More
    KreuLetërsiBibliotekëPoezi nga Shkëlzen Logu

    Poezi nga Shkëlzen Logu

    Kur ti më ikën R.

    Dëgjoj veç zërin tënd që endet,
    Kthinave të ngrehinës së mbetur bosh,
    Të shoh, ashtu të shtrirë në vendet,
    Nga ku ende vjen aroma jote që më josh.

    Sonatë e embël, më e bukur se e hënës,
    Magji parajsore që ëngjëjt e lakmojnë,
    Zëri yt, që nuk di të më dalë prej mendjes,
    Zbraztirës së shtëpisë muret m’a dëshmojnë!

    E zhveshur, e njomur, krejt e purpurt,
    Me buzët e ndezura me afsh përvlimtar,
    Me fytyrë të ndrojtur dhe të skuqur,
    Shoh ende sesi dridhesh mbi shtratin mëkatar…

    Prishtinë: 08.09.2019

    Imazhit të shkuar

    E shkujdesur kalove krejt pranë meje,
    Me mantelin e haresë të hedhur përmbi,
    Fytyra plotë dritë me të cilën shkëlqeje,
    Të njejtat gropëza në faqe ruante përsëri…

    Më kaloi përpara atë çast të vetëm,
    Si në një film pangjyra, pa zë, pa zhrumë:
    Se si dy njerëz plot ëndrra të një kohe tjetër,
    Pa e ditur për fatin, dashuroheshin shumë…

    M’u shfaqe mbrëmë nga vorbulla e kohës,
    E qeshur, e lumtur, plot jetë dhe magji,
    Sa ndryshe imazhit të trishtë që mora,
    Asaj dite të fundit të mbetur nga ti…

    U zhduke sërish, papritmas, si hije,
    Sikur vorbulla e kohës t’mori pamëshërë,
    Erdhe, a thua se tek unë më ti nuk doje të lije,
    Imazhin prej lotësh, por, një më të mirë…

    Ah, sa ujra që rrodhën kësaj jetës time;
    Sot zemrën m’ka mbushur një tjetër përplot!
    Lus Zotin mëkatet të m’i falë pa ndëshkime,
    Si dhe ëndrra për sytë që i kujtoja me lot…

    Prishtinë: 15.07.2019

    Mungesës tende

    Më shembet, rrënohet gjoksit shpresa,
    Kur më lë mungesën t’më rrijë përballë,
    Më të i qaj hallet me plot ankesa,
    I pavend mes njerëzve vij vërdallë!

    Ah, ç’mban nga brenda ky gjoksi prush!
    Një mal dhimbjesh me shtresa gjaku;
    Shërimin tim se di, e nuk e ka askush,
    Veç dorë e saj e bardhë prej së largu.

    I ke derdhur mungesës aromën tënde,
    Ndaj sytë s’më duhen kur të thërras.
    Veç mbushem frymë, ashtu me dhimbje,
    Që plagës heshtjen të mos i’a ngas…

    S’besoj që Zoti të krijojë një tjetër,
    Që tretet mungesës tënde pa shërim,
    Që shpirtin e leckosur shtron mbi letër,
    Që dallgon ëndrrash e ankthesh papushim!

    Prishtinë: 18.06.2019

    Të përveçmes

    Do të vij pas teje, o melodi e ëndrrës time,
    Me shpirtin tim të vendosur mbi dy duar,
    I heshtur kur të biesh thellë në mendime,
    I gatshëm të të dua papushuar…

    Do të zgjedh një prej mbrëmjeve tona,
    Të mbushur muzikë vargjesh pafund;
    Si përkundër qiellit të ngrysur, me njolla,
    Do shkruaj simfoninë më të bukur që mund!

    Dhe me forcën e çastit, me flladin e erës,
    Me peshën e ndjenjës që djeg me furi,
    Bukurisë tënde tronditëse, kaluar Helenës,
    Do i thur gjerdanin e artë që t’a varësh mbi gji!

    Prishtinë: 16.05.2019

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË