More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSalajdin Salihu: Kadareja i rrezikshëm (Shtypi jugosllav për veprën e Kadaresë)

    Salajdin Salihu: Kadareja i rrezikshëm (Shtypi jugosllav për veprën e Kadaresë)

    Veprat e Ismail Kadaresë ishin në fokusin e shtypit jugosllav nga viti 1968, prej kur poeti Esad Mekuli e përktheu në serbisht romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Veprat e tij pastaj u botuan edhe në gjuhët tjera që fliteshin në ish-Jugosllavi.[1] Në shtypin jugosllav u botuan shumë recensione për këto vepra, por u shkruan edhe komente e fejtone kundër shkrimtarit. Kadare u vlerësua si shkrimtar, por u sulmua për qëndrimet e tij ndaj Kosovës.

    I. 

    Kadareja i vlerësuar

    Kritika letrare e ka vlerësuar Kadarenë si “shkrimtar të shkëlqyeshëm”, “kulm i letërsisë ballkanike” së bashku meIvo Andriqin dhe Nikos Kazantzakis-in dhe si “njërin prej shkrimtarëve më të rëndësishëm europianë të shekullit XX”.[2] Mirosllav Kërlezha (1893 – 1981) e vlerësoi Gjeneralin e ushtrisë së vdekur  si “roman modern që do të lexohet me kënaqësi në Romë, Tokio e Londër”.[3] 

    Romani Pallati i ëndrrave[4]u vlerësua si “alegori politike”, ku “edhe pse ngjarjet ndodhin në periudhën osmane, vërehet kritika ndaj regjimit të Enver Hoxhës, prandaj u ndalua në vitin 1981”.[5]

    Vepra më e sulmuar e Kadaresë ishte Krushqit janë ngrirë për shkak të temës. Ajo u debatua edhe në mbledhjet e shumta të Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë (LSHJ). 

    Shtypi jugosllav shpesh herë e ka parë Kadarenë si kundërshtar të regjimit enverist, siç ka ndodhur edhe e kundërta.

    Gazeta sllovene “Delo”, në vitin 1981, e veçoi deklaratën e Kadaresë në një takim me shkrimtarët e Kosovës, ku tërthorazi e kritikonte realizmin socialist.

    “Çdo drejtim letrar ka shabllone e klishe. Kjo s’ndodh vetëm me realizmin socialist. Prandaj, krijuesi s’duhet të vlerësohet se cilit drejtim i takon. Shkrimtari i mirë, si krijues veprash të mira, nuk merakoset cilit drejtim i përket”, citohet Kadare.[6] 

    Shtypi jugosllav shpesh e theksonte famën që kishte arritur Kadare në botë. Përmendej si njëri nga kandidatët kryesorë për çmimin Nobel. Kritiku Jaka Shtular vërente se në kulturën franceze ndodhte një fenomen i ri. Francezët më shumë i lexonin veprat e shkrimtarëve të huaj sesa librat e autorëve francezë. “Çeku Kundera dhe shqiptari Ismail Kadare janë shkrimtarët më të adhuruar nga lexuesi francez”, shkruan Shtular.[7]

    II. Kadareja i sulmuar

    Ismail Kadare ishte edhe shkrimtari më i sulmuar shqiptar nga shtypi dhe autoritetet e ish – Jugosllavisë. Sulmet kundër tij u shpeshtuan pas vitit 1981, kur u sforcua propaganda antishqiptare e orkestruar në Beograd. Kadare akuzohej si “antijugosllav”, “armik i regjimit jugosllav”, “antiserb” dhe “mbështetës të irredentizmit shqiptar”.

    Një shkrim i Kadaresë, i botuar në revistën “Drita”, u shkaktoi shqetësim autoriteteve jugosllave. Qëndrimet e tij për Kosovën madje u barazuan me atë të shtetit shqiptar.

     “Shkrimtari i shquar shqiptar ka shkruar se në Jugosllavi ka urrejtje ndaj kulturës, letërsisë dhe artit shqiptar, kurse Jugosllavia s’e dëshiron bashkëpunimin kulturor ndërmjet shqiptarëve[…] Ky është sulm i Shqipërisë kundër Jugosllavisë”, thuhet në komentin që e përcjell gazeta “Primorski dnevnik”.

    Gazeta informonte se për shkak të shkrimit të Kadaresë qe thirrur ambasadori shqiptar në Beograd, Sotir Plakut dhe i ishte thënë se “Jugosllavia kishte vendosur t’i rishqyrtonte raportet me Shqipërinë”.[8]

    Gazetat serbe shkruanin se Kadare kishte qëndrim armiqësor ndaj Jugosllavisë edhe pse librat e tij botoheshin ashtu sikurse librat e Andriqit dhe Kërlezhës.

    III. Kadareja i ndaluar

    Pas vitit 1981 librat e Kadaresë [që botoheshin në Kosovë] u futën në indeksin e librave të ndaluar në Republikën e atëhershme të Maqedonisë. U hoqën nga bibliotekat e nga listat e lektyrave shkollore dhe përfunduan nëpër depo, ku u shkatërruan nga lagështira. Gjenerali i ushtrisë së vdekur ishte përkthyer në maqedonisht që në vitin 1975, por më pas Kadareja ishte “shkrimtar i rrezikshëm”.

    Maqedonia ishte republikë “satelite” e Beogradit. Shqiptarët ishin qytetarë të rendit të dytë. Kjo republikë shërbente, siç thuhej, si një “laborator për matjen e durimit të shqiptarëve”. Represionin që mund ta duronin shqiptarët e Maqedonisë, Serbia mëtonte ta provonte me shqiptarët e Kosovës.

    Sa më shumë sulmohej Kadareja, aq më shumë shtoheshin lexuesit e veprave të tij, të cilat qarkullonin gati si “samizdate” në mesin e mësuesve, studentëve dhe nxënësve shqiptarë të Maqedonisë. Lexoheshin edhe me ngarkesë politike, sepse Kadareja shihej më shumë sesa shkrimtar.

    Librat e Kadaresë në gjuhën maqedonase filluan të përktheheshin pas viteve 90-të.

    IV. Shkrimtarët kundër Kadaresë

    Veprat dhe shkrimet e Kadaresë janë debatuar shpesh edhe në mbledhjet e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë (LSHJ) dhe Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK). Shumë shkrimtarë, veçanërisht ata serbë, e akuzonin Kadarenë si “përkrahës të irredentizmit” në Kosovë. Sërish ishte bërë shkas një shkrim i Kadaresë. LSHJ, nëpërmjet një komunikate, e dënonte shkrimin e Kadaresë të botuar në revistën “Drita” dhe të lexuar në Radio Tirana.[9]

    Qëndrimet e Kadaresë shkaktuan përçarje edhe brenda Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Gazeta kroate “Slobodna Dalmacija” (SD) informonte se 90 për qind e anëtarëve të kësaj shoqate ishin komunistë që e dënonin “pamfletin e shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare, pasi i ndante shkrimtarët e Jugosllavisë në të mirë dhe të këqij në raport me shqiptarët”.[10]

    Kryetari i LSHJ-së, Çiril Zlobec, i përkrahu shkrimtarët komunistë. Në komunikatën e LSHJ thuhej se shkrimi i Kadaresë ishte një “akt irredentist dhe sulm kundër pavarësisë dhe sovranitetit të Jugosllavisë”.[11]  

    Akuzat kundër Kadaresë vazhduan edhe në vitet vijuese. Në një koment të Radio Prishtinës kundër Kadaresë, që u botua në gazetat jugosllave, thuhej: “Kadareja i njohur jo vetëm në RP të Shqipërisë, por i pranuar edhe në Europë, është njëri nga armiqtë më të përbetuar të Jugosllavisë”, pasi nëpërmjet veprës Krushqit janë të ngrirë “i përshkruante ngjarjet kundërrevolucionare në Kosovë, ato të vitit 1981, dhe i quan kryengritje”.[12] Komenti përqendrohet te personazhi i mjekes Teuta Shkreli,[13] që i ndihmon demonstruesit e plagosur nga ushtria dhe policia jugosllave.

     “Mesazhi i Kadaresë është i qartë […] Shqiptarët në Kosovë (sipas Kadaresë – shënim yni), ashtu si në gjithë Jugosllavinë, janë të rrezikuar dhe viktima të dhunuesve serbë[…] Është i pakuptueshëm veprimi i atyre që e propagandojnë këtë vepër dhe e indoktrinojnë brezin e ri me idetë e ngjashme si të Ismail Kadaresë”,[14]thuhet në koment.

    Në këtë periudhë revista kulturore sllovene “Katedra” e intervistoi shkrimtarin serb, Vuk Drashkoviqin, që flet për Kadarenë me diskursin e propagandës serbe dhe i shumëfishonte stereotipat për shqiptarët. Sipas tij, historia shqiptarët i kujtonte vetëm si “plaçkitës, sulmues karvanësh tregtare dhe pa kujtime të rëndësishme historike”.[15] Drashkoviqi ishte njëri nga shkrimtarët më të lexuar në ish-Jugosllavi, veçanërisht romani i tij Thikat.[16] 

    Më 24 shkurt të 1989, gazeta SD e ribotoi shkrimin e autorit Branko Stoshiq nga Beogradi, ku thuhet se “shkrimtari më i njohur shqiptar e pranon se ekziston drama kosovare, por shkaqet i gjen në psikologjinë e popujve të Ballkanit që nga koha e Perandorisë Osmane”.[17]Kadare, sipas autorit, kishte thënë se serbët, për shkak të kompleksit të inferioritetit, të trashëguar nga periudha osmane, shfaqnin shovinizëm më agresiv. Përkundër kritikave kundër Kadaresë, autor e mbështet porosinë e shkrimtarit shqiptar se në Ballkan “shovinizmi duhej të flijohej në themelet e urës së miqësisë dhe të afrimit”. [18]

    Në këtë qark kohor, qarqet shtetërore, diskutonin që Kadarenë ta shpallnin “persona non grata” në Jugosllavi.[19]

    Në shkrimin “Fshehtësia e ministrit”, i botuar më 3 prill 1989, Kadareja sërish quhet “armik i dëshmuar i Jugosllavisë”. Shkas ishte intervista e tij për “Le Monde Diplomatique”, ku kishte folur për shtypjen e shqiptarëve në Jugosllavinë tani të shpërbërë. Kritikohet edhe gazeta franceze, sepse “u jepte hapësirë autorëve që e sulmonin Jugosllavinë”.

    “Shqiptarët nuk janë të diskriminuar në Jugosllavi. Kosova ka autonomi. Shqiptari Sinan Hasani ishte kryetar i kryesisë së Jugosllavisë në periudhën 1986  – 1988”.[20]  

    E njëjta gazetë, më 27 dhjetor të 1989, shkruan: “Për Ismail Kadarenë thuhet se është shkrimtar i shkëlqyer. Ai është përkthyer në 30 gjuhë edhe pse vjen nga Shqipëria e vogël[…] Para ca kohësh ka qenë në Bor, ku gjatë takimit me shkrimtarë nga Ballkani ka folur për bashkëpunimin e popujve të gadishullit dhe u ka kërkuar shkrimtarëve që të tejkalojnë “fatin e zi” dhe “forcat e errëta”. Tani dëgjojmë se Kadareja e ka botuar romanin Koncert në fund të dimrit, tepër i zbukuruar me vërejtje antijugosllave”.

    V. Raportet e Kadaresë me shkrimtarët serbë

    Ismail Kadare kishte raporte të vështira me shkrimtarët nacionalistë serbë. Njëri ndër ta është Miodrag Bulatoviq (1930 – 1991), i cili e përkrahu politikën e Millosheviqit.

    Autori Slobodan Dukiq, i cili e kishte intervistuar Kadarenë për gazetën “Delo”, e përshkruan servilizimin e Bulatoviqit ndaj Kadaresë.[21]

    Bulatoviqi ishte pjesë e fushatës së egër kundër shkrimtarit Danilo Kishit.  “I çmenduri Bule”, sikurse e quanin disa shkrimtarë, u bë pjesë e fushatës nga dashakeqësia. Në biseda me shkrimtarë e pranonte se akuzat kundër Kishit ishin të sajuara. Danilo Kish e renditi te “qentë policorë”.[22] Bulatoviqi mbajti fjalim të zjarrtë edhe në Kongresin e Partisë Socialiste të Millosheviqit. Ai tha se ngjyra e kuqe e Partisë simbolizonte gjakun serb. Për shërbimet ndaj regjimit u zgjodh deputet.

    Shkrimtari Bora Qosiq, një kundërshtar i regjimit të Millosheviqit, rrëfen për takimet jodashamirëse me Kadarenë.

    “Në vitet 90 dhe më pas, disa artistë të mëdhenj krijuan raporte të çuditshme ndaj meje. Ismail Kadare, shkrimtari më i madh në gjuhën shqipe, gjatë kohë refuzonte të më përshëndeste[…] Ai s’e dinte se kurrë s’isha përzier në atë që ndodhte në Kosovë, as e kisha përkrahur politikën e krimit të Millosheviqit. Përkundrazi. Kur Kadareja e kuptoi këtë, e ndryshoi qëndrimin ndaj meje. Më kujtohet, ishim në një vizitë disaditore në Zvicër, ku u njohëm, u afruam, madje u bëmë miq. Sepse ne dy, mbi të gjitha, jemi vëllezër për nga poezia e poetika. Më erdhi keq që Kadare më kishte identifikuar gabimisht me politikën shkatërrimtare të Millosheviqit. Kësi gabimesh ndodhin për shkak të mosnjohjes së situatave. Në anën tjetër, gjatë jetës sime, kam hyrë në konflikte që mbetën pa zgjidhje”.[23]

    Bora Qosiqi pati konflikte pa zgjidhje me Peter Handken dhe regjisorin Emir Kusturica. Handke e promovoi me fanatizëm regjimin e Millosheviqit. Madje mbajti fjalim në varrimin e tiranit. Regjisori boshnjak (i vetëdeklaruar si serb), Emir Kusturica u bë zëdhënës i politikës shoviniste serbe, kurse tani është himnizues i Putinit.

    VI. Azili

    Shtypi jugosllav ka shkruar edhe për qëndrimet e Kadaresë kundër sistemit shtetëror në Shqipëri, për azilin në Francë dhe deklaratat e tij për Kosovën.

    Sipas Zoran Dogramaxhievit, Kadareja ishte shkrimtari i parë që e kritikonte “Sigurimin”. Autori fokusohet te vlerësimi i Kadaresë për romanin Thikat të Neshat Tozajt, që ishte “kritikë e hapur kundër “Sigurimit” që deri atëherë ishte i paprekshëm dhe e kontrollonte çdo sferë të jetës në Shqipëri”.

    “Vepra e Kadaresë është botuar në shumë vende të botës. Ai ka udhëtuar shumë. Ka njohur shumë njerëz. Veç tjerash, ka folur për takimin me Fransoa Miteranin, i cili shkrimtarin e sheh si kandidat për çmimin Nobel. Pra, ai shkon një hap para politikës zyrtare”,[24]shkruan ky autor. 

    Gazeta “Slobodna Dalmacija” e 4 janarit të vitit 1990 sërish fokusohet te botimi i romanit Thikat nga Neshat Tozaj, i cili, siç thuhet, “e përshkruan policinë sekrete, Sigurimin, që e torturon barbarisht një grua të sëmurë mendore për ta zbuluar bashkëpunimin e saj me shërbimet e huaja sekrete”.[25]

    Tozaj, thuhet në shkrim, nuk përfundoi në burg pasi libri nuk fliste për aktualen, por për të kaluarën. Pra, për shefat e sigurimit dhe ministrat e brendshëm që përfunduan “në plehun e historisë”. Gazeta e veçon edhe deklaratën e Kadaresë: “Një shoqëri që e dënon krimin hapëron drejt përparimit”, kurse “problemi i demokracisë, respektimi i ligjeve dhe i të drejtave të njeriut është i rëndësishëm për Shqipërinë”.[26] 

    Më vonë shtypi jugosllav u fokusua tek azili i Kadaresë. Theksohej se “hapi i tij ishte vazhdimësi logjike e asaj që kishte mbrojtur në veprën e tij”;[27] se azili i Kadaresë kishte ndikuar fuqishëm në zhvillimet politike në vend. Thuhej se Kadareja ishte më i kursyer kundër pushtetit, por atë “e kishte kritikuar nëpërmjet romaneve”.[28]

    Një seri shkrimesh kundër Kadaresë janë botuar edhe në gazetën “Borba” të Beogradit, veçanërisht pas vitit 1991. U botuan edhe fejtone, veçanërisht pasi gazeta u vu nën kontrollin e regjimit të Millosheviqit. Njëfarë Pavle Xheletoviq e botoi një fejton në qershor të vitin 1998 ku shprehet urrejtje ndaj Kadaresë dhe kulturës shqiptare. Ky autor shkruan: “Kadare s’e pati vështirë të afirmohej si shkrimtar në vendin ku s’kishte letërsi të zhvilluar”. Autori u kundërvihej intervistave dhe deklaratave të Kadaresë për Kosovën dhënë për mediat e huaja.[29] 

    Për temën Kadareja sipas shtypit jugosllav mund të shkruhen shumë studime. Shembujt e mësipërm na kanë shërbyer për ta ilustruar qëndrimin e shtypit jugosllav ndaj Kadaresë. Artikujt kundër Kadaresë janë me qindra dhe mund të studiohen jo vetëm nga studiuesit e letërsisë, por edhe nga historianët, sepse e paraqesin atmosferën mbizotëruese në ish – Jugosllavi, jo vetëm në raport me Kadarenë, por edhe me shqiptarët në përgjithësi.


    [1]  Disa nga veprat e Kadaresë që janë botuar në hapësirën ish – jugosllave: Gjenerali i ushtrisë së vdekur (përktheu: Esad Mekuli), Beograd, 1968; Gjenerali i ushtrisë së vdekur (përktheu: Adem Gajtani), Kultura, Naša Kniga, Shkup, 1975; Gjenerali i ushtrisë së vdekur (përktheu: Jakob Emershiq), Obzorja, Maribor, 1976; Kështjella (përktheu: Vehap Shita), Rad, Beograd, 1977; Gjenerali i ushtrisë së vdekur (përktheu: Vehap Shita), Rad, Beograd, 1977; Gjenerali i ushtrisë së vdekur (nga frëngjishtja: Gjure Plemençiq), Rijekë, 1978; Gjenerali i ushtrisë së vdekur (përktheu: Vehap Shita), Reč i misao, Beograd, 1978; Kronikë në gur (përktheu: Vehap Shita), Veselin Maslesha, Sarajevë, 1979; Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Beograd, botim për të verbrit, 1993; Pallati i ëndrrave (përktheu: Shkëlzen Maliqi), Svjetlost, Sarajevë, 1991; Eskili dhe tragjikja (përktheu: Kim Mehmeti), Kultura, Shkup, 1994; Kronikë në gur (Përktheu: Fatbardha Shehu) Detska radost, 1995; Viti i mbrapshtë (me titullin: Crna godina; përktheu: Vilotije Ristiq), Prosveta, 1997; Pallati i ëndrrave (përktheu: Fatbardha Shehu), Detska radost, Shkup, 1998; Qiell i ngrysur (përkthyen: Ali Aliu dhe Ante Popovski; parathënie nga Ante Popovski), Detska radost, Shkup, 1998; Pasardhësi (përkthyen: Fatbardha Shehu dhe Luan Starova), Tabernakul, Kumanovë, 2003; Vajza e Agamemnonit (përktheu: Luan Starova), Tabernakul, Kumanovë, 2003; Gjenerali i ushtrisë së vdekur (përkthyen: Azir Selmani dhe Liljana Eftimova), Vreme, Shkup, 2003 dhe 2004; Gjenerali i ushtrisë së vdekur (përktheu: Adem Gajtani), Detska radost, 2004; Gjenerali i ushtrisë së vdekur (përktheu nga serbishtja Nevenka Koleov), Prosvetno Delo, Shkup, 2011; Piramida (përktheu: Afrim Rexhepi), Ikona, Shkup, 2014; Pallati i ëndrrave (përktheu: Fatbardha Shehu), Ars Lamina, 2015 dhe 2019; Kukulla (përktheu: Alida Muça etj.), Arslibri, Shkup, edicioni “Klasikë bashkëkohorë”, 2019; E shpenguara (përktheu: Alida Muça), Arslibri, Shkup, 2019 etj. Poezi dhe fragmente nga proza e Kadaresë janë botuar në shumë revista letrare.

    [2]  M. Bazdulj, “Pola stoljeća Generala mrtve vojske”, Vreme Nr. 1194, Beograd, 21 nëntor 2013.

    [3]  Enes Čengić, S Krležom u dan na dan, Globus Zagreb, 1985.

    [4]Никола Ковач, Европскиотполитички роман: фикција на тоталитаризмот, Ѓурѓа, Shkup, 2004, f.206-208. Në këtë libër Pallati i ëndrrave vlerësohet si vepër kundër totalitarizmit.

    [5]  M. Bazdulj, op.cit.

    [6]“Ljudje v novicah – Ismail Kadare”, Delo, 26 mars 1981, f. 9.

    [7]  Jaka Štular, “Parisko Pogovor”, Delo, 19 mars 1987, f. 13.

    [8]“V Albaniji se nadaljuje protijugoslavenska gonja”, Primorski Dnevnik, 5 qershor 1981, f.1.

    [9]“Ozračje vzajemnega zavoanja”, Delo, 23 dhjetor 1985, f. 2.

    [10]  Slobodna Dalmacija, 23 dhjetor 1985, f. 2.

    [11]  Shih:“Osuda pamfleta”, SD, 23 dhjetor 1985, f. 8.

    [12]  SD, 7.7. 1987

    [13]  Te personazhi i Teuta Shkrelit shumëkush e identifikoi mjeken kosovare Sadete Mekulin, gruan e poetit Esad Mekuli, e cila i mjekoi demonstruesit. Kundër mjekes Sadete Mekuli pati shkruar edhe shkrimtari Oskar Daviço. Atij iu kundërvu Esad Mekuli nëpërmjet poezisë “Ku e bore ndërgjegjen vëlla poet”.

    [14]  Slobodna Dalmacija, 7.7.1987.

    [15]Človek, ki se je streznil”, Katedra, Lubjanë, tetor 1987, f. 8-9.

    [16]  Dy librat më të shitur në ish-Jugosllavi ishin: Libri mbi Milutinin i Danko Popoviqit, ku shqiptarët paraqiten si dhunues të serbëve dhe romani Thika i Vuk Drashkoviqit, ku në të njëjtin prizëm paraqiten kroatët dhe boshnjakët. Drashkoviqi ishte lider nacionalist i Partisë Serbe të Ripërtëritjes. Ai punoi si gazetar në agjencinë shtetërore të informimit Tanjug. Partia e tij e nacionaliste e themeloi një formacion vullnetarësh që luftuan në rajonet e ndryshme të ish – Jugosllavisë. U shpëtoi disa atentateve të Millosheviqit.

    [17]  Branko Stoshiq, “Kako Kadare dijeli narode”, SD, 24 shkurt 1989, f.5.

    [18]  Ibid.

    [19]  Slobodan Dukić, “Pokus povezovanja”, Delo, 29.9.1988, f.6.

    [20]“Ministrova “Diskecija””, SD, 3 prill 1989, f. 5.

    [21]  Slobodan Dukić, “Z gostom iz Albanije”, Delo, 27.101988, f.15.

    [22]  Fushata kundër veprës Një Varr për Boris Davidoviqin të Danilo Kishit ishte nxitur nga gazetari Dragolub Goluboviq. Më i zëshmi ishte profesori i letërsisë Dragan Jeremiq. I doli në mbrojtje Predrag Matvejeviqi. Kritikuesit thanë se vepra ishte plagjiat, sepse Kishi kishte përdorur dokumente autentike pa përmendur burime. Kishi u kundërpërgjigj me librin Leksioni i Anatomisë (1978). Sipas tij, kritikuesit vepronin prej pozitave antiletrare, nacionaliste dhe antisemite. Kishi këta i quajti “qen policorë”.

    [23]  “Bora Ćosić – intervju”, https://pescanik.net/bora-cosic-intervju/, 11.8.2017

    [24]  Zoran Dogramaxhiev, “Sumrak sigurimija”, SD, 11 qershor 1989.

    [25]  Slobodna Dalmacija, 4.1.1990.

    [26]“Albanija na redu”, SD, 4 janar 1990, f. 21.

    [27]“Kadare zatražio azil”, SD, 26 tetor 1990, f. 13.

    [28]  “Albanija ide u svijet”, SD, 4 nëntor 1990, f.11.

    [29]  Мр. Павле Џелетович, “Кобни сулудник”, Борба, 2 qershor 1998, f.6.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË