More
    KreuIn memoriamResul Shabani: Një darkë e pagabuar me I.K.

    Resul Shabani: Një darkë e pagabuar me I.K.

    Ishte vjeshtë e artë e vitit të bekuar 1999. Gjashtë muaj pas kryelajmit që mund të presë një popull – se Kosova është lirë (pa okupues), nisën të radhiten edhe lajmet të tjera të gëzueshme që dëshmonin se Vendi tani është i papenguar të organizojë edhe evente kulturore mbarëkombëtare. Në Prishtinë do të mbahej Panairi i Parë i Librit ’99, me pjesëmarrjen e botuesve mbarë shqiptarë. Ky lajm bëhej edhe më Lajm, kur i shtohej edhe fakti: Në Panairin e  Prishtinës do të jetë i pranishëm edhe gjeniu i letrave tona – Ismail Kadare, bile me veprën e sapo botuar Tri këngë zije për Kosovën, libër që flet për betejën e Kosovës, ku u përballën dy ushtri, dy mentalitete, dy religjione, dy kultura,– ajo evropiane dhe ajo aziatike. U gëzua çdo lexues i veprës së tij, dhe jo vetëm. Atmosferë entuziaste që e ke vështirë ta përshkruash. Duhet vetëm ta përjetosh. Do shkoja edhe unë në Panair, por jo vetëm si botues (në këtë kohë u gjenda në postin e redaktorit përgjegjës të Redaksisë së botimit të librit artistik pranë Njësisë Punuese “Flaka” në Shkup), por edhe si borxhli që duhej shlyer honorarin autorit të madh. Me ndihmën dhe ndërmjetësimin e mikut tim shumë të mirë (botues i Kadaresë), Bujar Hudhri, “Flaka” kishte ribotuar romanin “Kush e solli Doruntinën?”. Libri u botua, ndihma financiare (honorari) nga Ministria kishte arritur në llogarinë e Ndërmarrjes gazetare-botuese “Nova Makedonija” (pjesë e së cilës ishte “Flaka), por lekët ishin tretur labirinteve të shumta administrative, dhe s’kishin rënë në dorë të autorit. Për këtë fakt më bëri të vetëdijshëm miku im, Bujari.

    I premtova se ardhja e Kadaresë është rasti i mirë për ta shlyer borxhin. Bisedova me kryeredaktorin e “Flakës”, z. Faik Mustafa. Nga arka e “N. Makedonisë” arritëm të “ndukim” vetëm gjysmën e parave. Mora rrugën për Prishtinë, por vetëm unë e di me çfarë sikleti. Në mbrëmje te hotel “Grandi” takohemi me Bujarin dhe autorin. Dike pirë kafetë, ia zgjata atë çikë honorari, duke e shoqëruar me njëqind arsyetime, sikur unë të isha fajtori i vërtetë. Kadareja i madh, nuk reagoi fare. Atëherë unë mora zemër dhe e ftova ta vizitonte redaksinë tonë në Shkup, meqë e kisha informatën se për në Paris do të fluturonte nga Shkupi. Pranoi pa e zgjatur. Gëzimi im s’kishte fund se ia dola një misioni, edhe të vështirë, për faktin se Redaksia që përfaqësoja, kishte detyrime.

    Pas dy ditësh Kadareja, i shoqëruar nga znj. Helena Kadare, e bija Besiana, miku ynë Bujari  me bashkëshorten znj. Suzanë, arriti në Shkup. U sistemuan tek hotel “Bristoli”. Në mbrëmje Redaksia e “Flakës” do shtronte një darkë modeste për nder të mysafirëve. Kryeredaktori më autorizoi mua për këtë rast. Darkën do ta hanim tek Restoranti “Shën Pandeli Moni”, në fshatin Nerez i Epërm, në rrethinat e Shkupit. Derisa unë po i sqaroja përgjegjësit të sallës se duhet pasur kujdes, meqë mysafir e kishim shkrimtarin më të madh shqiptar, por edhe nga më të mëdhenjtë e Evropës, miqtë kishin zënë vendet e tyre, duke lënë një karrige të zbrazët për mua  midis Kadaresë dhe Bujarit. Po ç’ndodhi me mua që, si shkrimtar, përkthyes e gazetar më kishte rastisur të pi kafe edhe ministra, kryeministra, bile edhe me kryetarë shtetesh dhe të mos e ndieja peshën e autoritetit, ose ta ndieja relatiavisht, kësaj radhe e humba toruan nga pesha e autoritetit të shkrimtarit të madh, dhe po ulesha në fund të tavolinës. Ishte Bujari ai që më nxori nga kjo situatë, duke ma treguar karrigen e rezervuar për mua, mikpritësin. Gjatë darkës vumë re që Kadaresë po i pëlqente një lloje pete dhe, duke u bërë kureshtarë e pyetëm, përse i shijonte ajo. Përgjigjja ishte: Ma përkujton byrekun e nënës. (Ime shoqe asaj nate gatoi një farë byreku dhe të nesërmen me të e përcollëm për në aeroport). Në bisedë e sipër për situatën dhe pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, më pyeti për numrin e fshatrave shqiptare që e rrethonin Shkupin. Pa pasur ndonjë statistikë zyrtare, unë i thash se janë nja shtatëdhjetë (70). Këtë informatë e kisha nga pleqtë dhe profesorët e gjeografisë dhe demografisë. Atij i shkëlqyen sytë dhe bëri një buzëqeshje ironike. –Po atëherë, ç’kanë këta?! Strukturën demografike e përcakton fshati, se ai nuk lëviz, ose lëviz ngadalë. Qyteti lëviz.

    Vetëm kaq tha.

    Takimi në Redaksinë e “Flakës” kaloi në një atmosferë shumë të ngrohtë. Ishte një bashkëbisedim konstruktiv me pyetje dhe përgjigje të ndërsjella. Në fund, unë si përgjegjës i botimeve, e luta që të na lejonte ta ribotonim librin për fëmijë “Princesha Argjiro” me ndonjë honorar të arsyeshëm. Dhe përgjigjja e gjeniut ishte: Botoni falas!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË