More
    KreuLetërsiBibliotekëPoezi nga Demir Gjergji

    Poezi nga Demir Gjergji

    Në një shpellë gjumi të thellë,
    Fillon fundi yt, o qiell!

    E SHKRUAR NË QIELL

    Një tufë me zogj në qiellin e qetë,
    Si shkronjat bashkuar në një alfabet.
    Një shtjellë me shpezë, furtunë me flatra,
    Me hijen përdhe që rend nëpër baltëra.

    Afrohen, largohen, bashkohen me retë,
    E fjalë formojnë si pena në fletë…
    Dhe fjalët në vargje, dhe vargjet në vjershë,
    Ku qielli i verës po vrenjtet për vjeshtë.

    Një vjershë në erë, që thuret e shthuret,
    Pa rima e ritme, pa strofat, konturet,
    Me hijen mbi dhé, që vjen e shkon tutje,
    E zhduket në muzgje si lutje, si puthje.

    Shkon shtjella e shpezëve andej e këndej,
    Motivet e vjershës vallëzojnë në qiej.
    Ja buza e nxehtë, ja syri në vaj,
    Ja nisja e jetës, ja fundi i saj.

    Shtëllunga e zogjve në muzgun e rëndë,
    Pa shih, si po klith tani emrin tënd!
    Vallëzon emri yt në erë e mbi dhé,
    Herë hënën e shfaq, herë baltën e fsheh.

    JETË JETIMI

    Frut që s’di nga ç’lule doli,
    Diell që s’ka si ndodh në natë,
    Lumë që kurrë për etjen s’foli.
    Muzg që asnjëherë s’pa ag.

    Predhë që kurrë s’e ndjeu krismën,
    Sy që tjetrin s’e sheh dot,
    Plagë që s’mund ta thotë dhimtën,
    Bimë që rrënjën fsheh në tokë.

    Yll në det i ikur qiellit,
    Fjalë që gjuhën ia kanë marrë,
    Syth në sqep të harabelit,
    Ditë pa datë në kalendar.

    Jetë që kund s’e njohu mortin,
    Ëndërr që s’e deshi gjumin,
    Majë që kurrë s’dëgjoi për honin,
    Breg që s’mund ta hedhë lumin.

    Moti kthen, kallzon për lule,
    Pranga, etje, net e krisma…
    Ndërsa tjetri sy sheh tutje,
    Gjer të vdekja, dheu e dhimta.

    Flet pa zë, me dhembje plagësh,
    E bën ag një muzg të vonë,
    Brigjet i bashkon tej dallgësh.
    Rrënjën e rrit bimë të njomë.

    Për Atë flet gjak e qumësht,
    Nga gji nëne prerë e vrarë,
    Që njomi në shesh të luftës
    Shpirt e buzë nga etja tharë.

    LITURGJI PËR DUART

    -Syth poeme, që s’besoj të shkruhet-

    Mos më ikni duart e mia, mos më lini
    Pa u bërë fole mëngjesi dhe një herë,
    Pa këputur dhe një degë jasemini,

    T’ia përhap aromën frymë në erë.
    Ju nuk patë pranga, armë, as ar.
    Ju ka lidhur vetëm përqafimi…
    Pa të fundit lutje mbi altar,
    Mos më ikni, duart e mia, mos më lini!

    Mos iu ndani gjunjëve dhe pakëz,
    Ashtit edhe zemrës mos iu fshihni,
    Sa ta hedhin hapin përtej dallgës…
    Mos më ikni, duart e mia, mos më lini!

    Mos më ikni duart e mia, mos më lini
    Pa e mbjellë në Eden dhe një pemë,
    Mos u bëni flatra fluturimi,
    Në një tjetër ëndërr, qiell të rremë…

    Shpirtin sa ta shoh, tek flatron pas Saj,
    Sytë në terr vetmie mos m’i fikni.
    Nismëni si lamtumirë paskëtaj…
    Mos më lini, duart e mia, mos më ikni!

    MALLI

    Malli është mali
    Në log të luginës,
    Ku shkule një lule
    Tinëz
    E shkove e mbolle
    Përtej psherëtimës!

    NINULLA E FUNDIT

    Në shtrat me pupla sintetike,
    Ti fli i qetë si Krishti beb,
    Një kukull-nënë prej fabrike,
    Ta thotë ninananën-rep.
    Ndërsa jot ëmë pa penel,
    Me Fotoshop ta bën një zog,
    Se harabeli në zabel
    Lëngon e dergjet nëpër smog.
    Ti fli dhe ëndërro një lumë,
    Se lumin e vërtetë si lot,
    E vrau një natë yt atë në gjumë
    Dhe s’ke se si ta gjesh më dot.
    Kur sytë t’i hapësh, mos shih tutje,
    Matanë dritares, jashtë në zheg,
    Ku dritë e egër si një lutje,
    Të fundit bukurezë po djeg.

    TREG I ZI

    Afatet e fatet firmosin mandatet,
    Rreziqet e ligjet dorëzojnë ofiqet,
    Vampirët, martirët hollojnë zinxhirët,
    Zotërinjtë me minjtë përpjekin turinjtë.

    I varfër kaq afër hesht hiri në vatër!

    Përralla të rralla me lodra të gjalla,
    Formula dhe vula për helm me pilula,
    Folezë pa shpezë sheh ëndrra me vezë,
    Reklama në xhama. Dhe fama, e flama!

    I varfër kaq afër nxin hiri në vatër,
    Përemra dhe emra kërkojnë mbiemra,
    Blen bredha e predha me ar e monedha.
    E thundra, e lundra me pro e me kundra,
    Temjan e savan për ikjet matanë.

    I varfër kaq afër qan hiri në vatër!

    PSALM

    U lodhën ujërat, u plak planeti,
    U fal, u fik kandili i detit,
    I mbylli gojë e sy profeti,
    Epi iu myk në fyt aedit.

    Filiz i njomë u ngrys zgërbonjë,
    U shkri pa puthur tokën bora,
    Dha frymë lumi në buronjë,
    Në aritmi ndjell fundin ora.

    Dhe loti vdes në sy mëngjesi,
    Lëngon në një vajtim lirika,
    Në javë të fundit universi,
    Nga trupi vet ha galaktika.

    Rrëzohen kryqe, hyj, fetishe,
    Përmbysen jetë, frone, zota,
    Që të më vish e re, siç ishe,
    Kur ende s’kishte lindur bota!

    HARTA E HËNËS

    Harta e Hënës po flet, fatmirësisht!

    Aldrin si farë mbjell gjurmën e parë.

    Tej e tej miliarda gjurmë:
    Mbi rërë, mbi akull, mbi gurë,
    Sheshe, aeroporte, rrugë,
    Qytete, kabare e burg…

    Njeriu i Tokës me torbën plot emra viktimash në sup,
    Ringjall shenja, toponime, tempuj, reklama gjithkund!

    Troje, prona… 7 akra, 20 ha, gjyqet, testamentet, tapitë,
    Miniera e moganitit, helium-3, karburant për satelitë,
    Gjah i egër ari mbi meteoritë!

    Përpjesëtohet hapi i parë njëmijëfish;
    Shkel e shkul, shtyp e prish!

    Harpa e hënës po hesht, fatkeqësisht!

    THRILLER ‘21

    Ditënatë e ngrirë në minus gradë,
    Me ujëra, zëra, shpirt e dritë,
    Lëngatën vdekja në paradë.
    Për nanoluftë e gatit!

    Dhe klith kjo jetë nën helmetë,
    Me ankth pret gjëmën që vjen pas!
    Ka kohë që veten sheh skelet
    Një buzagaz nën kundragaz.

    Ti kujën vë nga Erë e Evës:
    “Ç’u bë me tonën dashuri?!”
    Ndërkohë in vitro epshi i shkencës,
    Ngjiz njerëz nanoperëndi!

    DRI NË DET

    Shkulm e sulm, e lot i qetë,
    Sosur e pa sosur dot,
    Gjysmi Dri e gjysmi det
    Gjysma jetë e gjysma mort.

    Gjer këtu e solli shtrati,
    Krejt pa dashur e pa ditur.
    Grykash rrymën ia shtyn fati,
    Tutje botës për të ikur.

    Ndërsa rrjedhën ia ndal dallga,
    Drita rrezen siç e ndal,
    Udhë lundrimi e shtron varka
    Ish ujëvarën lart në mal.

    Shtrirë i lirë, pa shtrat e brigje,
    Ëndrra sheh me bjeshkë e borë.
    Harqe urash, lugje, shtigje,
    Ngrihen dallgë nën meteorë.

    Shkulm e sulm, e valë, e shkumë,
    Kaltërsi e hon i zi…
    Gjysmëdet e gjysmëlumë,
    Endet nëpër Gjithësi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË