More
    KreuIn memoriamShqiptar Oseku: Kadare, kjo ikonë shqiptare

    Shqiptar Oseku: Kadare, kjo ikonë shqiptare

    Po e shkruaj këtë tekst në një banesë të vogël që kam zënë skaj anëdetit shqiptar, pa libra, mbas tri vdekjesh në familje. Kjo është me rëndësi. Pra kjo që po lexon është shkruar in promptu, pa referenca. Këtu ku jam nuk kam se ç’të shfletoj pos kujtimesh, e s’kam se ku të thirrem pos në kthinat e errëta të ndërdijes. Ndaj citatet e parafrazat mund të kenë ndonjë gabim. Njeriu përvetëson atë që adhuron. E, duke e përvetësuar, e zhvendos adhurimin e vet nga piedestali në vise të vdektarëve, të përthyera e plot mangësi: ashtu siç është vetë jeta. Ashtu siç është njeriu.

    Kjo rruga përdridhet si gjarpër i zi. Për ku po nxiton, gjeneral Mojsi? E di që Kadare shkruan ”vrapon”, por unë thoja gabim ”nxiton”. Kjo poezi është teksti i parë që kam përbrendësuar. Sa do të kem qenë? Katër vjeç? Pesë? Them përbrendësuar, e jo mësuar përmendsh, pse kisha dëgjuar sa e sa herë plakun tim (atëbotë s’ishte plak) dhe vëllezërit dhe shokët e tij tek zbërthenin e analizonin arratinë e Mojsi Golemit. Gjuhën. Metrikën. Ritmin. Atmosferën. Tropet. Ndikimin e diktaturës. Përmasën historike. Të gjitha këto fjalë, e kuptimet e tyre, shtroheshin rregullisht për darkë: bukë e kripë e Kadare. Nuk është se i kuptoja të gjitha. Por stivoheshin aty, si drutë për dimër, në memorien e heshtur të fjalëve. Mojsi Golemi frenon një kalë të trembur; godet me shpatë një hije. Fqinji ynë ishte kasap. Llërën e Mojsiut e përfytyroja si atë të fqinjit tonë, një llanë leshtore me kokrriza të mpiksura gjaku. Kalin e Mojsiut e imagjinoja të bardhë, e rrugën që përdridhet si gjarpër i zi të shtruar me gurnajë, pse në gurnajë të çarshisë kisha parë kuaj të bardhë. Mojsiu i Kadaresë ikte në kalldrëme shekujsh. Por mua më bridhte natën pa hënë nëpër çarshi të madhe, duke tentuar që të kapërcejë një tjetër kufi të ndaluar jo shumë kilometra më larg. Poezia kapet ndryshe nga perspektiva e fëmijës. E fjalët e reja, ato ngelin në kujtesë. Pelerinë. Tallaz. Përpin. Muzg. Oshëtin. Trok. Si dhe fjala më e rëndësishme, ndërgjegje. Më kujtohet xhaxhai im, Kadrushi, tek përpiqej të më shpjegojë se ç’është ndërgjegjja. A ke provuar ndonjëherë t’ia sqarosh fjalën ndërgjegje një fëmije katër a pesë vjeç? Nuk është e lehtë, si vërejmë mjerisht përditë te njerëz të rritur pa atë sqarim. Sot jam i bindur se të gjithë fëmijët e kësaj bote kanë nevojë për një Kadare e një Kadrush që u mësojnë, sa  janë ende të vegjël, fjalën ndërgjegje. E s’kemi Kadrushë. Edhe një Kadare që patëm, s’e kemi më. Ndërsa na mungojnë Kadrushët.

    Jam. Por kush jam? Ku nis unë, e ku mbarojnë të tjerët? Kujtimet e mia të hershme janë formësuar nga vendlindja ime, Gjakova. Qyteti me emrin që Kadare kujtonte (gabimisht) se buron nga gjaku. Nga rruga jashtë shtëpisë, e shtruar me gurnajë në model shqiptar, arnaut kalldrëm i thonë në turqisht. Një si seri urëzash simetrike palosur një mbi një, harqe pa fund të një faltoreje të përdheshme, që dikur përshkonte si damar i gjallë gjithë çarshinë e madhe. Dora me kallo e gjyshit. Zymbyli i tij magjik. Këpucët e tij të zeza. Kërruta prej mahagoni. Bota duket ndryshe nga perspektiva e fëmijës. Çarshia ish formësuar ndër shekuj në jug të qytezës, atje ku karvanet e Shkodrës kalonin urën me tri harqe, e fshatarët nga malësia e Gjakovës, nga Nikaj e Merturi me kulla të ngujimit, zbrisnin në ditë të tregut. Gjyshi mirrte rrugën e çarshisë çdo nadje ora pesë, e kthehej në shtëpi në mbrëmje ora gjashtë a shtatë: trimbëdhjetë a katërmbëdhjetë orë pune, përditë, shtatë ditë në javë, treqind e gjashtëdhjetepesë ditë në vit, për dyzet e kusur vjet pa asnjë  mungesë, me përjashtim të herave kur i lindi fëmijë. Ecejakja e përditshme nëpër rrugën me gurnajë ishte feja e tij. Pelegrinazhi i tij. Mandala e tij prej rëre. Kur kufiri i ri ndau Gjakovën nga Shqipëria, çarshia u vdir, si nëna e Konstantinit tek ajo novela e Kadaresë. Mandala u prish. Ajo tash më fanitet vetëm nëpër ëndrra. I ndij aty, aromën e bujashkave. Tingujt e çekiçëve në bakër. Trokun e kuajve, që ngrehin ende qerret e amshueshme. Thirrjet e mjeshtrave të vjetër, e të çirakëve të tyre. Verat e nxehta me erë blini. Dimrat rreth mangallëve me thëngjill të ndezur: çati të rënduara nga bora, me kandila të akullt përposh. Në ëndërr, jam në sokakun tim të të marrëve (ka të tillë në çdo qytet shqiptar) dhe këpus një kandil, që e mbuloj me borë. Akullore në dimër. Por e di, edhe kur ëndërroj, se ajo kronikë në gur s’është më. U shpëla nga gjaku, si tek poezia e Kadaresë për Gjakovën.

    Të thashë në fillim, kjo është me rëndësi: po e shkruaj këtë tekst pas tri vdekjesh në familje. Një nga ato ishte vdekja e papritur e Devollit: jo e trevës po e njeriut, Devolli ishte djali i xhaxhait tim Kadrushit. Dukuri kjo e shpeshtë ndër shqiptarë në Gegëri të veriut, që janë rritur nën regjim të serbit. Quaje sfidë a krenari a debilizëm a çka të duash. Ne i emërtonim fëmijët me toponime nga republika shqiptare. Rubik. Korab. Berat. Frashër. Dragobi. Luaras. Të gjithë emra të familjarëve të mi. Emri Devoll buron nga një fjalë protoindoevropiane, Deivâ që dmth Hy, fjalët dea, deus e deitet u sajuan nga ajo rrënjë; Kadrushi kish konsultuar tre gjuhëtarë para se t’ia vinte atë emër djalit të vet të madh. Sa ish Devolli i vogël, vdiste për çokollata. I vidhte nga skuta të fshehta të kuzhinës, por harronte gjithmonë të fshinte buzët dhe zbulohej. Poezia e parë që Devo i vogël kish mësuar ishte ajo për Gjergj Kastriotin. Emocionet nga ajo i kish aq të forta, sa i kish ndodhur që gjatë recitimit të ngrihej si copë mermeri. Në shkollë adhuronte letërsinë dhe Kadarenë. Këtë ma ka treguar Kadrushi. Atë e brente shumë ndërgjegjja pse s’e kish lënë Devon që të studiojë letërsinë. Devolli u bë magjistër shkencash por vdiq para dhjetë ditësh nga një aksident trafiku, një vit e tre muaj mbas vdekjes së Kadrushit.

    Të thashë që në krye, kjo është me rëndësi: po e shkruaj këtë tekst mbas tri vdekjesh në familje. Dy mortet e para ishin ajo e Devollit dhe Kadrushit, me një vit e ca ndërmjet. Mort i tretë në familje është quajtur vdekja e Ismail Kadaresë, fiks dhjetë ditë mbas vdekjes së Devollit. Edhe për të kemi mbajtur zi, kemi nisur e ngushëllime në familje, si për një anëtar të fisit. Me Devon kam luajtur sa isha fëmijë. Kadrushi më ka mbajtur në prehur kur isha i vogël. Edhe Kadareja, po ashtu, na ka mbajtur në prehër shumicën prej nesh. Atë që dua të them është, se ai ka qenë anëtar edhe i familjes sime, ashtu sikur edhe i qindramijëra familjeve të tjera matanë kufinjve: ai është shkrimtari toskë që u bë ikonë e çdo shtëpie në Shqypni të Vjetër. Ai na kthente krenarinë kur na poshtëronin. Na jipte shpresë kur shpresë nuk kishim. E na ruante besimin kur na prenin në besë. Kjo që po lexon është shkruar pa referenca. Këtu mundem të shfletoj vetëm kujtime, e të thirrem vetëm në eko të errëta të ndërdijes. Që  nga atje, ju dëshmoj: po e shkruaj këtë tekst mbas tri vekjesh në familje. Ne të gjithë jemi formuar ndër dekada duke parë botën dhe vetveten me sytë e Kadaresë. Ai ka qenë rruga jonë shtruar me gurë. Nuk ka qenë rrugë e lehtë, as e drejtë çdo herë. Ka qenë rrugë shqiptare. Një si seri urash simetrike një mbas një: harqe pa fund në një faltore të letërsisë, që na përshkon si damar i gjallë.

    NJË KOMENT

    1. I jashtëzakonshëm përjetimi i Shqiptar Osekut. Jo vetēm për stilin, por thellësinë e mendimit, me të cilin përcjell idetë dhe vlerat e veprës së Kadaresë. Ju lutem, a mund ta publikoni në FB?

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË