Përktheu Brikena Smajli
Kujtimet e mia të semiotikës janë të lidhura me Italinë: në veçanti, kam kujtime të jashtëzakonshme për atë bosht Paris-Urbino, që ishte shumë frytdhënës në vitet shtatëdhjetë, plot miqësi dhe nisma inteligjente (të gjithë ishim inteligjentë atëherë!), mbi të gjitha falë personalitetit të Greimas-it, i pranishëm si në Paris dhe në Urbino, ashtu si edhe në ‘magjinë’ e këtyre vendeve.
Kur përpiqemi të bëjmë historinë e një disipline – semiotikës, për shembull – besoj se duhet të kujtojmë gjithmonë se një disiplinë do të thotë nga njëra anë njerëzit dhe nga tjetra, institucionet (Universiteti i Urbinos, Shkolla e Studimeve të Avancuara në Paris), dhe në fund, vende të veçanta si sheshi Urbino në mesnatë, ku pinim raki me Umberto Eco-n dhe Greimas-in, duke ribërë botën dhe duke shpikur semiotikë. Sigurisht, një disiplinë përkufizohet edhe nëpërmjet koncepteve të saja dhe të disa datave. Mund të them se kam ‘lindur’ si të gjithë natyrisht, në 1966-ën: 1966-ta ka qenë një vit i jashtëzakonshëm, çdo ditë botoheshin vepra befasuese, si: Fjalët dhe gjësendet e Foucault-së, Semantika strukturore e Greimas-it, Probleme të gjuhësisë së përgjithshme të Benveniste-s, përkthimi francez i formalistëve rusë nën drejtimin e Todorov-it, Kritika dhe e vërteta e Barthes-it, Figurat I të Genette-it, përkthimi francez i Hjelmslev-it, Shkrimet e Lacan-it, Struktura e gjuhës poetike të Cohen-it e tjerë.[1]
1966-ta përfaqëson, pra, një datë kyçe, një datë thuajse, historike, që ka hapur një dhjetëvjeçar jashtëzakonisht të pasur në planin e kërkimit. Pra, pyetja sot është: përtej rastit tim personal – aktor modest i kësaj dekade – a ekziston ende semiotika? … dhe është gjallë ajo sot? A ka përfunduar historia e saj tani? Ndoshta semiotika është gjallë (por në çfarë niveli, në një nivel thjesht institucional apo në nivelin e një kërkimi të frytshëm dhe krijues?) sepse ka seminare mbi semiotikën dhe pse ekzistojnë qendra të narratologjisë, si Qendra e Narratologjisë së Aplikuar e Universitetit të Nicës, një promovuese e madhe e konferencave vjetore dhe ndërkombëtare.
Megjithatë, ndonjëherë kam dyshime. Është botuar Historia e strukturalizmit e Francois Dosse-së,[2] dy vëllime të mëdha, ku jam edhe unë, aty është miku im Paolo Fabbri, e të tjerë. Kur historianët zotërojnë semiotikën, të krijohet përshtypja se je i vdekur dhe i varrosur. Ndokush, madje shkruan edhe një “histori të semiotikës”, një “histori të strukturalizmit” dhe ka pastaj libra si ai mbi “Shkollën e Parisit”.[3] Mendoj se semiotika është prapë e gjallë, sepse Jean-Claude Coquet-i në parathënien e tij thotë: “Aventura semiotike fillon në vitin 1956 me dy artikuj të Greimas-it; vazhdon në vitin 1979 me botimin e një vepre referencë, Fjalori i arsyetuar i teorisë së gjuhës.”[4] “Vazhdon “, pra, nuk ka vdekur. Ka data, 1956, 1979 dhe në qendër atë të 1966-s, mahnitëse, ku duket se gjithçka ka ndodhur në botën intelektuale, të paktën në Francë: Barthes-i, Foucault-i, Greimas-i, semiologjia, përkthime të tekteve të rëndësishme (Italia ishte shumë më përpara në lidhje me Francën për sa i përket përkthimeve.), Lacan-i etj.
Përtej përvojës sime personale, që nuk ka shumë rëndësi, ajo që paraqet interes është çështja e rrugëtimit të studiuesit, e kërkimit të kuptuar si një proces reaktiv-prospektiv dhe si një protokoll: a është “të bërit kërkim” një akt thjesht individual? Ndoshta jo, siç e përmenda më herët, kur fola për “vende” dhe “institucione”. Për sa më përket mua, fillova t’i përkushtohem narratologjisë në ‘66-tën, sepse isha magjepsur nga shkrimet dhe mësimet e Greimas-it; sepse ishte, në njëfarë kuptimi, “në modë”; sepse njerëzit që unë i konsideroja “më inteligjentët” për kohën (Barthes-i, Greimas-i e të tjerë) iu përkushtuan narratologjisë (termi u imponua nga Todorov). Më vonë, kjo erdhi si përgjigje ndaj qasjeve të tekstit letrar, që në Francë u dominua nga perspektiva të jashtëzakonshme historike, biografike dhe sociologjike. Por shumë shpejt, për shkak të një reagimi të brendshëm dhe zinxhir, gati një reagimi të dytë ndaj përparësisë së récit, u përqendrova në përshkrimin, i cili më dukej një koncept disi i lënë pas dore dhe për këtë arsye që lipsej ndërtuar.[5] Unë mendoj edhe se kërkimi evoluon nga kundërpërgjigjia dhe nga ndikimi i modës. Më pas, që nga momenti kur të gjithë diskutonin për rrëfimin dhe përshkrimin, u mora me problemet e kumtimit. Libri im i parafundit trajton ironinë,[6] një nocion i larguar prej kohësh nga semiologjia: semiologjia ishte më tepër studimi imanent i marrëdhënieve, domethënë, objekti që do të studiohej u shndërrua në një grup marrëdhëniesh për t’i shërbyer më mirë një modeli racional. Por mënyrat e të shprehurit ishin zhdukur plotësisht nga analiza e shprehjeve; pra, si përgjigje ndaj një semiotike të kundërshtimeve binare dhe përjashtuese, punova mbi një semiotikë pozicionesh dhe nivelesh, veçanërisht mbi ironinë; dhe më pas, pak kohë më parë në librin tim të fundit,[7] i ndikuar nga çështje që lidhen me aspektin, me skenografitë e kumtimit, me pozicionet në hapësirë, që janë në qendër të ironisë, doja të merresha me ikonën, me imazhet. Siç e kam thënë tashmë, referimi për rastin tim personal nuk ka asnjë interes në vetvete. Megjithatë, mendoj se do të ishte interesante të studiohej mënyra se si një studiues bën kërkime; besoj gjithashtu se ky lloj zigzagu, i cili kalon përmes ndikimeve, shkëputjeve, lëvizjeve dhe përgjigjeve të mëvonshme, mund të jetë objekt i një studimi të psikologjisë gjenetike: si një studiues (por edhe një artist, një muzikant ose një arkitekt) krijon objekte të reja? Studimi gjenetik i teksteve, i cili analizon draftet përgatitore dhe dorëshkrimet e shkrimtarëve, sigurisht që mund të na tregojë gjëra interesante për të, pasi ka mundësi që proceset e krijimit te një shkrimtar të jenë gjerësisht të asimilueshme dhe analoge me ato të kërkimit tek studiuesit. Megjithatë, duke iu rikthyer rastit tim modest, kuptoj se interesi im lindi si nga tërheqja ndaj një modeli, ashtu edhe nga përgjigjia ndaj një “dominanti”: nëse, një çast të dhënë, të gjithë bëjnë të njëjtën gjë, pse të mos merremi edhe me “tjetrin”? Ne kemi një shembull, rrugëtimin e Roland Barthes-it. Në strukturalizëm të plotë, Barthes-i shpik nocionin e “detajit” në artikullin e tij të famshëm për “efektin e realitetit”[8] strukturalistëve dhe semiotikës, d.m.th. ata nuk janë më të interesuar për njësitë, por për marrëdhëniet midis njësive brenda një teksti, Barthes-i shpik një nocion që është antikorrelativ, që është jashtë korrelacionit: nocionin e detajit. Në fakt, një detaj nuk përsëritet, një detaj është i kotë dhe një detaj nuk mund të integrohet në një nivel më të lartë apo më të ulët analize. Duke u nisur nga tre nocionet strukturaliste, përsëritja, funksioni dhe integrimi, ai shpiku një nocion në të cilin nuk ka përsëritje, funksion apo integrim; prandaj ai “shpiku” detajin, në kuptimin që e bëri problematik (nocioni, si i tillë, sigurisht që ishte i njohur edhe më parë, mendoni për kritikën e Boileau-së për «detajet e padobishme»). Për më tepër, në Barthes-in e fundit, atë Barthes të fotografisë, shohim sesi nocioni i detajit merret për t›i dhënë asaj një dimension të ri, një funksion më ekzistencial dhe «pragmatik»; me një fjalë, një kuptim. Prandaj ai evoluon vazhdimisht, edhe në kundërpërgjigje, nga ndryshime prej koncepteve të mëparshme: është pika e famshme e Chambre claire,[9] ‘e fundit të tij’, ese madhështore mbi fotografinë, ku detaji ka funksionin e rikujtimit të lexuesit dhe spektatorit. Besoj se ky shembull i Barthes-it që e kam banalizuar duke e thjeshtuar – tregon qartë se si shpiken nocionet, si shpiken konceptet dhe se në thelb rrugëtimi i një studiuesi është gjithmonë një zigzag dhe nxitet, vijon më shumë nga kundërpërgjigjet sesa nga shpikja e pastër: e pastër, shpikja nuk ekziston. Kështu që mendoj se do të ishte interesante të bëhej një seminar mbi protokollet kërkimore, mbi rrugëtimet dhe trajektoret e kërkimit, mbi historinë e rrugëtimeve kërkimore, duke marrë parasysh shembujt klasikë, modernë, bashkëkohorë dhe më pas të pyesim nëse, për shembull, strukturalizmi është i reduktueshëm në rrugëtimin e vetëm njërit (Levi-Strauss-it, Greimas-it, Barthes-it), ose nëse ka rrugëtime të tilla në grup – një gjë tjetër ose nëse ka modele teorike të rrugëtimeve tipike, rrugëtime të mira në kuptimin modern (për shembull, në semiotikë duhet kaloni një, dy, tre, katër, pesë, gjashtë faza dhe veprime të dallueshme, të renditura në seri dhe gjithmonë të shënuara në të njëjtin drejtim). Mendoj se, në këtë drejtim, mund të shtrohen pyetje interesante, subjekt i një reflektimi aktual ose më mirë, i një reflektimi epistemologjik.
Të gjithë e dimë historinë e semiotikës, e lindur për të përcaktuar objekte tekstuale që janë të vështira për t’u përcaktuar. Megjithatë, elementet e para të një semiologjie tekstuale mund të gjenden në shënimet e dorëshkrimeve pjesërisht të pabotuara të Saussure-it mbi Niebelungen, les legendes germaniques; shënime gjysmë të panjohura, ku shfaqet ideja e një semiologjie të personazhit. Jemi rreth viteve 1895-1900; Jemi përballë një Saussure-i tjetër, të ri, të cilin askush nuk e njeh dhe që është pa dyshim themeluesi i semiologjisë narrative, të narratologjisë. Jemi përpara Propp-it dhe Levi-Strauss-it, të cilët do të trajtojnë tema të ngjashme. Prandaj semiologjia lindi për të përcaktuar objekte të paqarta, objekte “të buta”, si legjenda, mite, përralla popullore, një mjegullnajë rrëfimesh që nuk kanë formë, datë apo autor.
Le të bëjmë një parantezë terminologjike; a duhet t’i themi semiotikë semiologjisë? Ka shkolla të ndryshme, tendenca të ndryshme që orientohen te termi për t’u përdorur. Argumentohet se semiologjia më tepër përcakton shkencën e përgjithshme të shenjave, ndërsa analizat e natyrshme në këtë apo atë fushë do të ishin semiotike, por askush nuk është dakord. Të mos harrojmë ndikimin e termit anglez semiotics.
Pra, kjo disiplinë, nëse ekziston dhe nëse ka një emër, ka lindur për të përcaktuar objekte të paqarta: mite dhe përralla popullore me Propp-in, legjenda me Saussure-in, fabula me Bedier-in (që Propp e citon në parathënien e tij Morfologjia e përrallës),[10] për një lloj parahistorie të disiplinës, ndoshta pak të njohur për historianët. Objekti tjetër për të përcaktuar është ai poetik: analizat e para të Jakobson-it dhe Levi-Strauss-it kanë të bëjnë me tekstet poetike. Është interesante të vërehet kjo origjinë e dyfishtë e objekteve të vështira për t›u përcaktuar: nga njëra anë objekte «të buta», mite, histori dhe, nga ana tjetër objekte “të forta”, poezi, të cilat janë objekte shumë formale, shumë personale, shumë të organizuara. Po sot? A ka ende objekte të vështira për t’u përcaktuar, të cilat i imponohen vëmendjes tonë dhe na bëjnë të zbatojmë një qasje dhe metodologji origjinale? Nuk e di: jemi, me sa duket, në një fazë zgjerimi dhe shpërndarjeje interesash, objektesh dhe metodash; semiotika është kudo dhe askund; Shkolla e Parisit ndoshta ka vdekur; Urbino mbijeton, por jo më ai i viteve shtatëdhjetë. Ndoshta kjo është mirë. Nocioni i “kulturës” (i cili ka qenë prej kohësh në qendër të veprave të Lotman-it) është gati të bëhet “objekt i ri për t’u përcaktuar” (as “i vështirë”, as “i butë”, ose i fortë dhe i butë në të njëjtën kohë), që kërkon shpikje të reja metodologjike. Ndoshta kemi hyrë në historinë kulturore; siç thashë më herët, dy librat e mi të fundit trajtojnë, sipas një qasjeje që mbetet semiotike në tërësi (d.m.th. ruajnë nocionet e shenjës, sistemit, hierarkisë së niveleve të përshkrimit etj.), të fenomeneve kulturore dhe ideologjike më globale dhe më të përhapura, (objektet e famshme të papërcaktueshme), të shqyrtuara nga këndvështrimi i një studimi ndërsemiotik (marrëdhëniet ndërmjet figurative dhe jofigurative, midis shenjës dhe imazhit, etj.). Edhe në këtë rast jam në dijeni të ndjekjes së një tendence: tani të gjithë po flasin për imazhe, ose për raportin letërsi-imazh, letërsi-pikturë, letërsi-ilustrim etj.
Besoj se një disiplinë është e gjallë kur përparon ose kur bën mënjanë për t›i hapur rrugë disiplinave të tjera; ndoshta jemi në një moment më hutues, më pak të përcaktuar. Para disa vitesh u pa se “ka munguar”, ose besohej se shiheshin “boshllëqe” të frikshme në fushën e teorisë letrare. Kur kam shkruar libër për përshkrimin, nuk kishte punime sintezë për këtë temë, kur punoja për personazhin,[11] mendova se nuk kishte punime sintezë për problemin e personazhit, dhe e njëjta gjë për problemin e heroit,[12] që nuk i atribuohet atij të personazhit, sepse është diçka krejt ndryshe. Problemi i heroit ngre një problem ideologjik: kush është personazhi kryesor i një libri? Është diçka që vë në lojë sistemet e vlerave, pra sistemet ideologjike. Nuk ka teori letrare dhe tekstuale të vlerës.[13] Njëzet vjet më parë mendohej se disa çështje duheshin trajtuar me një “urgjencë”, tani nuk e di nëse ka më: më pak koncepte si përshkrimi, personazhi, heroi, e ndoshta edhe ritmi shtjellohen.[14] Ne donim të bënim një bilanc të situatës dhe të zhvillonim teori shpjeguese për këto çështje. Tani e kuptoj se nuk ka shumë çështje për t›u shpikur: është sikur të ishte thënë gjithçka dhe sikur të ishte e nevojshme të tretej semiotika, të tretej ky grumbull metodash, sikur të ishte e nevojshme të shpikeshin fusha të reja (p.sh. raporti tekst-imazh) në vend të objekteve të reja. Por ndryshimi midis fushës dhe objektit nuk është shumë i qartë. Ndoshta është ky nocioni i “kulturës”, siç e thashë edhe më parë, që sot kërkon natyrën problematike, konceptualizimin e saj dhe që duhet “ndërtuar”.
Si përfundim, mendoj se ka ende shumë për të bërë, objekte të reja për të ndërtuar në këto fusha të reja. Semiotika jeton në sfera shumë të ndryshme: e kam fjalën për semiotikën biblike, e cila ka ripërtërirë hermeneutikën klasike biblike; analiza e tekstit biblik është transformuar plotësisht nga rrëfimi semiotik i Greimas-it (dhe ka fusha të tjera si kjo). Tani, si është e mundur të kalosh në një brez të ri? Si është e mundur të shpiken objekte të reja? Problemi (e thashë më herët se evoluon me kundërpërgjigje), problemi aktual është: përgjigje, ndaj kujt? Nuk ka ide mbizotëruese, nuk ka një metodë të vetme apo një këndvështrim hegjemonist, nuk ka objekte “të munguara”, prandaj përparimi pasojë e kundërpërgjigjes bëhet aktualisht më i vështirë. Nuk ka më kështjella për të shkatërruar (si historia letrare e Sorbonës në vitet gjashtëdhjetë), nuk ka më asnjë mendim të vetëm për të luftuar. Kjo do të thotë se krijimi i objekteve të reja si kundërpërgjigje ndaj të vjetrave është më i vështirë sot: është ndoshta karakteristikë e epokës sonë (nuk do të flisja për një “fazë tranzicioni” sepse është një shprehje e pakuptimtë; çdo epokë, çdo çast shfaq momente kalimi ndërmjet të mëparshmit dhe të mëpasshmit). Por ne jetojmë në një epokë disi sterile, prandaj ka rreziqe dhe ndoshta pikërisht këto rreziqe (ekonomike, politike: le të mendojmë për globalizimin) i detyrojnë semiotikës “objekte tregtare” të reja dhe “urgjenca” të reja. Në të vërtetë, ne jemi përballë një problemi konkret dhe të ngutshëm: çfarë kulture sot? dhe për cilën Evropë?
Këtu shtrohet një pyetje: a është semiotika e aftë të prodhojë objekte të reja reflektimi? Dhe çfarë kontributi mund të japë për ta? (nocionin e kulturës, për shembull). Nuk e di. Na takon të gjithëve të shpikim semiotikë të re më të vëmendshme ndaj problemit kulturor, ndaj problemit të shqiptimeve të shtyra, të virtuales, ndaj tipologjisë së mënyrave të shprehjes, siç thashë më parë, kur fola për çështjen e ironisë: ironi sot, qëndrimi ynë i vetëm i mundshëm? Apo është ai “serioz”, ai politikisht korrekt, një ligjërim që “e merr seriozisht çdo gjë”, një ligjërim i papërshkueshëm nga ironia, nga pushteti apo që duhet të jetë qëndrimi dominues i shqiptuar? Sot ka detyra të tjera, detyra të reja, sfida të reja për t’u marrë: Po i referohem edhe një herë problemit të kulturës: cilës kulturë? për cilën botë? Është e nevojshme të përcaktohet se çfarë mund dhe nuk mund të thotë për këto pyetje të reja semiotika, një disiplinë e rreptë, një disiplinë fort teorike dhe relativisht homogjene në hipotezat e saja. Çfarë kontributi mund të japë në këto fusha të pacaktuara dhe të reja? Çfarë objektesh të reja mund të shpikë?
Fusnota
Do të doja t’i kthehesha problemit të rrugëtimit: do të ishte interesante të gjurmohej një tipologji e rrugëtimeve të studiuesve, siç bëri Propp-i për rrugëtimin e heroit në përrallën popullore. Gjithmonë nisemi nga një mungesë: duke praktikuar narratologjinë (të gjithë janë të përfshirë në të), kuptoj që mungon një teori përshkrimi, pasi deri më tani përshkrimi është konsideruar si i pabazuar nga ana strukturore dhe ideologjike në rrëfim dhe gjithmonë shihet si “shërbëtor” i tij”, sipas fjalëve të Genette. Ky është një këndvështrim i gabuar: mendoj se përshkrimin duhet ta ndërtojmë si një formë semiotike autonome të prirur nga paradigmatika dhe jo nga sintagmatika. Ndaj nisem nga një mungesë që kam ndërmend ta plotësoj, pasi heroi i përrallës shkon në kërkim të thesarit, sepse nuk ka para. Për më tepër, sa i përket idesë së reagimit, duhet thënë se të gjitha kërkimet janë polemika; kjo është ajo që duhet të rifutet në epistemologji: të bësh kërkime do të thotë ta bësh atë kundër dikujt, kundër institucioneve, kundër studiuesve të tjerë. Ekziston një dimension polemik (mund të themi edhe “dialogjik”, a la Bahtin), i njëjti që e gjejmë në përrallë, kur heroi përballet me të këqijtë. Pra, është gjithmonë momenti vendimtar në të cilin një objekt i ri ndërtohet kundër objektit dominues ose atij të mëparshëm; dhe më pas, si në të gjitha përrallat popullore, më në fund heroi kthehet në fshat për t’u martuar me të fejuarën e tij dhe për t’u bërë mbret etj.
Unë mendoj se kërkimi evoluon jo vetëm nga kundërpërgjigjia, por mbi të gjitha nga përgjigjet e ndryshme. Për shembull, duke studiuar recit, kuptoj që mungon një teori përshkrimi, ndaj skicoj një teori përshkrimi kundër teorive dominuese dhe befas më kujtohet se formalistët rusë, pesëdhjetë vjet më parë, kishin hedhur idenë e “dominantit”; dhe gjej në një teori të vjetër, në një drejtim të vjetër kritik, një nocion që askush nuk e kishte konsideruar se askush nuk e kishte eksploruar vërtetë. Ky nocion i dominantit është i dobishëm për mua në momentin kur shoh se një tekst përbëhet nga disa sisteme bashkëekzistuese dhe të njëkohshme, dhe se një tekst nuk është kurrë vetëm përshkrues ose vetëm narrativ, por që është në të njëjtën kohë përshkrues, narrativ, argumentues dhe poetik; më nevojitet menjëherë një koncept për të menduar për këtë nocion të hierarkisë së paqëndrueshme dhe më pas kujtohem se formalistët rusë kishin hedhur idenë e dominantit, dhe për këtë arsye i kthehem edhe njëherë, në një mënyrë disi anakronike, një nocioni që kishte ikur pa u vënë re. Besoj se në kërkime gjejmë marrëdhënie polemike me bashkëkohësit, se ekzistojnë kushtet për të ndërtuar këndvështrime të reja, por ka edhe disa retrospektiva, ndoshta anakronike dhe të bazuara në kontradikta, ndaj këtyre këndvështrimeve dhe nocioneve të mëparshme. Ndoshta nuk e lexoj mirë nocionin e dominantit të formalistëve rusë të viteve 1910 – ‘20, por nuk ka rëndësi. Kërkimi është anakronik, në kuptimin që mund të kthehet pas për të shtrënguar një koncept të ndërkëmbehet nga konteksti i tij fillestar.[15] Prandaj i gjithë leximi është anakronik. Ajo që më intereson tek një autor i shekullit të tetëmbëdhjetë është Prusti, i cili vjen një shekull më vonë; e kërkoj Proustin, për shembull, te Richardson-i, dhe papritmas lexoj Richardson-in “në dritën e Prustit”. Çdo lexim është anakronik dhe besoj se edhe çdo kërkim është i tillë, që do të thotë “anakronik” në një kuptim të fortë, domethënë si një rizbulim i koncepteve në teoritë e mëparshme dhe si një “riciklim” konceptesh: në fund të fundit, është një lloj ekologjie e epistemologjisë, e cila përbën një kthim në koncepte jo shumë të dobishme më parë dhe ripërdorimin e tyre. Mendoj se edhe kjo është një fushë për t’u eksploruar, përderisa ne nuk e konsiderojmë si një sektor të përcaktuar mirë, por siç thotë Bourdieu, “një zonë konflikti, një zonë dinamike”. Unë nuk jam sociolog apo dishepull i Bourdieu-së, por mendoj se përkufizimi i tij për këtë fushë si një “zonë konflikti” është interesant. Nëse një ditë do të reflektonim mbi nocionin e një rrugëtimi kërkimor, do të na duhej t›i mendonim këto rrugëtime si kalime polemike dhe anakronike të këtyre zonave të konfliktit: dhe një rrugëtim me shumë drejtime që vazhdon në çdo kuptim të prodhojë, herë pas here dhe në rastet më të mira, këndvështrime të reja.
Po shtoj këtu një shënim historik. Strukturalizmi dhe semiotika letrare shpesh janë akuzuar si tepër tekstuale, të mbyllura në një analizë të trupëzuar, në një vëzhgim të pastër të strukturave tekstuale. Por nuk është kështu. Po të shikojmë veprat e Benvenistes, vëmë re se shumë kohë më parë, në vitet gjashtëdhjetë, ai fliste për probleme të kumtimit. Por me sa duket nuk janë lexuar. Na u desh të zbulonim se Benveniste kishte folur për problemet e kumtimit tashmë në një klimë të plotë strukturaliste. Një shembull tjetër. Është e vërtetë se nocioni i ironisë është bërë prej kohësh pronë e sociologëve dhe psikoanalistëve. Ne njohim librin e madh frojdian mbi zgjuarsinë ose esetë e sociologëve që na mësojnë se ironia është një taktikë, se i huaji është ai që nuk qesh me gjërat që duhet të qeshë dhe përkundrazi, qesh me gjërat që nuk duhet të qeshë. Ky është përkufizimi i një të huaji. Prandaj, ironia është një pyetje sociologjike, e cila nxjerr në pah sistemet e vlerave dhe të ideologjive. Mes psikoanalistit dhe sociologut, dukej se i gjori i letrave (ose semiotisti) nuk kishte asgjë më shumë për të thënë për ironinë: jemi gjithmonë në vazhdën e Frojdit (“shpirti” si një strategji për të neutralizuar një ndalim seksual), ose të sociologëve (që theksojnë një ndryshim klasor).
Thjesht doja të kujtoja se strukturalizmi kishte menduar për problemet e kumtimit dhe për të mbushur një boshllëk, për të bërë një sintezë të vogël për një çështje që më dukej e rëndësishme për ta trajtuar sërish. Nuk ishte e lehtë, sepse ironia është një akt ligjërimor shumë i ndërlikuar i dekonstruksionit: nuk është çështje strukture, pasi është e mundur të bësh ironi me çdo lloj fjalie ose imazhi (nuk ekziston asnjë imazh, frazë ose formë konkrete ironike). Nga ana tjetër, mund të mendojmë se është më tepër një çështje konjukture, e një konteksti real, josemiotik. Nëse them “sa kohë e mrekullueshme”, ndërsa jashtë bie shi, ironia lind nga mospërputhja mes ligjërimit dhe realitetit. Tani, në një tekst letrar (pra të shkruar, të vendosur në një situatë tjetër, dhe në të cilin një dërgues, një kontekst dhe një marrës që nuk takohen), nuk ka realitet: nuk ka shi që bie në tekst. Pra, u përballa me një sërë vështirësish: si të studioj ironinë, të zotëruar nga filozofët, sociologët apo psikanalistët? Dhe, si studiohet ironia në tekstet e shkruara letrare, pra në një tekst jashtë kontekstit? Vështirësi e dyfishtë. E ktheva pyetjen e “qëndrimit të kumtimit”, duke i dhënë termit “qëndrim” një kuptim fizik, gati teatral: në fakt thuhet se dikush, në një rrethanë të caktuar, “merr një pozë”, një qëndrim, jep vetë një qëndrim, shkurt: një ton zëri, një lloj maske. Si ndodh kjo në tekste që i përkasin gjinive shumë të ndryshme? Për shembull, si mund të jesh ironik në një poezi? Thuhet shpesh se Baudelaire-i është ironik, por kur e lexon, shumë lexues të tij protestojnë, sikur të kishte një papajtueshmëri mes poezisë dhe ironisë, sikur poezia të kërkonte përkushtim, shprehje serioze, sinqeritet dhe të vërtetë, në klithmë, në dhimbje, në spleen, të cilat përjashtojnë çdo mundësi për të bërë ironi me dhimbjen. Vështirësi të mëtejshme: a ka ironi në shumës, në varësi të gjinive letrare? A ka ironi poetike, apo ironia është e papajtueshme me poezinë lirike? A ka një ironi në roman, një ironi në teatër? A përputhet ajo me romanin detektiv apo me fantastiken? Nëse ndërtojmë një tipologji të përgjithshme të qëndrimeve të kumtimit, arrijmë të përcaktojmë edhe të kundërtën e ironisë. Për shembull, çfarë është një qëndrim “serioz”? Nuk e di. Këtu hasim një vështirësi tjetër: në përpunimin e një teorie ironie, do të më duhej ta përballja me të kundërtën e saj, “seriozen”. Në librin tim kam bërë kryesisht një inventar të vështirësive: vështirësive institucionale dhe disiplinore, të cilat e detyrojnë letrarin të përcaktojë fushën e tij në raport me atë të filozofit, psikoanalistit, sociologut; vështirësi të natyrshme në të njëjtin objekt letrar, kumtim i shtyrë, jashtë kontekstit: nuk ka shi që bie vërtetë. Së fundi, një vështirësi që lidhet me gjininë: duke qenë se në letërsi kemi gjini të ndryshme, secila me një regjim të veçantë ironie, ndoshta ka ironi në shumës. Prandaj, mos prisni përkufizime tronditëse dhe përfundimtare nga libri im.
Sigurisht që nuk jam i pari që kam folur (ose kam rifolur) për ironinë letrare. Mbaj mend që organizova një seminar në Urbino me këtë temë. Ishte seminari i parë semiotik në këtë drejtim. Ai mbeti i pabotuar dhe nuk arriti në konkluzione të qarta, por më pas pati meritën e rifillimit të pyetjes. Ai tregoi një mënyrë. Tashmë, dhjetë vjet më vonë, diçka ka prodhuar.[16]
Së fundi, një fjalë për semiotikën e pasioneve. Kjo është një fushë origjinale, e nisur nga një libër i shkruar nga Greimas-i dhe Fontanille.[17] Fillimisht ishte një çështje e gjuhësisë që të gjithë e njihnin prej shekujsh: çështja e aspektit. Të gjitha gramatikat trajtojnë problemin e joaktives, përfundimtares dhe kohëzgjatjes. Kjo fushë e re u themelua mbi çështjen e pritshmërisë dhe kohës. Greimas-i i fundit, jashtëzakonisht kompleks, analizat e të cilit nuk kemi mbaruar ende së verifikuari, e përkufizon pasionin si një itinerar dhe si një lojë modaliteti; ekziston pasioni i përfaqësuar nga teksti dhe ekziston pasioni i tekstit si globalitet: çfarë është një tekst “pasionant” pavarësisht nga përmbajtja e shprehur? Ndër pyetjet e hapura sot, kjo është një nga më të gjallat dhe më interesantet. Mund të trajtohet nga një këndvështrim tematik, për shembull duke studiuar zemërimin në Edukimin Sentimental të Floberit. Por nuk do të shkonte larg. Aty është pasioni i tekstit (i qeverisur nga një sistem ritmik: ngasja / zmbrapsja); ka një ritmologji të fshehtë në tekste të caktuara, analoge me ndryshimin, në muzikë, midis adagio, allegretto, scherzo. Ato janë struktura drejtuese abstrakte për t›u marrë në konsideratë dhe për të konfiguruar një sërë zhurmash abstrakte, por edhe nocione që i referohen qëndrimeve të kumtimit si gëzimi, qetësia, shakaja. Semiotika e pasioneve është një fushë shumë interesante dhe komplekse, e cila tani për tani është vetëm në plan të parë.
_____________
Hamon, Philippe. (2021). Tra Parigi e Urbino. Në G. Marrone (Re.), Contaminazioni simboliche. Annali del Centro internazionale di scienze semiotiche “Umbero Eco”, Biblioteca/semiotica/ annali, fv. 160-167. Milano: Meltemi.
Philippe Hamon (1940) është eseist, kritik letrar, semiotist, me qasje e frymëzim strukturalist dhe një karrierë të gjatë në universitete franceze dhe ato botërore, duke filluar me, université Rennes-II, Université Sorbonne-Nouvelle, për të vazhduar me Ann Arbor, Yale, Montréal, San Diego, Le Caire, Helsinki. Si studiues i teorisë së letërsisë, estetikës, stilistikës, ai vlerësohet për esetë mbi poetikën e rrëfimit, statusin e personazhit, përshkrimin dhe ironinë, si edhe për kontekstin kulturor e ndërsemiotik të shkrimit realist dhe natyralist në shekulli i nëntëmbëdhjetë.
Ndër veprat më domethënëse mund të përmendim:
Për një status semiologjik të personazhit (revista Littérature, 1972 ; ribotuar në Poétique du récit, Seuil, 1977)
Mbi përshkrimin (Hachette, 1981; 1993)
Personazhet e romanit (Genève, Droz, 1983 ; ribotim 1998)
Teksti dhe ideologjia (PUF, 1984 ; ribotim,1996)
Përshkrimi letrar (Macula, 1991)
Expozitat, Letërsia dhe arkitektura në shek. XIX (Corti, 1995)
Ironia letrare, ese mbi format e shkrimit të zhdrejtë (Hachette, 1996)
Takime në tavolina dhe gjëra të shtruara përreth, nga natyra e qetë në letërsi (Genève, Droz, 2018)
[1] Michel Foucault, Les Mots at les chores. Une archeologie des sciences humaines, Gallimard, Paris 1966 (trad. it. Le parole e le cose. Un’archeologia delle scienze umane, Rizzoli, Milano 1966); Algirdas J. Greimas, Semantique structurale. Recherche de mithode, Larousse, Paris 1966 (trad. it. La semantica strutturale. Ricerca di metodo, Rizzoli, Milano 1968); Emile Benveniste, Problemes de linguistique generale, Gallimard, Paris 1966 (trad. it. Problemi di linguistica generate, it Saggiatore, Milano 1971); Tzvetan Todorov (a cura di), rheorie de la littirature. Textes des formafistes rzisses, Editions du Seuil, Paris 1966 (trad. it. I formalisti russi. Teoria della letteratura e metodo critico, Einaudi, Torino 1968); Roland Barthes, Critique et verite, Editions du Seuil, Paris 1966 (trad. it. Critica e verity, Einaudi, Torino 1969); Gerard Genette, Figures I, Editions du Seuil, Paris 1966 (trad. it. Figure I. Retorica a strutturalismo, Einaudi, Torino 1969); Louis Hjelmslev, Le Langage, une introduction, Editions de Minuit, Paris 1966 (trad. it. Il linguaggio, a cura di Giulio Lepschy, Einaudi, Torino 1970); Jacques Lacan, Ecrits, Editions du Seuil, Paris 1966 (trad. it. Scritti, a cura di Giacomo B. Contri, Einaudi, Torino 1974> 2 V011.); Jean Cohen, Structure du langage poetique, Flamrnarion, Paris 1966 (trad. it. Struttura del linguaggio poetico, it Mulino, Bologna 5974).
[2] Francois Dosse, Histoire du structuralisme, La Decouverte, Paris 1991-92, 2 vol.
[3] Jean-Claude Coquet e al., Senziotique. L’Ecole de Paris, Hachette, Paris 1982.
[4] Algirdas J. Greimas e Joseph Courtes, Semiotique. Dictionnaire raisonne de la theorie du langage, Hachette, Paris 1979 (trad. it. Semiotica. Dizionario ragionato della teoria del linguaggio, a cura di Paolo Fabbri, La casa Usher, Firenze 986).
[5] Philippe Hamon, Introduction a l’analyse du descriptif, Hachette, Paris 1981 (2 ed. 1993).
[6] id., L’Ironic litteraire. Essai sur les formes de l’ecniture oblique, Hachette, Paris 1996.
[7] id., Imageries. Litterature et image au xix siecle, Corti, Paris 2001.
[8] Roland Barthes, L’effet du reel, “Communications”, Ii, 1968.
[9] id., La Chambre claire. Note sur Is photographie, Gallimard, Paris 1980 (trad, it. La camera chiara. Nota sulla fotografia, Einaudi, Torino 1980).
[10] Vladimir Ja. Propp, Molfologija skarki, Academia, Leningrad 1928 (trad, it. Morfologia della flaba, a cura di Gian Luigi Bravo, Einaudi, Torino 1966).
[11] Philippe Hamon, Le Personnel du roman. Le systeme des personnages dans les Rougon-Macquart Zola, Droz, Geneve 1983.
[12] Philippe Hamon, Texte et idéologie. Valeurs, hiérarchies et évaluations dans œuvre littéraire, PUF, Paris 1984.
[13] Vincent Jouve, Poetique des valeurs, PUF, Paris 2001, e Paul Ricceur, Lectures on Ideology and Utopia, a cura di George H. Taylor, Columbia University Press, New York 1986 (trad. fr. L’Ideologie et l’utopie, Editions du Seuil, Paris 1997).
[14] Henri Meschonnic, Critique du rythme. Anthropologie historique du langage, Verdier, Lagrasse 1982; id., Politique du rythme, politique du sujet, Verdier, Lagrasse 1995.
[15] Një shembull i kësaj janë studimet e historisë së artit të Didi-Huberman : nëse ai do të gjente te Beato Angelico disa nuanca ngjyrash që askush nuk i kishte vënë re më parë, kjo vinte ngaqë kishte në mendje pikturën e J. Pollock-ut.
[16] Në veçanti, “Poetique”, 36, 1978, numri monografik sull’Ironie.
[17] Algirdas J. Greimas e Jacques Fontanille, Semiotique des passions. Des etas de choses aux etats d’ame, Editions du Seuil, Paris 1991 (trad. it. Semiotica delle passioni. Dagli stati di case agli stati d’animo, Bompiani, Milano 1996).