More
    KreuOpinionReportazh nga Xhevair Lleshi: Holokausti dhe jeta jonë e tejdukshme

    Reportazh nga Xhevair Lleshi: Holokausti dhe jeta jonë e tejdukshme

    1.

    Po e dëgjoja me vëmendje Gasmend Toskën në rrëfimin e tij të veçantë. U takuam në një restorant në qendër të Tiranës, në hyrje të Pazarit të ri, ku ai qe i pranishëm në një pikëtakim miqësor. Kishte vendosur që muzeu ‘Solomon’ në Berat (‘Solomoni’ i poetit Simon Vrusho!), të organizonte Ditën e Holokaustit. Më në fund! Më interesonte shumë qëndrimi i tij. Ai kërkon të vendosë një raport të drejtë të së vërtetës. Jetë e tejdukshme në qytet të tejdukshëm. Hipokrizia është një nderim që vesi i bën virtytit. Por…  Në të vërtetë në jetë (edhe në një jetë të tejdukshme!) – të tillë u bënë njerëzit gjatë Holokaustit histori me kampet e përqendrimit në Gjermani gjatë Luftës së Dytë Botërore, atëherë edhe aty ia vlen të qëndrojmë fort. S’kishte më goditje tradicionale, as thumba dhe mikpritje atdhetare siç po ndodh tani. Kur jeta është bërë e tejdukshme, ku Shqipëria është bërë lëmsh e lëmë, një njeri ngrihet nga mazgallat e saj, thoshte Simon Vrusho dhe futet në histori. – sigurisht që e kam dhe për më tepër ju them se jam i fundit, se… ashtu ishte puna, i fundit duhej të dilja, se pata vetëm një frikë, ndoshta mund të mbetesha rob diku tjetër… E si mund të mos jem unë pjesë e juaja? Në këtë jetë ku të gjithë jemi ‘veshur’ cullakë a do ta gjenit emrin tim? Por ju s’po mund të duartrokitni tani? Hë, a mund t’ju pyes edhe unë? Na pyet, thanë dy-tre zëra të mekur. E? Nuk ta mbush syrin ty Solomoni? Po qyteti im? Dekori i mbledhjes u trondit. E kuptuan që edhe mua, kjo më trondit pa masë…

    Unë, mbërritjen në Berat do ta quaja aktin e dytë. Dëgjonim rrëfimin e Sulo Selamit të regjistruar në vitin 1977… «Sa kishim arritur të mirëkuptoheshim në vendin e duhur, na zhveshën krejt lakuriq, si na kish bërë nëna, na mbyllën në kapanone, me shtretër dërrasash tejetej, na dhanë rrobat e burgut. Unë nuk shquhesha për ndonjë trup të lartë e të madh. Isha njeri i zakonshëm, si gjithë njerëzit e tjerë, kisha arritur të mirëkuptohesha me Zotin, me një drithërimë jo të zakontë, sidomos për atë që një kohë të gjatë mbetëm lakuriq, me duart përpara mes kofshëve. Urdhri i parë: duart lart! Urdhër jo shaka. Pastaj duart anash dhe pastaj poshtë, anash kofshëve. Anjs, Zvai, drai. Edhe unë si të gjithë isha lakuriq, me një paturpësi të patrazuar, e sigurt për tmerr. Le të bënin ç’të donin me trupin tim. Turpi mes meshkujsh nuk ekziston. Ose, më mirë s’kishte pse ekzistonte. Loja në mendjen time ishte vetëm për mbulesë të lehtë, ndoshta e tejdukshme, që të ndiheshim më të lirshëm, duke e mbajtur mendjen se ç’rreng do të na punonin. Gjithkush ëndërronte që ashtu lakuriq të ishin burri dhe gruaja, në provat që bënin gjermanët, se ne, fundja, kavje ishim, apo jo? Ndryshe si mund të qëndronin të ngritur mbi këmbët që dridheshin si mbi dy purteka. Ç’burra ishim ne para një shfaqjeje të tillë? Ne, or mik, tundeshin e fërgëllonin si një kundje, duke u lëkundur të përmbushur mos-më-keq, gjithnjë të ngacmuar, ku i gjithë trupi dridhej i tmerruar, sepse nga çasti në çast mund të na çonin në furrë, pale pastaj të të shkonte mendja për epshndjellje, as për ndezje të mishit e të gjakut, gjë që mund të na mrekullonte e të na tensiononte teksa me urdhër të prerë na kishin zbuluar hiret, të çliruar nga klithmat dhe thirrjet e ndenjura, të harruara… Por nuk kishte asnjë duartrokitje. Askush nuk qeshte më. Fytyrat e burrave ishin tendosur, si të zgjatura përpara, me hundën e holluar, gojën e ngacmuar e të thatë. Ne për më keq ishim edhe të rinj. Dhe i riu ç’gjen përpara, s’pyet, e bën të tijën, ose të paktën, në pamundësi, e lakmon fort. Aty në kapanon, me drita të forta, edhe pse qe ditë, një erë dukej sikur frynte, ëmbël dhe butë, e ngarkuar me një trazim të fshehtë…»

    2.

    Papritmas, na përfshiu një histeri tronditëse e shqetësuese, si një zjarrmi e mishit dhe e gjakut, që sillte jermin e diçkaje të padukshme, me ndezullinë e një frike që pritej si gjithmonë në luftë, nga prapa shpine, por që edhe mund të hapte dyert e një bote të panjohur, të mistereve tronditëse që e shoqërojnë njeriun edhe në Ferr…

    E megjithatë askush nuk buzëqeshte, madje shpesh edhe po të imagjinohej, ajo do të ishte një buzëqeshje që thithte e gllabëronte vetëm ajrin. Qenie që frymëmerrnin. Kaq. Edhe sot në jetën moderne, në një qytet të tejdukshën, që thuhet se ekziston vetëm në libra.

    Në një qytet të tejdukshëm edhe fraqi i dimrit është jo thjesht i pranishëm, ndërkohë, nxiton për të na takuar e përkëdhelur edhe përmes shiut që na shpon lëkurën e kokrrizuar nga ngjethja e të ftohtit, siç bënin vitet dyzet, jo, jo me pendët zbukuruese në kokë por të lënë e të harruar në mes të dy perëndive. Po, megjithatë, shikonim njëri-tjetrin dhe na shoqëronte si thikë e ngulur në trupin lakuriq tallja dhe frika, e ftohta dhe temperatura e ngrirë e trupit, mbetur në pikë të hallit. Këtë na e thotë Holokausti. E tregon Leonard Kolani, e tregon edhe Hektor Buza, të dy për paraardhësit e tyre në muzeun Solomon. Dhe ndihen të përkëdhelur nga Thana dimërake që donte të bënim edhe një sulm të fundit mbi ndjenjat tona jo ekzistente, sepse askujt nuk i shkonte në mendje lakuriqësia e tyre, tejdukshmëria e tyre, veç ritualit edhe vetëmbrojtës të njeriut, si edhe ajo e nazistëve. Do të ndiheshim ku e ku më mirë po të na zhytnin drejt një fushe tërfili si gomarë të lumtur… Pastaj një trio e madhe mbyllte skenën e aktit.

    3.

    Shfaqja para syve të komandantit të kampit mbaroi, tregonte Sulo Selami. S’kishte më gjak të ndezur, as të ftohtë si zvarranik (mendoj se edhe zvarranikët me ndërgjegje jetonin më mirë!), me gjakun e ndezur nga e keqja, që nganjëherë të vërshonte në fytyrë, duke bërë ca lëvizje të shkurtra impulsive të mjekrës, sikur të kishte ndjerë ndonjë pengesë në gurmaz. Ajo që do të vijonte më pas ishte gjithë çka shërbeu për të na mbërthyer mirë për fyti.

    Asnjëherë më parë s’besoj se do të qe guxuar të përgatitej një skenë e tillë makabre, talljeje çnjerëzore, e nxehtë turpëruese dhe po aq përvëluese. Na shoqëronte një mimikë e tërbuar ndonëse mund të merrej në mënyrë komike, duke ekzagjeruar fytyrën e një luftëtari të tradhtuar nga ajo që ndodhte e që shfaqej në thellësi të shpellës së shpirtit. Ne punonim çdo ditë sa gdhihej e deri sa perëndonte në fushat me patate e me bimë të tjera. Ushtria naziste donte shumë patate! Po njëzetetetë milion rusë të përzier si sallatë ruse në nja njëzet kombe e kombësi matanë, të gjallë dhe po aq të vdekur? Mijëra ton të tjerë me patate. Nëntë milionë ushtarë të gjallë dhe nëntë milionë ushtarë të vdekur. Avionë të aleatëve tanë (të burgosurve me punë pambarimisht të lodhshme!) që bombardonin. Klithma dhe vetëm klithma të tërbuara. Më shumë klithnin ata që jepnin urdhra. Sundonte era shfarosëse e gjakut. Na mbante të mbyllur në kafaz të punës me këmbë prangosur që na lejonim sa për t’i hequr zvarrë nën rrjetën e famshme të hekurit. Shkulnim vetëm patate. Nuk mbaroheshin patatet. Në dukje e lehtë, por ishte skëterrë e vërtetë, edhe pse me patate, që herë-herë i hanim të gjalla, por që na grabisnin dhëmbët e sëmurur nga skorbuti…

    Në një çast, pas vajtje-ardhjeve të pafundme nga kapanonët në fusha, na veçuan. U tmerrova! Më mirë me patatet e tmerrshme në fushë sesa i veçuar. Por një ‘peshkatar’ që bëhet gati ta hedhë rrjetën e peshkimit, me një ‘përdredhje gjeniale’, na mbërtheu në grackën e hekurt, na mbështolli ndryshe, na bllokoi lëvizjet dhe na hodhi te këmbët, shkalafitur. S’kishte më mërmërima, as psherëtima që fryhen e gufojnë, as goditje vdekjeprurëse. Pse kështu i paketonin për t’i çuar nëpër furrat e vdekjes? Ne, edhe pse nga kombësi të ndryshme, merreshim vesh me njëri-tjetrin me shenja të mimikës e të pantomimikës. Po pas kësaj që ndodhi askush nuk jepte përgjigje. Tanimë, sidoqoftë edhe qemë mësuar me sendet, fushat, ushqimin (po të fshihje një kokërr patate, përfundoje në furrë!). Dhe kapanoni ynë quhej ‘i punës’. Ndërkaq komandanti ynë i kampit ishte dorëzuar, kështu që ne kishim arritur ta bënim për vete kreun dhe tanimë ai qe dorëzuar, ne do të kujdeseshim për kopshtet e oficerëve nazistë. Edhe më e lodhshme, me siguri, por do të ndryshonim mjedis, shkurt do të qe ndryshe.

    4.

    Bashkë me të tjerat edhe emocioni. Edhe pse në një qytet të tejdukshëm (nuk është ky qyteti i vetëm i tillë, ashtu si dhe jeta e secilit prej nesh, na ulërinte një gëzim të brendshëm, krejt i çuditshëm. S’na mbante më vendi. Njeriu ka nuhatje të çuditshme për ta ndier erën e lirisë. Edhe ne po ashtu. Tek e fundit njerëz ishim dhe jemi…

    Pastaj u bëra kureshtar të vështroja fytyrat e miqve të mi. Lodhemi, po edhe na lejohet të pimë ndonjë cigare, ne lodhemi sa nuk marrim dot frymë! Po ama ne na lejohet të ngremë kokën. Ende aspirojmë lirinë e vërtetë. Edhe sot shumë vdesin nga pafuqia, nga stërlodhja e mundimshme prej Parajsës së punës! Dimri na i bën veshët flakë të kuq e me spazma nga lodhja e llogaritur mirë. Pastaj instinkti na bën të hedhim një vështrim prapa, dhe mbetemi pa fjalë nga ato më seriozet, mbetemi pastaj gojëçapëlyer e syzgurdulluar, një fytyrë njolla-njolla të kuqe; ndërsa, pranë nesh, në hije, sytë e turbullt të njeriut të mbaruar, të shkrehur, që nuk arrin as të njohë vetveten, duke u bërë i tejdukshëm. Ne e shohim tjetrin darkave kur na futin në shtrat pa gjë prej gjëje në trup. Kufoma të tejdukshme. Jetë e tejdukshme. Qytete të tejdukshëm. Megjithatë luftojmë për jetën me shpirt ndër dhëmbë….

    Gjithçka është bërë mbytëse, në kohë lirie pa liri, flokë njerëzish të ngjitura lart nga djersa e një vuajtjeje të skajshme. Po të mos jetë (siç ishte në kohën e Holokaustit), gjumi i detyrueshëm dhe uji me kripë me dy pikëza vaj dhe buka sterrë e zezë me krunde, me frymëmarrjen e rralluar prej mosngopjes me ajër, ngrohur dhe mbushur me një aromë shprese, atëherë do të ndiheshim ndryshe. Në flakërimat e saj, ajo dukej sikur lëkundet, sikur rrëshqet në marramendje, e lodhur dhe e shprishur, e kapur në kurth nga dëshirat e përgjumura të frymëmarrjes së trishtuar, që endet megjithatë në shtratin e nxehtë të një shprese përvëluese.

    5.

    Më shumë se te kushdo tjetër aroma e fitores ndihet në vendet ku jetojnë të vdekurit e pakallur. Kushdo që na shihte vinte re largimin e turmës së njerëzve nga dyert e shpirtit. Një gardh njerëzor, me dy bishta pafund të gjatë ushtarësh që zbrisnin rregullisht e të trimëruar. Hutim, ne s’dinim nga t’ia mbanim, por megjithatë nxitonim me hapin e milingonës për të gjetur edhe kot së koti një mjet transporti, me mirësjellje njerëzore të harruar që na ndiqte nga pas. Dukej sikur nuk dërgonte askush ndonjë mesazh, qoftë edhe të dëshpëruar, ose të refuzuar me egërsi, pastaj gjithçka zhdukej drejt një dëshire të parealizuar dhe brenda pafuqishmërisë së tij në sy me një pamje të ngrirë.

    Vjen gjithnjë dita e fundit. E përgjakur, e lodhur gjer në skaj, e djersitur, e skuqur, e dehur.

    Kufoma të qeshura, të inatosura, duke treguar me një lëvizje të vrullshme të mjekrës dhe me buzët e thara, me sytë e ndezur, krejt të përvëluar, duke bërtitur me egërsi.

    Sikur të ndodhte që natën e fundit të flinim me rrobat e punës, me djersën, me ethet. As vetë nuk do dinim nga do të fshihej lakuriqësia jonë e tmerrshme, duke numëruar brinjët e kufomave të tjera si ne.

    Një rreze drite rrëshqet nën perden e rëndë të zemrës, nën lagështirën e tmerrshme të kampit gjatë Holokaustit, jemi të përgjumur, të trembur e të çuditur që ndihet gjithnjë aty pranë. Dora e zgjatur e fatit, duke kërkuar një për një kufomat e gjalla. Numrat në pllaka metalike na i lanë me vete. Dëshmi.

    Përfytyroni ditën e çlirimit: fytyra të iruna plot me shenja plagësh, me hundë të shtypur, buzë të mëdha, dhe sy që lëviznin pa pushim. Po ndodhte një veprim i rregullt regjistrimi për lirim. Vendi tani mbante një erë të çuditshme lirie. E pakrahasueshme me gjë tjetër. Frymë. Lot të hidhur dhe lot gëzimi. Të gjithë i rrethonte një hije dëshpërimi. Qenka e vështirë të ndahesh edhe nga kjo fantazmë e tmerrshme. Mathauzen. Aushvic. Dachau. Që këtej buron edhe dritë lirie… Edhe liria duket e kredhur në hipokrizi, tejdukshmërisht. Jo më kot thotë Gasmen Toska se hipokrizia është një nderim që vesi i bën virtytit. Edhe sot…

    Tiranë, 27 janar 2023

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË