More
    KreuLetërsiBotime të rejaShaip Beqiri: Konturet e pakryera për një vepër të përkryer

    Shaip Beqiri: Konturet e pakryera për një vepër të përkryer

    (Bajram Sefaj: “Përballë Kolosit”, Faik Konica, 2021 –  Prishtinë)

    I ndodhur në prag të të tetëdhjetave, më se gjashtëdhjetë prej të cilëve i ka kaluar me penë e mikrofon në dorë, para letrës së bardhë e llambave të ndezura të kamerës, Bajram Sefaj mëton të vërë kulmin e tërë kësaj përvoje krijuese brenda kapakëve të një libri aspak të rëndomtë për Ismail Kadarenë dhe për veten e vet. E kujtoj shkrimin e parë të këtij autori “Shkruan Ymeri pa u ndalur…”, botuar në Prishtinë para plot gjashtëdhjetë vjetësh, një portret krejt i rëndomtë për një djalosh që kishte botuar vjershën, skicën dhe tregimin e parë, për të ndjekur një jetë të tërë njeriun që në tërë këtë kohë epokash të ndryshme nuk ka bërë asgjë tjetër përveç që ka mbajtur të gërshetuara deri në shkrirje të plotë gazetarinë dhe letërsinë. Janë shumë autorë gjithandej që kanë ndjekur një udhë të tillë në krijimtarinë e tyre, të tillë ka paksa tepër edhe ndër ne, por në këtë cak asnjëri nuk është si Bajram Sefaj. Në kapërcyell mileniumesh, koha kur Ismail Kadare zuri majat e afirmimit të veprës së tij letrare në përmasa botërore, siç nuk e kishte bërë askush tjetër nga shqiptarët e as nga harku i gjerë i Gadishullit Ilirik përpara tij, natyrisht që përafërsisht në atë përmasë u bënë edhe botime librash nga më të ndryshëm për të dhe sidomos për veprën e tij me vlerë sipërane artistike. Pikërisht në këtë periudhë kohe tridhjetëvjeçare, kur u mbarështuan, u shkruan dhe u krijuan afërsisht aq tituj librash për Kadarenë dhe veprën e tij, Bajram Sefaj përgjatë tërë kësaj kohe mblodhi lëndën e librit të vet për Kolosin. Ai nuk e fsheh drojën, ngurrimin e hamendjen që kishte nëse do t’ia dilte ta bënte të prekshme një ëndërr të vet kaq të paarritshme. Ndjekja në kohë të gjatë e gjurmëve të penës vetjake, duke parë emrin e vet në ballina jo të pakta librash, e ka mësuar se çdo libër, qoftë edhe me mëtesë sado të vogël, së paku duhet të ketë shtyllën e vet kurrizore. Mbërthimi pas asaj shtylle, që është përkthimi dhe ndikimi i fenomenit të tij në njohjen kaq të gjerë të veprës së Kadaresë në botë, autorit tonë i jep shkas të gjurmojë, duke gërmuar pareshtur për të shpënë më tej idenë e tij të ballafaqimit me Kolosin. Veshja me pjesëza e copëza të tjera, duke ngallmuar nëpër skeletin e idesë për përkthimin e çdo gjëje tjetër që po i vjen për dore, sigurisht që ka jo pak përparësi, por nuk mbetet pa dobësi e pa ngathtësi të caktuara. Kjo mënyrë shkrimi i detyrohet pikësëpari përsëritjes së të njëjtave të dhëna, cilësime, epitete e formulime pafundësisht të pakursyera. Herën e parë, të gjitha këto të përftojnë përshtypjen sikur je duke soditur shkumëzimin e një rrjedhe në reliev të ashpër guror, që është natyra e shkrimit me pasion e emfazë, por paskëtaj të shfaqet papritur uji i kulluar i asaj rrjedhe që shpërthen vetvetishëm, duke u shpërndarë gjithandej atij relievi rrëfimor, tek i cili lë prapa vazhdën e ndritur… Autori ka vënë në përdorim çdo formë të shkrimit, të gjitha mënyrat e thurjes së tij, që nga skica, miniatura, monologu pa fund, dialogu i përkorë, reportazhi, rrëfenja, eseja e trajtesa. Kur ndalesh dhe i vëzhgon me kujdes, të del se ai në të vërtetë ka bërë konturët e hollësishme të një poeme të pakryer për veprën e përkryer të shkrimtarit gjenial shqiptar. Në soditjen time të kësaj ngrehine të Sefajt, dua të bëj një parantezë që e jep më të plotë vëzhgimin e autorit te hollësitë çmeritëse. Nuk është thënë më kot që edhe djalli atje fshihet. Tërë shkumëzimi prej sharjesh, shpifjesh e shtjellash të tjera të adhurimit apo të zhgënjimit, nuk do ta bënin më mirë, më bukur e më thellë portretin e Kadaresë sesa e bën Sefaj me dy fjali krejtësisht të rëndomta: «Më kujtohet, si të kishte ndodhur sot paradite, Kadare as që më falënderoi për këtë gjest modest. Ani, s’ka lidhje, shkrimtari i shquar, ka punë më të rëndësishme!» Nëse është e mjaftueshme dashuria në punë të shkrimit, ky libër i Bajram Sefajt qëndron te majat e kësaj piramide. Disa mesazhe jo rrallë lexohen më thellë e më bukur në shkëlqimin e syve të atij që i përçon ata sesa në gjëmimin e artilerisë së rëndë të fjalëve kumbuese. Për të tjerat mund të flitet gjerësisht dhe me jo pak vërejtje. Derisa autori me kaq përvojë krijuese e urtësi njerëzore e shpall një libër të vet jetësor, le të jetë për ne një libër dashurie, të cilit i japin ngjyrim përmasat e letërsisë të papërsëritshme të Ismail Kadaresë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË