More
    KreuOpinionProf. Dr. Rami Memushaj: Kur kritika në shkencë përdoret si mjet linçimi...

    Prof. Dr. Rami Memushaj: Kur kritika në shkencë përdoret si mjet linçimi (Polemikë e detyruar me filologun Xhevat Lloshi)

    1. Po bëhet më shumë se gjysmë viti nga botimi i librit të Xh. Lloshit “E duam drejtshkrimin si gjithë Europa”, të cilit autori i ka bërë një reklamë të madhe duke e shpërndarë me autograf, duke e postuar me imejl, duke e hedhur në internet dhe duke e paraqitur në konferenca shkencore e në emisione televizive. Këtë libër autori e paraqet si veprën e tij të jetës dhe ua rekomandon të tjerëve ta lexojnë, sepse prej tij “do të mësojnë si të shkruajnë”. Po çfarë do të mësojnë prej këtij libri? Përveç tre krerëve dhe përfundimeve, që i përgjigjen pak a shumë titullit të librit, 13 krerët e tjerë merren me kritikën e “Fjalorit drejtshkrimor” të autorëve A. Dhrimo e R. Memushaj, duke e hedhur poshtë këtë vepër dhe duke u përpjekur me të gjitha mënyrat t’i poshtërojë autorët e saj e t’i paraqesë si plagjiatë.

    Ia kemi vonuar përgjigjen për kritikat, akuzat e fyerjet që na bën në këtë libër, duke e lënë kështu t’i gëzohet kryeveprës së vet. Po pa përgjigje nuk mund ta linim, aq më tepër që përbaltet emri i një gjuhëtari që nuk është midis nesh. Si bashkautor i Fjalorit, në këtë polemikë të detyruar do të merrem me gjërat parimore, pa e zhytur lexuesin në gjëra teknike.

    2. Në kreun e tretë me titull “Shpërdorimi i parimit fonetik” kritiku ynë kritikon prirjen për ta larguar drejtshkrimin e shqipes “nga gjuhët e tjera europiane”, që, sipas tij, “e kanë shfaqur me forcë edhe dy gjuhëtarë, të cilët përbetohen në shkrimet e tjera, se mbështesin gjuhën standarde.” (f. 37). Vlerësimi i tij është se ky fjalor nuk është fjalor drejtshkrimor i gjuhës shqipe, por “fjalor allosoj”, “i cili pretendoka se na jepka (duhet: pretenduaka se na dhënka) standardin sot, meqë e paska pasur me të meta Fjalori më 1976.”

    Dhe gjithë fabula fillon e thuret mbi fjalën e anglishtes “e-mail”. Kjo fjalë, thotë kritiku, “është shpjeguar krejt gabim si “letër elektronike” (kuptimi i saj thotë se është “postë elektronike”). Por ai thotë gjysmën e së vërtetës, atë pjesë që i intereson për të ndërtuar fabulën. Në të vërtetë, në çdo fjalor të anglishtes (ku kjo fjalë jepet edhe pa vizë lidhëse), kuptimi i dytë i saj është “mesazh i dërguar me anë të postës elektronike” (a message sent by e-mail). Folësit shqiptarë, kur thonë “të nisa një imejl”, “mora një imejl”, duan të thonë “të nisa një letër elektronike”, “mora një letër elektronike” dhe jo “të nisa një postë elektronike”, “mora një postë elektronike”, sikundër mëton kritiku ynë. Pra, ky kuptim i dytë i intereson folësit shqiptar dhe këtë kuptim kemi dhënë në Fjalor.

    Për sa i përket shqiptimit, nuk është e vërtetë se i e mail shqiptohet j, siç thotë Lloshi. Kemi të bëjmë me zanoren e patheksuar të diftongut ai [ei], që në “Pronouncing Dictionary” (2012) jepet me i: mail [meil]. Edhe në shqipe kjo zanore nuk shqiptohet j, po i, aq më tepër që grupi bashkëtingëllor jl është i pazakontë në shqipe (haset vetëm te krajl). Autorët e Fjalorit zgjodhën pikërisht ta japin këtë fjalë ashtu si shqiptohet në anglishte, duke mos e zbatuar rregullën e drejtshkrimit, sipas së cilës fjalët e shqipes me “ai, ei, oi, ui shkruhen me j kur këto grupe janë në trup të tyre”. Por në botimin e dytë, e kemi dhënë me j, imejl, në përputhje me zgjidhjen e dhënë në një listë anglicizmash të publikuar nga grupi i leksikut pranë Këshillit Ndërakademik.

    Duke qortuar zbatimin edhe në fjalorë të tjerë të parimit fonetik në shkrimin e anglicizmave  (si onlajn, lajv, tuiter),kritiku ynë shtron pyetjen: “po tashti si do t’i bëhet halli me zhvillimet e mëtejshme: e-Albania, e-Kosova, e-inspektimi, e-planifikimi, e-prokurimi, e-qeverisje, e-tatime, e-universiteti?” dhe arrin në këtë përfundim: “Pasoja më e rëndë e shpërdorimit të parimit fonetik është largimi i gjuhës së shkruar shqipe nga gjuhët e shkruara me alfabetin latin të Europës (dhe të Amerikës, të Australisë e diku gjetkë).” (f. 38)

    Por, në të vërtetë, a kemi këtu shpërdorim të parimit fonetik?

    Para se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, do vënë në dukje se rastet imejl, onlajn, lajv, tuiter e të ngjashme janë krejt të ndryshme nga e-Albania, e-Kosova, e-inspektimi etj. Sepse në rastin e parë kemi të bëjmë me huazime, kurse në rastin e dytë kemi fjalë të shqipes me elementin e- përpara, pra nuk lind kurrfarë problemi as për shkrimin dhe as për shqiptimin e tyre. Për sa u përket huazimeve të anglishtes, mendojmë se nuk ka pse bëhen përjashtime vetëm për këtë gjuhë, dmth. nuk ka pse anglicizmat të jepen siç shkruhen. 

    Argumenti i kritikut tonë se, duke i shkruar këto huazime të reja sipas parimit fonetik, shqipja do të largohet nga gjuhët e Europës të shkruara me alfabet latin, është thellësisht i gabuar. Sikur Komisia e Shkodrës dhe komisionet e drejtshkrimit që prodhuan variantet e ndryshme të rregullave në Tiranë e Prishtinë, t’i kishin dhënë huazimet siç shkruhen në gjuhët përkatëse, siç kërkon  kritiku ynë, atëherë drejtshkrimi i shqipes do të ndryshonte fare pak nga ai i gjuhëve europiane që shkruhen me alfabet latin. Por drejtshkrime të tilla do ta kishin hedhur në erë fonetikën dhe morfologjinë e shqipes dhe, bashkë me to, edhe shkrimin e saj.

    Gjuha shqipe u bëri ballë gjuhëve të mëdha të pushtuesve romakë e bizantinë, nën të cilët trevat iliro-shqiptare qëndruan plot 16 shekuj, ndërkohë që gjuhë të tjera të Ballkanit dhe të Europës u zhduken nga faqja e dheut. Arsyen e kësaj mrekullie e ka shpjeguar 65 vjet më parë prof. A. Kostallari, i cili ka thënë: “Shqipja ka një strukturë të tillë morfologjike që, duke futur këtu si ndërtimin e fjalës, ashtu edhe fleksionin, i jep asaj një forcë të madhe asimiluese, dmth. struktura gramatikore e shqipes ka aftësinë për asimilimin gramatikor të elementeve të huaja. Janë të rralla ato gjuhë që kanë fuqinë asimiluese të fjalëve të huazuara si shqipja… elasticiteti i strukturës gramatikore të shqipes ka bërë që kjo t’i bëjë ballë ndikimit të gjuhëve të huaja të pushtuesve. Në vend që të asimilohej, shqipja, përkundrazi, i ka asimiluar fjalët e huaja.”

    Pra, mbijetesa e gjuhës shqipe i detyrohet sistemit të saj gramatikor. Kërkesa e europianistit Lloshi që anglicizmat t’i shkruajmë si në origjinal, shkon kundër strukturës gramatikore të shqipes dhe është me pasoja largvajtëse për natyrën e saj. Po t’i japim huazimet e reja si në gjuhët nga vijnë, atëherë, kur i lakojmë, do ta mbushim tekstin me viza ose, edhe më keq, nuk do të lakohen, sikundër po ndodh aktualisht në ligjërimin e sotëm me këto fjalë, dhe do të hidhet në erë lakimi i emrit. Pra, do t’i vinim kazmën eptimit emëror.

    Ka një rregull drejtshkrimi i sotëm, e cila kërkon që shkrimi i emrave të përveçëm të huaj të “mbështetet përgjithësisht në shqiptimin e tyre në gjuhët përkatëse, duke iu përshtatur sistemit grafik të shqipes” (§ 37). Kjo rregull, të cilën disa gjuhëtarë mendojnë të zhbëhet dhe emrat e përveçëm të shkruhen si në origjinal (me argumentin se kështu janë shkruar para Luftës), duhet të zbatohet jo vetëm në shkrimin e emrave të përveçëm, por edhe në shkrimin e huazimeve të reja të leksikut të përgjithshëm. Nuk mund të kthehemi pas, në kohën kur 80-90% e popullsisë shqiptare ishte analfabete dhe gjuha e shkruar ishte pronë e një grushti intelektualësh. Në ditët tona, falë shkollimit masiv, gjuha standarde është demokratizuar, kështu që norma e saj drejtshkrimore duhet t’i përgjigjet nivelit kulturor të masës së gjerë të përdoruesve të saj.

    Pra, thirrja për një drejtshkrim si gjithë Europa është thjesht një parullë spekulative. Çdo gjuhë europiane ka drejtshkrimin e vet, nuk ka një drejtshkrim të vetëm europian. Drejtshkrimi i disave prej tyre mbështetet në parimin historik-tradicional, i disa të tjerave në parimin fonologjiko-morfologjik, kështu që rregullat drejtshkrimore janë të ndryshme. Ato zgjidhje në drejtshkrimin e shqipes që përputhen me ato të gjuhëve romane e gjermanike, nuk janë prekur nga autorët e Fjalorit drejtshkrimor. Madje, orientimin perëndimor autorët e kanë theksuar, duke këshilluar shkrimin me u dhe jo me v të fjalëve me rrënjën euro. Por nuk mund të sakrifikohet gjuha duke i shkruar anglicizmat e reja ashtu siç shqiptohen, për t’u dukur sa më anglofilë në drejtshkrim. Sepse kështu do të shkatërronim strukturën gramatikore të gjuhës sonë. 

    3. Në një fjalor me 75 mijë zëra si “Fjalori drejtshkrimor” (2011) dhe me 81 mijë zëra në botimin e dytë (2015), pa dyshim që do të gjenden edhe gabime e lajthitje, këto kryesisht në shpjegimet e kuptimeve dhe në trajtat e disa lemave. Një pjesë të tyre autori i këtij shkrimi i ka ndrequr në botimin e dytë të përmirësuar e të zgjeruar. Ato vërejtje që qëndrojnë, edhe pse të bëra me një frymë dashakeqe, do të na shërbejnë për ta përmirësuar fjalorin në botimin e tretë të tij. Duke mos u përfshirë në polemika për çështjet për të cilat nuk pajtohemi me kritikun tonë, këtu do të merremi me disa konstatime të pavërteta, me akuza dhe fyerje të tij.

    Së pari, Lloshi e quan fjalorin tonë “allosoj”. Po t’i kishim marrë lejë këtij kritiku të fjalorëve, fjalori ynë do të kishte dalë ndryshe. Por ne u udhëhoqëm nga bindja se një fjalor, sa më shumë informacion të ketë, aq më i dobishëm do të jetë për përdoruesin. Të nisur nga kjo bindje, fjalët që nuk i kanë fjalorët shpjegues të shqipes ose që i ka vetëm njëri prej tyre, i kemi shpjeguar fare shkurt; krahas kësaj, huazimet që janë sinonime absolute, i kemi referuar te fjala shqipe. Këtë të fundit e kemi bërë për të ndihmuar përdoruesit t’i shmangin sa të jetë e mundur më shumë huazimet e panevojshme, një prirje që ka karakterizuar pastrimin e leksikut të shqipes që nga Rilindja e deri sot.

    Gjatë hartimit të fjalorit, ne patëm mbi tryezën tonë të punës fjalorë drejtshkrimorë ose drejtshqiptimorë të gjermanishtes, anglishtes, rumanishtes, rusishtes e të maqedonishtes. Nga këta, morëm si model fjalorin drejtshkrimor “Duden” (2009), i cili përdor rrokjezimin, po edhe shpjegimin e kuptimit të fjalëve, madje jep edhe fushën e përdorimit të disa syresh. Pra, ndarja e fjalëve në rrokje në fjalorin tonë nuk është “një mashtrim optik për të mbuluar plagjiaturën e plotë nga Fjalori i vitit 1976”, sikundër akuzon kritiku.

    4. Lloshi thotë se “FDA është një plagjiaturë, kundër së cilës duhej të kishte ngritur padi Instituti i Gjuhësisë e i Letërsisë. Lënda e tij është marrë tërësisht nga Fjalori i vitit 1976 dhe nga fjalorë të tjerë të Institutit të Gjuhësisë” (f. 168), ndonëse ca faqe më parë thotë se “kanë marrë kallëp fjalësin e fjalorëve të A. Dhrimos shqip dhe gjermanisht” (f. 155). Ashtu siç pohon pa dashur kritiku ynë, bazën e fjalorit tonë e përbën fjalësi i “Fjalorit shqip-gjermanisht” (2005) të prof. A. Dhrimos, që ka 50 mijë zëra. Këtë fjalës e kemi plotësuar me fjalë të marra nga fjalorët shpjegues të shqipes dhe nga fjalorë dygjuhësh, të cilët i kemi përmendur në bibliografi, po edhe me njësi të vjela nga ligjërimi i shkruar dhe i folur. Por nga Fjalori drejtshkrimor i 1976 nuk kemi marrë fjalë, pasi kishim fjalësin tonë dhe fjalorët shpjegues të 1980-s, 1984-ës, 2002-shit dhe të 2006-s.

    E kemi konsultuar Fjalorin e 1976-s për informacionin gramatikor, por fjalori ynë është shumë më i pasur edhe në ketë aspekt. Ai jep shumë më tepër forma foljore të foljeve të parregullta dhe me alternime; për mbiemrat jep edhe format e shumësit, ndërkohë që fjalorët shpjegues dhe FD 1976 kanë vetëm dy format e njëjësit; po ashtu, edhe për përemrat e lakueshëm në fjalorin tonë jepen më shumë forma. Pra, edhe në këtë pikë Fjalori ynë ndryshon nga Fjalori i 1976-s dhe nuk mund të bëhet fjalë për plagjiaturë, se nuk kemi pasur çfarë të kopjojmë.

    Deri më sot fjalorët e shqipes janë hartuar duke u mbështetur në fjalorët paraardhës. Kështu do të vijojë edhe më tej, përderisa gjuha jonë nuk ka një korpus elektronik të plotë, siç kanë gjuhët e mëdha të Europës, nga i cili të merren fjalët sipas një shkalle të caktuar të frekuencës së përdorimit të tyre. Nuk mendojmë se përbën plagjiaturë të marrësh ca dhjetëra fjalë nga një fjalor. I vetmi fjalor nga i cili kemi marrë qindra e qindra zëra, është “Fjalori shqip-serbokroatisht” (1981) i Institutit Albanologjik të Prishtinës, por as këtu nuk mund të flitet për plagjiaturë, derisa përqindja e huazimit është nën normën e lejuar dhe burimi është cituar.

    Kritiku sjell lista fjalësh për të cilat thotë se nuk ekzistojnë, lista fjalësh nga turqishtja, nga greqishtja, nga italishtja, nga gjuhët sllave (ndër to ka edhe fjalë të shtuara prej kritikut), duke thënë se ky fjalor “mbështet fyerjen që gjuha shqipe është një gjuhë e përzier” (f. 117). Pa u marrë hollësisht me këto lista, po mjaftohemi të themi se nuk ka fjalë të shpikura nga autorët, të gjitha fjalët janë marrë nga fjalorët e cituar. Pra, janë fjalë që gjallojnë në gjuhë dhe jo fjalë të shpikura për të shtuar numrin e zërave, sikundër mëton kritiku. Për sa i përket asaj që në fjalor mungojnë fjalë që përdoren në ligjërim (kritiku sjell një varg fjalësh që nisin me shkronjën k), kjo vjen ngaqë kemi dhënë ato fjalë që japin fjalorët e shfrytëzuar apo që kemi mundur të vjelim vetë. Nuk mëtojmë aspak se e kemi shteruar vjeljen e fjalëve, gjë që nuk mund ta bëjë askush me mënyrën tradicionale. Vetëm një korpus elektronik i plotë i shqipes do t’i shpëtojë hartuesit e fjalorëve të shqipes nga këto mungesa. Pra, nuk mund të akuzohen autorët e fjalorit drejtshkrimor se u mungojnë këto ose ato fjalë, përderisa këto njësi nuk i kanë fjalorët e tjerë ose nuk i kanë hasur në literaturën e vjelë.

    Akuza për plagjiaturë thellohet edhe më. Kështu, akuzohemi prej kritikut se nuk kemi cituar edhe disa fjalorë terminologjikë. Kështu, në f. 130 ai shkruan: “Nuk e kanë cituar Fjalorin e kimisë të autorëve të nderuar Dh. Haxhimihali, H. Haxhi, H. Karagjozi, Skënder Durrësi, botuar më 1984. Por kanë kopjuar prej tij terma sa u ka dashur qejfi, duke kujtuar se nuk do të zbulohet një plagjiaturë e tillë.” Dhe, për ta konkretizuar akuzën e tij, sjell shembuj nga shkronjat S e T. Mirëpo, pas një këqyrjeje një për një të fjalëve që Lloshi i numëron si të vjedhura, del se shumica e këtyre fjalëve gjenden në “Fjalorin shqip-serbokroatisht” (1981), një pjesë tjetër në Fjalorin shqip-gjermanisht të A. Dhrimos dhe vetëm sitosterol, sterol, tebainë, teknec e torium janë marrë prej fjalorësh të tjerë ose nga tabela e elementeve kimike, por jo nga fjalori i kimisë. Këtë fjalor terminologjik e kemi shfletuar gjatë përgatitjes së botimit të dytë, në të cilin edhe e kemi cituar. Pra, edhe këtu provohet se kritiku ynë i gjithëditur, që nuk i di të gjitha, mashtron me qëllim që t’ua rëndojë peshën e fajit viktimave të tij.

    Më tej, ai na akuzon se, “përveç Fjalorit të kimisë, që e citova tashmë, duke e fshehur burimin kanë marrë me dorë të lirë prej veprave të autorëve të tjerë të shquar, si M. Demiri, I. Mitrushi, P. Paparisto, Xh. Qosja, J. Vangjeli, M. Selenica, nga ‘Peshqit e Shqipërisë” etj. Mund ta vërtetoj se p.sh. fjalën kreza e kanë marrë nga botimi i Florës i vitit 1988; dardilivani është marrë nga M. Demiri etj.” (f. 167-168) Përsëri i gjithëdituri ynë gabon. Emrat e peshqve janë marrë nga “Oxford Albanian-English Dictionary” (2005) i Leonard Njumarkut, kurse krezë dhe dardilivan nga “Fjalori shqip-serbokroatisht”.  Pra, edhe këtu kritiku ynë mashtron si pa të keq.

    Dhe mashtrimet vazhdojnë. Në f. 151 kritiku i fjalorëve thotë se kemi dhënë shumësin kallëpa. Por në f. XXXII dhe 336 të botimit të 2011-s, në vend të trajtës normative kallëpë, kemi propozuar trajtën kallëpe; kurse në f. 451 të botimit të 2015-s kemi vetëm shumësin kallëpë. Pra, shumësi kallëpa është shpikur nga autori për të na e rënduar edhe më barrën e fajit.

    Një njeri normal kurrë nuk do të arrinte të nyjëtonte akuza të tilla të paqena, të cilat fare mirë mund të bëheshin edhe objekt padie në gjykatë. Sigurisht, nuk iu drejtuam gjykatës, duke ia lënë lexuesit të gjykojë se kush gënjen.

    5. Duke mos u mjaftuar me kaq, kritiku ynë përpiqet t’i rëndojë autorët e fjalorit edhe me akuza kinse patriotike. Kështu, duke iu referuar foljeve me zanore + -t, ai thotë: “I kanë kthyer në FDA sa kanë mundur me -t foljet që shqiptohen me -s në vetën e parë (që të jenë sa më afër formave të gjuhëve sllave)… Unë nuk do të shkruaj asnjëherë “unë përgatit”, sepse nuk dua të jetë si serbisht prigotoviti, as si rusisht prigotovit.’” (f. 44) Ne në botimin e parë të fjalorit foljet e kësaj klase i kemi dhënë edhe me -t, edhe me -s, ndërsa në të dytin kemi dhënë vetëm trajtën me -t, duke u mbështetur në zgjidhjen e bërë nga gramatika akademike, e cila e ka njësuar paradigmën e së tashmes së këtyre foljeve duke pranuar edhe për vetën e parë trajtën me -t ( “Fonetika dhe gramatika e gjuhës së sotme letrare shqipe”, 1976, f. 240). Pra, gramatika e tradhton zellin patriotik të kritikut tonë. Apo mos do t’i akuzojë dhe autorët e saj si sllavofilë?! Dhe gramatika historike ka provuar se fundorja e temës së foljeve të kësaj klase ka qenë -t, një -t e trashëguar, jo e huazuar prej gjuhëve sllave. Do apo s’do kritiku filolog antisllav t’i shkruajë këto folje me -t në vetën e parë njëjës të së tashmes, kjo është puna e tij, por norma është me -t. Dhënia edhe e variantit me -s në fjalorët e botuar nga Instituti i Gjuhësisë, duke shkelur normën morfologjike, na duket e gabuar, sepse shtohen pa nevojë variantet, ndërkohë që, duke filluar qysh me Sheperin, në gramatikat e shqipes kishte filluar të mbizotëronte tema me -t e këtyre foljeve, derisa në gramatikën akademike paradigma e së tashmes së këtyre foljeve u njësua përfundimisht.

    Për t’i fundosur viktimat e tij, kritiku ynë i drejtohet edhe fesë e censurës. Duke marrë fjalën “Allah”, që autorët e fjalorit e kanë referuar te fjala “Zot”, ky thotë se “u jeni kundërvënë një miliard myslimanëve në botë” (f. 112). Se ç’punë kanë myslimanët e botës me gjuhën shqipe, këtë vetëm ky islamik i thekur e di. Kjo shprehje e tij nuk mund të mos merret si thirrje imamëve e fanatikëve për t’i ndëshkuar këta dinsëzë” që kanë fyer një të shtatën e botës! Dhe si namatisës lëshon nëmën “Allahu ju marroftë!”

    Po nuk mjaftohet me kaq. Ky fjalor duhet dënuar me ligj, thotë kritiku, dhe kërkon nga Ministria e arsimit (duhet: Arsimit) “t’u përcjellë mësuesve dhe pedagogëve rekomandimin, që të mos e përdorin FDA, sepse sjell pështjellime në shkolla” (f. 168-169). Pra, si në mesjetë, i kërkon censurës ta djegë këtë fjalor në turrën e druve dhe autorët e tij të dënohen “me ligj”!

    Në të vërtetë, fjalori nuk sjell asnjë pështjellim. Së pari, se në shkrimin e fjalëve është zbatuar norma fonetike, drejtshkrimore dhe morfologjike. Edhe vetë kritiku linçues nuk përmend ndonjë gabim të këtyre natyrave; së dyti,  që në krye të sythit “Fjalët dhe trajtat e tyre që shkruhen ndryshe” kemi theksuar që “në ligjërimin me karakter zyrtar, publik dhe akademik duhen përdorur trajtat normative” (f. XXVII), dmth. trajtat e shkruara me të zeza.

    6. Si dikush që del nga një gjendje e gjatë kome në vitin 2022 dhe nuk di ç’ka ndodhur gjatë kohës që ka qenë në gjumë, Lloshi merr një fjalor të botuar jo pak, por 11 vjet më parë, duke u tallur me propozimet e autorëve, ndonëse pjesa më e madhe e tyre nuk janë kundërshtuar nga askush. I kujtojmë kritikut tonë se ky fjalor u botua pas përplasjeve që kishim pasur në komisionin e drejtshkrimit me palën e Prishtinës, e cila ishte për ndryshime të thella të drejtshkrimit. Pas konferencës së Durrësit në dhjetor 2010, të nxitur e të sponsorizuar nga qeveria e Berishës, edhe nga pala e Tiranës u propozuan ndryshime që preknin mbi 12-16% të fjalësit të fjalorit shpjegues. Propozimet tona në Fjalorin drejtshkrimor qenë një reagim ndaj këtyre përpjekjeve për ndërhyrje të thella në normën drejtshkrimore. Ne paraqitëm në fjalorin tonë një listë prej 455 njësish që propozonim të shkruheshin ndryshe (më pak se 1% e fjalorit aktual), duke theksuar: “Këto ndryshime janë, sipas nesh, caku përtej të cilit nuk mund të ndërhyhet në normën drejtshkrimore të shqipes standarde. Por pranimi i tyre dhe kthimi në normë varet, në fund të fundit, nga tumirja prej planifikuesve gjuhësorë.”

    Trajtat e propozuara për t’u shkruar ndryshe i paraqitëm në një listë në pjesën e Hyrjes, po i vendosëm edhe në fjalor, duke i shkruar me të kuqe dhe duke i vendosur para trajtave normative gjegjëse.  Një pjesë e tyre janë fjalë që në fjalorët shpjegues janë dhënë në thyerje të normës drejtshkrimore; fjalët me rrënjën euro; shumësa me që duhen dhënë me -a ose me -e, sepse me këto prapashtesa përdoren (p.sh., jo fishekzjarrë po fishekzjarre, jo kedhë po kedha, jo kobë po kobe etj.); grafi savante që mendojmë se duhen thjeshtuar etj. Një pjesë të mirë të propozimeve e përbëjnë ato për shkrimin pa ë fundore të emrave mashkullorë të tipit djalë, lumë, brumë etj., duke kërkuar në këtë mënyrë fshirjen e  rregullës 8b (f. 51) të “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe”. Pra, shkrimi ndryshe i 455 njësive prekte vetëm një rregull të drejtshkrimit. I njëjti propozim ishte bërë edhe nga grupi i Prishtinës, edhe nga pala e Tiranës në Konferencën e Durrësit. Por kritiku ynë u vërsulet autorëve të fjalorit, të cilët vetëm se e konkretizuan në fjalor këtë propozim. Më duhet të shtoj se, me gjithë mospranimin sot të kësaj zgjidhjeje, të propozuar edhe nga gjuhëtarë të tjerë (Domi 1972, Demiraj (sipas J. Thomait), Hysa 2002, Bokshi 2006 etj.), nuk do të jetë shumë e largët koha kur këta emra do të integrohen në klasën e emrave mashkullorë me temë më bashkëtingëllore. Kurse rastet e takimit të ll-së me l, si te ballëlart, do të zgjidhen ashtu si janë zgjidhur përreth, katërrokësh, kundërrymë etj. ose duke e lënë ë-në, dmth. duke i shkruar këto fjalë sipas parimit historik-tradicional. Dhe atëherë kauza që mbron me kaq zjarr Lloshi, do të bjerë.

    7. Pas gjithë këtyre që parashtruam më sipër, mendojmë se libri “E duam drejtshkrimin si gjithë Europa” nuk është frymëzuar nga motive shkencore, por nga motive inatçore. Pas librit të B. Becit “Një libër që s’do të doja ta shkruaja”, në të cilin autori i tij shan kolegët e Institutit me të cilët ka punuar 30 a më shumë vjet, ky libër i Lloshit është i dyti në historinë e gjuhësisë sonë që hedh baltë mbi punën dhe emrat e gjuhëtarëve. Duke e hequr veten si Zeusi i letrave shqipe, ai u lëshon rrufe përvëluese atyre që nuk kanë marrë lejen e tij për të shkruar, madje u heq edhe të drejtën për të shkruar, siç mund të shihet nga lista e gjatë e autorëve të cilëve u jep leje krijimtarie (f. 34-35). Njëlloj si prokurorët e dikurshëm, që, për ta fundosur viktimën, i sajonin provat në tryezë, edhe ky akuzon për plagjiaturë, sajon fjalë e forma fjalësh që nuk gjenden në fjalor, trash akuzat për shumë aspekte të fjalorit, flet për hile e dredhi dhe bën thirrje për linçimin e autorëve të tij, duke iu drejtuar namatisjeve, fesë dhe censurës.

    Duke mos u mjaftuar me kaq, ai i kthehet fjalorit rrugaçëror, duke i quajtur autorët “palo gjuhëtarë”, veprën e tyre “paçavure” dhe duke i quajtur “broçkullisje” pohimet e arsyetimet e tyre për një varg çështjesh të normës drejtshkrimore. Ai arrin deri aty sa të fyejë të ndjerin Ali Dhrimo, duke i marrë me radhë veprat e tij, madje dhe një artikull të vitit 1987 (kur kritiku ynë ishte i vogël!). Kjo sjellje dëshmon se këtij njeriu i mungojnë ndjenjat më elementare njerëzore. Pse nuk shkroi atëherë një artikull që ta kundërshtonte zgjidhjen që jepte Dhrimoja, por kujtohet pas 36 vjetësh?! E përmend tani, sepse i duhen sa më shumë akuza për të poshtëruar dikë që nuk mund t’i përgjigjet dot! Sjellje më të ulët nuk mund të ketë!

    Ky njeri që na akuzon për plagjiaturë, është vetë përvetësues i punës së të tjerëve. Në f. 40 të librit të tij, ai thotë: “kemi përgatitur dy vëllime me titullin “Propozime për drejtshkrimin“ (Ppd), që u botuan më 2021 nga ALSAR në Tiranë dhe më 2022 nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup”. Kështu thotë edhe në një kumtesë të mbajtur në nëntor të vitit të kaluar. Por në emisione televizive e kemi dëgjuar të thotë në njëjës “kam përgatitur”. Në të vërtetë, këto dy vëllime i ka përgatitur autori i këtij shkrimi, i ndihmuar me materiale edhe nga prof. Emil Lafja, prof. Lulëzim Lajçi e prof. Kujtim Kapllani dhe dr. Valbona Sinanaj. Lloshi vetëm i ka lexuar materialet e përgatitura prej meje, duke sugjeruar heqjen e disa artikujve dhe shkurtimin e pjesëve teorike të disa të tjerëve. Është arritur deri aty sa në botimin e ALSAR-it, me pëlqimin a miratimin e tij, si përgatitës i dy vëllimeve del një imam dhe ky si redaktor, ndërsa atyre që e jetësuan këtë projekt, u janë fshirë emrat! 

    Thonë se vepra zbulon karakterin e autorit. Kjo provohet edhe me këtë libër, ku ky përbaltës nuk kursen as të vdekurit. Nuk presim prej tij që të kërkojë falje për akuzat e rreme dhe për fyerjet që na ka bërë. Përkundrazi, e nxitim t’i vihet punës për të bërë një vepër të plotë kundër fjalorit tonë drejtshkrimor, siç thotë në librin e tij, në të cilën të shprazë gjithë vrerin që i është mbledhur.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË