Kreu Letërsi Bibliotekë "Sikur nuk po ndodh asgjë" tregime nga Alida Frashëri Bodini

“Sikur nuk po ndodh asgjë” tregime nga Alida Frashëri Bodini

Bluzat

Salloni i huaj me dritare shumë të larta është mbushur me njerëz të panjohur, veshur gjithë shije: bluza të holla mëndafshi ngjyrë kremi, me pikla të vogla të zeza.

Vetëm njëra prej grave, me trup të drejtë, hedh me një lëvizje të shpejtë mbi shpatulla një bluzë prej leshi krejt të hollë, pothuaj transparente.

Rri ulur dhe na shikon në heshtje me qetësi, sikur të mos jetë duke ndodhur asgjë.

Sikur të mos ishte duke ndodhur asgjë.

Adapti

E shoqja e shoferit të shkurtër nuk e kishte mbaruar akoma punën me shtëpinë, siç do të kishte dashur ta bënte. Ndërsa unë, me gjithë përpjekjet për të qenë i përpiktë në orar, vura re që u ndodha aty më shpejt seç duhej.

Përdhe ishte akoma gjithçka e lagur dhe grumbuj të vegjël rëre të përzier me ujë kishin krijuar pellgje, që zonja e shtëpisë po mundohej t’i sistemonte me një leckë me shkop, sikur trazonte miell misri në një tigan me ujë e vaj. E gjithë hyrja mbante erë qumësht gëlqereje e llaçi të freskët.

U mundova të bëja sikur nuk vija re gjë, por nusja dhe e vjehrra, që rrinin të dyja në mes të dhomës, ua ngulën sytë këpucëve të mia që shkelën kuturu duke u pllaquritur nëpër pellgjet e vogla, gjoja për të mos bërë pis.

Ndërsa Adapti rrinte në një karrige, disi me vështirësi për shkak të trupit të tij katror, dhe buzëqeshte indiferent. Më ngacmoi menjëherë mënyra, por nuk thashë gjë. E kuptova se qe gabimi im që kisha ardhur aq herët, s’kisha ç’bëja, tashmë qe vonë.

Ata kishin marrë shtëpi të re: dy dhoma, një kuzhinë, aneks e banjë. Sado që dhomat qenë fare të vogla si kuti, ata dukeshin të kënaqur. Të paktën, më së fundi, banja nuk ishte më e përbashkët me komshiun; vetëm duhej të manovroje me pastrimin dhe kjo s’kishte fare të bënte me atë që shtëpia ishte e re.

Pas çdo pastrimi duhej të prisje sa të thahej përdhe, pastaj të hyje brenda.

Por fenomeni përsëritej sepse, edhe kur pastroje, vijonin të krijoheshin mbi pllakat e çimentos ata grumbujt e çuditshëm të rërës së ndërtimit përzier me ujë.

E hoqa mendjen nga tharja e përdhesë dhe paraqita punën për të cilën kisha shkuar. Disa formate letre të trashë pasparture në ngjyrë qumështi, që do t’i përdorja si sfond kur të më vinte rasti. Të dyja gratë nxituan të më tregonin fotografitë e mëdha. U habita me cilësinë e tyre dhe formatin e madh. Nuk prisja të kishin punë aq të mira. Vërtet qenë të vjetra, të dëmtuara diku në ndonjë cep dhe letra u qe zverdhur nga koha, por kjo ua shtonte vlerën.

Ishin portrete grash të veshura me shumë finesë, sipas modës së shekullit të kaluar, punuar si vepra të vërteta arti. Disa kishin emra dhe vitin të shkruar me pendë dore në ngjyrë sepie ose tushi të zi, me një shkrim të pjerrët në kurbatura elegante. Për të tjerat, të paidentifikuara, kjo do të ishte puna që më takonte të bëja. Dhe do ta bëja këtë me lehtësi, pasi m’u duk se pothuaj të gjitha i njihja prej arkivit të fotografive që kisha në shtëpi.

I sigurova gratë se do të ishte kënaqësi për mua të merresha me atë punë. Ato më shihnin disi të zëna në faj, me siguri prej rërës së lagur apo llaçit të njomë që vazhdonin të ishin prezent në dhomë.

Mbaruam punë shpejt dhe ndërsa prisnim të vinte shoferi i shkurtër, i zoti i shtëpisë, ato menduan të vishnin Adaptin për rrugë.

U ngatërrova jo me dashje në atë punë të vështirë, vetëm ngaqë nuk m’u duk e sjellshme të rrija e t’i vështroja kur rrekeshin t’i vishnin një triko të madhe burrash prej leshi të gjelbërt të errët. Kur, më në fund, ia mbërthyen kopsat në atë trupin katërkëndësh, menduan t’i hidhnin sipër një pallto që të mund të arrinte gjatësinë e njëjtë me njerëzit e tjerë. Problem mbetej si do t’ia vishnin këpucët.

U dhashë mendimin se po të kishin një palë çorape pambuku të gjata, mund t’i fusnin ato lehtë në këpucë dhe ideja ime u pëlqye. Po si mund t’i lidhje ato çorape të futura në këpucë me trupin e tij të fryrë katërcepësh. Ndërsa përpiqeshim të gjenim zgjidhjen e duhur, vura re se ai vetë rrinte krejt i qetë dhe buzëqeshte i kapardisur në karrige, sikur të kënaqej me shqetësimin tonë. Nuk më pëlqeu fare kjo sjellje e tij.

Në këtë çast ia behu shoferi i shkurtër dhe i dha fund, duke e ngritur me lehtësi si pendë në krahë Adaptin, për ta ulur në sedijen e prapme që të ishte më i sigurt.

Që prej shpatullave të shoferit ai na vështronte me atë buzëqeshjen e tij të qetë, disi tallëse, dhe tundte këmbët prej çorapesh bosh, të futura në këpucë.

Ktheva kokën për t’i parë edhe një herë gratë. Të dyja kishin po atë shqetësim të momentit të parë: rëra ende nuk qe tharë. “Ato harrojnë erën e mirë të gëlqeres”, – mendova, pastaj shtrëngova tubin nën sqetull, ku strukeshin fotografitë e çmuara, i përshëndeta dhe mora të dal jashtë. Shqita me kujdes këpucët prej pellgjeve ranore dhe u thashë me gjysmë zëri se s’ia vlente të shqetësoheshe për gjëra aq të parëndësishme.

Me shikimin e tyre të njëjtë mbi shpatullat e mia, eca derisa arrita te dera e oborrit.

Ato vazhdonin të qëndronin në këmbë, me të njëjtin mendim të pandryshuar, që e ndieja të shpërndahej në transparencën e ajrit të nderur midis tyre dhe meje.

tren

Udhëtojmë në tren dhe kabina është shumë komforte. Ka hapësirë të bollshme dhe në një raft të posaçëm afër dritares kam vënë në punë printerin e vogël që shtyp. Mbi gjunjë kam një tufë letrash të shkruara e të pashkruara, me të cilat po merrem.

Bashkudhëtarja, një mesogrua e bëshme, rri ulur në të njëjtën anë me mua dhe ndjek me qetësi çfarë bëj. Megjithatë, diçka nuk është krejt ashtu siç duhet: nuk qëndrohet mirë në ato ndenjëse komode.

– Ose stolat janë më të ngushtë seç duhet, – i drejtohem asaj, si për ta futur në bisedë të parëndësishme, – ose nuk mjafton vendi.

Ajo që thashë duhet të ketë pasur vërtet një kuptim të papranueshëm, se ajo ngrihet vrikthi, e kap shtypësin e gjorë, e përplas përtokë dhe e shtyp me këmbë.

– Mos, ç’bën, mos! – i thërras, por ajo më vështron me një xixëllimë në sy që të rrëgjon shpirtin dhe nuk të lë çap.

– E ke kot! – bërtet. – E ke fare kot! – dhe hap derën e kabinës e zhduket në natë duke lëshuar si breshëri automatiku përmbrapa, një mori fjalësh trishtuese me frymë të verdhë.

Unë mbetem në mes të kabinës me letrat të hedhura përdhe dhe aparatin e shpartalluar që vazhdon regëtimën e punës së ndërprerë, me dridhma deri në fije të flokut.

Kalon një kohë tepër e gjatë, që më duhet të mbledh veten, të përpiqem të kuptoj çfarë ndodhi, një kohë vërtetësisht e pamatë. Më duhen vite që të përsëris me mend gjithë skenën, për të gjetur lidhjen midis shprehjes sime e britmës së saj në ikje.

Dhe besoj se dobësia ime e vjetër në matematikë nuk më ka lënë të përcaktoj përfundimin e këtij barazimi të thjeshtë me dy të panjohura.

Lakra

Që ai burrë kishte një lakër në vend të kokës, kjo askujt nuk i bënte ndonjë përshtypje të madhe. Disave u vinte pak për të qeshur, për një pjesë tjetër kjo ishte ekstravagante, por njëkohësisht normale, ndërsa atij vetë nuk i vinte rëndë nga kjo.

Vetëm atë ditë kur ai e zjeu lakrën për ta ngrënë, u vu re mungesa e kokës së tij. Ai vetë nuk ishte në gjendje të shpjegonte pse e bëri këtë, prej urisë, prej mërzitjes apo nga pakujdesia, s’dinte ç’të thoshte. Por ndiente se kishte humbur diçka te vetja dhe kjo iu duk e dhimbshme. Mbi të gjitha, pikërisht në atë moment filloi të vuante prej dhimbjeve të kokës.

Për të tjerët rreth tij nuk dukej se po ndodhte ndonjë gjë e madhe, por për mirësjellje i vajtën për vizitë në shtëpi.

Atij iu bë qejfi, i priti mirë dhe hëngrën darkë bashkë. Mbas darke miqtë ikën disi të pakënaqur, ndoshta ngaqë iu duk se lakra që hëngrën nuk kishte qenë e zier aq sa duhej.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Granit Zela: Kur përktheja Folknerin, në dukej sikur isha duke rrugëtuar me Darl Bandrenin dhe familjen.

123 vjet më parë, në Mississippi lindi një ndër gjenitë e romanit anglez. Fitues i dhjetra çmimeve mes të cilëve edhe atë...

Romani i Fitzgerald që nuk përfundoi kurrë

Ishte vetëm 44 vjeç kur, në një natë dhjetori të 1940, pasi u kthye i pirë nga një shfaqje, Fitzgerald e la...

Flogerta Krypi: Zafon shprehu dëshirën për të ardhur në Shqipëri

Flogerta Krypi, shkrimtarja e re shqiptare me banim në Gjermani pati mundësinë të takonte Carlos Ruiz Zafon. Tani, në ditëlindjen e tij...

Pablo Neruda: Pse e shkrova poezinë për Stalinin

Shumë njerëz kanë menduar se jam ose kam qenë një politikan i rëndësishëm. S’e di si nisi të përhapej kjo legjendë e...

KATEGORITË