More
    KreuLetërsiBibliotekë“Pafundësisht e pandryshueshme” tregim nga Jonas Hassen Khemiri

    “Pafundësisht e pandryshueshme” tregim nga Jonas Hassen Khemiri

    Përktheu nga origjinali suedisht: Qerim Raqi

    Sinqerisht. Nuk do të ndryshoja asgjë sepse dashuria jonë ishte gjëja më e bukur që  kam përjetuar ndonjëherë dhe nuk ka asgjë për të cilën pendohem. E dëgjon? Të  betohem se gjithçka ishte perfekte. Ne të dy ishim si ajo dashuria që të gjithë e presin, e di, dashuri që nuk arrijnë ta rrëfejnë as të gjithë librat, filmat dhe këngët. Nëse do të detyrohesha? Nëse dikush do të më vinte armën në kokë dhe të më detyronte që vërtet të ndryshoja diçka, kështu në retrospektivë, mbase do ta ndryshoja takimin tonë të parë. Epo, jo sepse kishte ndonjë gjë të keqe me të, por sinqerisht, sa romantike është të takohesh në një dhomë pritjeje spitali? Ose spitali është në rregull. Është pak më dramatike kështu. Mund ta lëmë spitalin aty. Por nëse do të detyrohesha të ndryshoja diçka, ndoshta do të qëndronim ulur në një dhomë tjetër pritjeje. Në vend që të pikasnim njëri-tjetrin atje në Klinikën e Venereologjisë, sytë tanë do të mund të takoheshin në … Nuk e di … Në Repartin e Kancerit. Ka ndonjë të tillë në spitalin Södersjukhuset? Po e vendosim kështu. Jemi ulur atje në Repartin e Kancerit, sytë tanë takohen, koha ndalon dhe ti je jashtëzakonisht e bukur sa nuk mund të përqendrohem në gazetën time. Të kujtohet kjo? Kur thjesht qëndroja aty dhe bëja sikur lexoja faqet e thashethemeve për disa minuta vetëm ngaqë nuk guxoja të takoja shikimin tënd. Dhe meqë jemi këtu, do të doja ta ndërroja atë gazetë m diçka që është pak më shumë unë. Më lejo të qëndroj ulur atje në dhomën e pritjes duke lexuar Anna Kareninën. Dhe në vend që të përkulesh përpara meje dhe të thuash atë që the (dreq sa mirë që njeriu nuk është i vetëm në ankthin e akteve seksuale gjatë pushimeve), ti përkulesh dhe thua diçka për mendjemprehtësinë e Tolstoit për të portretizuar gratë ose kafshët ose shoqërinë klasore. Ky le të jetë takimi ynë i parë. Dhe në vend që të takohemi përsëri në stacionin e autobusit dhe të fillojmë të bisedojmë për atë se sa e turpshme është të urinosh në atë filxhanin plastik dhe sa e vështirë  të ndalosh urinimin në mes, ne takohemi në stacionin e autobusit dhe fillojmë të flasim për atë se sa e vështirë është të kesh një të afërm të sëmurë me kancer. Po, mund të shkoj kështu, apo jo? Dhe tani jemi duke qëndruar atje në stacionin e autobusit, ti më kërkon një cigare dhe unë të komplimentoj për tatuazhin, ti më tregon historinë qesharake se si kishe vendosur ta bëje atë në Tajlandë kur ishe në pikë të qejfit dhe më pas ishe zgjuar, ishe kthjellur dhe për javë të tëra kishe shpresuar se ishte thjesht një tatuazh këna. E lëmë kështu  – mu ashtu siç ishte. Por të lutem, a mund ta heqim atë pyetjen time pasuese krejtësisht idiote? (A është tatuazh këna atëherë?) Më vjen ende turp për këtë. Përveç kësaj, nuk ka asgjë që dua të ndryshoj.

    Asgjë.

    Mirë, ndoshta motin, meqë ra fjala.

    Po e heqim atë shiun e turbullt të vjeshtës dhe po e zëvendësojmë me rrezet e diellit. Ose edhe më mirë. Po themi se do të shihemi për herë të parë pikërisht kur pranvera fillon të marrë jetë. Erërat mbushin qytetin, të gjithë janë relativisht të papërgatitur për vapën dhe shndërrohen në peshq të artë, pajtohen se nuk ka qenë kurrë kaq nxehtë më parë. Le të na shkëlqejë një diell i tillë derisa qëndrojmë atje në stacionin e autobusit dhe në vend që të marrim autobusin fillojmë të ecim përgjatë Rrugës së Unazës. Pemët shkëlqejnë jeshile, dhëmbët e tu shkëlqejnë të verdhë dhe këpucët na ngjiten asfaltit të nxehtë veror, sepse për dreq, nuk është më pranverë, befas është bërë verë, vera më e bukur në botë. Tinguj të largët të fëmijëve që luajnë basketboll , diell flakërues , ne bëjmë shëtitje dhe shijojmë e flasim pikërisht për gjërat për të cilat kemi folur në autobus atë ditë vjeshte me shi. Të kujtohet apo jo?

    Vazhdojmë me tatuazhet dhe unë të tregoj për atë djalin në punën time që arsyeton vizatimin e krejt pjesës së sipërme të trupit të tij me tatuazhe duke thënë se e njihte një mik që ishte artist tatuazhesh dhe ia bëri me një çmim shumë të volitshëm. Tani kishte bërë të gjitha motivet që kishte dëshiruar, por nëse do të bënte një tatuazh tjetër do të donte diçka klasike, që do të binte vërtet në sy.

    Çfarë?  pyet ti dhe këtë pyetje e bënë mu si atëherë në autobus sepse nuk ka njeri që mund te pyes me një kureshtje më të sinqertë se ti.

    E di, Derrkucin tek Arushi Puh? Ai dëshiron të bëjë tatuazh një astot Derrkuc me kapelë kauboji si kjo në vesh , pufa dhe një yll sherifi në gjoks. Dhe këtu ti ia kris një të qeshure të pakontrolluar ashtu si di vetëm ti dhe ti qesh e gajasesh duke goditur me grusht shtyllën e autobusit sa burrat-ombrellë të inatosur gërryejnë fytin kurse gratë e moshuara gërhasin dhe shkëmbyejnë shikime kuptimplote, por ty thjesht aq të bën për ta, duke e lënë të qeshurën tënde vullkanike të shpoj një vrimë në çatinë e autobusit dhe më kujtohet se tashmë unë, që nga ai çast, në atë autobus me shi, në atë trotuar të ngrohtë me diell, e kuptova se të doja. Se unë dhe ti ishim përgjithmonë. Kjo është me të vërtetë e vetmja gjë që do të doja të ndryshoja.

    Gjithçka tjetër ishte perfekte. Si u takuam herën e dytë, si qëndruam ulur në batanije duke folur e folur pambarimisht, derisa mollëzat tona morën ngjyrë kafe dhe pasditja u kthye në muzg. Si u ktheva në shtëpi në mbrëmje dhe nga qejfi aq i madh nuk më zuri gjumi derisa zbardhi dita. Si u takuam pastaj për herë të tretë në atë lokalin, herën e katërt në banesën tënde, si nuk patëm kohë të thonim të gjitha ato që donim të thoshim para se të vinte koha për t’u përshëndetur. Si u puthëm në korridor. Si buzët tona ishin njësoj. Gjuhët. Kyçet. Ngjyrat  tona. Afrimi ynë i bukur si më bëri të përqafoja gjithë botën dhe si u zmbraps djali me tatuazh në punën time kur desha ta përqafoja të nesërmen. Si më dukej se gjithçka përshtatej në bisedat tona. Si bëheshin vetëm tituj bosh të gjithë filmat që shikonim në fillim , kujtimet e frymëmarrjeve të ngjitura, duarve të djersitura e të ngrohta dhe majat e gjuhëve tona që lëviznin dhëmbëve.

    Si shumë prej atyre filmave që tani në retrospektivë ende na duken filma të preferuar. Si gjithçka tek ne ishte ne. Si për herë të parë në gjithë jetën time ndalova së shikuari të tjerët. Si zgjohesha natën dhe shtrihesha pranë teje në errësirë ​​dhe të nuhasja klavikulat, të dëgjoja frymëmarrjen dhe mendoja se çarçafët tanë ishim ne , të gjitha këngët ishim ne, të gjitha fjalët ishim ne dhe gjithçka në botë ishte aq shumë ne sa ndonjëherë më përfshinte paniku dhe pyesja veten se kush isha.

    Çfarë mjaftë?

    Çdo fjalë që thash është e vërtetë. Pikërisht kështu ishte. Sikur të gjesh reflektimin tënd për herë të parë, personin që mahnitshëm përputhet me gjithçka që.

    Si?

    Epo, sepse.

    Gjërat marrin fund.

    Gjërat ndryshojnë.

    Por unë.

    Nuk pendohem për asgjë.

    Të paktën jo në mënyrën që.

    Ndoshta disa gjëra të vogla.

    Për shembull, do të kujdesesha që të mos ngatërroja Sophie Calle-n e t’i thoja Frida Kahlo atëherë kur qëndronim shtrirë në batanije duke folur për artin. Dhe pendohem që ngatërrova “faire la cuisine” me “faire l’amour” kur doja t’u thoja të afërmve tuaj francezë se janë jashtëzakonisht të mirë në gatim. Ishte paksa e turpshme.

    Tek ti?

    Jo.

    Absolutisht jo.

    Ndoshta ca gjëra të vogla. Zgjedhjen e fjalëve dhe ca gjëra të tjera.

    Përshembull kur ankoheshe gjithmonë se fatura e celularit ishte e madhe, të kujtohet? Kjo më shqetësonte paksa. Asgjë tjetër.

    Dhe se ishe mjaft e kujdesshme për të qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes.

    Dhe se ishe aq çmendurisht kurioze për gjithçka e për këdo dhe vetëm pyesje e pyesje, ndonëse ishin gjëra që nuk kishin të bënin me ty. Pastaj do ta ulja volumin e të qeshurës sate, sigurisht që ajo është e bukur dhe vullkanike por ndonjeherë, për dreq, vinte duke u ekzagjeruar sa njerëzit ndalonin në rrugë dhe bënin me gisht kur ishim në Greqi, e mban mend?

    Por  gjitha këto janë vetëm gjëra të vogla dhe kjo nuk ka të bëjë fare me arsyen e vërtetë pse u desh të…

    Dua të them.

    Ishte faji i të dyve.

    Jo vetëm yti.

    Ndonëse.

    Po.

    Ndonëse.

    Ndonjëherë mendoj se…

    Jo s’dua të fillojmë përsëri. Nëse do të isha i detyruar të ndryshoja diçka në fund?

    Po.

    Ndoshta ka disa gjëra të cilat do t’ i përmirësoja.

    Me fjalë të tjera.

    Nuk do të ketë qenë aq argëtuese për ty që t›i lexoje ato mesazhe të cilat siç e kuptoj mund të… Keqinterpretohen.

    Por e gjithë kjo ishte vetëm një shaka, e di. Ne kishim një zhargon që ishte paksa në stilin nëse marr një mesazh ku shkruan “i mungon shtratit tim” ose “a zgjohemi dhe flasim lakuriq”, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht që unë isha…

    Pra.

    Po e kupton.

    Edhe ti ishe paksa paranojake. Përveç kësaj, ti nuk kishe të drejtë të lexoje mesazhet e mia.

    Epo.

    Kjo ishte.

    Pastaj ndodhën disa gjëra që absolutisht nuk ishin për fajin tim dhe të cilat është e vështirë për mua që t’ i

    Ndryshojë.

    Kur tashmë kanë ndodhur.

    Por kuptohet, unë do të doja që ti kurrë të mos

    Tentoje.

    Por ne të gjetëm me kohë dhe, sipas rrethanave, megjithatë ishte

    Fat  

    Të kujtohet ndonjë gjë nga ajo natë?

    Ishte mbrëmja më e bukur  verore në botë me çiftet e mbrëmjes që ecnin dorë për dore dhe më kujtohet se unë isha ulur në pjesën e pasme të ambulancës , sirenat dëgjoheshin dhe lagja ishte kthyer në blu, unë të mbajta dorën të ngërthyer duke menduar se ishte mot i gabuar përsëri, se për një natë si kjo duhet të ishte stuhi dhe breshër dhe jo perëndim dielli, jo aroma e jargovanëve. Pastaj mendova se ambulanca mund të kishte shkuar në dhomën e urgjencës në spitalin Södersjukhuset në vend të S:t Göran sepse … 

    Si?

    Jo!

    Ulu!

    Lëre mënjanë shandanin! Qetësohu.

    Pra jo kështu.

    Unë thjesht mendova  Atëherë.

    Historia jonë do të kishte përfunduar bukur sepse.

    Do të ishte si një rreth, e di. Dhe.

    Është kjo një gjë kaq e çuditshme për ta thënë? Çfarë do të thuash me këtë? Nuk jam i ftohtë.

    Është vetëm kjo që

    Unë nuk di si të

    Dhe do të kishte qenë kaq perfekte nëse do të ishim takuar në Södersjukhuset nën rrezet e diellit flakërues dhe t’i kishim thënë lamtumirën njëri-tjetrit në Södersjukhuset në motin e ligë me breshër e stuhi dhe është e qartë se pendohem për shumë gjëra, pendohem dhe dua të ndryshoj shumë më tepër gjëra nga sa mund t’i  pranoj dhe uroj që një ditë thjeshtë të mund të më falësh, se asgjë asgjë nuk ka qenë si ne.

    NJË KOMENT

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË