Kreu Letërsi Botime të reja Olga Tokarczuk - Romani i shkrimtares polake, “Sonatë për shumë tambure”, në...

Olga Tokarczuk – Romani i shkrimtares polake, “Sonatë për shumë tambure”, në shqip nga “IDK”

Botimet IDK sjellin për herë të parë në shqip shkrimtaren polake Olga Tokarczuk, fituese e International Man Booker Prize (2018). Bëhet fjalë për përmbledhjen me tregime “Sonatë për shumë tambure”, të përkthyer nga Astrit Beqiraj. Një galeri e pasur personazhesh të paharrueshme: njerëz që duket sikur i janë dorëzuar banalitetit të një jete monotone, por që në të vërtetë fshehin përbrenda dëshirën e zjarrtë për t’u kuturisur në kërkim të së panjohurës, të diçkaje ndryshe. Pas vellos banale të jetës së tyre të përditshme, autorja sheh atë çka befas trondit e shqetëson rendin e gjërave, kthen befas përmbys gjithçka në ekzistencën e tyre, duke i bërë të kuptojnë se s’janë më të sigurt për atë që ndodh përreth. Secila prej historive të përmbledhura në këtë libër shpalos talentin e madh të një prej shkrimtareve më origjinale të mijëvjeçarit të ri. “Një ndër shkrimtaret më interesante e origjinale europiane të çerekshekullit të fundit”, – shkruan “The Economist”.

Olga Tokarczuk (1962) konsiderohet aktualisht shkrimtarja polake më e suksesshme e brezit të saj dhe një ndër shkrimtaret më interesante europiane. E përkthyer në 30 gjuhë, Olga Tokarczuk është fituese e disa prej çmimeve më të rëndësishme ndërkombëtare, si Man Booker International Prize (2018), Brückepreis (Gjermani), Kulturhuset International Literary Prize (Suedi). Në vitin 2019 ajo u shpall fituese e Prix Laure Bataillon (Francë) për librin më të mirë të përkthyer të vitit. Ky është libri i saj i parë që vjen në gjuhën shqipe. Së shpejti Botimet IDK do të botojnë një prej kryeveprave të saj, romanin “Kaloje plugun mbi kockat e të vdekurve”. Më poshtë pjesë nga tregimi “Hapi sytë, ke vdekur”…

Kliko për ta porositur tani te bukinist.al

HAPI SYTË, KE VDEKUR

C. e bleu atë libër e tërhequr nga vizatimi në kopertinë: në sfondin në ngjyrë të errët si gjak i tharë ishin një palë shkallë që përfundonin te një derë gjysmë e hapur, që nuk dallohej dhe aq mirë, pas saj një fashë e hollë drite e flashkët, por e mprehtë si brisk. Veç kësaj, i kishin rënë në sy germat e titullit, familjare për të – trajta të verdha me cepa. Libri ishte i kolanës së saj të preferuar policeske. Vite të shkuara e pati nisur me Agata Kristin, por më pas ishte ndier befas e lodhur nga lidhja kristalore – vrasje, hetim, zbulim i fajtorit. Thua se librat policorë të ishin një ngrehinë pa dalje, ndonëse e pastër dhe sterile. Po, e patën acaruar personazhet e sajuara, të përdorura si gurë shahu, të përhapura nëpër skenë dhe që viheshin në lëvizje sipas idesë mbizotëruese të autorit. Është pak e çuditshme që autori është i vetmi person i cili qysh në fillim e di se si do të vijojë çështja e korkolepsur e krimit dhe ndëshkimit, e megjithëkëtë pëlqen ta thurë rrëfimin gjithë durim. E mërzitshme, mendoi me vete.

Nuk dinte se ç’donte. Nuk dinte ç’të kërkonte në raftet e bibliotekës së lagjes, as nëpër librari. Sikur t’i duhej ta përcaktonte qartë, me siguri do të ngrinte sytë në qiell, do të zgjaste buzët para si përthithje dhe me duar do të bënte gjeste të pafuqishme rrethore.

Kërkonte njerëz më të vërtetë dhe krime më me tul. Motive më të koklavitura dhe prova nga ato që një detektiv nuk do t’i merrte kurrë në konsideratë. Ajo nuk donte gjak dhe mish, as thertore dhe makthe. Nga këto kishte me bollëk në televizion. Dëshironte diçka më atipike, ndonjë skemë jo fort të qartë, skemë që kohë pas kohe del pak në sipërfaqe, aq sa për të mos u harruar. Donte gjithsesi edhe diçka të tillë që t’i përkiste, ta kapte për krahësh e ta linte pa gjumë. Mirëpo gjëra të tilla vështirë t’i shpjegohen bibliotekares apo shitëses.

– As vetë nuk e di, – tha duke rrotulluar me hezitim librin, megjithatë në fund e mori.

Leximi i librave policorë i jepte një kënaqësi mjaft të madhe. I kujtonte pastrimin e shtëpisë, rregullin nëpër sirtarë – hap pas hapi kaosi shndërrohej në rregull. Ndonjëherë, megjithatë, kemi më shumë rregull nga ç’duhet.

Kështu, pra, nga biblioteka e lagjes mori një shportë me libra. I lexonte me babëzi në kuzhinë dhe në metro. Dy, tre libra në javë. Kishte marrë edhe libra policeskë të autorëve më pak të njohur, mes tyre libra të mirë, sikundër kishte edhe që s’vlenin fare. Po orvatej që librat policorë t’i qepte me letërsi, po haste në libra policorë që ngjanin me bimë transgjinore, po shijonte policorët-puzzle, policorët-poema, po i zhvishte lakuriq policorët-matrioshka në të cilët çdo kapitull i radhës nxirrte sidokudo kuptime të tjera, histori në dukje të tjera, që nuk kishin të bënin me aksionin, po ngecte në policorët-traktate, mbushur me shtjellime, referenca erudite të cilat duhet t’i kuptonte, por që nuk i kuptonte, po mundohej me librat që me demek nuk ishin policorë, por traktate për njohjen dhe moralin. Në dengun e librave kishte edhe romane policore, të cilat në sytë e lexuesve bënin copash parimet e llojit, që i bënin ato lesheli dhe ç’ishte më e keqja, nxirrnin në dritë të mirë vrasësin, duke anashkaluar ritualin e shenjtë të hetimit. Ose të tillë që me përkëdheljen e çdo fjalie e shtynin krimin në plan të dytë, të dashuruar me estetikën si narcisët para pasqyrës. Ose, fjala që vjen, të tillë – që vetëm kur i mendon thyen dhëmbët nga shtrëngimi dhe nervozizmi – të cilët e përshkruanin krimin me detaje minimale, duke e lënë vrasësin të pazbuluar! Perversitet! Nëpër librari kishin filluar të shfaqeshin romane policore të tilla kot më së koti – ca si biçim tekno-policeskë, policeskë-sience fiction, policeskë-rozë. 

I lexonte të gjithë, së paku mbetej luajale. Nuk i bënte vaki që t’i niste dhe të mos i bitiste. Leximin e fjalisë së parë e konsideronte si një nënshkrim kontrate apo martese që do të zgjaste deri në fund. Nuk kishte anulim. Derisa zbulimi i fajtorit të na ndajë.

Ndërsa po kthehej në shtëpi me metro, lexoi faqet e para dhe konstatoi me kënaqësi që rrëfimi niste për së mbari. Kishte gjithçka që i pëlqente – hapësirë e paraqitur saktësisht dhe me realizëm, objekte të përshkuara me dashuri deri në detaje, vizatim skrupuloz i personazheve. Ndjeu mirënjohje për autorin kur ky përmendi tullën e ndonjërit apo pantallonat e vjetra kadife. 

Falë kësaj, pas disa fragmentesh ishte në gjendje të shihte gjithçka në xhamat e errët që regëtinin në vagon.

E pra, në një pallat jo të madh, por piktoresk, diku në Flandër, po mbahej një takim i shkrimtarëve të librave policorë. Pronare e pallatit dhe ideatore e këtij takimi jo të zakonshëm ishte mbretëresha e llojit, tashmë shumë e shtyrë në moshë, tetëdhjetecavjeçarja Ulrika.

C., mbështetur në disa fjali të përshkrimit tepër të hollësishëm, e shihte atë si të dobët, një plakaruqe të tharë, kockë e lëkurë, por me gishta të gjatë. Ngjasonte me Barbara Cartland-in, ndoshta ngaqë njëlloj si ajo kishte shkruar me dhjetëra libra që e kishin bërë të famshme. Mëndafshi bojëqielli i fustaneve të Ulrikës dukej shëmtuar, bashkë me teprinë e bizhusë së florinjtë. C. mendonte, nuk dihej përse, që dikush i tillë me siguri do të mbante erë sane, aromën më delikate të botës.

Ulrika ishte flamande, pallati-pronë ishte e familjes së saj prej shekujsh, mirëpo qysh prej kasaphanës së Ypres e kishte humbur shkëlqimin. Me gjasë trualli kutërbonte erë kufomash.

C. vështroi pasagjerin që kishte në krah i cili mbante mbi gjunjë një kosh të vogël me një kotele dhe mendoi se duhej të verifikonte për ç’kasaphanë duhej të bëhej fjalë. A bëhej fjalë për Luftën e Parë Botërore dhe helmin e mustardës? Me siguri që po.

E famshmja Ulrikë e kishte lënë me testament që pas vdekjes së saj pallati i vogël brenda parkut me gështenja do të bëhej qendër e punës krijuese, rezidencë për shkrimtarët e librave policorë. Në katin përdhes, tamam në hyrje, një sallë do t’i kushtohej asaj vetë – librave dhe jetës së saj. Fotografi, një stendë me dorëshkrime, koleksioni i botimeve në gjuhë të ndryshme. Mysafirëve do t’u vinte në dispozicion bibliotekën personale, parkun, një Renault të bukur, si dhe kuzhinieren më të mirë flamande (dhëntë Zoti jeton sa më gjatë!). Dhomat në katin e parë, të vogla dhe të errëta, përgjatë korridorit të ngushtë, njëra pas tjetrës si qeli do t’u shërbenin brezave të ardhshëm të autorëve të këtij kallëpi të bekuar.

Për fat të keq, C.-së iu desh ta ndërpriste leximin pikërisht në atë pikë kur nga stacioni i afërt hekurudhor Bayenne kishin për të marrë mysafirin e parë. I pëlqeu që do ta merrnin me veturën e pallatit. Pikërisht me atë Renault blu. Mysafiri i parë ishte bash ai mashkulli i shogët dhe me pantallona kadife të ngrëna.

C. u ngjit në katin e katërt me qeset e pazarit dhe mbërriti në apartamentin e saj. Hapi dritaren dhe brenda depërtoi aroma e pranverës, ende e zbarë dhe jo e plotë. Vërejti me këtë rast edhe disa insekte të vogla në gjethet e kodeiumit që i kishte rezistuar dimrit pa dëmtime të mëdha. Pastaj ushqeu macen, vuri në zjarr ujin për makaronat dhe në pritje derisa të niste të vlonte, u ul në një stol në kuzhinë për të vijuar leximin.

Burri quhej Longfellou dhe ishte autor i njohur anglez romanesh me detektivë. I lodhur nga udhëtimi i gjatë mendonte vetëm si të mund të dremiste për pak kohë para darkës së përbashkët. Megjithatë, teksa vështronte me interes peizazhet e trishtuara e plot mjegull të Francës Veriore, iu duk se ato do t’i shkonin më shumë shkrimit të horroreve sentimentale.

– A është e vërtetë se këtu në afërsi është një varrezë e madhe e ushtarëve britanikë? – pyeti shoferin e shëndoshë, i cili pak më parë e pati ndihmuar në stacion të sistemonte dy valixhet e mëdha dhe që tani tundi kokën në shenjë pohimi, duke u kthyer me të gjithë trupin nga pasagjeri.

Vetura bëri një devijim të rrezikshëm anash dhe Longfellou bërtiti.

Shoferi i kërkoi ndjesë dhe pas kësaj heshti. Gjithnjë pa thënë asnjë fjalë, i ngriti valixhet në katin lart dhe i tregoi dhomën.

Në çastin kur Longfellou mbërriti në dhomë, uji i makaronave tashmë kishte vluar dhe C. nisi të merrej me drekën. Nga ky moment nuk mund të flitej më për lexim, u kthyen fëmijët nga shkolla, kishin ndezur të gjitha dritat dhe televizorin, pastaj u duk bashkëshorti i C.-së – namusqar si zakonisht, i palumtur. C. lau enët, pastaj nxori tavolinën e hekurosjes dhe e kaloi gjithë mbrëmjen me këtë punë, më të mërzitshmen në botë. Iu rikthye leximit vetëm natën vonë, kur bashkëshortin e kishte zënë gjumi dhe gërhiste vajtueshëm, si një bebe, të cilit i kishin hedhur mbi shpatulla gjithë botën.

Longfellou kërkoi t’i sillnin një çaj, pastaj nxori gjërat personale dhe i hodhi një sy dhomës. Ishte e rregulluar me një lloj skrupuloziteti verior – krevati i madh matrimonial, tryeza e punës dhe dollapi i bukur antik. Gjethet e gështenjave kishin marrë një ngjyrë të verdhë në portokalli. Konstatoi i pakënaqur se dhoma e tij nuk kishte tualet dhe që i duhej të shkonte deri në fund të korridorit të gjatë. Çajin që i servirën ia shoqëruan me copa keku me gjalpë, vendosur me rregull në pjatën e vogël prej porcelani.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Henri Matisse, “Shënimet e një piktori”, 1908

Një piktor i cili i drejtohet publikut jo vetëm që t’i paraqesë veprat e tij, por për t’i shfaqur edhe ca nga...

Anisa Markarian: Disa pikla dëshmi në oqeanin e kujtesës së përbashkët

Bisedoi Andreas Dushi A.D: Tuj rrëmue n’do gjana t’vjetra / gjeta nji fotografi. Këto dy vargje nga një...

Anisa Markarian: Trupat e rinj

fragment nga romani «15 ditë prilli» – Botime Çabej Tavolina e laboratorit të anatomisë, e gjatë dhe e...

Sevdai Kastrati: Romanet që janë konsideruar gabimisht (pjesa 5)

Më bën përshtypje se si Fotaq Andrea nuk ngurron para hipotezave dhe ec përpara pa fakte. Pajtohem pjesërisht se Konica nuk...

KATEGORITË