Kreu Intervista Roland Dasho, Skënderbeu i vogël i filmit

Roland Dasho, Skënderbeu i vogël i filmit

Intervistoi: Xhevair Lleshi

XH.  LL.  – Kur u zbulove që je ti Skënderbeu i vogël i filmit?

R. D.  – (Qesh)Në shikim të parë ashtu duket, sikur jam vetëzbuluar, por unë këtu kam qenë, në punë, në shtëpi, me shoqërinë, njerëzit e mi, me kujtimet. Po edhe me facebook-un, të cilit hera-herës i hedh një sy. Ja ky u bë shkaku. Lexova një ditë se Kom Nova dhe Shaban Polovina, beratas natyrisht, kishin qenë figurantë në filmin «Skënderbeu» si shumë të tjerë. Edhe imë ’më ka qenë një nga valltaret në dasmën e Skënderbeut, që u luajt në sheshin e kishës së Drobonikut në Berat. Ime ’më u bë shkak, se më merrte në sheshet e xhirimit. Isha klasa e parë në fillore… Dhe thashë, pse të mos e shkruaj edhe unë në facebook? E shkrova dhe kaq. Më pas e hase ti dhe bëre atë që di më mirë, e shkrove. Dhe ajo bëri bujë…

XH. LL.  – Ç’skena janë luajtur në Berat te ky film?

R. D.  – Nga koha e xhirimeve mbaj mend veten kur më hipën në kalë. Kisha shumë frikë. Por ajo që shoh në film më bind se e kam tejkaluar frikën.  Është zgjuar madje një lloj krenarie.  Por skenat në film të luajtura në Berat janë të shumta, sidomos në Kala dhe në Drobonik, në Ullishtë… Në një farë mënyre filmi u hakmor nga Betejës së humbur të Beratit, një nga të vetmet e humbura, sepse thjesht i besoi pritjes, sinqeritetit, kurse triumfoi dhelpëria e ndyrë osmane, duke dërguar lajmës të fshehtë nga shkëmbi Çekbeni i Kalasë…

XH. LL.  – Sa mendon se të qenit i pranishëm në filmin Skënderbeu ka luajtur rol në jetën tënde?

R. D.  – Për mua aq mbetet.  E them në një kuptim simbolik.  Si të thuash më ka mbushur si motiv dhe ka hequr një fill të pakuptueshëm të brendshëm gjatë gjithë viteve të shkollimit, studimeve dhe të punës, kurdoherë. Jo se mbaja portretin e Tij para syve, por portretin e kisha së brendshmi, udhëheqës që më nxiste: duhej patjetër të isha i pari ( jo i dyti, se e ka lënë Enco Ferrari në librin e tij, që i dyti është i pari i humbësve!). Dhe kjo moto ma ka shpërblyer. Jetoi bashkë me mua. Madje edhe tek fëmijët e mi e më tej…

XH. LL.  – Po ç’je ti, Roland, në fakt?

R. D.  – Unë jam djali i vogël i filmit «Skënderbeu» që dërgohet peng te sulltani. Gjergji i vogël, Gjergj Kastrioti Skënderbeu i ardhshëm, mbreti i shqiptarëve që do të spikatej me zulmë të madhe, luftëtari dhe diplomati habitës, njeriu që i dha famë shqiptarëve dhe luftës së tyre kundër Perandorisë Osmane….

XH. LL.  – A i mjaftojnë çdo njeriu ato pak çaste të mbetura në film?

R. D.  – Kjo është vetëm një sekuencë që i jep tjetër kredit personalitetit të një njeriu të mësuar, të shkathët intelektualisht, i jep zë të veçantë dhe kur të mos jetë më do kërkojnë të dinë më shumë për Rolandin, jo thjesht si një student i zoti i biokimisë, as edhe si profesionist dhe as si një njeri që di t’i organizojë mirë punët që bën. Po vetëm për këto tri-katër minuta, pa e ditur sheshpushimin dhe sheshveprimin e filmit, pa ditur rrethanat që më çuan deri te filmi, derisa regjisori i vuri vulë. Çdo njeriu i mjaftojnë ato pak çaste të mbetura në film, me kulmin e emocionit të përftuar. E vërteta është se ai çast magjik, sidomos pse je fëmijë, bëhet nxitje e papërfytyrueshme për tërë jetën, por gjithashtu sot është një tjetër dritare për t’u parë krejt ndryshe. Ndryshe në çdo hap. Po pse jo edhe për të mbetur trashëgim, edhe si pasuri. Se, fundja nuk është filmi «Dhe vjen një ditë…», sigurisht pa ia mohuar rëndësinë…

XH. LL.  – Ç’fëmijë ke qenë ti Roland?

R. D.  – Isha thjesht i vogël, fëmijë, i shënjuar nga fati pse jo, djalë i rrëmujshëm dhe i përkëdhelur, që do të mbetesha përjetë në celuloid, duke sjellë diçka madhore në kujtesën kombëtare, do të isha për këdo djali i fundit i Gjon Kastriotit dhe do të merrej peng nga sulltani. Kur e vështrojmë në sy të vërtetën e tmerrshme të asaj kohe, barbarizmin dhe energjinë e saj, atëherë mund ta ndiejmë edhe më thellë emocionin që vilet edhe sot e çdo kohë.

XH. LL.  – Dhe i ke bërë një përgjithësim filozofik atij çasti magjik?

R. D.  – Po, por ama një filozofi timen. Në raste të tilla kushdo mund t’ia vërë fajin jetës, madje mund ta mallkojë atë e të nënvizojë me psherëtimë të thellë se sa e tmerrshme qenkej kjo jetë! Për këdo rrëmbimi mund të ishte një zhgënjim i llahtarshëm, sepse fëmija, i mbrojtur tek e fundit edhe nga një instinkt madhështor i prindit, nuk mund të «dhurohet» ashtu, nuk mund të jetë si plaçkë. Por ja që, siç e dimë nga historia, ky zakon barbar dhe aq i hidhur, kështu lozte me fatin e njeriut. Me fatin e Skënderbeut tonë, po edhe me fatin e kujtdo tjetër personazh. Por kjo më bën ta shoh veten thellë në sy, pa menduar hollë se ç’mund të sillte ky episod, por krejt i veçantë, që do të mbetej i fiksuar në të gjitha lëvizjet e mësuara e mbi të gjitha të mijat.

XH.LL. – E ke të fiksuar vendin ku ka qenë sheshxhirimi?

R.D. – Ata që jetojnë në lagjen «Kala» të Beratit e dinë ku është kisha e Onufrit, katedralja e Shën Mërisë, ose muzeu i veprave të tij, Muzeu kombëtar «Onufri», e njohin sheshin para tij edhe sikur të ndodhen në situata të papërshtatshme, madje edhe në grahmat e fundit të jetës…

XH.LL. – A ke medituar ndonjëherë për situatën filmike?

R.D. – Besoj që shumë herë. Se dihet që fëmijët nuk u shpëtojnë dot «së tyres», pjesës më interesante, sado që ne shpesh na pëlqen të themi «të mësuarës». E mësuara është aty, sigurisht, por e tretur brenda kuptimit që i jepte ky djalë i vogël i filmit (do të thotë edhe Roland Dasho), derisa më në fund regjisori të kënaqej me veprimin, zërin, sjelljen, lëvizjet, si ta hipnin mbi kalë për të kalëruar me një «osman» drejt zemrës së Perandorisë së madhe, aty ku ishin jeniçerët, aty ku ai (unë, gjoja) do mësonte forcën dhe kulturën, gjuhët, diplomacinë, por që, siç e dimë do të mbetej shqiptari më i madh i të gjitha kohërave! Sido-sido kjo më gicilon sapak…

XH.LL. – Si thua, rrugicat e Kalasë së Beratit krenohen me episodet e fimit?

R.D. – Rrugicat e kalasë së Beratit, e di që krenohn me episodet e filmit «Skënderbeu», pasi ato dhe eleganca e tyre e përsosur janë lënda e gatshme mesjetare që i dhurohet filmit. Aty hidhej sera, uji i vluar, aty ngriheshin shkallët dhe para mureve zhvilloheshin betejat e mëdha të historisë sonë. Por rrugicat dhe muret nuk kanë gojë të tregojnë. Rrugicat dhe muret e heshtur janë e do të jenë aty me një pëshpërimë plot dalldi, se ato kanë qenë dikur, pa dashjen e tyre, natyrisht, sfida e madhe e Skënderbeut, zulma e tij, pse jo edhe turpi i madh, helmi dhe thika pas shpine, fusha e mbjellë me të vrarë (vetëm ullinjtë janë dëshmitarët e historisë!)… Por ja që edhe e hidhura e madhe kthehet në mjaltë. Vetë Kalaja e Beratit mori hak për vete, derisa e bindi me një thjeshtësi të madhe regjisorin që aty të zhvillohej veprimi, pa e ditur ndoshta historinë, veç t’ia kenë treguar aktorët shqiptarë gjatë ndenjjes në sheshpushim…

XH.LL. – A ke ndonjë mendim për karakterin në film?

R.D. – Dikush do të thoshte se karaktereve njerëzorë që vepronin në film këto rrugica u kanë dhënë fisnikëri dhe kjo ka mbetur përgjithnjë në imazhin e filmit. Aq më tepër që filmit i intereson sidomos karakteri. Këta i kemi në të përditshmen tonë, me ta mund të përshëndetemi, siç ndodh fjala vjen me mua, si për ta bërë sot krahasimin me kureshtje të fortë jo vetëm për t’ua rrëfyer njerëzve. Por, megjithatë, kjo është edhe histori argëtuese, e tillë edhe për vetë personazhin, ndonëse e veshur me petk interesant dhe të jashtëzakonshëm, që mbart me kujdes tharmin «e kohës», shoqëruar me fytyrën e ashpër (luftëtarët), naivitetin, sjelljen e zakonshme e shoqëruar me virtytin e rrallë që fal me vulë të përjetshme magjia e kinemasë…

XH.LL. – Si e imagjinon ngjarjen kur ke luajtur rolin e famshëm që fati ta dha?

R.D. – (Qesh)Hm. Rolandi i vogël luante rreth e rrotull këmbëve të aktorëve, nuk përmbahej në kënaqësinë e vet, se aq shumë njerëz nuk kishte parë ndonjëherë, aq shumë kostume popullore, aq shumë ngjyra, aq shumë skena, aq mrekulli që i binin nga qielli. Aty shtroheshin dreka e darka, aty kishte shumë verë, pihej e këndohej, aty luhej luftash, vrapohej, kishte aq shumë kuaj të bukur sa ai vogëlush (qesh si nën buzë)s’kishte parë kurrë në jetë. Një botë e mrekullueshme. Regjisori do ta ketë parë në prehrin e së ëmës dhe do të ketë bërtitur «E gjeta Skënderbeun e vogël! Është i mrekullueshëm!» Mamit, domethënë së ëmës së Rolandit do t’i ketë rënë atë çast një nur tjetër, siç u bie zakonisht nënave kur flitet për bijtë e tyre. Por regjisori mund ta ketë pikasur edhe në sheshe duke luajtur, duke mbledhur ndonjë lule, duke e parë në sy fytyrën e mahnitur nga lëvizjet e dendura të «luftëtarëve», me aq shumë armë, klithma dhe vrapime saqë do ta ketë pasur të vështirë të mos habitej. Atëherë regjisori do ta ketë ngritur në krahë, duke e çuar lart, rrahur nga rrezet e diellit. Se fytyra e kujtdo vogëlushi të mahnit, dihet. Ai sikur të vinte nga thellësia e historisë do të mbinte aty në sheshxhirim si djali i fatit të plakur, si biri i një komiti të pamësuar me atë çfarë ndodhte rreth e qark. Ai më mirë se çfarëdo tjetër mund të bënte vrima në tokë me një copë dru, mund të imitonte një makinë, një kalë, një shpatë. Ta filmoje lëvizjen ditore, veprimet dhe habinë e tij të jashtëzakonshme, kjo kishte për të qenë një magji më vete… Një magji dhe shkollë për ata që studiojnë psikologji. Jam i bindur se kushdo që do ta shihte kështu vëmendjen e kamerës do të mahnitej me këtë sy regjisorial…

XH.LL. – M’u duke i frymëzuar. Pse?

R.D. – Kujtesën, frymëzimin dhe imagjinatën m’i ka dhënë dhe forcuar mëma, duke ma nanurisur si rrëfenjë të vjetër, pse jo edhe si përrallë të bukur…

XH.LL. – Ta ka përmendur kush këtë fakt, në CV, apo e ke pasur si kalë belaje?

R.D. – Një shenjë kaq e bukur dhe sigurisht emocionuese, nuk mbetet në harresë. Po edhe unë, nuk se protestova ndonjëherë që nuk ma përmendnin këtë fakt dominues, të cilin do të doja shumë t’ma zinin ngoje, sigurisht nuk kundërshtova askënd, i ndershëm në kumtin e ditës, rrethuar me heshtje të ftohtë, ndërsa zemrën – sikur më thërriste – ma linin të paktën t’më rrihte në kraharor. Nuk mund ta kërkosh famën, por sido nuk kam harruar gjë, mbeta gjithnjë stoik, nuk kërkova të merrem me letrat vetëm se më pëlqen fort letërsia, u hedh parfumin e filmit tregimeve dhe poezive që lexoj dhe mbaj për vete një dhimbje të bukur…

XH.LL. – M’u duk se doje të shtoje diçka, apo…?

R.D. – E pra, unë jam nga Berati, më pëlqen që mbeta «Skënderbeu i vogël i filmit». Kam si shenjë filmin e madh «Skënderbeu», film që e bëri aq të njohur Shqipërinë, më solli edhe mua fat të paparashikueshëm, sepse u lidha pazgjidhshmërisht me Beratin, qytetin tim dhe e kuptova se edhe Berati fitoi aq shumë nga ai film i madh. Por e fshehta mbeti magji për Beratin, ashtu edhe për mua.

XH.LL. – E ke menduar ndonjëherë po të mos kishte qenë filmi «Skënderbeu»…?

R.D. – E çfarë pastaj po të mos ishte filmi «Skënderbeu»? Unë njëlloj do të vija si një mysafir i vonuar, do ta ndieja njëlloj frymën e ngrohtë të të tjerëve, se njeriut i ka lezet jeta pasi është bashkë me të tjerët Jo si tani me Coronavirusin. Do të guxoja në mendt e mia të isha pjesë e një filmi? Kurrë, sepse nuk u bëra dot ajo që më kaploi atëherë dhe në atë moshë. Kjo më duket e prekshme, pse jo edhe e besueshme! Nganjëherë them se shaka të tilla janë të bukura. Them po ashtu se sikur të isha unë Gjergji i vogël… Dridhem me një rrëmujë të pazakontë mendimesh dhe nuk e besoj se do të bëja dot atë vepër aq të madhe! Eh, të madhe! Dhe kjo ma fut më tej ngasjen, më bën të qesh e ta sulmoj veten time ashtu siç di unë, mbarë e prapë…

XH. LL. – Fëmija edhe kur s’ka mundësi filmi, për shembull, përsëri është i dashur. Si mendon?

R. D. – Fëmija kurrë nuk mendon gjatë. Tmerri i fëmijës është kur sjell ndërmend se mund të mos i ketë më prindërit e tij, por jo, sigurisht jo të luajë në zgjatimin e thekshëm të kohës, të qëmtojë me sy atë që i mungon, t’i pëlqejë edhe ato që brenda gjërave të zakonshme janë fare të mërzitshme. Fëmija nuk ka shpella në mendjen e vet, as bën plane, thjesht fëmija edhe kur s’ka asnjë mundësi është i dashur. E ka bërë perëndia të tillë, të gjejë të domosdoshmen më të hollë, më të bukur, siç e krijoi Grabovi i madh, më të përshtatshme edhe kur është në humbëtirat më të harruara, edhe kur endet në prehrin e kotësisë, edhe kur jeta e zhyt në gjanën e banalitetit, edhe kur është tronditur aq thellë jeta e tij e krisur…

XH. LL. – Mos është një ndjenjë që përfundon si shaka?

R. D. – Kështu do të më pëlqente ta rigjeja edhe njëherë fëmijërinë time, paçka se ato tri-katër minuta, ajo sekuencë e përgatitur me aq mundim e thjeshtësi më detyron shpesh që të vë buzën në gaz. Ne, sigurisht, i pëlqejmë gjërat e mira e të bukura pasi kanë kaluar, sepse habia e kohës së vërtetë nuk na lë rehat, na shtyn ose na tërheq, na detyron nganjëherë ta mendojmë ndryshe, si një sprovë e dështuar, edhe pse imitimi na rrëmben. Mahnia e fëmijës: të bëjë sikur! Detajet (ah sikur të m’i gjenit ato, sa mirë do të qe!), do të kenë qenë shprehëse, paksa të çuditshme, do të më kenë zënë në befasi, mbushur plot pandehma e sekrete (sekretet e asaj moshe janë një tjetër mrekullí dhe duhet thënë se më i forti është pikërisht ai që mbart sekrete të mëdha!), një sugjestion i çmendur, edhe pse ia beh aq shpejt e shpejt sikur të ishte thjesht një tronditje dhe aq, një ndjenjë që përfundon si shaka…

XH. LL. – Egoizmi i fëmijës…më duket ruan një batutë për të?

R. D. – Po, po ta them: s’ka gjë më bukur se sa egoizmi i fëmijës! E ka gdhendur ime me në shënimet e filmit. Dhe më mbeti. Do të doja ta rijetoja, Zot i madh, dhe kudo të prezantoja as më pak e as më shumë veten time, që shpesh duket si aureolë mbrojtëse, bëhet pastaj edhe metaforë… Mendo, egoizmi fle mes ëndrrash, me siguri matematike – tejet të zmadhuara, se ndryshe nuk shkojnë, s’kanë pikë shijeje. Mendo, sikur të mos e kisha Skënderbeun në atë skenëz të paharrueshme a do të kisha mbetur pa ëndrra dhe a do të ndihesha i mposhtur nga fati? S’e di, as e kam menduar ndonjëherë, por ama e di egoizmin e fëmijërisë sime, atëherë kur bëja diçka për t’u plakur, kur punoja rrengje, kur dëshiroja vetëm të bëja po atë jetë që bëja, të ngrija në këmbë entuziazmin e magjishëm të moshës, dhe t’ua tregoja plot mburrje të gjithëve se çfarë kisha bërë, domethënë atë që nuk bëja dot kur u rrita…

Roland Dasho para përkrenares së Skënderbeut (ardhur nga Vjena)

XH. LL. – Ç’të ka mbetur nga ai vit i largët, kur luhej në Berat filmi «Skënderbeu»?

R. D. – Ndoshta pak trishtim, po aq edhe mërzi, ildisur me një shaka të kërthndezur, e jeratisur si keqardhje, e pra, pak jetë. Mbaron filmi, pastaj fillon loja, arratisur nga e vërteta. Të vërtetat që pa dashjen tonë na injektoheshin në gjak. Një rreth vicioz gjërash ku mbytemi nga pak për ditë, po edhe lumturohemi përditë, të heshtur dhe të mahnitur se si na rrodhi koha kaq shpejt e pa kuptuar…

XH. LL. – Me sa di po përgatitet filmi dokumentar për xhirimet e filmit «Skënderbeu» në Berat?

R. D. – Ah sikur të ndodhë! Sa do të kisha dashur të isha takuar ndonjëherë me ata që luajtën filmin «Skënderbeu», do të doja që ishim edhe njëherë në sheshet brenda kalasë dhe të përcillja emocionin e asaj kohe të papërsëritshme. Nuk paskam qenë as atëherë i qetë, siç nuk u ndjeva kurrë në jetë, duke ecur në jetën time pa thekse të mëdha e pa bëma të atilla që të thosha se më shkonin, se po ecja edhe unë nëpër maja… Kjo, pikërisht kjo mbeti e fshehta ime, po në një farë mënyre edhe rreziku im – sepse më duhej të ktheja gjithnjë kokën prapa, pasi i prishja baraspeshat e çmendura dhe njëherazi të shenjtëruara. A thua se e kuptova ndonjëherë kotësinë e atypëratyshme të çastit? Kurrë! Çasti të kredh brenda pa u ndierë, pa u kuptuar, ashtu siç edhe të rrëmben, të bën për vete, si nën një furi të papërballueshme, si pasion që dikur do të vinte dhe unë do të bëhesha zot i vetvetes. Dhe i pari për mua do të mbetej emocioni… A do të ndihesha paksa keq kur t’i hipja tani, kalit të Skënderbeut? Por kjo s’mund të ndodhte se ishte kush t’më mbante në prehër…

XH. LL. – A të duket e gjithë kjo si një metaforë?

R. D. – Metafora mbeti e fshehur brenda jetës sime. Emocioni doli sheshit, jelekzbërthyer dhe si djalosh që të prish mendjen duke pasur nën vete një butafori sëkëlldisëse, mahitur me diçka krejt njerëzore e të vdekshme, në kulmin e gjërave të bukura që kam dëshiruar të bëj. Gjithçka sikur ndodh sa për t’u marrë me mend, si një mërzi e bukur që s’kthehet kurrë më. Dhe mbeta rob i atij çasti: Skënderbeu i vogël i filmit…

Tiranë, më 30 maj 2020

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Anna Dostojevskaja: Një bisedë me Tolstoin

Me konteshën Sofia Andrejevna Tolstaja jam njohur në vitin 1885, kur në një nga ardhjet e saja në Peterburg ajo, e panjohur...

Arb Elo: Piramidale

1. Pas njëzet e ca vjetësh prej botimit të parë, u bëra mbarë të lexoj “Piramida” e I. Kadaresë,...

Yzedin Hima: Vjeshta e përjetshme e Dhori Qiriazit

I harruar në atë fushëtirë të ngrirë në këmbë të maleve në Juglindje, Dhori Qiriazi shëtit pasditeve më tepër brenda vetes se...

Ali Aliu: Ndryshe ndihem mirë në Shkup, ndryshe në Tiranë, ndryshe në Prishtinë

Intervistoi: Bujar Hudhri I nderuar profesor, kujtimet e fëmijërisë nga Kranja, fshati juaj i lindjes buzë liqenit të...