Rojtaret e librave dhe të një dashurie që zgjat me shekuj
Nga Jason Diamond
Përktheu: Granit Zela
Kur hyj në librarinë Community Bookstore në Brooklyn, në lagjen time, gjëja e parë që bëj (pasi përshëndes pronarët) është të gjej macen, Tajni Pushtuesen. Tajni është shpirti fotogjenik i vendit dhe të jep afërsisht pesë sekonda për t’i bërë përshtypje, përndryshe ai kthehet menjëherë për të fjetur në një pirg romanesh të përkthyera.
E kuptoj idenë që njerëzit janë më shumë të dhënë pas qenve se sa pas maceve, e di. Jam përballur edhe me mimikat e tyre të çuditshme sa herë që kam thënë me krenari se i dua fort edhe qentë, se mund të krijoj lidhje me qentë dhe qëndrimet e tyre mrekullisht të budallepsura, por tepër besnike, si dhe vlerësoj mënyrën se si macet të mbajnë nën kontroll duke të bërë të përpiqesh të fitosh dashurinë e tyre.
Por mund të them pa asnjë dyshim se macet e librarive përfaqësojnë shkallën më të lartë të kafshëve shtëpiake.
Nëse një librari është aq me fat sa të ketë një mace në mjediset e saj gjatë orarit të punës, mund të vini bast se macja është bashkëpronare, menaxhere, roje e sigurisë dhe ndërgjegja e e përhershme e vendit. Ti shkon në një librari për të blerë një libër të autorit Ta-Nehisi Coates ose përmbledhjen më të fundit të Kelly Link, por në të vërtetë po sheh me admirim macen, pavarësisht nëse jeni të vetëdijshëm për këtë apo jo.
Macet në përgjithësi duken sikur rrinë mbi gjithçka – kjo është ajo që më pëlqen tek ato. Personalisht, unë i ngjaj më shumë një qeni, budallepsem dhe emocionohem nga gjërat më të vogla, jam lehtësisht e lexueshme dhe gjithmonë e uritur. Macet, nga ana tjetër, shikojnë brenda teje, të detyrojnë t’i kundrosh gjërat; thjesht duken më të zgjuara se sa duken, sikur dinë gjithçka, por nuk të tregojnë. Prandaj është kuptimplote të shohësh kaq shumë mace duke u çapitur nëpër pirgjet e kopertinave të vjetra të pluhurosura në libraritë me libra të përdorur, duke u shtriqur pranë ballinave të volumeve klasike, ndanë përmbledhjeve me recensa New York Book Reviews. Por ka një arsye tjetër, më të thellë, pse macet kanë kaq shumë kuptim në librari – është në ADN-në e tyre.
“Askush s’mund të mos pyesë veten se çfarë mendon kritiku i heshtur ulur në qilimin ndanë vatrës për konvencionet tona të çuditshme – për persianin mistik, paraardhësit e të cilit adhuroheshin si perëndi, ndërsa ne, zotërinjtë dhe zonjat e tyre, hiqeshim zvarrë nëpër shpella dhe i lyenim trupat tanë me bojë”, shkroi Virginia Woolf në esenë “Për një mik besnik”. Siç theksojnë me krenari shumë pronarë macesh, ato zinin një vend të veçantë në shoqërinë egjiptiane, deri në atë pikë sa nëse vrisje qoftë edhe aksidentalisht një mace, wwdënoheshe me vdekje. Macet shpesh stoliseshin, ushqeheshin me vakte që do ta bënin ushqimin e sotëm të konservuar të dukej si ushqim i konservuar për macet, dhe ndonjëherë edhe balsamoheshin; një pronar maceje i pikëlluar shpesh rruante vetullat si një gjest zie. Edhe Bastet-i, hyjnia që përfaqëson mbrojtjen, pjellorinë dhe amësinë, mund të shndërrohej në një mace, këtu e kishte zanafillën ideja popullore e adhurimit nga egjiptianët. Megjithëse jo saktësisht hyjni, macet mbanin një vend shumë të lartë në shoqërinë egjiptiane.
Është shumë e qartë se macet në të vërtetë nuk e kanë harruar mënyrën si trajtoheshin në kohën e faraonit. Ata sillen me dinjitet dhe kërkojnë që t’i trajtoni me njëfarë nderimi, duke ju bërë të ditur nëse po i përkëdhelni siç e meritojnë, kur janë gati për vaktin e radhës dhe duke ju bërë të vetëdijshëm se çfarë u pëlqen dhe çfarë s’u pëlqen. Macet e mia sigurisht që e bëjnë. Ato i duan shumë vendet e tyre të rehatshme në apartament dhe shpesh ma bëjnë të vështirë kur përpiqem t’i bëj të lëvizin, duke m’i ngulur sytë, duke lëshuar një mjaullimë të trishtuar dhe më pas duke nxitur një përballje pas së cilëa unë gjithmonë detyrohem t’i rrok dhe t’i ngrej hopa. Cilat janë këto vende që ato i duan kaq shumë në banesën time? Vendet midis librave të mi. Dhe meqenëse dhoma e ndenjes është e mbuluar me to – me libra në rafte, në tryezë, libra grumbull në dysheme – macet e mia nuk rrinë asnjë herë pa gjetur një ose dy vandakë me libra ku të fërkohen, sidomos te përmbledhjet me ese dhe disa botime të ndryshme të Zemër e vetmuar e Nataniel Uestit.
Egjipti, ku besohet se macet janë zbutur për herë të parë, është gjithashtu vendi ku mund të gjurmohet marrëdhënia me libraritë. Ndërsa përdoreshin kryesisht për të mbajtur brejtësit dhe gjarpërinjtë helmues larg shtëpive dhe të korrave, disa mace u stërvitën posaçërisht për të ruajtur rrotullat e papirusit me tekste nga dëmtuesit që mund t’i hanin. Pa macet, në fakt, është e vështirë të imagjinohet sesi qytetërimi egjiptian mund t’i kishte përballuar me kaq sukses sëmundjet dhe urinë e shkaktuar nga parazitët – por imagjinoni gjithashtu dijen që mund të kishte humbur po të mos ishin ata mbrojtës me katër këmbë që ruanin tempujt nga kafshëzat e rrezikshme. Me kalimin e kohës, macet do të vazhdonin të përdoreshin për të mbrojtur dokumentet e shenjta. Macet përmenden në rrëfenjat sufiste nga Epoka e Artë Islame ku pati përparime të mëdha në matematikë, filozofi dhe fizikë, dhe murgjit evropianë në Mesjetë i përdornin për t’u mbrojtur nga brejtësit.
Sot, kur mendojmë për një mace që ndjek një mi, zakonisht e mendojmë si një ndjekje pa pikë zgjuarsie si te Tomi dhe Xherri. Macja budallaqe pengohet përherë nga kundërshtari i saj i vogël, a thua se duhet t’i falim këta kafshëza të mprashta që na brejnë plaçkat dhe përhapin sëmundje. Kjo s’është e drejtë, sidomos pasi kushdo që ka pasur ndonjëherë një mace për shkak të një problemi me minjtë e di se edhe nëse macja nuk i kap, me siguri i tremb. Macet mund të mos bëjnë gjithmonë ligjin, por ato veprojnë si roje sigurie pa armë, ato janë një paralajmërim i gjallë, kërcënues për minjtë dhe brejtësit e tjerë se ndoshta nuk është ideja më e mirë për të kaluar nëpër atë vend.
Pra, si përfunduan macet në librari? Shikoni historinë e Rusisë dhe një dekret të veçantë të nxjerrë nga Perandorja Elizabet në vitin 1745 e cila kërkonte të siguroheshin “macet më të mira dhe më të mëdha, të afta për të kapur minj” për t’i dërguar në Muzeun Hermitage në Shën Petersburg për të mbrojtur thesaret që mbaheshin aty nga minjtë (kjo traditë vazhdon deri në ditët e sotme, me dhjetëra mace endacake që jetojnë në bodrumin e muzeut). Jo shumë kohë më vonë, diku në fillim të viteve 1800, me evropianët që janë ende të sigurt se minjtë shkaktuan Murtajën e Zezë (kjo ide është hedhur në përgjithësi poshtë, megjithëse tani studiuesit besojnë se brejtësit mund të jenë fajtorë) dhe kapësit e minjve të paaftë për të ndaluar brejtësit që të dynden në qendrat e ndyra të qyteteve, qeveritë filluan të paguajnë bibliotekat për të mbajtur mace në mënyrë që të ndihmonin në uljen e numrit të madh të parazitëve në libra.
Që kur afërsisht në kohën e nismës së Perandores Elizabet nisën të hapeshin dyqane që shisnin vetëm libra (libraria Bertrand e Lisbonës është libraria më e vjetër në botë, edhe pse Dyqani i Librave Moravian e mëton këtë), dhe përpara planit të qeverisë britanike për t’i futur macet në biblioteka, ka kuptim që pronarët e dyqaneve t’i mbanin edhe punonjësit me katër këmbë për t’i ruajtur dyqanet e tyre nga dëmtuesit. Macet ishin të lehta për t’u gjetur dhe gjithçka që duhej të bënin ishte që si kompensim për këtë punë, t’i ushqenin.
Dhe që atëherë kur macet u ftuan në librari, ato nuk u larguan kurrë. Po të shkoni te libraria King’s Books në Tacoma, Washington, ka gjasë të kryqëzoni shikimin me macen Herbert dhe më pas blini librat që doni; do të shihni edhe shumë mace të tjera që flenë pranë pirgjeve të librave më të shitur që qarkullojnë në ueb dhe e merrni të mirëqenë faktin që macet dhe libraritë shkojnë krah për krah si shumë nga çiftet vërtet të shkëlqyera në këtë botë.
Macet janë të qeta dhe duan të lihen të patrazuara gjatë pjesës më të madhe të ditës; ato janë kafshë që e dëshirojnë kaq shumë vetminë, njësoj si lexuesit dhe shkrimtarët. Filloi si një marrëdhënie pune, por u bë më shumë se kaq, diçka më e thellë. Macet përfundimisht u bënë pjesë e pandashme e përvojës që kanë njerëzit me libraritë, një motiv i vogël pse parapëlqen të shkosh në librarinë lokale se sa të blesh librin në internet. Sigurisht, jo çdo librari e madhe ka një mace që sillet vërdallë; por për ato që i kanë, macet janë një pjesë e rëndësishme e asaj që i bën këto dyqane të shkëlqyera (së bashku me, siç dihet, librashitësit dhe vendet e rehatshme për t’u ulur e për të lexuar).
Sigurisht, nëse do të pyesnit macet, do t’ju thoshnin se ato kanë qenë kryesoret në librari, dhe natyrisht një përgjigje të tillë mund të presësh nga ato specie që një herë e një kohë kanë arritur statusin e perëndisë.