Nga Uljana Volokhova
Përktheu: Bujar Hudhri
“Procesi” nisi me një ndarje
Në korrik të vitit 1914, Kafka udhëtoi nga Praga për në Berlin, për të vizituar të fejuarën e tij, Felicia Bauer. Takimi ishte caktuar për datën 12 korrik, në hotelin Askanischer Hof.
Bauer nuk erdhi vetëm, por e shoqëronin motra e saj, Erna, dhe shoqja e ngushtë, Greta Bloch. Një ditë më parë, Bloch i kishte treguar Bauer-it fragmente nga korrespondenca me të fejuarin e saj – fragmente që mund të interpretoheshin si me ngjyrim romantik – dhe kjo e fundit dëshironte ta sqaronte situatën.
Pasoi një sqarim i gjatë dhe i dhimbshëm, që përfundoi me prishjen e fejesës. Bisedën – të mbushur me akuza, me lexime provash, me kërkesa për përgjigje dhe dhënie të vendimit – Kafka e përshkruante në ditarin dhe letrat e tij si “gjyq”, “tribunal” dhe “proces hetimor”. Dy javë më pas, ai nisi të shkruajë romanin për Jozef K.-në, një njeri që “dikush, me sa duket, kishte shpifur, sepse, pa bërë asgjë të keqe, u arrestua”.

Jozef K. — është vetë Kafka
Këtë e sugjerojnë disa studiues, duke vënë në dukje se emri i personazhit përmban, ashtu si “Franz”, pesë shkronja, dhe se mbiemri fillon me “K.”. Për më tepër, emri “Jozef” mund të jetë një referencë ndaj lagjes hebraike “Jozefov” në Pragë, ku Kafka ka lindur dhe ka kaluar fëmijërinë e hershme.
Kafka e konsideronte romanin si një vepër qesharake. Gjatë punës mbi “Procesin”, ai i mblidhte miqtë dhe u lexonte pasazhe nga ajo që kishte shkruar. Miku i tij më i ngushtë, Max Brod, kujtonte se ato ishin takime shumë gazmore:
“Ne […] qeshnim pa u përmbajtur. Edhe ai vetë qeshte aq shumë, sa që kishte çaste kur nuk mund të vazhdonte leximin. Natyrisht, nuk ishte një e qeshur e mirëfilltë, ngushëlluese, por kishte diçka edhe nga e qeshura e thjeshtë dhe e gëzuar.”
Kafka ishte i kënaqur vetëm me një fragment të romanit. Ai punoi për Procesin për gjashtë muaj, gjatë të cilëve shënonte në ditar se po bënte shumë përpjekje. Në janar të vitit 1915, ai e ndërpreu shkrimin, duke e quajtur romanin “të dështuar nga pikëpamja artistike”.
Pjesa e vetme e romanit që Kafka e konsideronte të arrirë dhe që i jepte “ndjesinë e kënaqësisë dhe lumturisë” ishte shëmbëlltyra nga kapitulli Katedralja. Në të, një fshatar, që tërë jetën kishte lutur rojen që ta lejonte të hynte te Portat e Ligjit, dëgjonte gjithmonë refuzim; dhe vetëm në çastin e vdekjes, në pyetjen e tij të fundit se përse askush tjetër nuk kishte ardhur te ato porta, roja i përgjigjet: “Kjo hyrje ishte destinuar vetëm për ty.”

Ndryshe nga pjesa tjetër e romanit, për botimin e së cilës Kafka nuk kishte ndonjë interes të veçantë, shëmbëlltyrën me titullin “Para Ligjit” e botoi në fund të vitit 1915 në revistën Selbstwehr, dhe pesë vite më vonë e përfshiu në përmbledhjen me tregime Mjeku i fshatit.
“Procesi” u botua kundër vullnetit të Kafkës

Shkrimtari vdiq më 3 qershor 1924 nga komplikime të shkaktuara nga tuberkulozi. Si ekzekutor të testamentit të tij ai kishte caktuar mikun e ngushtë, Max Brod. Pas vdekjes së Kafkës, ndër dokumentet e tij u gjetën dy shënime të drejtuara Brodit, të datuara rreth viteve 1920–1922.
Në to, Kafka i kërkonte shprehimisht që të shkatërroheshin të gjitha dorëshkrimet, fletoret, shënimet ditore dhe letrat, si dhe të mos ndërmerrej asnjë përpjekje për ribotimin e veprave tashmë të botuara.
Por Brod nuk e përmbushi amanetin e mikut. Ai jo vetëm që nuk i shkatërroi letrat, por filloi menjëherë përgatitjen e tyre për botim. Në prill të vitit 1925 doli libri i parë nga trashëgimia e pabotuar e Kafkës — romani Procesi.
Vendimin e vet Brod e justifikonte me faktin se të dy shënimet ishin hartuar disa vite para vdekjes, në periudha kur Kafkën e mundonin mendime të errëta dhe melankolia. Ndërkohë që muajt e fundit të jetës përfaqësonin një gjendje krejt tjetër shpirtërore:
“Nga kjo kthesë thelbësore që ndodhi në të, nga të gjitha dëshmitë për afrimin e tij me jetën, unë gjeta më vonë guximin për ta quajtur të pavlefshëm atë udhëzim që më kishte lënë. […] Franz atëherë më dukej si një njeri i çliruar, i ripërtërirë.”
Për romanin debatohet ende sot
Dorëshkrimi i Procesit i ra në dorë Max Brod-it në formën e tre zarfeve, në të cilat ndodheshin 16 pjesë të veçanta të tekstit. As zarfet dhe as pjesët e dorëshkrimit nuk ishin të numëruara.
Për botimin e parë, Brod e organizoi vetë tekstin e copëzuar, duke e ndarë në dhjetë kapituj, duke u mbështetur në kujtimet e tij për mënyrën si punonte Kafka mbi dorëshkrimin dhe në interpretimin e tij të strukturës së romanit. Ky version është konsideruar si kanonik, megjithatë ekzistojnë edhe propozime të tjera për organizimin e tekstit.
Për shembull, në vitin 1997, studiues gjermanë të letërsisë e rindërtuan dhe e botuan Procesin në formën e vet origjinale — ashtu siç Brod e kishte gjetur dorëshkrimin: në tri pjesë të mëdha, të ndara brenda vetes në 16 broshura.
Një version tjetër strukturimi e ka propozuar studiuesi kolumbian Guillermo Sánchez Trujillo. Në librin e tij Krimi dhe ndëshkimi i Franz Kafkës, ai e krahason Jozef K.-në me Raskolnikovin dhe pohon se intriga e Procesit ishte menduar si një parafrazim i Krimit dhe ndëshkimit dhe duhet të pasqyrojë edhe nga ana strukturore romanin e Fjodor Dostojevskit.
“Procesi” është një interpretim i Librit të Jobit.
Në tekstin biblik të Dhiatës së Vjetër, Jobi — njeri i devotshëm dhe i drejtë — humb pasurinë, fëmijët dhe shëndetin pa asnjë arsye të dukshme, por nuk e humbet besimin te Zoti, i cili ia lejon Satanait të sjellë këto fatkeqësi mbi të drejtin.
Në kulturën perëndimore, fabula e Librit të Jobit është interpretuar vazhdimisht nga filozofë, shkrimtarë dhe teologë si një shembull i misterit të vullnetit hyjnor, bashkëjetesës së së keqes dhe Zotit, dhe paqartësisë së vetë konceptit të drejtësisë.
Max Brod besonte se në Procesin, ashtu si edhe në veprat e tjera, Kafka shqyrtonte marrëdhënien ndërmjet Jobit dhe Zotit:
“Drejtësia paraqitet si një makineri, që me një egërsi të rafinuar shtyp njeriun — një vegël thuajse djallëzore dhe çnjerëzore. Në Librin e Jobit, edhe Zoti shfaqet si padrejtësisht i pamëshirshëm ndaj njeriut. Por ai i duket i tillë vetëm nga këndvështrimi i njeriut.”
Kafka ishte i njohur me veprat e Søren Kierkegaard-it, i cili e përfytyronte të drejtin biblik si një nga “kalorësit e besimit” — një njeri që ndodhet përtej së mirës dhe së keqes, por që gjithsesi vazhdon të besojë “në fuqinë e absurdit”.
Edhe Jozef K., në mënyrë të ngjashme, nuk i kupton arsyet e ndjekjes së tij, por në kundërshtim me çdo logjikë, u beson vetë procedurave që e ndjekin.

Një nga temat e Procesit është antisemitizmi.
Kështu mendonte Jean-Paul Sartre. Në vitin 1944 ai shkroi esenë Meditime mbi çështjen hebraike.
Filozofi përpiqej të kuptonte prejardhjen dhe mekanizmin e antisemitizmit dhe katastrofës që po ndodhte me hebrenjtë në Evropë. Për të ilustruar fatin e një populli, të cilit shoqëri të ndryshme i kishin adresuar për shekuj me radhë akuza absurde dhe të pakuptimta, ai solli si shembull figurën e Jozef K.-së:
“Ndoshta ky është një nga shtresat kuptimore të Procesit të hebreut Kafka. Ashtu si protagonisti i romanit, edhe hebreu përfundon i pandehur në një proces të pafund. Ai nuk di asgjë për gjykatësit e tij, dhe pothuajse asgjë për mbrojtësit; ai nuk e di nëse është fajtor, por njëkohësisht e di se e konsiderojnë të tillë. Gjyqi shtyhet pafundësisht: për më tetë, për më pesëmbëdhjetë… Ai përfiton nga këto shtyrje për t’u siguruar me mijëra mënyra, por çdo masë paraprake e marrë në mënyrë të rastësishme i shton edhe diçka fajësisë së tij.”
“Procesi” parashikoi regjimet totalitare të shekullit XX.
Këtë mendim e ndante, ndër të tjerë, edhe dramaturgu Bertolt Brecht. Në një bisedë me filozofin Walter Benjamin, ai shprehej se te Kafka e magjepste “frika nga shteti: mënyra se si njerëzit i largohen vetes përmes formave të bashkëjetesës së tyre.”
Shenja të totalitarizmit në sistemin që përndjek Jozef K.-në i kishte vërejtur edhe Hannah Arendt.
Në esenë e saj Franz Kafka: një rivlerësim, ajo shkruan se Kafka “përshkruan një shoqëri që ngrihet si zëvendësim për Zotin, dhe njerëz që i trajtojnë ligjet e saj sikur të ishin ligje hyjnore — të pandryshueshme për njeriun.”
Orson Welles xhiroi “Procesin”, megjithëse fillimisht kishte planifikuar të ekranizonte “Taras Bulbën”.
Në vitin 1960, producenti francez Alexandre Salkind i propozoi Orson Welles-it të realizonte një film sipas romanit të Nikolaj Gogolit Taras Bulba dhe të luante vetë rolin kryesor.
Welles ishte një admirues i madh i Gogolit dhe menjëherë u ul të shkruante skenarin. Por shpejt u bë e ditur se në Hollywood, regjisori Jay Lee Thompson tashmë po përgatiste një ekranizim të romanit.
Prandaj, Salkind i propozoi Welles-it të zgjidhte një libër tjetër — dhe ai zgjodhi Procesin e Kafkës.
Rolin e Jozef K.-së në film e luajti Anthony Perkins, ndërsa gratë e tij u interpretuan nga Romy Schneider dhe Jeanne Moreau; vetë Welles shfaqet në rolin e avokatit. Fundi i historisë në film ndryshon nga ai i romanit:
në libër, Jozef K. i bindet xhelatëve që vijnë ta marrin dhe ua jep qafën pa rezistencë, ndërsa në film, heroi kundërshton ekzekutimin.
Arsyen për këtë ndryshim, Welles e shpjegonte kështu:
“Pas shfarosjes së gjashtë milionë hebrenjve, Kafka nuk do ta kishte shkruar më atë fund. Ai mund të kishte qenë i pranueshëm para Auschwitz-it.”

“Procesi” zë vendin e dytë në listën e romaneve më të mëdha në gjuhën gjermane.
Në vitin 1999, studiues të letërsisë, shkrimtarë dhe kritikë zgjodhën 10 romanet më të rëndësishme në gjuhën gjermane të shekullit XX.
Kafka, megjithëse me origjinë nga Bohemia — që bënte pjesë në Perandorinë Austro-Hungareze — shkruante në gjermanisht dhe arriti të renditej në listë me dy vepra.
Procesi zuri vendin e dytë, duke ia lënë të parin Njeriut pa cilësi të Robert Musil, por duke lënë pas Mali magjik dhe Buddenbrookët të Thomas Mann-it, Daullja prej teneqeje të Günter Grass-it dhe edhe gjashtë romane të tjera.
Ndërsa Kështjella e Kafkës u rendit në vendin e nëntë.