Romanet e Raimondës janë sa të ndryshëm edhe të ngjajshëm me njëri-tjetrin. Janë të ndryshëm se lindin nga një tharm jetësor që e shtyn autoren të përtërijë gjithnjë veten ashtu si përtërihet toka çdo pranverë. Janë edhe të ngjajshëm se limfa e tyre ushqehet nga po ato rrënjë, nga po ai individualitet krijues me veçoritë e veta të papërsëritshme. Kanë disa tema që rikthehen si tema e individit që lufton me mjedisin ose shtypet prej tij, të gruas viktimë tragjike ose luftëtare për të afirmuar vetveten dhe në ndonjë rast figurë që shpreh këto dy aspekte të kundërta, tema e të moshuarve si bartës të urtësisë popullore dhe të traditave më të mira, tema e dashurisë – pasion si forcë shkatërruese ose si katarsis, tema e pushtetit shkatërrues të parasë.
Romani “Shëmtia” është i gjashti në këtë lloj rrëfimtar të gjatë dhe që nuk mbyllet dot në kornizat e një përkufizimi të prerë, një lloj që si pohon me të drejtë Kundera, ka zbuluar për herë të parë relativizmin e së vërtetës, që ka përjetuar disa “vdekje” dhe disa ringjallje.
A është vallë më i përsosuri nga vëllezërit e vet? Dikush do të thotë “po”, dikush “jo”, ne ngurrojmë të japim një përgjigje të prerë. E befason, ç’është e vërteta, edhe një herë lexuesin me personazhet e vet që s’janë individë të copëzuar të cilët dëshmojnë për një shkatërrim të ngadalshëm të personalitetit, po karaktere të plota dhe të ndërlikuar në të cilat ndërthuren e mira dhe e keqja, forca dhe dobësia, po që në fund e zbulojnë thelbin e vet.
Romani është i strukturuar në bazë të antitezës midis dy karaktereve kryesore ku ndërthuren shëmtia dhe bukuria, shëmtia e jashtme me bukurinë e brendshme tek protagonistja dhe në të kundërt bukuria e jashtme fizike me shëmtinë shpirtërore te personazhi tjetër bashkekzistues dhe antagonist.
“Shëmtia” ndjek evolucionin shpirtëror të protagonistes nga fëmijëria te një rini që i paraprin pjekurisë, biologjike dhe shpirtërore. Ky lloj ka disa elemente të “romanit të formimit” që u shfaq mjaft vonë në romanin shqiptar. Është një roman edhe realist edhe modern që e shfrytëzon retrospektivën me mjeshtëri. Lexuesi ndeshet në fillim me Kadrijen e pjekur dhe të realizuar për t’iu rikthyer vogëlushes që vuan nga kompleksi i shtypjes nga mjedisi dhe njerëzit, të rrethuar nga një anë me dashurinë e ngrohtë familjare të prindërve dhe gjyshes dhe të sulmuar nga ana tjetër nga egoizmi i njerëzve, e pajisur me një zemërgjerësi dhe aftësi të madhe për sakrifica nga të cilat përfitojnë individët manipulues, e mençur, po edhe naive pikërisht nga mirësia dhe besimi te njerëzit, nga dëshira për të zbuluar tek ata vetitë e mira dhe për t’i riedukuar.
Ajo sheh te njeriu që dashuron disa veti të mira si një zgjuarsi të natyrshme dhe natyrën gazmore; bukuria fizike e tij i ngjan sikur është refleks i një bukurie shpirtërore në të çelur e sipër. Edhe lexuesi sheh në fillim tek ai viktimën e një edukimi të gabuar që ka mundësi të përjetojë katarsis.
Vepra është ndërtuar mbi një rrëfim në vetë të tretë që jep iluzionin e objektivitetit. Rrëfimtari di po aq sa personazhet, madje në disa momente më pak sesa protagonistja, kështu që lexuesi befasohet hera-herës, madje në fund të romanit përjeton bashkë me protagonisten zhgënjimin e fundit të saj që e çliron përfundimisht nga iluzionet.
Autorja ka zgjedhur pikërisht atë teknikë rrëfimi që i jep mundësi të zbulojë hap pas hapi rritjen shpirtërore të protagonistes dhe degradimin e ngadalshëm shpirtëror të personazhit tjetër, ta befasojë lexuesin, po edhe ta bëjë të thellohet, çka s’do të ishte e mundur me një rrëfimtar të gjithëdijshëm ose me një rrëfimtar në vetë të parë.
Alternimi i kohëve të bën të shohësh nga një anë vajzën e pjekur, nga tjetra fëmijën dhe adoleshenten e goditur nga fatkeqësi të njëpasnjëshme në të cilat pasqyrohen shqetësimet e mëdha historike të atdheut, regjimi diktatorial dhe kaosi i pasdiktaturës. Ky i fundit theksohet më tepër dhe në atmosferën e të cilit shfaqen viktima të reja të ndryshimit të politikës, viktima po aq të pafajshme sa të persekutuarit e diktaturës dhe një pushtet i ri që s’ka më formën e dhunës së egër, po një shkëlqim mashtrues, shkëlqimin e parasë. Ky pushtet i ri e shton dyfytyrësinë e njerëzve.
Protagonistes i duhet të jetojë në dy periudha të kundërta dhe që e shtypin secila në formën e vet individin dhe të ndeshet me to duke pasur si armë të vetme luftën për dije dhe vlerat njerëzore. Së fundi ajo arrin një fitore relative duke u afirmuar me anë të shkencës, po është një fitore e hidhur që realizohet me çmimin e largimit nga atdheu.
Ajo arrin edhe në një fitore morale duke ruajtur vlerat njerëzore të besnikërisë ndaj familjes dhe dashurisë gjithënjerëzore po i duhet të flijojë disa ëndrra dhe bën edhe gabimin tragjik të dashurojë njeriun e gabuar me iluzionin naiv se do të mund ta riedukojë dhe ta shpëtojë moralisht.
Protagonistja nuk arrin të shpëtojë as të atin, as gjyshen, njerëz të ndershëm, po viktima tragjike të atmosferës kaotike politike nga vuajtjet shpirtërore të pamerituara, që pasohen nga një vdekje tragjike, as të ëmën nga një gabim të rëndë që ajo kryen për hir të fëmijëve.
Një paradoks i hidhur që vihet re në roman është ai që njerëz të ndershëm, të përkushtuar ndaj punës dhe familjes të etiketohen si “kriminel” dhe “lavire” nga opinioni i lëkundur i turmës që është gati të hedhë në baltë “heronjtë e djeshëm”. Ky paradoks të sjell ndërmend “Duart e ndyra” të Sartrit ku vlera dhe kundërvlera ngatërrohen për shkak të kameleonizmit të njerëzve dhe zigzageve të politikës.
Në fakt romani është ndërtuar mbi antiteza dhe paradokse. Është pikërisht një paradoks i cili e bën të mundur që Gilberta Fllaja, një tjetër personazh i rëndësishëm, për një farë kohe të mbulojë shëmtinë morale me bukurinë fizike dhe maskën e bamirësisë në sytë e protagonistes, në saje të pushtetit të parasë që ajo e përdor për interesat e veta meskine egoiste. Edhe ky personazh nuk vizatohet si plotësisht negativ, si një përbindësh moral; ka në shpirtin e kësaj gruaje disa vetëtima që ngjajnë si mirësi, ndjenjat e saj si nënë që është gati të bëjë gjithçka për të birin, po edhe dashuria e saj amtare do të errësohet nga egoizmi dhe ambicja e saj.
Autorja e kryen me mprehtësi karakterizimin social psikologjik të personazheve duke mos lënë pas dore as personazhet e dorës së dytë.
Një personazh origjinal dhe veçanërisht i dashur për lexuesin është gjyshja Neke, mishërim i urtësisë popullore, në saje të së cilës ngjan si “e gjithëditur” para syve të mbesës dhe i tipareve tradicionale të grave shqiptare, dashurinë për punë dhe për fëmijët, guximi dhe stoicizmi si edhe zemërgjerësia.
Veçanërisht e dashur ngjan për lexuesin figura e Lilit, grua e mençur dhe punëtore, nënë që flijon gjithçka për fëmijët. Po aq tërheqëse është edhe Joli që në fillim ngjan disi e llastuar, e rrethuar siç është nga dashuria dhe kujdesi i familjes si fëmija më e vogël, po që arrin evolucionin shpirtëror gjatë romanit në saje të punës. Ajo ka një ndjenjë instinktive për të drejtat e veta njerëzore që ia mohon ambienti, siç e provon dialogu i saj naiv me të ëmën “Pse rrimë në këtë shtëpi kaq të vogël?”, duke e krahasuar me shtëpinë e madhe të Fllajave.
Juli Seferi është një figurë kontradiktore e cila shfaqet që nga fillimi i romanit dhe për një kohë të gjatë si një narciziste e dashuruar me veten dhe indiferente ndaj ndjenjave të të tjerëve. Po ajo arrin të përjetojë një katarsis në fund që ngjan bindës meqenëse motivohet nga vuajtjet që i shkakton asaj njeriu që dashuron i cili e merr nëpër këmbë si grua dhe arrin t’ia mohojë të drejtën për amësi. Është pikërisht vuajtja që zgjon më në fund empatinë e saj ndaj njerëzve dhe e ndihmon të arrijë me vonesë një pjekuri shpirtërore që e bën të kryejë një gjest të vështirë për krenarinë e saj, t’i kërkojë falje rivales dhe shoqes së saj të fëmijërisë, ndjenjat e së cilës i ka shkelur një jetë të tërë.
Një tjetër personazh interesant është Kadri Veliu me vrazhdësinë në dukje në sjellje që buron nga një sinqeritet i natyrshëm dhe i skajshëm, me mungesën e kujdesit për pamjen e jashtme, po me një bukuri të fshehur shpirtërore dhe aftësinë për ta kuptuar drejt miqësinë e vërtetë.
Në roman ndeshen edhe personazhe episodike njerëzish të thjeshtë, të aftë për dashuri të çiltër gjithënjerëzore si familja Luli që ngrihet më lart se rrethanat politike dhe pastruesja e thjeshtë e shkollës që i jep protagonistes fëmijë lajmin e tmerrshëm të vdekjes së të atit.
Autorja në dukje është distancuar nga protagonistja, po shumë ngjarje të romanit i sheh në këndvështrimin e saj si fëmijë, adoleshente, vajzë e rritur.
Në roman ka episode domethënëse ku personazhet zbulojnë thelbin e tyre të fshehtë si episodi i ditës së parë të shkollës për Kadrijen kur ajo për herë të parë zbulon shëmtimin e vet fizik ose mbrëmja e maturës ku dy protagonistët ballafaqohen dhe egoizmi i njërit rrëzon me vrazhdësi iluzionet e tjetrit; së fundi ndeshja midis Kadrijes dhe Julit që ndriçon qartë një të vërtetë të lënë gjatë në errësirë si edhe pjekurinë tashmë të arritur të të dyja vajzave.
Dialogët janë të natyrshëm dhe të besueshëm dhe, herë pas here hedhin një dritë të papritur mbi karakteret e personazheve.
Ndofta mund të mënjanoheshin disa pasazhe si ai kur shpjegohet zemërgjerësia e papritur e Juli Seferit në një çast të caktuar që protagonistja nuk e kupton, po autorja ia shpjegon lexuesit në mënyrë të tërthortë duke zbuluar mendimet e fshehta të personazhit ose mendimet që Juli nuk ia zbulon së ëmës së Mandit, po i bëhen të njohura lexuesit, për shokun dhe më vonë të dashurin e saj, mendime që shprehin një vlerësim të qartë i cili më mirë të nënkuptohej nga lexuesi.
Autorja e ka shprehur ritmin e rrëfimit përmes një alternimi të goditur fjalish të shkurtra dhe frazash të gjata. Gjuha letrare ndërthuret jo rrallë me frazeologji popullore e cila vihet në gojë të personazheve.
Fjala “e shëmtuar” është si një leitmotiv që e përshkon veprën, për të treguar një shëmti fizike apo shpirtërore.
A e ka rinovuar Raimonda apo kapërcyer vetveten në këtë roman?
Ngurrojmë t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje, meqenëse edhe romanet “Koha në mes” dhe “Zoti qeshi deri në fund” shënojnë disa maja në krijimtarinë e saj.
Kjo vepër shënon një thellim të Raimondës në modernizmin e saj, pa u shkëputur nga realizmi i saj me të cilin ajo spikat, na njeh me personazhe të rinj dhe të ndryshëm nga ata të veprave të mëparshme.
Forca komunikuese dhe tensioni emocional vazhdojnë të jenë të ndieshëm.
Paradoksalisht, pavarësisht nga titulli “Shëmtia” vepra është e bukur.