More
    KreuArte pamoreQemal Agaj: Robert Kapa – Legjenda e fotografisë së luftës

    Qemal Agaj: Robert Kapa – Legjenda e fotografisë së luftës [Spanjë 1936]

    “Nëqoftëse fotografia juaj nuk është e mirë sa duhet, ju nuk keni qënë afër sa duhet.’’

    Robert Kapa

    Fotografia si formë arti krijon lidhjen e imazheve me një botë më të gjerë dhe influencon në kthesa historike të disa vendeve, nganjëherë në gjithë botën. Nëqoftëse dimë diçka për Luftën Civile në Spanjë në vitet 1936 – 1939, kjo kryesisht nga dokumentimi i fotogazetarëve.

    Fotografia “Vrasja e Ushtarit”, marrë në Luftën Civile në Spanjë, 5 Shtator, 1936, nga Robert Kapa, ndoshta është pak të thuhet se është një prej tyre. Ajo hyri në ndërgjegjen e publikut si simbol universal i tmerreve të  luftës dhe tronditi botën në një shkallë të paparë deri atëherë.

    Fitorja e Republikanëve në zgjedhjet e Shkurtit 1936 në Spanjë, një koalicion i përbërë nga liberalë, socialistë, komunistë dhe anarkistë, nxiti revoltë në grupimin tjetër, Nacionalistët, të udhëhequr nga Partia Falangiste,  formuar në vitin 1933.

    Falangistët, që kishin mbështetjen e ushtrisë udhëhequr nga gjeneral Francisko Franko, aristokracisë dhe Kishës Katolike, e shihnin platformën politike të Qeverisë së re si prishjen e institucioneve dhe traditave Spanjolle, që do të sillte në Spanjë ideologjinë e atyre që nuk besonin, sidomos nga komunistët që e quanin fenë si ‘’Opium për Popullin’’ sipas Karl Marksit.  

    Këto çështje u ndërlikuan  më shumë  me ndërhyrjen e fuqive të huaja: Italisë Fashiste, Gjermanisë  Naziste  dhe Rusisë  Komuniste. Kur Hitleri dhe Musolini në mbështetje të Nacionalistëve dërguan njerëz dhe materiale, Stalini i ofroi ndihmë Republikanëve. Lufta tashmë u bë çështje jo vetëm e Spanjës. Për Gjermaninë dhe Italinë ishte një fushë prove për metodat e reja të armatimit, si tanke dhe aeroplanë. Për Bashkimin Sovjetik ishte oportunitet për shtrirjen në Europën Perëndimore të ideologjisë komuniste.

    Historiani  Angel del Rio, në librin ‘’Lands and Peoples’’, (botim i vitit 1964, f. 332) shpjegon se: ’’Lufta Civile e Spanjës nuk ishte vetëm një çështje ku Totalitarizmi luftonte Liberalizmin, apo Fashizmi luftonte Komunizmin, jo që Qeveria e re të mbronte vehten nga forcat e reaksionit. Ishte kjo, dhe më shumë akoma. Ishte një dëshirë e madhe në krahinat si Katalonia, Galicia dhe Provincat Baske, për vetë qeverisje, që gjenin mbështetje në Qeverinë Republikane.’’

    Në këtë konflikt, Amerika mbajti qëndrim asnjanës. Të dy forcat i shihte me skepticizëm. E shqetësonte influenca e ideologjisë komuniste në Spanjë, dhe nga ana tjetër e shihte të rrezikshëm militarizimin e shpejtë të Italisë dhe Gjermanisë.

    Kjo atmosferë politike u bë shkak që në 18 Korrik, 1936, të shpërthej Lufta Civile në Spanjë.

    Në këto rrethana, në 5 Gusht, 1936, dy fotograf të rinj, që kishin punuar sëbashku si shokë dhe të dashuruar në Paris, Robert Kapa, 23 dhe Gerda Taro, 26, zbritën në Barcelonë nga Franca të fotografonin luftën si përkrahës të Republikanëve. 

    Lufta Civile e Spanjës ishte e para luftë ku fotografët profesionist ishin dëshmitarë në mbulimin e saj në kuptimin modern që njohim sot. Për herë të parë fotografët rrezikonin jetën e tyre duke u rreshtuar në në linjë me trupat luftuese dhe imazhet e tyre të publikohen menjëherë në revista dhe gazeta.

    Pas një muaji në frontin e luftës, në 5 Shtator, 1936, Kapa mori fotografinë më të famshme  të karierës së tij si fotograf lufte, ‘’Loyalist Militiaman at the Moment of Death, Cerro Muriano, September 5, 1936.’’ që zakonisht quhet, ‘’Falling Soldier.’’

    Fotografia u botua  pas tre javësh, në 23 Shtator në revistën franceze ‘’Vu‘’ së-bashku me një foto tjetër të ngjashme me të. Në krye të faqes si titull: ‘’Si ata ranë,’’ por pa informacion se ku dhe në çfarë rrethanash ishte marrë imazhi. Në tekstin shoqërues, një tekst mjaft prekës shkruhej: ‘’Me hapa të shkathët, gjoksin erës, duke shtrënguar armët, ata vrapuan drejt të tatëpjetës të mbuluar me shkure. Papritur, vrulli i tyre ndërpritet, një plumb vërshëllen – plumb bashkatdhetari – dhe gjaku i tyre u thith nga toka mëmë’’.

    Revista LIFE e botoi fotografinë afërsisht një vit më vonë, në 12 Korrik, 1937 me titull: ’’Kamera e Robert Kapa’s kap një ushtar spanjoll në momentin e rënies nga një plumb në kokë në frontin e Kordovës,’’  dhe më poshtë: “Vdekje në Spanjë. Lufta Civile ka marrë 500.000 jetë në një vit.’’ Në këtë botim , ndryshe nga botimi në VU, imazhi ka format katror. Këtu për herë të parë përmendet që i fotografuari është qëlluar në kokë dhe kjo bazuar nga një tufë flokësh mbi kokën e tij. Ky konstatim, që  ka shoqëruar komentet gjatë kohës, është i pabazuar. Varri i ushtarit, si i shumë të tjerëve vrarë në Luftën e Spanjës, nuk dihet.  Ndofta fotografia më e famshme e luftës, ky imazh ka ngelur sinonim i atij që e mori, Robert Kapa, i cili është quajtur që në moshën 25 vjeç, “Më i shquari fotograf i luftës”  nga revista angleze ‘’Picture Post.’’ Marrë në fillim të Luftës Civile të Spanjës, dhe që tregon rënien e një luftëtari Republikan në momentin e goditjes nga një plumb, ky imazh u bë emblemë e kapacitetit të fotografisë për të dokumentuar vdekjen e menjëhershme. Është fakt që , ‘’Falling Soldier’’  nga çdo pikëpamje, është një prezantim real i Luftës Civile të Spanjës. Jehona ishte aq e fuqishme sa menjëherë të rinj idealist nga gjithë Europa krijuan Brigadat Internacionaliste në ndihmë të një populli të pafajshëm dhe Republikës së re. Midis tyre pati shkrimtarë  si Ernest Heminguej,  Xhorxh Oruell, Petro Marko etj. Pablo Pikaso i kushtoi tablonë e tij të famshme ‘’Guernika,’’ një akt-akuzë ndaj barbarizmave të aviacionit gjerman kundër popullsisë së pambrojtur të një qyteti të vogël.

     Gjatë botimeve, fotografia është quajtur pa diskutim si një nga imazhet më të shquara dhe influencuese  të luftës marrë ndonjëherë. Të ndodhesh në vendin e duhur në kohën e duhur, ka qënë dhe është ëndërr e çdo fotografi. Por Kapa shkon më tej kur thotë: ‘’Nëqoftëse fotografia juaj nuk është e mirë sa duhet, ju nuk keni qënë afër sa duhet.’’ Në vitet që Kapa ishte gjallë dhe pas vdekjes së tij, në 1954, fotografia është botuar pa ngritur dyshime  në autencitetin e saj. Por po ashtu ishte aq tronditëse, sa ka qenë vështirë të pranohej si e vërtetë. Dhe kjo nuk zgjati shumë. Në vitin 1970,  gazetari anglez me origjinë nga Afrika e Jugut, O. D. Gallagher, korrespondent për London Daily, i thotë Phillip Knightley, gazetar dhehistorian Anglez,se në kohën e luftës, kur sëbashku me Kapën flinin në të njëjtën dhomë hoteli, Kapa i kishte treguar në ç’rrethana ishte marrë fotografia.

    ’Në atë kohë kishte pak luftime për disa ditë,’  vazhdon rrëfimin Gallagher, ‘ Kapa dhe të tjerë fotogazetarë u ankuan te oficerat Republikanë se nuk po mund të  merrnin ndonjë fotografi. Përfundimisht një oficer u thotë atyre se ai mund të dërgoj disa trupa në llogoret aty pranë, kështu ata të inskenonin manovra për t’u fotografuar.’’

    Kjo histori u bë e njohur në vitin 1975, kur Knightley e publikon këtë fakt në librin e tij: ’’The First Casualty’’. Në libër nuk përmendet kur dhe ku gjatë luftës Gallagher banonte në të njëjtën dhomë me Kapën.

    Analizë e fotografisë. Fakte dhe kundërfakte.

     Rrëfimi i Gallagher nxiti diskutime. Në Spanjë koinçidoi me vdekjen e Frankos, 1975. Tashmë historianë dhe studiues arti në Spanjë u çliruan nga censura e shtypit, ndërsa jashtë Spanjës në mbrojtje të Kapës kryesonte International Center of Photography, në New York, ku ruhej trashëgimia e Robert Kapës, biografi i R. Kapës, Richard Whelan, dhe adhurues të fotografit.

    Gjatë  diskutimeve janë shtruar pyetje si:

    *Çfarë ka fotografuar Kapa: Një njeri që rrëzohet, apo një njeri që vdes nga një plumb në kokë?

    *Në ç’rrethana është realizuar fotografia. Në betejë, në stërvitje apo e stimuluar?

    *A është marrë fotografia në Cerro Muriano si deklaron Kapa?

    *Si shpjegohet që në botimin e parë në VU botohen dy fotografi ku janë marrë dy njerëz të ndryshëm të rënë egzaktësish në të njëjtin vend?

    *Përse në botim, fotot kanë formate të ndryshëm?

    *A është dokumentuar vdekja e Federiko Borrel Garcia’s në arshiva civile apo ushtarake?

    *Përse kërkimi i së vërtetës historike pengohet nga personalitete dhe institucione?

     Një shikim i kujdesshëm i fotos jep idenë se personi është kapur gjatë momentit që rrëzohet për tokë. Pushka jo e shtrënguar në dorë, gjunjët e përkulur, koka pak e anuar nga e majta dhe dora e majtë që duket e mbledhur grusht, tregojnë për një moment agonie. Në çfarëdo rrethanash të jetë kapur imazhi, shihet qartë se dikush po rrëzohet i vdekur. Është e pamundur të pozosh një moment të tillë. Duket që një plumb shkakton vdekjen e tij të menjëhershme në momentin që Kapa ka shkrepur aparatin.

    Në librin e tij, ‘’Sombras De La Fotografia,’’ botuar në viti 2009, profesori në Universitetin Navarro, Jose Manuel Susperregui, argumenton se fotografia nuk është marrë ku,  kur, dhe si admiruesit dhe trashëgimtarët e fotografive të Kapa’s dëshmojnë. Kapa thotë se është marrë në Cerro Muriano,  17 km. në veri të Kordovës,  kurse Susperregui provon se imazhi, qoftë ai i vërtetë po i inskenuar, nuk është fotografuar në Cerro Muriano, siç thuhet për të, por 55 km. në Jug, pranë fshatit Espejo. Këtë argument Susperregui e mbështet në peizazhin që zë pothuajse 2/3 e fotografisë.  Me foto të marra  profesori provon që kjo pamje është nga Espejo, me përjashtim se tashmë kodrat janë lulëzuar më ullinj dhe vreshta, por në horizont duket qartë shtrirja e vargmaleve. Peizazhi në Cerro Muriano, ku mbizotërojnë  pyje shekullor, nuk ka asgjë të ngjashme me pamjen që duket në foto, thotë Susperregui.

    Po ashtu dihet se në Espejo pati luftime vetëm në 22 dhe në 25 Shtator, pothuajse tre javë pasi është marrë fotografia dhe ndërkohë Kapa dhe Taro ishin larguar nga Cerro Muriano.

    Në mbrojtje të Kapës, Cynthia Young, drejtuesja e arkivës të Robert Kapës, thotë që evidenca e re që sygjeron se fotografia ‘’Falling Soldier,’’ marrë në Espejo:‘’Është bindëse… Konfuzioni mbi vendin mund të ketë lindur sepse për Kapën ishte udhëtimit i tij i parë si fotograf lufte në Spanjë dhe shumë e mundur të mos ketë mbajtur mend ku e mori fotografinë, ndoshta la agjentët dhe botuesit e tij  në Paris të mendonin, kur zhvillonin  filmin.’’

    Diskutimi do të ishte më i thjeshtë, ose nuk do të ngrihej, nëqoftëse revista franceze VU, nuk do tëbotontefoton tjetër. Fakti që një tjetër person me uniformë ushtarake i shtrirë egzaktësisht në të njëjtin vend, dhe afërsisht në të njëjtën kohë – që e vërteton shtrirja e reve në horizont,- ka qenë një diskutim i gjatë për autencitetin e imazhit. Sipas specialistëve, fotografia  e famshme është marrë me kamera të montuar në trekëndësh, sepse është e pamundur të kapësh dy imazhe në të njëjtin kuadrat me një kamera të lehtë që është subjekt i dridhjeve të dorës.

    Një tjetër pikë diskutimi nëse imazhi është kapur nga Kapa apo nga Taro, ka qenë formati katror i fotos botuar një vit më vonë në LIFE. Sipas studiuesve, kjo tregon që fotografia është  marrë me aparat Rolleiflex, që përdorej nga Taro, një aparat i rëndë që zakonisht montohej në trekëndësh dhe që krijon imazhe me format katror. Kapa përdorte aparat Leica, një aparat i lehtë dhe shumë praktik dhe që krijonte imazhe me format katërkëndësh në raportin 3/2. Në fakt, sipas studjuesve, botimet në VU kanë format katerkëndësh si nevojë e botuesve, që për t’i botuarimazhet në një faqe, i kanë prerë nga lart.

     Në një intervistë në radio dhënë në vitin 1947 dhe që u zbulua në vitin 2013, Kapa thotë: ’’Un isha në llogore sëbashku  me rreth 20 militantë…Unë ngrita kameran mbi krye dhe pa parë shkrepa aparatin kur ata u hodhën mbi llogore. Kjo  ishte e gjitha. Kamera që unë mbajta mbi krye sapo kapi një burrë në momentin që ai u qëllua. Kjo ndoshta është fotografia më e mirë që unë kam marrë. Unë nuk e pash imazhin në kuadrat sepse kamera ishte mbi kokën time.’’ Ky pohim vuri akoma më shumë në dyshim autencitetin e imazhit. Fotografia e dytë nuk është përmendur nga Kapa dhe me kohë ajo është lenë në harresë.

     Faktin, që personi në fotografi është Federiko Borrel Garsia e dëshmon deklarimi i vëllait të tij të vogël, Everisto, në vitin 1996. Me këtë emër është regjistruar në arkivat civile dhe ushtarake.

    Pas vitit 1975, viti që Gjenerali Francisko Franko ndërroi jetë dhe i botimit të librit, ‘’The First Casualty,’’nga Phillip Knightly, fillon një fazë e re në diskutimin e autencitetit të imazhit.  Në Spanjë, pas rënies së Republikës dhe marrjes së pushtetit nga regjimi i Frankos, në 1 Prill, 1939, bazuar në thënien:’’Kush fiton bën historinë,’’ pati pak ose aspak interes të kujtohej ajo periudhë. Një luftë e përgjakshme ku humbën jetën mbi 500.000 njerës nuk e justifikonte fitoren e Frankos. Nga ana tjetër, popullit të thjeshtë që përfaqësonin Republikanët, fotografia edhe pse e njohur në gjithë botën, u kujtonte humbjen, që ishte e vështirë të pranohej nga një popull aq krenar. Ndërsa jashtë Spanjës, pas fitores  kundër fashizmit dhe nazizmit në Luftën e Dytë Botërore, Lufta Civile e Spanjës shihej si një dështim në mbrojtje të Republikës së Spanjës  dhe si kundër- balancë, me të drejtë himnizoheshin aktet e trimërisë të popullit të thjeshtë spanjoll dhe të huajve që formuan Brigadat Internacionaliste.

    ‘’Valixhja Meksikane’’

    THE NEW YORK TIMES,  29 Prill, 2009.  Nga Rendy Kenedy.

    ‘‘Në  vitin  1990, kineasti Benjamin Traver nga Meksika bën të ditur se posedonte tre kuti me filma të fotografëve Robert Kapa, Gerda Taro dhe David Seymour i quajturi Chim, marrë gjatë Luftës Civile në Spanjë. Pas 30 vjetëve të zhdukura në mënyrë misterioze, ishte një lajm sa i papritur aq dhe i gëzueshëm për admiruesit e Kapës në përgjithësi dhe historianët e artit në veçanti. Gjatë  shumë bisedimesh, Traver vendosi t’i kthej kutitë në Qendrën Ndërkombëtare të Fotografisë në Nju York.

    Edhe pse imazhet u zbuluan dhe dolën në dritë, historia si ato kaluan nga studioja e Kapës,  Paris, në Meksikë nuk është e qartë plotësisht. Sipas Whelan, biografit të Kapës, dhe ekspertëve të tjerë, shpjegohet që Kapa  në 1939, i ka thënë menaxherit të tij t’i ruante negativet, pasi shkoi nga Parisi në New York. Duket që kutitë morën rrugën për Marsej dhe ranë në dorë të gjeneralit Francisko Aguiler Gonzales, një diplomat që Qeveria Meksikane e kishte ngarkuar të ndihmonte kalimin e refugjatëve anti-fashist nga Spanja në Meksikë.’’

    Kur e ashtu quajtura VALIXHJA MEKSIKANE mbërriti në ‘INTERNATIONAL CENTER OF PHOTOGRAPHY,’ në vitin 2008,  për çudi të të gjithëve, filmat ishin të paprekura dhe në gjendje të mirë edhe pse pas 70 vjetëve. Kështu filloi një proces emocional i shpalosjes dhe klasifikimit të rreth 4300 negativëve të marra nga Robert Kapa, Gerda Taro dhe David Seymour gjatë Luftës Civile të Spanjës, që mendohej se ishin zhdukur.

    Megjithëse me shumë shpresa, negativat nuk doli të zgjidhnin pyetjen që qëndronte mbi karrierën e Kapës, nëse fotografia e tij e famshme FALLING SOLDIER, ishte e vërtetë , apo e inskenuar. Në kutitë nuk u gjendën asnjë nga seria e fotografive që u morën atë mbasdite  fatale të 5 Shtatorit, 1936. Disa nga imazhet që u gjendën nga ajo seri ishin botuar më parë dhe ky ishte fakti ku biografi i Kapës, Richard Whelan mbështetej që imazhi nuk ishte i inskenuar.

    Me këtë seri fotografish, rreth 300 prej tyre, në vitet 2008 -2009, u hapën ekspozita në New York, Londër, Milano, Barcelonë. Gjatë dhe pas ekspozitave diskutimi rifilloi më i zjarrtë.

    Negativi i fotografisë së famshme nuk ekzistonte. Koincidencë? A është zgjidhur problemi?

    Biografi i Robert Kapa’s, Robert Whelan si përgjigje për pyetjen, shkruan në revistën Aperture:

    ‘’Mund kontradikta skandaloze që ka vënë në diskutim për më se 25 vjet reputacionin e Kapës të përfundoj me një gjykim në favor të integritetit të tij? Është koha të lemë të dy, Kapën dhe Borrel të prehen në Paqe dhe të deklarojmë ‘’FALLING SOLDIER’’ edhe njëherë si një kryevepër të fotogazetarisë dhe ndofta me shquara fotografi marrë ndonjëherë në luftë.

    Është fakt që ky imazh në të gjihë drejtimet është një prezantim i realitetit të Luftës Civile në Spanjë, që menjëherë fitoi statusin si simbol i përpjekjeve të një populli dhe tmerret e luftës.

     Të thuash që imazhi i Kapës është i inskenuar, do të ishte sikur të pranosh se nuk ka trupa të varrosur në tokën Spanjolle.’’

    Në gjithë këto diskutime kontradiktore del si mendim se nuk është vështirë të diskutosh vërtetësinë e imazhit, vështirë është të rrëzosh mitin e fotografit. Kapa ishte vetëm 23 vjeç në atë kohë.

    PROFILE:

    Robert Kapa, ( 1913 – 1954)

    Lindur  Andre Friedman në Budapest, 2 Tetor, 1913, nga një familje me origjinë Jewish, në moshën 17 vjeç shkon si student në Berlin për gazetari dhe shkenca politike. Në shtator 1933, me ardhjen e Hitlerit në fuqi, emigron në Paris. Këtu ndërron emrin në Robert Kapa. Në 1934 njihet me Gerta Pohorylles, një fotografe e re. Në 18 Korrik, 1936, sëbashku me Gerdan si shokë dhe të dashuruar, zbresin në Barcelonë në 5 Gusht 1936  për të fotografuar Luftën Civile Në Spanjë. Një muaj më vonë pasi mbrriti në Spanjë në 5 Shtator, merr fotografinë e famshme ‘’Falling Soldier.’’  Në 1937, në Spanjë, njihet me Ernest Heminguej. Në vitin 1938, shkon në Kinë ku sapo kishte filluar konflikti me Japoninë. Me hapjen e Luftës së dytë Botërore, në Tetor, 1939, mbërrin në Nju York, ku bashkohet me nënën dhe vëllanë më të vogël Cornell. Nga 1941 -1946 ishte korrespondent lufte për LIFE, duke shoqëruar trupat amerikane. Në Tetor 1943, fotografon zbritjen e trupave Amerikane në Siçili. Në 6 Qershor, 1944, fotografon zbritjen e trupave Amerikane në Omaha, Normandi, Fotografia e famshme  që njihet me emrin ‘’D – DAY,’’ ka ngelur si simbol i fitores në Luftën e Dytë Botërore. Në 22 Maj,1947 sëbashku me Henri Cartier-Brenson, David Seymour dhe George Rodger krijojnë Agjensinë Fotografike Magnum, Agjencia Fotografike më e shquar në botë. Në 1948, fotografon turbullirat në deklarimin e krijimit të Izraelit.  Në 1954 udhëton për në Hanoi të mbuloj luftën Franko –Vietnameze  për LIFE. Pak pasi mbërriti, shkel në një minë tokësore dhe vdes në 25 Maj, 1954. Ishte vetëm 40.

    Robert Kapa kapi momente kyçe në histori, por ai nuk ishte vetëm fotograf lufte. Në 1937, në Spanjë njihet me shkrimtarin e shquar Ernest Heminguej dhe ngelën miq për gjithë jetën. Fotografon Matis (piktor i shquar Francez) në studion e tij. Me John Steinbek viziton Bashkimin Sovjetik në 1947, ku me fotografi të Kapës Steinbek boton librin ‘’A Rusian Journal.’’ Në 1949 kalon fundin e verës me Pikason, në të njëjtën kohë me Milin dhe në 1950 hapin ekspozitën e përbashkët,’’ON PICASSO.’’

    Ka aq shumë për të përshkruar Kapën, sa është e vështirë nga ta fillosh. Fotograf i shquar, aventurier, botues, shok, i pëlqente të luante bixhoz, romantik, nuhatës i konflikteve në botë dhe do të gjendej atje.

    Ernest Heminguej ka thënë: ’’Ai ishte krijesë e Mitit dhe Legjendës. Mik i Pikasos dhe dashnor i Ingrid Bergman dhe pa dyshim fotografi më i shquar i luftës në botë.’’

    Gerda Taro, (1910 – 1937)

    Lindur Gerta Pohorylles në 1 Gusht, 1910 në Shtutgard dhe ajo larguar nga Gjermania në 1933 si refugjate politike në Paris. Në kohën që u njoh me Kapën punonte në një agjensi fotografike. Influencuar nga  Kapa ndërron emrin nga Gerta Pohorylles, në Gerda Taro. Për një vit, fotografuan së bashku me Kapën luftën në Spanjë. Pas një viti, në 1937, u ndje e sigurt në aftësitë e saj si fotografe, dhe mbulonte luftën për gazetën Franceze, “Ce Soir”. Në Korrik 1937, në moshën 26 vjeçe Gerda Taro përplaset me një tank kur fotografonte ofensivën e Republikanëve në Brunete dhe ndërroi jetë nga plagosja. Është e para fotografe që vritet në linjën e frontit. Mendohet që fama e Kapës ka lënë në hije emrin e Taros, deri sa u zbulua Valixhja Meksikane, në 2008. Pas kësaj fotot e saj u bën të njohura në ekspozita të përbashkëta me Kapën dhe Seymour.

    Federico Borrel Garcia (Tiano), ( 1912 – 1936)

    I quajtur Tiano, lindi në 3 janar, 1912 në Benilloba, Valencia. Punonte në një fabrikë mielli në Alcoi. Me fillimin e luftës krijoi  grupin lokal të anarkistëve. “Iberian Federation of Liberation”. Më vonë Bashkohet me militantët lokal, The Columna Alcoiana, krijuar për të luftuar kundër trupave të Frankos. Komentohet se duke pozuar për Kapën u bë i dukshëm nga plumbi i armikut atë ditë shtatori, 1936.

    Sipas arkivave të Qeverisë Spanjolle vetëm një person nga Columna Alcoiana u vra në luftimet në CerroMuriano në 5 Shtator, 1936.

    Referenca:

    Albumi fotografik: “Fotografi që ndryshuan botën.’’  Prestel, 2016.

    Albumi fotografik: “Fotogazetarët më të shquar të kohës tonë.’’  White Star Publisher, 20017.                          

    John Morris: “A Personal History of Photojournalism.’’  Random House, 1998.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË