderit. Çka ishte marrëveshja, sepse më duhet të shkojë.

    – Ku banon?

    – Në lagjen “Të mbijetuarit e gjenocidit”. Ndonjë informatë tjetër? Pfff.

    Uh, e njihja mirë këtë lagje, por jo për të mirë. Varfëri e skajshme, njerëz të egër, rrahje të përditshme, ndodhnin edhe vrasje. S’kisha qenë asnjëherë, por nëpër medie gëlonin titujt e tillë kur bëhej fjalë për këtë lagje.

    – Nga momenti që hudhe atë sharrën më erdhi në mendje një ide unike (ha ha ha). Unë drejtoj një uebfaqe që ka shikueshmëri mesatare – each post reach about 1k vieës or more – pra çdo postim ka mbi 1 mijë shikime.

    – Edhe?

    – Edhe… mendova të incizoj teksa ushtron, teksa hedh atë sharrën e çuditshme, e pastaj ta publikoj videon në faqe.

    – Hmm, më duhet t’i pyes prindërit dhe të lajmëroj. Falemnderit!

    – Si?

    – Më trego emrin dhe mbiemrin, të gjej unë.

    – Minos Minosi

    – Mirupafshim!

    – Mirupafshim! (me zë) E bukura e dheut!. (Më vete)

    Nga natyra e saj jo-emcionale më dukej sikur vetëm më bënte rrafsh dhe se asnjëherë s’do ta takoja më. Sidoqoftë, të paktën komunikova me të dhe kush e di, ndoshta gabohesha.

    Kaloi afër një javë. Dilja çdo mëngjes në park, por nuk e shihja më. Një ditë pasi u ktheva në shtëpi nga shëtitja, nëna ime e moshuar, me të cilën jetoja, më tha që në dhomën e ndenjës një grua me një vajzë po të presin. Pa fjalë dhe me kuriozitet të madh kalova në dhomë… shkëmbeva shikimet me Unikën e veçantë, atleten që dukej edhe më bukur ae herën e parë. Flokët ngjyrë ari, faqet e kuqe, dhe sytë bojë qielli më fascinonin. Më shikoi pak, buzëqeshi lehtë teksa skuqej dhe më pas uli kokën. Ndërkaq, gruaja që e shoqëronte nuk më jepte përshtypje të mira. Përveç syve unikë, flokët i kishte të thinjura, fytyrën e ashpër, trupin gjysmë te deformuar.

    Në fillim më erdhi çudi, si arriti Unika që të zbulojë shtëpinë time? Ah, këta të lagjes “Të mbijetuarit e gjenocidit” janë tejet zhbirues. Vetëm emri im i është vyer.

    U përshëndetëm me gruan e cila u prezantua, ndërsa unë nuk pata nevojë meqë Unika i kishte treguar detajisht për takimin tonë të rastësishëm muaj më parë.

    Zotëri Minos, Unika ka lejen e plotë nga unë për videon që keni thënë. Ajo hezitonte në fillim, por unë aspak. Madje i kam thënë, je në duar të sigurta… tash kur po shoh këtë shtëpi kaq të bukur po bindem edhe më shumë për seriozitetin tuaj. Ne jemi me fat që kemi të bëjmë me ju. Ju ka dërguar zoti, sepse qëndrojmë shume keq ekonomikisht. Jam nënë vetushqyese, mezi siguroj ushqimin…

    Sinqerisht më bezdiste teksa vazhdonte me ankesat dhe përpjekjen maksimale për të lotuar. Andaj e ndërpreva:

    Mirë zonjë, unë mund t’ju jap pak para sot në shenjë solidarizimi, por gjithashtu jam i gatshëm për videon që kam thënë.

    Gruaja pasi mori paratë sikur t’ia kisha borxh:

    Në rregull. Unë po shkoj sepse kam punë në shtëpi, ndërsa nëse dëshironi Unika mund të qëndrojë sa të doni.

    Të dakordohemi për videon?

    Po po, për videon apo çkado. Mirupafshim!

    Mbeta i vetëm me Unikën… Edhe pse isha më i vjetër afër sa gjysma e moshës së saj, më kapi një ndjenjë e çuditshme. U ngjallën fluturat në stomakun tim. Ajo më shikonte dhe buzëqeshte, më ishte dorëzuar e tëra. M’u duk si të ishte ëndërr.

    A të kalojmë në dhomën time, Unika, dhe flasim lirshëm për videon?

    Me kënaqësi, Minos.

    Oh, më erdhi mirë dhe u çudita qe u zhduk raporti “zyrtar” mes nesh. Gjithnjë më drejtohej me “zotëri”…

    Sapo hymë, u shtri në shtrat dhe dukej që priste diçka tjetër dhe jo bisedë. Mezi kontrolloja veprimet, unë mbeta në këmbë dhe iu afrova dritares. Shikoja mga jashtë, perëndonte dielli – pamje mbresëlënëse. Pa shikuar mbrapa, vazhdova:

    Unika, do ta bëjmë videon gjatë javes, por kërkoj nga ti që të shqyesh rrobat paksa, t’i njollosësh, të sjellësh sharrën me vete e kështu.. pra të dukesh jo mirë.. pra e di?, të bëhet video sa më bindëse…

    Si urdhëron Minosi im… – shtoi teksa më afrohej dhe më kapi nga mbrapa, kur ktheva kokën pashë lëkurën e saj që më shkatërroi kontrollin e mëparshëm.

    Në një mëngjes të freskët, meqë ishim dakorduar edhe në chat, u takuam në vendin e njëjtë si herën e parë. Gjithçka ishtë njëjtë, përveç raportit tonë që dallonte tejsisht.. për të mirë. Unika kishte pranuar kërkesat e mia me përpikëri – rroba të shqyera dhe të njëllosura me baltë, flokë të shprishura, shishen 2 litërshe Cocacola të mbushur me ujë dhe gjithsesi sharrën. Megjithë këtë pamje, bukuria e saj nuk dëmtohej aspak, përkundrazi.

    Unë u fsheha me qëllim mbrapa shkurreve dhe xhirova me kamerë telefoni aksionin e veçantë të Unikëa, teksa ajo mori sharrën e rëndë, vrapoi disa metra dhe fiuuu… sharra në qiell! Video doli mbresëlënëse dhe dukej se asgjë nuk ishte e planifikuar. E shikuam me Unikën dhe qeshëm me të madhe. Pastaj me përqafoi dhe më puthi. I ndamë rrugët, sepse mezi prisja të shkoj në shtëpi dhe ta finalizojë idenë unike.

    Mbeta një kohë para laptopit tim, por jo për të edituar videon, sepse po të kishte efekte qoftë edhe të ngjyrës, do të ngjalltë dyshime për planifikum. Mbeta duke shkruar një tekst të fryrë për Unikën, emrin e së cilës nuk e përmendja askund.

    “VIDEOLAJM – Më poshtë keni të shfaqur këtë video që ka arritur në faqen tonë anonimisht. Personi që ka dërguar videon ka shtuar se vajza është e re në moshë dhe bën stërvitje të “çmendura” për të arritur sukses në garat ndërkombëtare, por i mungojnë kushtet elementare për jetesë. Ai ka shtuar se vajza jeton në një shtëpi skëterrë, në lagjen më të varfër te qytetit.

    Si redaksi, ju bëjmë thirrje të gjithëve që kanë mundësi t’i ndihmojnë vajzës, dhe ne do ta marrim përsipër ndërlidhjen e kontaktit tuaj me të dhe familjen e saj.”

    Mendova që nëse shtoj më shumë, teprohet dhe humb interesimi, madje prapë m’u duk që shkrova më shumë së duhet. Sidoqoftë.

    Ngarkova videon, shtova tekstin përmbi dhe fiuuu… fluturoi postimi nëpër hapësirën e pafundmë të internetit.

    Isha i lodhur dhe krejt padashje më ishin mbyllur sytë për afër tri orë, deri kur më zgjoi zilja e derës.

    Botuar në nr. 256 të ExLibirs

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË