VJERSHË E THJESHTË
(Shqipëria)
Diell i fali Zoti,
këtij vendi t’shenjtë
dhe male dhe dete
dhe fusha
dhe lumenj…
Dhe zogj këndues,
dhe shqiponja i fali,
dhe Gjergjin mbret.
Zogjtë ia fali për ikje,
shqiponjat për të ngrënë gurë,
dhe Gjergjin për mbret të réve!…
ASGJË S’ËSHTË SI ËSHTË…
Asgjë s’është si është,
shpikje e marrë, e mirë,
janë trupat, mishi, sytë,
shikimi
është farfuritje,
që lind e ik –
flatrim mashtrues,
dehje, lumturi,
s’është aq sa është
prekja,
mbase shumë më pak,
mbase shumë më shumë,
mbase prekja është
rrena më e bukur
e vërtetësisë yjore,
mbase jemi
shumë më shumë
se ç›jemi,
mbase s’jemi,
e nuk e dijmë…
PANDALUR PUNONIN ERËRAT…
Pandalur punonin erërat,
për t’ia stolisur, bërë,
trupin, fytyrën,
mendjen, epshin,
durimin, qenien, ëndrrat,
zemrën e brishtë…
Derdhën shumë djersë, erërat,
dhe u lodhën
e u dorëzuan një ditë,
e iu lutën Zotit
për pak ndihmë.
Jepjani, o erëra,
tha Ai,
njëmijë fytyrat e juaja,
njëmijë palë krahët,
njëmijë epshet,
ëndrrat!
Unë do t’ia fal frymën:
ai ka me qenë era
me frymën time!…
PERËNDIM
Përbirë
n’gojë t’detit,
zemra e ndezur
e universit.
Qeshur,
lagur, larë,
frymë e muzgut.
Vyshkur, vyshkur,
luleja e ditës,
kokën lëvar,
mbi një anije
t’largët.
Lëbyrur sytë,
lëmashkur gjymtyrët,
ndrydhur zemrën, shpirtin,
ky çast i vonë
i dritës?…
ERA, BORA, ERA…
Era,
bora, era,
era, bora, era,
trup gruaje
formësojnë.
Ngrirë, ngrirë,
e flakë marrin
duart e mia,
gishtat e mi.
Një krah
ëndrre
këputet.
Bie
edhe kokrra
e fundit
e pemës
së vitit…
O pemë,
o dritë,
gëzuar fikjen!…
VAJEKËNGË PËR PERËNDINË TIME
I zëni i përjetshëm në kurthin e vetes.
I penduari me sy prej vese.
Ai që ha mbi mishin e vet,
dhe mbetet i pasosuri,
përgjatë pafundsishë, epokash…
Qelizën ç’e bën sa një diell vërtetësor.
Ai që pandalur vuan për pak vetvdekje.
Veten kush e pjek në hellin e vetes
dhe e udhëzon ditën
me mish nate t’ushqehet.
Kush e bën gjelbrak gjethin e mollës.
Erës së paanë kush i jep krahë,
dhe kush i del përpara
edhe përtej kurtheve të lakimit.
Ai që lexon njëhershëm
në çdo molekulë shkrimi
dhe në gjithë pafundsitë
e gjithë galaktikave t’mendimit.
I privuari nga mplakja, i privuari nga gjumi.
I vetbëri me duar të pafundta,
me ç’ua përkëdhel lehtas kaçurrelat mëngjeseve.
Afrikën e shpirtrave kush e bën gjalloshe.
Mallkimit të vet kush ia pret bishtin.
Ai që e sheh gjithçkanë,
por jo edhe fytyrën e vet,
në pasqyrën e vet të pamatë.
Ai që e ngjall qenin e zi brenda meje
dhe pëllumbin e bardhë
brenda qenit të zi brenda meje.
Kush ia shuan etjen shpirtrërës, Saharës.
Luanin e vdekjes kush e mund…
IMAZH I PERËNDIMTË
Mezi i kuq, horizonti,
pothuajse i zi,
pothuajse i perëndimtë.
Është deti që shtrihet tutje
mbi vrragën e vet t’errësirës,
dhe ai burrë në breg,
që është veç mjekër,
veç kërrusje,
veç vrragë.
Te cep i çastit,
janë sy më sy,
deti dhe ai burrë.
Brenda burrit dergj deti,
brenda detit burri.
KITARA QË THEHEN GËZIMESH…
Kitara që thehen gëzimesh;
këndime ujërash
të largëta, të largëta;
lumenj që bëjnë thirrje;
violina të bardha mendimesh –
kaba deliresh.
Çasti –
ky çast i marrë,
që është drita e vogël e vetes;
qielli që është më shumë se hapësi,
pa fillim, pa fund;
fytyra e larë e natës –
pasqyrë e paparë.
Dy arusha yjesh,
kjo pishë gjithë krahë,
dhe hëna, hëna, hëna…
Hëna, hëna, hëna,
dhe fryma psherëtimë
e zogut t’natës…