More
    KreuIntervistaPaulo Coelho: “Alkimisti” është një libër referues. Edhe “Shigjetari” ështëpo kështu.

    Paulo Coelho: “Alkimisti” është një libër referues. Edhe “Shigjetari” është
    po kështu.

    Intervistë me shkrimtarin brazilian, për librin “Shigjetari” (Botimet Toena, 2023)

    A jeni ju vetë një shigjetar? Çfarë ju tërhoqi te ky sport?

    P. Coelho: E mendoja tepër të mrekullueshëm si sport kur isha i ri. I thashë vetes: “Një ditë, do ta bëj edhe këtë”. Kështu që fillova të jetoj në Pirenej, ku kisha një shtëpi të vogël dhe ku rastësisht takova dikë. Ky person filloi që të më mësonte se si të përdorja harkun dhe shigjetat, si edhe më mësoi bazat e gjuajtjes me hark. U kthye nga një tension ekstrem në një relaksim të plotë, në momentin e parë që hap dorën tënde. Dhe është, me të vërtetë, elegante, sepse ke nevojë që të pozicionohesh në mënyrë që të qëllosh mirë. Ka të bëjë me të mësuarit se si të përqendrohesh dhe të bësh këtë lloj ushtrimi, jo për hir të realizimit të këtij sporti, por për hir të bërjes së diçkaje që ti dëshiron ta bësh. Dhe kështu mësova.

     Si ndikuan eksperiencat tuaja të gjuajtjes me hark në shkrimin e këtij libri?

    P. Coelho: Ishte një zbërthim i eksperiencës sime në gjuajtjen me hark, në njëfarë mënyre. Dhe gjithashtu, duhej që të kisha një direktivë, një histori për të treguar. Teksa e lexon, ti mëson gjithçka që unë kam mësuar, gjithçka që kisha nevojë. Të gjuash me shigjeta nuk është thjesht të qëllosh drejt një objektivi bosh, por vërtet të përpiqesh që të shohësh botën nëpërmjet harkut. Momenti i tensionit të plotë, përpara se të hapësh dorën tënde, lidhja. A e arrin ose jo objektivin, kjo nuk është shumë e rëndësishme. Por çfarë është e rëndësishme, është të bëhesh harku, shigjeta dhe vetë objektivi.

    A ju frymëzoi ndonjë eksperiencë e veçantë për të shkruar “Shigjetarin”?

    P. Coelho: Një ditë, isha ulur në shtëpinë time në Pirenej dhe po mendoja se sa e jashtëzakonshme është gjuajtja me hark, dhe thashë pse të mos shkruaj një libër rreth kësaj eksperience. Dëshiroja ta shkruaja, në fund të fundit, edhe për veten time, që ta lexoja më pas ose “ta kondensoja” brenda vetes sime. U përpoqa t’i mësoja vetes atë çka kisha mësuar në mënyrë instiktive. Ndonjëherë, kur ti mëson, duhet të ulesh dhe të kuptosh çfarë ishte ajo që mësove. Duke bërë këtë gjë, shkrova librin, të cilin tashmë ti e mban në duar.

    Si ndiheni që “Pelegrini i Kompostelës” ka ndikuar te librat tuaj dhe në mënyrë specifike te ky libër?

    P. Coelho: “Pelegrini i Kompostelës” është ky: ti e njeh objektivin tënd dhe shkon drejt tij. Më ndikoi shumë në kuptimin që më duhej të përqendrohesha në një pikë dhe të vazhdoja përpara.

    “Shigjetari” jep udhëzime të thjeshta se si të bëjmë një jetë të mirë. Mendoni se një fabul ose alegori është mënyra më efektive për dhënë mësime mbi ato që ju dini rreth të vërtetave thelbësore të jetës?

    P. Coelho: (Qesh) Në fakt, jeta është e thjeshtë. Ne e komplikojmë shumë atë. Dhe një fabul ose alegori flet me pjesët e fshehura të vetes sonë. Ti mëson esencën e jetës duke i kushtuar rëndësi gjërave të thjeshta që të rrethojnë. Kjo është praktikisht ideja e “Shigjetarit”. Po flas për gjithçka, që nga miqësia dhe përtej saj: rëndësia e harkut, rëndësia e përqendrimit. Në fund të ditës, kjo është jeta. Ti e mëson jetën duke e jetuar plotësisht.

    Keni pasur ndonjëherë ndonjë mentor si Tetsuya? Nëse po, çfarë mësuat prej tij?

    P. Coelho: Jo në kuptimin metaforik që përdor në librin tim. Kam pasur një udhëheqës, në kuptimin që kisha nevojë të mësoja bazat se si të gjuaja, si të shmangia dëmtimin e vetes. I jam shumë mirënjohës atij, sepse ishte ai që më mësoi diçka që dija. Por, në fund të ditës, siç e thashë, mëson duke bërë diçka. Diçka që ti e dashuron. Kështu që, me të vërtetë, nuk ke nevojë për një udhëheqës, thjesht ke nevojë për hapat. Pasi janë bërë hapat, mund të vazhdosh përpara dhe ti i përsërit, i përsërit, derisa një ditë, nuk është se bëhet automatike, por në njëfarë mënyre, nënndërgjegjja jote të përfshin dhe vazhdon kështu.

    A përpiqeni që të ndiqni shembullin e Tetsuya-s kur i mësoni shkrimtarët e rinj?

    P. Coelho: Unë nuk i mësoj shkrimtarët e rinj. Kush jam unë që të mësoj dikë rreth diçkaje? Sigurisht, marr ftesa për Master Class-e, por kurrë nuk pranoj, sepse nuk kam çfarë t’u mësoj. Mendoj se të shkruarit është një eksperiencë më vete.

    A mund të na tregoni për ndikimet shpirtërore dhe fetare në shkrimet tuaja? Si ndiheni për “Alkimistin” që është përdorur nga shumë lexues si një guidë shpirtërore dhe i shihni lexuesit që kthehen drejt “Shigjetarit” me të njëjtën mënyrë?

    P. Coelho: Sigurisht, shpresoj që në hapat e “Shigjetarit”, njerëzit do të shohin të njëjtin udhëtim që ekziston tek “Alkimisti”. Sigurisht, ata janë të ndryshëm. “Alkimisti” është një libër referues. Edhe “Shigjetari” është po kështu, por shpresoj që njerëzit ta përdorin atë për t’i ndihmuar të mësojnë bazat e jetës. E shpresoj vërtet këtë!

    Çfarë shpresoni se do të mësojnë lexuesit nga “Shigjetari”?

    P. Coelho: Është e pamundur që të dallosh se çfarë shpreson ai ose ajo, sepse të gjithë lexuesit e përjetojnë librin në mënyra të ndryshme. Marr shumë letra rreth librave të mi dhe ndonjëherë ata shikojnë gjëra që unë nuk i kam parë dhe më tregojnë rreth tyre. Jam shumë i lumtur që i lexoj ato, sepse mësoj prej tyre. Mësoj me ta, rreth vetes sime.

    Libri u përkthye në shqip nga Platon Pulla dhe u ilustrua nga Mirjana Madhi

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË