Romani “Vera pa kthim” i Besnik Mustafajt botohet në Itali, me përkthim të poetit italo-shqiptar Julian Zharra, nga shtëpia botuese “Bibliotheka edizioni”.
Në faqen e brendshme të kopertinës, botuesi italian ka shënuar: “Vera pa kthim” është një vepër ikonike e letërsisë së sotme ballkanike. Ky është libri, i cili, me botimin në Francë, e shuguroi Besnik Mustafajn si njërin nga shkrimtarët më të rëndësishëm bashkëkohorë të Europës Lindore. Besnik Mustafaj ka qenë Ambasador në Francë (1992 – 1997) dhe Ministër i Punëve të Jashtme (2005 – 2007), kur dha përfundimisht dorëheqjen nga politika për t’iu kushtuar në vazhdim me kohë të plotë shkrimit. Ai është autor i shumë romaneve, novelave, eseve dhe përmbledhjeve me poezi. Veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë.
Libri del në librari me 6 shtator. Ndërkohë, shumë portale italiane me peshë, të cilat ndjekin zhvillimet e letërsisë, e kanë lajmëruar tashmë daljen e tij me përparësi, duke e vlerësuar si një ngjarje letrare me rëndësi të veçantë.
Italishtja është gjuha e shtatë, në të cilën përkthehet “Vera pa kthim”.
Kjo është vepra e katërt e këtij shkrimtari që botohet në Itali. Më parë është botuar përmbledhja me poezi “Legjenda e lindjes time”, me përkthim të poetit Gëzim Hajdari, tek “Ensemble edizioni”, eseja “Midis krimeve dhe mirazheve”, me përkthim të Federica Cugno dhe romani “Një sagë e vogël”, me përkthim të Caterina Zuccaro, të dy te “Castelvecchi edizioni”.
Në shqip, “Vera pa kthim” është i botuar nga “Onufri”, i cili ka tashmë edhe të drejtën ekskluzive të botimit në origjinal të krejt veprës letrare të Besnik Mustafajt.