Dimër
Është natë, dimër rrënimtar. Paksa
i ngre qepallat, dhe këqyr. Regëtijnë
flokët e tu shtazarakë, gazmendi
ta zgjeron me beft bebëzën e zez;
se ajo që pe – ish një imazh
i fundit të botës – ta ngushëllon
zemrën e thellë, e ngroh dhe e shpagon.
Një burrë në rrezik vihet përgjatë një liqeni
të akullt, nën një llambë të shtrembërt.
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2019/05/text-divider-01.png)
Goja
Goja
që së pari vendosi
në buzët e mia kuqëlimin e agut,
ende
në të bukurat mendime ia qëlloj parfumin.
O gojë vashëzore, gojë e dashur,
që fjalë të guximshme thoje dhe ishe
kaq e ëmbël për t’u puthur.
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2019/05/text-divider-01.png)
Shtëpia e mëndeshës sime
Shtëpia e mëndeshës sime rri pushuar
në heshtje përballë Kishëzës antike,
e përposh hedh sytë, dhe ngjet e menduar,
që nga kodrina për nga dhitë mike.
Qytetin ku u linda përplot popullim
ma zbuloi ajo saje dritares – diellit ekspozuar
ka dhe fytyrën e detit – t’këndshëm në vështrim
e të fushave ku lodhja paqshëm ësh’ pranuar.
Këtu ndërmendem për moshën parake,
ku në varrezën e vjetër me kryqe mbathur
luaja i paditur në zemër të çdo nate.
Zotit shpirtin e patrazuar ia blatova;
e nga shtëpia tingulli i zërave të dashur
më mbërrinte, si dhe e gjellës aroma.
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2019/05/text-divider-01.png)
Gratë
Gratë
miat e shtëpisë, ose që ia behin në shtëpi,
janë ndaj teje fort të xhindosura. Që të gjitha.
Thonë se je i bukur (e për kët’ magjepsen);
Ndoshta kanarina më i bukur; ama… një përbindësh.
(Njëra dëneste, tëfikej gati, në dukje
të akteve tua sipërane). Pasi ballë fakteve
tejet lig me tënden grua sillesh.
Nuk e ndihmon të klloçitet; jashtë nxjerr
prej folesë sa mundesh saje sqepit, dhe grabitjen
ose e lë rastësisht të bjerë, ose e shtie
si për të ngritur një fole të re – në ndonjë
qoshe të kafazit. Është tjetër imazh
që ka mbrujtur për atë; një tjetër zgjedhje
kishe në zemër, dhe jo timen… por unë
ai mundet ta dija?
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2019/05/text-divider-01.png)
Mbrëmje shkurti
Mbin hëna.
në rrugë mbetur ka ende
dita, një mbrëmje që me vrull bie.
Një rini shpërfillëse mblidhet;
hapërdahet si kashtë e thatë.
Dhe është mendimi
mbi vdekjen që, tekefundit, na shtyn të jetojmë.
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2019/05/text-divider-01.png)
E zhveshur
E zhveshur si një rrëkezë dhe gojë
më gojë, çdo drithmë e jotja ëmbëlsonte
atë puthje që sot më kthehet në mendime.
M’u bë në ëndërr, por ndoshta isha në realitet,
sikur në ty fliste, i mishëzuar, një engjëll.
Një engjëll i së mirës edhe në heshtje pohon
mirësinë, teprinë tek ai të dashurisë.
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2019/05/text-divider-01.png)
Pranverë
Pranverë që s’të pëlqej, dëshiroj
të them për ty se në një udhë qoshes
duke u kthyer, e parathëna jote më pret
si një presë. Hija ende hollake
e degëve të zhveshura mbi tokën ende
të zhveshur më pështjellon, gati edhe unë të mundja
lipset
të rilind. Varri
ngjet i pasigurt ndaj avitjes sate, e lashta
pranverë, që më tepër se çdo stinë
plot mizori ringjall dhe vret.
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2019/05/text-divider-01.png)
Zgjim
Nata sheh më tepër se dita.
Ppesë
e saj ende, më sytë çelur jam
dashi i pikturuar prej Bolaffios,
që vetëmsa përdredh në mes të tufës turirin
njerëzor.
Jo zbehtake
këndedhjen e ndjej; pothuaj i gjallë
sikur t’ish miku që bash dje ndërroi jetë.
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2019/05/text-divider-01.png)
Ag
Është ag. Dita që ngjatjetohet
do të jetë për mua sfilitje. Megjithatë
kam për ta jetuar, do rigjej të freskëtën
mbrëmje. Paqen me armiqtë e mundur
edhe thellë vetes. Imja jetë është e gjitha
e këtillojtë; kësisoj kam për ta pikturuar, dhe krenar
saje dritares së çelur mbërthej orën
sikur brenda një flluske sapuni –
për të rikrijuar pemët dhe shtëpitë.
Përkthyer nga Rigel Rizaj