More
    KreuLetërsiBibliotekë"Polumbari i dashurisë", cikël poetik nga Skënder Rusi

    “Polumbari i dashurisë”, cikël poetik nga Skënder Rusi

    PUSHTIMI I BOTËS

    Unë me ty do të pushtoj botën,
    Jo si dy zjarre që marrin hak
    Por si dy njerëz me të njëjtin fat!
    Asgjë më tepër,
    Asgjë më pak!

    Sa të rëndë që e paskam kokën,
    Sikur ma kanë mbyllur me kapak,
    Ne të dy do ta mposhtim botën,
    Asgjë më tepër,
    Asgjë më pak!

    S’ngatërrohemi me mediokër,
    Dhe kemi për të shkuar shumë larg!
    Ku çdo njeri vlen sa kjo botë,
    Asgjë më tepër,
    Asgjë më pak!

    Mos u habitni që vetëm nxitojmë,
    Jemi stuhi, jo vetëm fllad
    Një botë të re ne po ndërtojmë
    Asgjë më tepër,
    Asgjë më pak.


    DËBORA BLU

    Kërkoj të futem brenda syve të tu,
    Dhe kjo me asnjë kusht, natyrisht,
    Përjashta po bie dëborë blu,
    Nuk është dëborë po shpirt!

    Trokas në portën që atje më shpie,
    Tek sytë e tu të mëdhenj,
    Bie dëborë blu, vazhdon e bie,
    Është shpirti im që dhemb!

    Brenda syve të tu edhe unë
    Kërkoj pa asnjë kusht që të hyj,
    Por ah, ky qiell rëndoka shumë,
    Më lodhën yjet që me dorë i shtyj!

    Kërkoj të hyj brenda syve të tu,
    Paçka se e kam të vështirë
    të të them: Të dua,
    Ti edhe qerpikët i ke hedhur në luftë,
    I mbyll ata që mos më shohësh mua!


    UNË DHE KITARA QË BINTE VETË

    (variant2)

    Unë të thërras ty në emër
    Dhe kitara bie vetë papritur
    Telat e saj si asnjëherë tjetër
    E mbushën dhomën me tinguj.

    Unë të thërras ty në emër
    Dhe rruga mbushet me jargavanë,
    Nuk e di kush e ka pasur fajin
    Që nuk u dashuruam ne më parë!

    Unë të thërras ty në emër
    Një botë të tërë timen ke pushtuar,
    Kitara bie papritur vetë,
    Sjell një akord të çakorduar!

    Unë të thërras ty në emër,
    Dhe kitara bie vetë, pa e prekur!
    Unë jam në studion e saj, në zemër,
    Edhe i gjallë edhe i vdekur!


    TË LUTEM TË MË TRADHËTOSH

    Të lutem të më tradhëtosh
    Që mos më vijë keq kur të të humbas,
    Të gjitha rrugët janë bosh,
    Dhe zogjtë kanë ikur larg!

    Po bie borë, po s’jemi në dimër,
    Këmbët më çojnë veç atje,
    Kush e ka njohur tradhëtinë,
    Patjetër që dashurinë e njeh!

    Ti e kupton që të kam falur
    Bëj edhe sot pak dashuri,
    Po ndërroje vendin ku je puthur,
    Se s’dua të më shfaqesh ti!

    Të lutem të më tradhëtosh,
    Se dua moj të të urrej,
    Ja, zogjtë e lanë qiellin bosh,
    Kërkojnë ata të tjerë qiej!!


    MBI KOKË MË RRI EDHE MË NDRIT

    Gjithnjë po bëhesh më e krrusur,
    Sikur po i afrohesh tokës!
    Unë jam atje,në sytë e rrudhur,
    Ku është fillimi i gjithë botës!

    Gjithnjë po bëhesh më e vockël,
    Ku e ke futur gjithë atë shpirt!?
    Si hënëz e ngrënë brenda dhomës,
    Mbi kokë më rri edhe më ndrit!

    Gjithnjë po bëhesh më e lehtë,
    Mos ke ndërmend që të largohesh!?
    Më bëj një shenjë e ngjitem vetë,
    Qiellit t’i them që do vonohesh!


    ATA DY PLEQ

    Një plak. Një plakë. Dhe një park.
    Edhe një stol. Dhe bëhen katër!
    Dhe një neon që ndizej, shuhej,
    Sikur ta shkelte syrin natën!

    Po pas një viti mbetën tre.
    Një plak. Një stol. Një park i gjelbër.
    Dhe një neon që më nuk ndizej,
    Që mbeti si një sy i verbër!

    Në vjeshtë, ah, mbetën veç dy.
    Një park. Një stol krejt i vetmuar.
    Që pret mos kthehen prap’ aty,
    Ata dy pleq të dashuruar!…


    KORÇËS – NJË FJALË DASHURIE

    Jetoj në një qytet në formë zemre,
    Ku kitarat netëve marrohen!
    Ku djemtë nuk rrinë pa të shkelur syrin,
    Dhe vajzave ju pëlqen të ngacmohen!

    Jetoj në një qytet që dremit,
    Dhe zgjohet mbi supin e një mali.
    Ku dielli para se të nisë udhëtimin,
    Çlodhet pak mbi sup të një ushtari ! *

    Jetoj në një qytet që më deh,
    Jo me vodkë,por me dashuri!
    Ku çdo grua ,në sy,nuk të sheh,
    Po të ndjek me sy,kur s’sheh ti!

    Jetoj në një qytet që m’i fal,
    Të gjitha marrëzitë që kam bërë!
    E ç’ta fsheh,edhe unë jam mëkatar,
    Ndaj dhe falem siç falen të tërë!

    Jetoj në një qytet që e dua,
    Brenda zemrës së tij kristal!
    Dhe druhem,a do arrij dot,
    Që famë,nga fama ime t’i fal!

    Jetoj në një qytet ku nesër
    do të kem,
    Patjetër emrin e një rruge!
    Po të më pyesni kë do zgjedh,
    do t’ju tregoja atë,
    Që në vend të gurëve
    është e shtruar me puthje!


    POLUMBARI I DASHURISË

    Gjithë jetën kam synuar të pamundurën,
    Po ty nuk të bëra dot të pasur!
    Palombar i zhytur isha ,brenda teje,
    Zoti më tha të të kem, të dashur!
    Ti asnjëherë nuk e paske ditur,
    Se edhe varfërinë Zoti e ka bërë!
    Dhe jua ndau njerëzve që krijoi,
    Dikujt përgjysmë e tjetërkujt të tërë!
    Unë s’pata fatin të hyj në të pasurit,
    Prej kohësh pasuritë për mua kanë vdekur!
    Dhe më vjen mirë që i kam ngjarë Marsit,
    Gjysmi dëborë,gjysmi diell kam mbetur!
    Gjithë jetën kam synuar të pamundurën,
    E kam prekur me duar atë,fatalisht!
    Në tërë këtë botë
    me fitues dhe humbës,
    Asnjë i mençur nuk gjykohet mençurisht!


    LËNDINA E PIKËLLIMIT

    Unë jetoj tek lëndina e pikëllimit,
    Ku fluturojnë veç harabelë të vdekur!
    Hapni portat e qiellit,ç’prisni,
    Këtu çdo ditë zgjat sa një shekull!

    Po unë për këtë nuk mërzitem,
    Këtu e ka kasollen edhe era,
    Ajo më futet nëpër vite,
    Dhe e gjen ku rri fshehur zemra!

    Unë jetoj në lëndinën e pikëllimit,
    Jam brenda saj, atje ku rri shpirti!
    Unë jam ky lumë që juve dot s’e shihni
    Që lëviz brenda jush e ju nuk e dini!
    Aty nis jeta që nga fillimi!


    DHURATË

    Të dhashë ditët e mia më të bukura,
    Dhe vetë mbeta pa ditë!
    Midis tyre ka dhe ditë të humbura,
    Ditë të lodhura nga marrëzitë!

    Të dhashë netët e mia çapkëne,
    Që i ruaja t’i kisha për vete,
    Ato vdesin njera pas tjetrës,
    Si zjarret në duart e njerëzve!

    Zjarret e mi janë të vegjël,
    Po të mjaftueshëm për t’u ngrohur
    Nuk dua asgjë të më kthehet
    Paçka se ndjehem i lodhur!

    Të dhashë ditët e mia më të bukura,
    Që do vijnë me mua përtej kësaj jete,
    Secila prej tyre është një hënë delikate
    Që fillon e dridhet po e preke!


    DUKE ECUR RRUGËS

    Duke ecur rrugës
    më godet një pemë,
    (E përse ta fsheh,
    isha i hutuar!)
    Ajo ish si unë,
    s’mund të ish e verbër,
    Mund të ishte,thjesht,
    pemë e dashuruar!

    Duke ecur rrugës
    godita një pemë,
    (Nuk e di se si
    pengohem mbi ajrin!)
    Ajo seç më foli
    me një zë të gjelbër,
    (Pemët s’janë si njerëzit
    që s’dinë të falin!)

    Duke ecur rrugës
    më trishtoi një pemë,
    E lashë pa gjethe,
    unë dhe jo era!
    Tani rri e pres
    kur do bëhet vjeshtë,
    Kur s’do kenë gjethe
    as pemët e tjera!


    MËRZITJE

    Më ke mërzitur shumë,,
    Nuk mund të vazhdohet më kështu,
    Më thanë të ndez ca qirinj edhe unë,
    Për vete dhe për ty gjithashtu!

    U shuajt qiriri i madh,
    U bë errësirë papritur,
    Në shtëpi mund të rri veç një cast
    Ajo më shumëmë është mërzitur!

    Nuk mund të vazhdohet kështu
    Ta hajë dreqi,ta hajë,
    Fryn era si për inat
    Që e kemi lënë jashtë!

    O Zot që rri atje lart,
    Edhe qirinjtë e vegjël drithërojnë,
    Prandaj edhe unë s’i shuajta,
    Sado pak ata na ndriçojnë!


    NJË KËNGË E DËSHPËRUAR

    Sot jam ai që s’dua të jem,
    Përfytyroni një pyll me asnjë ketër!
    Jua kisha harruar edhe emrat njerëzve,
    Ose nuk më pëlqente t’iu thërrisja
    në emër!

    Disa më duken tmerrësisht të vegjël,
    Akoma më të vegjël më duken
    të mëdhenjtë!
    Unë një herë bëhem dimër me ta,
    Një herë vjeshtë!

    Seç mban këtu brenda kjo kokëza ime,
    Lumë që rrjedh e kërkon detin!
    Sot ndjehem i vetëm,përtej çdo vetmie,
    As dorën nuk e dhashë të ma prekin!

    Është dita që unë i kam braktisur të gjithë,
    Në këtë qytet me sharlatanë tepër!
    Tani do të shkoj të gjej dashuritë,
    Në atë pyll ku s’ka asnjë ketër!


    TË JESH HERO

    Kam frikë që të bëhem Hero,
    Në vendin tim që është i çuditshëm!
    Me mua s’dua të merret asnjë skulptor,
    Sado që të jem unë i lavdishëm!

    Asnjë s’do pranoja të më bëjë monument,
    (Mund të më rrëzonin edhe mua në çast,)
    Tek ne të venë unazat kot edhe po të jesh poet,
    Edhe po të jesh shkencëtar i madh!

    Asnjë nuk do pranoja të bënte ç’të desh,
    (Kjo ndodh me heronjtë jo pak!)
    Ca u ngrenë atyre piedestal në shesh,
    Ca të tjerë i tërheqin zvarrë mbi asfalt!

    Kam frikë që të bëhem Hero,
    Në vendin tim ku heronjtë s’rrinë në varr!
    Në mëngjes tek ne gdhihesh dëshmor,
    Në mbrëmje ngrysesh tradhtar!


    NJERËZ

    Besojeni:
    Unë ju kam dashur
    më shumë se sa më donit,
    Kam bërë më tepër
    Se sa ju për mua!
    Në qoftë se jetën tuaj me timen
    Ju e shumëzoni,
    Unë timen me tuajën
    Gjithnjë e kam pjesëtuar!

    Mos e besoni:

    Ju kam urryer më shumë
    Se sa ju kam dashur!
    Kam qenë më i largët
    Se sa ju me mua!
    Në qoftë se trokitjet në zemër
    s’e di sa i kam pasur,
    Yjet në qiell i di
    Se i kam numëruar!

    Besojeni:
    Gjithnjë e më shpesh
    Më gjen të trishtuar,
    Dhe për të qeshur,
    më s’mund të qesh!
    Paçka se kam lindur
    që të jem i gëzuar,
    Dhe t’i gëzoj të tjerët,
    Këtu në mes nesh!

    Njeriu lind të dojë dhe ta duan,
    Po bota përreth është indiferente!
    Dikush ndez zjarre
    Dikush tjetër i shuan,
    Dikush tjetër ngre monument
    Për vete!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË