More
    KreuArte pamoreQerim Vrioni: Gjashtë dëshmorë në një fotopllakat

    Qerim Vrioni: Gjashtë dëshmorë në një fotopllakat

    Koha, ngjarja dhe heronjtë

    Aty nga fillimi i shekullit XX, Lëvizja Kombëtare për çlirim nga pushtuesi otoman kishte marrë përmasa shqetësuese për të. Ajo u shpërfaq në drejtime të ndryshme, luftarake, politike, kulturore etj. Kështu, në datat 14-22 Nëntor 1908, në Manastir (sot Bitola, Rep. Maqedonisë së Veriut)), qendra e vilajetit shqiptar me të njëtin emër, u mblodh Kongresi i Alfabetit (ose i Manastirit), i cili përcaktoi alfabetin e shkrimit të gjuhës shqipe, çka do të përbënte një gur themeli për kulturën shqiptare. Një vit më vonë, 1909 (1 dhjetor) u çel në Elbasan Shkolla Normale (Pedagogjike), e para shkollë e mesme në Shqipëri, prej së cilës do dilnin mësues për arsimin shqip në vend (Fjalor Enciklopedik-Bacchus, Tiranë, 2002,f.658). Në vitin 1911, në Kosovë u zhvillua një kryengritje e përgjithshme që kulmoi me Betejën e Kaçanikut, në të cilën, kryengritësit shqiptarë i shkaktuan humbje të rënda ushtrisë turke në Grykën e Kaçanikut. Edhe në jug të vendit, sidomos në pjesën jugperëndimore të tij, ishin shtuar mjaft çetat atdhetare të organizuara, të cilat kishin nisur përpjekjet e armatosura për liri.

    Për një nga këto beteja, ku ranë në fushën e nderit gjashtë dëshmorë, është krijuar nga fotografi e atdhetari Vani Burda edhe fotopllakati për të cilin do të bëhet fjalë. Ata ishin pjestarë të çetave kombëtariste të udhëhequra nga Qamil Panariti dhe Spiro Bellkameni dhe u vranë në fshatin Orman-Çiflik, rreth 8 km. larg nga Korça në luftime me turqit më 29 korrik 1911. Emrat e tyre janë : Bajazid Rehova, Kristaki (Kristaq) M. Furxhiu, Kostaki (Kostaq) Kosturi, Nuçi V. Lapi, Odhisea Colle Piasto dhe Kostaki (Kostaq) Spiro Kristafillaku, të gjithë nga Korça e rrethinat (Fjalori Enciklopedik Shqiptar-Tiranë, 1985, f.187). Nga emrat, megjithë ngjyrimin rumun, kuptohet se ata i përkisnin të dyja besimeve fetare, fakt mjaft domethënës për kohën. Duhet shënuar se i ati i dëshmorit Kostaq Kosturi ishte atdhetari Spiro Kosturi, i vrarë nga shovinistët grekët në Selanik më 1906, ndërsa gjyshi i tij, Jovan Cico Kosturi, njihet si emër i shquar në Lëvizjen për Çlirim Kombëtar..

       Pas 29 korrikut 1911

       Ngjarja tragjike e Orman Çiflikut shtoi ndjeshëm frymën atdhetare dhe ngriti lartë aspiratat për çlirimin nga pushtimi i huaj. Për “Gjashtë Dëshmorët e Orman Çiflikut” është shkruar gjerë e gjatë në shtyp dhe në letrat shqipe pas vitit 1912. Kështu në vitin 1912, atdhetari Thanas Viso Mborja botoi në Sofje (Bullgari) një libërth kushtuar Dëshmorëve të Orman Çiflikut. Ai titullohej “Jetëshkrimet e të gjashtë Dëshmorëve Shqiptarë“, që fillon me “Dy fjalë“ dhe poezinë “Kurora e Zisë“ të autorit dhe vijon me portretet e Gjashtë Dëshmorëve. Ky libër u ribotua më 2014 në Korçë nga shtypshkronja ”Kotti” (Thanas Viso Mborja-“Jetëshkrimet e të gjashtë dëshmorëve Shqipëtarë”–Mbrothësia, Sofje, 1912). Në vitin 1916, Spiridon Ilo, një nga nënshkruesit e Aktit të Pavarësisë, botoi në Amerikë përmbledhjen me vjersha “Dëshirat e zemrës” me kushtimin: “Ky libër u dedikohet “6 dëshmorëve të Orman Çifligut”, të cilët ranë në luftë si dëshmorë për lirinë e Shqipërisë.

    Më 29 korrik 1938, plot 27 vite pas ngjarjes, në vendin ku ranë trimat, u ngrit një Monument (Lapidar) i cili u përurua me ceremoni madhështore nga autoritetet dhe populli i zonës. Monumenti përmban emrat e dëshmorëve dhe mbishkrimin “Ranë dëshmorë për Atdhe-në këtë vënd-më 29 korrik 1911”. Lapidari u zbulua nën tingujt e Himnit të Flamurit, mandej u vendosën kurora të shumta nga autoritetet dhe shoqata të ndryshme (“Gazeta e Korçës”—”Zbulimi i Monumentit të Gjashtë Dëshmorëve u bë me ceremoni madhështore”—30 korrik1938). I frymëzuar nga kjo ngjarje dhe heronjtë e saj, Gjashtë Dëshmorët e Orman Çiflikut, fotografi i dalluar për  çështjen kombëtare, Vani Burda duke u ndodhur në Bukuresht, realizoi në vitin 1913, fotopllakatin që po shqyrtojmë dhe, duke e shtypur po atje në vitin 1920.

    Fotografi  Vani Burda

    Vani Burda nga fundi i jetes

    Vani (Jovan) Burda është lindur në Korçë në vitin 1875 e qysh i ri mërgoi në Rumani tek i ungji, patrioti i shquar Nikolla Naço. Pranë Kolonisë shqiptare të Bukureshtit ai mësoi edhe mjeshtërinë e fotografimit, të cilën e lëvroi atje deri në vitin 1920, kur u kthye përfundimisht në atdhe. “Në Bukuresht fotografi patriot ndihmoi forcimin e shoqërisë patriotike të shqiptarëve të atjeshëm”(Gazeta “Nektari i Korçës”–gusht-shtator, 1992). Në vendlindje, Korçë, ai hapi një studio fotografike për të siguruar jetesën, ku hap pas hapi filloi të përmirësonte nivelin e fotove për publikun. Vani Burda ka riprodhuar në fotografi edhe portretin piktorik (me autor ende të panjohur) të iluministit të njohur Naum Veqilharxhi, po ashtu, ai ka sjell nga Stambolli fotot e Tre Frashërllinjëve të Mëdhenj (Abdylit, Naimit dhe Samiut) (Stilian Adhami—”Kontribute shqiptare në visarin e përbashkët të popujve, 3”—Tiranë, 2009, f.611).

          Më 1914, Burda krijoi një fotomontazh (më vonë edhe kartolinë) ku pasqyrohej shpresa e madhe e shqiptarëve nga ardhja e Princ Vidit si udhëheqës i shqiptarëve (pas 6 muajve do shpallej mbret i shqiptarëve). Në të ai ka bashkuar portretin e vizatuar të Skënderbeut (të marrë nga ndonjë grafikë) me foton e Princ Vidit, të cilët i ka vendosur nën krahët e një shqiponje dykrenore. Mbi shqiponjë lexohen fjalët “Zoti qoftë me ne. Pas pesë shekujsh robëri, sot Shqipëri e shqiptarëve”, kjo kartolinë qarkulloi gjatë në shqiptarët e Rumanisë, por sidomos në Shqipëri.

          Burda ka fotografuar edhe luftëtarë të çetave liridashëse, por ka realizuar edhe foto historike e me tema shoqërore. Nënshkrimin e Vani Burdës mban edhe portreti i njohur zyrtar i themeluesit të shtetit, Ismail Qemali, i gjetur në librin e Petraq Pepos, “Kujtime nga lëvizja për çlirim kombëtar” të vitit 1962. “Ai (Burda-shën.im) nuk mund të krahasohet me fotografët më të mirë, por ai përmendet për fotot dokumentare të figurave të rëndësishme dhe ngjarjeve e lëvizjeve popullore të kohës”(Gerard Girard—History of Photography-Vol.6, Nr.3, july 1982-f.250), shkruan studiuesi francez Geradr Girad, shumë vite më parë.  Gjithsesi, pas kaq vitesh duket mendim disi i guximshëm i francezit pa njohur të gjithë krijimtarinë e Burdës, e cila edhe sot nuk është e përmbledhur plotësisht.

         Në saj të veprimtarisë së gjithanshme, Burda kishte miqësi me figura të shquara të Botës Shqiptare, ai “u ndihmua në krijimtarinë e tij nga Mihal Grameno, Hilë Mosi, Lasgush Poradeci, Odise Paskali”, shkruan për të studiuesi Piro Naçe (Piro Naçe—Krijues dhe pasurues të traditës fotografike—Revista “Skena dhe Ekrani”, Nr.1, 1988).  Po ashtu, Vani Burda bën pjesë në yllësinë e fotografëve të quajtur “Fotografët e Rilindjes Shqiptare”. Vani Burda është ndarë nga jeta në Korçë në vitin 1949 në kushte  modeste jetese me gjithë kontributin e tij të veçantë kulturor në lëmin e fotografisë, por edhe si atdhetar i përkushtuar në çështjen e lirisë kombëtare.

    Fotomontazhet

    Këto lloj krijime, pamëdyshje edhe artistike, kanë lindur qysh në hapat e para në fushën e “dhomës së errët”. Kështu, ende pa u hedhur çapa të sigurtë në rrugën e gjatë të vet fotografisë, u dukën në publik ato që mund të quhen fotomontazhet më të hershme në historinë e fotografisë botërore. Më i goditur e më i njohur ka ngelur ai me titull “Dy mënyrat e jetës” (“Two Ways of Life”-ang.) të suedezit Oscar Gustav Rejlander (1813-1875). Ai përdori 32 negativa të kolodios së njomë për t’i bashkuar e arritur tek fotografia përfundimtare, e cila në një farë mënyre kopjon tablon e Rafaelit “Shkolla e Athinës” (The Photo Book—Phaidon, London 1999-f.376).

          Po ashtu, përafërsisht në të njëjtën kohë me suedezin, fotografi francez, Gustave Le Gray (1820-1884), “krijoi një peizazh dramatik deti, por vetëm me dy negativa” (Hacking Juliet—Photography-The whole story—Prestel, Munich, 2012, f.113), bëhet fjalë për kolazhin “The Great Wave” (Vala madhe-ang.), ku me kundërshti të gjetura tonale shpërfaq një imazh fotografik, si të ishte vetëm një shkrepje. Më pas, me zhvillimet teknike të proceseve të fotografimit, u krijuan më lehtësisht kolazhe të shumtë me tema nga më të ndryshmet.

        Në Fotografinë Shqiptare, me sa dihet deri tani, ndër fotomontazhet e para janë ato të Kel Marubit dhe Vani Burdës, në dy dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të kaluar, të cilat u ngjizën me synim për të krijuar kartolina me përmbajtje atdhetare. Pas 1944, fotomontazhet u përdorën gjerësisht për fotopllakatet politiko-propogandistike të diktaturës, të cilat u dukën  në shtypin e kohës dhe në vende publike. Ndërsa, mbas rrëzimit të diktaturës, me teknikën e fotomontazhit realizohen lajmërime të mëdha me karakter tregtar dhe publicistik me emrin postera. Gjithsesi, fotopllakati kushtuar “Gjashtë Dëshmorëve të Orman Çiflikut”, mbetet ndër më të vjetrit edhe më të arrirët nga ana artistike dhe atdhetare në Historinë e Fotografisë Shqiptare. ”Fotopllakati u shpërnda mes patriotëve shqiptarë brenda dhe jashtë atdheut” (Gazeta “Bashkimi”, 14.11.1987—”Një pllakat me vlera edukative”–nga Ilia Karanxha).

    Fotopllakati

    Fotopllakati kushtuar Gjashtë Dëshmorëve është me ngjyra, i shtypur në karton të butë me përmasa 30X40 cm., dhe përbën një shkrirje të fotografisë, grafikës dhe të poezisë (Një ekzemplar origjinal ndodhet tek mbesa e fotografit z.Rebeka Burda Nanushi në Durrës). Në qëndër shihet një femër e re me kostum kombëtar, e cila simbolizon Shqipërinë, ajo valvit me dorën e majtë flamurin e kuq ku shkruhet thirrja “Ja vdekje, ja liri”, ndërsa me dorën e djathtë  ndihmon një të plagosur. Vasha ka një shikim të vendosur, pranë saj një shqiponjë ka vënë nën kthetra një tigër të mposhtur mbi të cilin shkruhet barbari. Në faqen ballore të piedestalit është vizatuar një shqiponjë dykrenore, poshtë saj thënia :”Kush punon për Atdhe/Embrin për jet e le”, e nën të një kurorë me lule të mbështjella me një kordele të kuqe. Një kurorë tjetër të madhe rreth piedestali e formojnë portretet e gjashtë dëshmorëve e, poshtë tyre janë katër strofa me përmbajtje të fortë atdhetare të shkruara me frymëzim poetik nga vet Burda. Mbi kurorën e portreteve në një banderol shkruhet “Bashkimi siell fukjnë“(fuqinë-shën,im) e, poshtë saj dy duar që shtrëngojnë njera-tjetrën.

    Të gjashtë portretet e heronjëve zbukurohen nga të dy anët vertikale me gjethe dafine, bima-simbol e fitores dhe përjetësisë. Mbas piedestalit, si passhpinë është përdorur një peizazh me pyje e male, tipik për rrethinat e Korçës. E gjithë tërësia e elementëve të fotopllakatit, mbështetet në një sfond të kaltër. Natyrisht, ngjyra e qiellit, gjithashtu për simbolikën e saj, nuk është zgjedhur rastësisht nga artisti-fotograf. Nga sa është hulumtuar në historinë e FSH, përveç se ndër të parët, e me përmasa relativisht të mëdha, ky fotopllakat tregon edhe nivelin artistik në lëmin e fotografisë, grafikës dhe poezisë së Vani Burdës.

    Pa dyshim fotografi ynë është prekur thellë nga ngjarja e 29 korrikut 1911, aq më tepër duke jetuar jashtë atdheut dhe në mjedise të mërguarish, ku lajmet nga vendi priteshin e komentoheshin gjerë e gjatë edhe me përkujdesje të veçantë.  Ndoshta e ka vrarë gjatë mendjen për të bërë diçka për të nderuar kujtimin e tyre, ka nëpërkaluar në përfytyrim  disa mënyra e në fund ka mbërritur tek fotopllakati, dhe me sa duket, ja ka arritur qëllimit.

    Pas vendimit për të krijuar një fotopllakat, Burda do jetë drejtuar në letërsi dhe publicistikë për të gjetur thëniet më të përshtatshme për tja u shtuar elementëve grafikë. Për t’a krijuar atë, Burda me shumë gjasë, ka përdorur prerje fotosh dhe disa rifotografime, deri sa ka arritur te imazhi përfundimtar. Fotopllakati ynë, mesa dihet deri tani, nuk është shtypur si kartolinë postare, gjë që do t’i sillte autorit të saj edhe të ardhura financiare shtesë.

    Fotopllakati i Burdës, me gjithë vektorët simbolikë, dhe i realizuar para afro një shekulli, madje largë atdheut, ndikon që vepra e madhe e “Gjashtë Dëshmorëve” të rënë heroikisht në fshatin Orman-Çiflik të Korçës, të mbetet e paharruar në brezat e sotëm e të ardhëm të shqiptarëve. Njëkohësisht, ai mund të trajtohet si një “gur kilometrik” në Historinë e F.SH, për të shpërfaqur edhe arritjet tekniko-artistike të Fotografëve të Rilindjes.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË