Rrënjake
Mos numëroni!
Mos numëroni,
frymëmarrja e fundit a numërohet?
Ti zogëz,
që s’arrin të numërosh degët për foletë e tua,
që harron pranverat e pakthyera. Ndal numërimin!
Mjaft na numërove, oj tokë,
që ripërtrirja jote është kalbja ime.
Se si t’i këpus unë rrënjët e mia?
Zgjatuar janë flokëve të mia, e nëpër gjinj, nëpër kofshë, e poshtë në shputë…
…atje me lidhin me nënën,
i kalojnë asaj nëpër fytyrë, nëpër gjinj, në bark, nëpër këmbë, shputë… …tek gjyshja,
kalojnë nëpër gjinj, në bark, në këmbë, në shputë… …nga shputa tek stërgjyshja,
kalojnë te stër- stër gjyshja, te katragjyshja.
ndërrojmë tokë,
rrënjët vazhdojnë të lidhen, kalojnë, zgjaten,
l+i+dh+e+n
kalojnë dyndje të popujve, polise, kalojnë shpella, dy shkronja MA-MA,
rrënjët
z
gj
a
t
e
n
│
z
gj
a
t
e
n
-lindin dy djem.-
Nëna- rrënjët në mollë.
Molla mu në zemër të tokës.
Gjysmë hëna e pa këtë gjamë.
Dhe nisi numërimi.
Dhëmbët e orës
Rrokullisem nga dita në ditë si
ortek bore mbështjellur duar e këmbë
nën postejllkat e lurekut.
Me zërin e nënës sime
dikush vjen pas dere
dhe m’i këndon dy-tri ninulla
që të më kujtojë robërinë time.
Ditët sjellin vjeshtën
që të më përkundë në bojën e saj baltore.
Pastaj shushuron shiu dhe lan tatuazhet që m’i bënë dhëmbët e orës.
Dhe rreth e më rreth vijat ngjyhen me ngjyrën e gjakut tim.
Gjaku im pekmez, që nuk duron të vlojë në kohë.
Rrokullisem nga mali i syve të mi,
kush ta shohë të rënë ndanë trotuarit,
lëreni anësh atë këpucë të veçuar nga historia.
Fytyrën ma mori vjeshta
Dëgjoj zërin e pendesës,
zërin e kohës që s’kthehet
njësoj si kjo ditë e mugëtuar
në këtë vend shirash të trishtuar
në këtë vjeshtë që ec me fustanin e saj të verdhë
anë e më anë detit,
S’të kam harruar zemra ime,
mot i ftohtë bën këtu në tokën time
përrenjtë ndalën rrjedhën,
as diell, as ditë.
S’të kam harruar shpirti im,
ndonëse zemra m’u helmua
nga urrejtja që të desha tepër,
që s’të kisha, që vazhdoj mos të të kem.
Dhe vazhdoj të të kujtoj,
si një refren të pashkëputur,
si një gur unaze të humbur,
si një yll që e pash teksa shuhet.
Vazhdon të më mbushet zemra
me plagë e urrejtje,
me mall e pritje,
që të kisha dhe u humbëm.
O, dashuria ime
sa më kujtohen ditët e këtyre vjeshtave
sa flokët më nuk m’i zë asnjë rreze
se si këtu e përgjumur në këtë kllapitje vetmie,
Unë ende gënjehem se do të shpëtoj,
se do t’i ik vuajtjes
se melankolia është e njëtrajtshme
dhe se fytyrën akoma s’ma ka marrë.
Rruga Baharian
Pulëbardhat kanë filluar luftën e ajrit,
këlthitjet e tyre çajnë qiellin e zi,
sikur çdo mjegull e ndajnë për kokë…
asaj i ra alarmi. 22 e 45 piu barnat.
ora 23 e 10 shkoi të shtrihet.
Ora tre e mëngjesit.
Macet bëjnë sfilatë në ballkon,
veç njëra prej tyre mungon.
Ora vajti katër dhe nuk ndodh asgjë e jashtëzakonshme.
E njëjta e mërkurë përsëritëse vjen midis jave. Dielli thonë se rritet.
Dashnorët gjetën vendet e fshehta.
Për çdo trup, ka antitrup. Velenxën e paqes e hodhën mbi.
në orën pesë të mëngjesit ra telefoni.
“Alo”- tha ajo.
Një alo kërcënuese u dëgjua nga ana tjetër.
“Mos më kërko para se nuk kam.”
“Unë po vij atje.” dhe sinjali ra.
“Jam nëna jote, ç’bën kështu, bir?! Dielli akoma s’ka çel.”
Ajo flet mistershëm si poet.
Ai ndjen si jetim.
Vendin e kanë ndarë në dy faltore,
njëra anë i bie zotit në gjunjë, tjetra anë ngre duart lart
dhe midis ujit, zoti bën not.
Në orën gjashtë ra dera.
macet përcjellin dashnorët e tyre,
erë duhani dhe afshi pas tyre ra.
ora gjashtë, dikush ishte te dera.
Në gjashtë e pesë minuta ra alarmi për pirjen e barnave.
Dy këmbë zvarriten. Dy të tjera lënë shenjën.
I mistershëm mesi i javës si poeti,
vend ka për të gjithë,
por s’pranon asnjë në vetminë e tij.
Na ishte njëherë…
Fjalët përkunden në gojën tonë,
hanë nga netët tona në urinë e jetës:
rrëfimi i jetës suaj do të fillojë me “Na ishte njëherë…”
Dhe ju do të pyetni:
A ishte britma që solli gjithë këto lindje?
A isha i vetëm, apo erdhëm bashkë?
Dhe ju do të dëgjoni…
Na ishte njëherë një shi që solli këto përralla.
Na ishte një zë që solli këto këngë.
Dhe ju do të qeshni nën jorgan. Se jeta na qenka kaq e thjeshtë.
Se përralla qenka si jeta,
se përralla paska një fëmijë dhe ai fëmijë je ti.
Na ishte një herë… ju bëri të ëndërroni për jetë.
Dhe ti pyet: cilët thonj ia nxorën jeshilin tokës?
Në cilin det të kripur notojnë sytë tanë?
Nga ç’verë u krijua djersa jonë? Në cilin ujë mbetëm të patharë?
Ç›fazë e hënës u bë djep i vetmisë sonë?
Në ç’shekull të kohës u përkundëm ne?
Në ç’tingull të fyellit çohet shpirti peshë?
Në ç’djegie temjani pushuan dhimbjet tona?
Ç›peshë na mban në tokë?
Ç›lehtësi na çon përpjetë?
Ç’jeton më gjatë?
Ecja a fluturimi?
Jeta jonë nis me
“Na ishte njëherë…”
Një nënë
Një vëlla
Një motër
Një baba që mungon.
Ne premtojmë që do jemi nxënësit e dobët të kohës:
Që n’fund e n’fillim, do të kemi padurimin.
Që gjithë mësimet do t’i çmësojmë.
Që përherë do ta nisim me “Ishim njëherë…”