More
    KreuLetërsiBibliotekëProza të shkurtra nga Shazim Mehmeti

    Proza të shkurtra nga Shazim Mehmeti

    SHPATA

    Kam prerë koka e koka…

    Kam prerë kokën e Karlit zulmëmadh, kokën e kokëfortit Rikard, kokën e Ibën Kalimit të kuq të Arabisë, kokën e Abdulullah Flokëgjatit, kokën e mongol Tinean Taimunit …

    Kam prerë koka gjeneralësh që s’ua kujtoj emrat. Kam prerë kokat e mijëra ushtarëve, që në luftëra të barabarta e të pabarabarta, dhanë jetët e veta për asgjënë, duke luftuar e duke u qëndruar besnikë (deri në të fundmen sekondë të frymës), mbretërve të rremë e të lavdishëm, që kishin patur veç një synim të vetëm: lavdinë e vetes. 

    Kam prerë koka të zbardhura pleqsh të mbarë e njerëzish të pafajshëm e  të qëndrueshëm, që përpara barbarisë sime, nuk u ka lëvizur qerpiku, por i kanë zgjatur qafat dhe e kanë kërkuar shpëtimin e përtejshëm, në përmendjen e emrit të një Zoti të Vetëm.

    Kam prerë edhe koka hajdutësh, koka kopukësh, koka mashtruesish e rrëmbyesish të shumtë – historia është përplotë e mbushur, me mashtrues rrugësh e hajdutë burrështetas.

    Kam prerë koka heronjsh, në histori librash, që mëpastaj i dogjëm, kur e përdhunuam bibliotekën e famshme të Babilonisë, ku, – e pranoj – jam munduar fort, duke ngarë pas një miu të vogël e hidhnak, që s’e zura kurrë, e që edhe sot e kësaj dite më dhemb, pse s’arrita ta zë, t’ia pres kokën atij minoku.

    Historia ime është e gjatë, shumëshekujshe, ndaj po t’i përshkruaja gjithë prerjet që kam bërë, edhe po aq shekuj do më duheshin për ta mbaruar rrëfimin.

    Dua t’ju them se, ka ca vite që më kanë ngujuar në këtë muze, ku tri unaza të hekurta më mbërthejnë për muri. Është tepër mizore jeta e një shpate; edhe më mizor, mbërthimi.

    Siç e shihni, unë tani e vuaj vertikalen e këtij muri të ftohtë. Jam me kokë teposhtë në këtë boshësi të lodhshme. Errësira është e padurueshme; të padurueshëm janë edhe shikimet e njerëzve që vijnë të më vizitojnë, edhe të ftohtët po aq shumë.

    Arrij, disi, t’i përballoj shikimet dyshimtarë të njerëzve, arrij disi, ta përballoj të ftohtët dhe errësirën…

    Ç’s’mund të duroj, ç’m’i ha nervat e më bën të vuaj, është ai mi i zi (s’ka dyshim se është pikërisht ai miu i bibliotekës së Babilonisë, që e ngava e s’e zura kurrë), që më vjen natë për natë, e më zgërdhihet mu përpara hunde, duke m’i treguar ata dhëmbë të vegjël e të bardhë, sikur do, të më thotë se, triumfi që mbahet mend, historia që mbijeton, është vetëm ajo e minjve.

    Në mut i pasha, triumfin dhe historinë… Unë veç dua të shpëtoj nga ai mi mizor, që, për çdo natë, më vjen, para mëngjesit, ngjitet për muri me ato këmbë të vockla, më ndalet mbi trup dhe më pëshurr sa t’i dojë zemra!…

    Shpirti më ka ardhur majë hunde!…

    Në mut e pasha, lavdinë e gjakut, lavdinë e shpatës!…


    BABAI

    Dy duar, dy degë të thara, që kapen në trungun e një peme dhënëmadhe.

    Tashmë, ç’kapin ato dy duar, janë thërrima të mbetura jetese – copëza dridhjesh e mundimesh në ardhje – që urdhëri i një çasti të vetëm do t’i zhbëjë.

    Që koha është e bërë prej djerrse, këtë më së miri e dijnë, pema, mishi, palca dhe kurrizi.

    Uji është djersa e mbijetesës që pandaras kumton për diç të rëndë.

    Njoh një njeri, që qan në heshtje, për mendimin e ikur dhe për pemën e tharë.

    E njoh edhe shemrin e tij të kërrusur, përgjatë kurrizit të të cilit, akoma, rrjedh Nili.


    DHEMBJE ËSHTË, CILADO LINDJE…

    Ujku, qengji, lindja, dhe metafora e vrimës, përtej  vaut të nëndijes, ku kurrizi i ditës lakohet si pemë.

    Dhembje është cilado lindje, cilido shtërzim. Çdo muri, i rri mirë një vrimë.

    Çasti është ama e lëngësht e mendimit. Kush atë përligj, ka gjasa ta provojë limfën e agimit.

    Lindjen  e vetes, kush s’arrin ta shohë, etet, dëshirueshëm, për syrin e dritës.

    Lë gjurmën mbi ëndërr, veç ai që edhe natën e përligj si veten.

    Dëshirimi është zog, që gjithnjë mbikalon një mur.

    Çdo ditë që vjen, është një tjetër mur…


    E SHELBON ÇASTIN, NJË NJERI…

    E shelbon çastin, një njeri, dhe i fut, një grusht, tjetrit që ka pranë.

    Po njëherësh, po të njëjtin e përqafon si vëllaun, dhe i thotë, – të dua.

    Gjithë sa vijnë e gjithë sa janë, mendimet (edhe ato të asaj krizanteme, që zgjat qafën atje në kopsht), e kanë logjikën e rrjedhjes së domosdoshme.

    Dihet, më!: logjika rrjedhjen e ka në zanafillë, siç e kanë në zanafillë, historia gjakun, dhe gjaku historinë.

    Mes foshnjërisë njomake të një njeriu të mbarë, dhe pleqërisë së thellë, ku e pret plogështimi i pashmangshëm, verbimi, apo (mos, o Zot!) vdekja, ka një rrjedhje që na mëson.

    Kontinenti i ri i dëshirimit (që, për ironi, këtu, ju menjëherë do ta sillni ndër mend Amerikën), Botës së Vjetër, pash më pash, ia fut logjikën e ngarjes vëllazërore: Afrikës dhe Azisë, ngaqë kanë ngecur keq te foshnjëria, dhe nënës Evropë, ngaqë e ka molepsur mplakja. 

    – Këtu është Afrika!… Këtu është Afrika!… –  thotë, përsëritshëm, shelbuesi i këtij çasti, dhe ia nis të qarës.

    Lunaku  shelbues! Sapo ka marrë – si gjithnjë – një tjetër shuplakë, prej vetes!… 


    E PRET, NJË NJERI, TRUPIN E DITËS…

    Copë – copë, e pret, një njeri, trupin e ditës…

    Sapo e mbaron copëtimin e mundimshëm, po ai njeri, kthehet, i mbledh copëzat e prera të po asaj dite, dhe i qep, një pas një, me një gjilpërë të vogël.

    Duhen shumë endje, duhen shumë penj; trupi i ditës është i madh, edhe më i madh harrimi.

    Në këso raste – si rrugëdalje – patjetër duhet pohuar kalërimin e bukur të një kali, mbi kalorës. Pra, kalë mbi kalorës. Afër është Afrika, dhe veçse i tillë mund të duket shpëtimi. Ose…

    Ja, aty, ku takohen dy drejtëzat e atij fundmuri, ka ngritur shtëpizën një merimangë e mbarë. Prapa një pike të vetme, gjithë universi dridhet.

    Që, prapa një merimange të vogël gjendet gjithë shpëtimi, kjo është gjë që s’kontestohet. Tashmë, të kontestueshme mbeten, veç lakoret e mendimit, lakoret e ditës, edhe shikimi.

    Tjetër gjë është simetria e shpikur.

    Tjetër gjë është gjeometria e çastit, që pjell absurdin…


    NDRIT ÇASTI I SHPOTISË?…

    Ndrit çasti i shpotisë, në betejën e pambarimtë të frymës.

    Si qerpikë kaprolli përpëliten e shumëfishohen lulkat e hiçit. E bardha të kaltërtën e kalëron.

    Zogj  fluturues, zogj të fosfortë, sqepash fërkohen me rétë, e ndezin qiellin.

    Digjet gjoks i ditës, por s’mbaron, veç me atë përflakje, fluturimi.

    Çast për çast, në bishtin e vdekjes, këtej e më këtej, flakësh kuqlohet shpina e këtij lumi, ku mbytet e jepemerr me frymën, i vonuari i ëndërrt.

    Ngujuar në breg, si fakir i mejtuar, e shikoj vetveten në të vonuarin që mbytet, dhe fundin e ëndrrës e përjetoj. Në tjetrin breg, më gajaset shemri.

    Hëpërhë, plas veç lepuri i barkut të atij hënori, që me valë e flakë, lufton në lumë, për mbijetesën.

    Këndojnë e qeshin, djajt në tjetrin breg, dhe vazhdojnë ta ushtrojnë aktrimin!!!…

    Ndrit çasti i shpotisë, a pasqyrimi i saktë i fatit?…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË