More
    KreuOpinionPol Milo: Kronika e një masakre franceze, në ditën e Bartolomeut

    Pol Milo: Kronika e një masakre franceze, në ditën e Bartolomeut

    Prosper Mérimée në kohën e Karlit IX

    “Derdhni gjak! Derdhni gjak!”
    Fjalë të mareshalit Dë Tavanë në natën e 24 gushtit.

    Në e ditën e Bartolomeut në Francë, në datën 24 Gusht të vitit 1572, u kryen  vrasje dhe masakra masive. Ishte pothuajse një luftë civile midis rendit fetar Katolik nën sundimin e Karlit të IX dhe hugenotëve, protestantë, kalvinistë. Urrejtja mes dy palëve kishte kohë që shtohej, kurse përçmimi i katolikëve ndaj protestantëve kishte marrë përmasa masive. “Parpaio” ishte nofka përçuese me të cilën katolikët shanin kalvinistët.

    Një luftë fetare për çështjen e diferencave të besimit kishte marrë emrin e luftës së Shenjtë apo Lufta Fetare, por që më vonë u konsiderua si turpi i historisë. Kjo kishte përfshirë jo vetëm Francën por edhe tërë Europën. Damkat e turpeve dhe skandaleve Europiane i kanë rrënjët e hershme.

    Një kronikë e kësaj lufte gjendet e përshkruar nga shkrimtari i madh Prosper Merimee në romanin “Kronikë e Kohës së Karlit IX”. Dy vëllezër të dashur, Zhorzhi katolik dhe kalorës mbretëror kurse Merzhi protestant, hugenot, kalvinist, përfundojnë që vrasin njeri tjetrin. Më saktë Merzhi vret gabimisht Zhorzhin, komandantin e ushtrisë së Karlit IX gjatë një beteje gjatë rrethimit në La Roshelë. Zhorzhi i veshur nën petkun e kalorësit, nuk arriti të njihej nga vëllai i tij, Merzhi, i cili e shenjëstroi saktë atë, me një plumb në gjoks:

    – Zhorzh! Zhorzh! Të vrava me duart e mia!

    – Ç’ti bësh! S’jam unë francezi i parë që vritet prej të vëllait, dhe nuk besoj të jem i fundit. Por fajtor për gjithçka sa ngjanë jam vetë!

    Por, përpara konfliktit, Prosper Merimee, shkrimtar mjaft inteligjent, bën një premesë si një kontratë me lexuesin. Ai dedikon një kapitull “Dialog midis lexuesit dhe autorit”, në mes të librit lexuesit të tij, ku kërkon ndjesë që edhe pse pritshmëria mund të jetë e lartë në përshkrimin e personazheve, ai sugeron zhgënjimin e lexuesit në këtë drejtim dhe hapjen e portës drejt romanit si gjini letrare.

    – Zoti autor, ç’rast të bukur keni për të përvijuar portrete!

    – Por unë dua t’ju flas për mikun tim, Merzhiun.

    – Ah, e shoh që në romanin tuaj nuk do të gjej ato që desha.

    – Druaj.

    Edhe pse Merimee konsiderohet nga të parët ata që në fillim të viteve 1800, zhvilluan romanin e shkurtër ose tregimin e gjatë, duket se kështu do të pasohej edhe nga të tjerë autorë francezë përfshirë Guy de Maupassant apo Gerald de Nerval.

    Të njëjtën lojë narrative Merimee zhvillon edhe në kryeveprat e tij të tjera si Karmen, Kolomba, Kaçaku, Mateo Falkone, Tamango etj… Por një masakër historike si ajo e ditës së Bartolomeut, nuk duket aspak si një hapësire humoristike.

    Ndërkohë që një dashuri lind për konteshën e bukur Dë Tyrzhi, finalizohet me një duel dhe vrasje, të tjera aventura dhe masakra përfshijnë ngjarjet e kohës, ku njerëzit vijojnë të vriten dhe masakrohen njësoj si drè gjuetie. “Natën të gjithë maçokët duken bojë hiri”. Mirëpo  autori me zgjuarsi sapo ka vulosur kontratën e tij me lexuesin, ai duket se fshehurazi merr përsipër në një farë mënyre të ironizojë konfliktin fetar nëpërmjet një akti. Tragjikes!

    Mistika fetare edhe pse nuk është shumë e shpjegueshme, ajo prapë është e pranishme, e fshehur. Ajo fshihet si në hajmalinë e varur në qafën e Merzhit e cila e shpëtoi nga vdekja gjatë duelit me Komenzhin. Fshihet njësoj siç u fshehën dy murgjit për të kaluar matanë rrethimit, nëpërmjet lundrës:

    – Do dhe shumë të vijë lundra nga Bozhansiu?

    – Ku i dihet. Ujët ka rënë dhe nuk lundrohet lehtë. Pastaj, është ca si herët.

    Ndërkohë që lutjet dhe fjalët e pakuptimta “Et beata viscera virginis Mariae” (bekuar qoftë barku i virgjëreshës Mari) mundojnë të justifikojnë veprimet e tyre,  pagëzimi i pulave përpara  therjes dhe rrëfimi i mëkatit për të justifikuar ngrënien e mishit të pulës dhe vrasjen e kalvinistit  si uratë nga perëndia.

    – Lutje të çuditshme na kënduat o Atë!As që ngjan fare me ato që na thotë prifti ynë.

    – Këshut e kemi zakon ne të urdhrit tonë.

    – Lundra vonon edhe shumë, – pyeti murgu tjetër.

    Ndërkohë që lufta vijon, konflikti social përfundon në një turp. Është një turp historik me një vello artistike që përfundon me vdekje, bashkë me vdekjen e personazheve është vdekja e konfliktit ndërfetar nën emrin e luftës së Shenjtë, që himnizohet në heshtje. Kurse lexuesi është i lirë të vijojë me fantazinë e tij vazhdimin artistik. “Këto po ia lë t’i zgjidhë vetë lexuesi, i cili në këtë mënyrë mund ta përfundojë romanin sipas qejfit”.  Kjo është dhurata e tij!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË