KreuLetërsiShënime mbi libraNoel Boci: Dueli mes viktimës, persekutorit dhe mbrojtësit në romanin e Agron...

Noel Boci: Dueli mes viktimës, persekutorit dhe mbrojtësit në romanin e Agron Tufës

Proza shqipe “pasmoderne”

Sipas studiuesit S. Hamiti, proza pasmoderne shqipe, duke u larguar nga romani klasik si trashëgimi epike, preferon ego-romanin, në të cilin personazhi është kipci i autorit[1]. Kështu, në lëmën e kësaj proze pasmoderne të pas ’90-s, një nga romanet më përfaqësuese, ku herë-herë na del në pah edhe ky raport autor-personazh në sajë të bashkëpërputhjeve mes tyre, është romani “Dueli” nga Agron Tufa.

“Dueli” i Agron Tufës

I cilësuar nga Ismail Kadare si një nga krijimet më të bukura këto dhjetë vjetët e fundit të postkomunizmit (Albania, 30.10.1999), romani “Dueli” i Agron Tufës paraqet në tërë kompleksitetin e vet marrëdhënien mes persekutorit, viktimës dhe mbrojtësit (dalëzotësit) të saj si dhe duelin e njeriut me instiktin vetjak dhe fajin kolektiv.

Si epigraf të romanit, Tufa përzgjedh fjalët e shkrimtarit rus Anton Çehov: Nëse në fillim të një vepre letrare, rri varur një armë, atëherë, ajo do të qëllojë patjetër në fund të saj, dhe që këtu autori na prezanton ndjesinë e ankthit dhe të së papriturës, të asaj që pritet nga çasti në çast të shpërthejë nga shtypja dhe presioni i vazhdueshëm, të qëllojë çfarëdo që t’i dalë përpara.

Viktima, persekutori dhe mbrojtësi

Linjat fabulore të romanit përcaktohen nga raportet e Martin Gegës, personazhit kryesor të romanit, me tri gra të ndryshme, njërën në Shqipëri e dy të tjerat në Rusi, dhe raportin që vendos me to herë si persekutues e herë si mbrojtës, duke iu referuar A. Fugës, sipas të cilit, marrëdhënia midis persekutorit, viktimës dhe mbrojtësit të saj (dalëzotësit), është shumë e ndërlikuar[2]. Në romanin “Dueli”, Agron Tufa paraqet estetikisht një spektër shumë të gjerë dhe të ndërlikuar marrëdhëniesh midis dhunuesit, viktimës dhe mbrojtësit të saj, që i ka munguar mizorisht jo vetëm letërsisë shqiptare, por edhe kujtesës sonë kolektive që ka qenë shpesh e ideologjizuar[3].

Mbrojtësi jodalëzotës

Sa ishte në Shqipëri Martini ushqente ndjenja për Etleva Xh., së cilës mundohet t’i ndalë në mbrojte kur Fari Ferra i drejtohet me shprehje fyese. Kjo duket se e përkeqëson situatën, duke e bërë Fariun ta përdhunojë Etlevën në sy të Martinit të lidhur, të paaftë të bëjë asgjë.

Në pamje të parë, lexuesit mund t’i duket kjo një skemë e zakonshme: mbrojtësi që i del zot viktimës, e cila më pas përdhunohet nga persekutori, dhe dalazotësi nuk ka ç’të bëjë. Megjithatë gjërat qëndrojnë disi ndryshe. Sipas A. Fugës, në njëfarë mënyre, Martin Gega si dalëzotës është njëlloj si vetë dhunuesi barbar Fari Ferra. I pari e kundërshton këtë të fundit duke dashur të fitojë zemrën e vajzën që dashuronte djegshëm. Ai paraqitet po aq hipokrit sa edhe Fariu shfaqet shtazarak. Ai e goditi publikisht me grusht banditin Fari Ferra vetëm për disa fjalë që ky po hidhte turpshëm mbi vajzën që lozte volejbollin e saj qetë dhe në punë të vet. Ai nxiti kështu agresivitetin e Fariut pa mundur t’i dalë zot viktimës. Rezistenca e mefshtë shkaktoi dhunimin përfundimtar dhe të pariparueshëm të viktimës[4].

Ai vijon më tej: Thellë, reagimi i dalëzotësit nuk është i shtyrë veçse nga të njëjtat pulsione zotërimi sikurse edhe ato të persekutuesit. Mbrojtësi është tërhequr edhe ai epshëm ndaj trupit të vajzës. Por, në vend ta shprehë këtë në mënyrë shtazarake dhe të pagjetur, (por të sinqertë), ai e bën tërthorazi, me fjalë sentimentale, të buta, delikate, në fakt disi në mënyrë hipokrite, mbi të gjitha joefikase, përderisa në fund të fundit qëllimi i tij mbetet po ai: ushtrimi i një pushteti erotik mbi personalitetin dhe trupin e vajzës[5].

E njëjta përmbajtje, format të ndryshme. Në thelb të veprimeve të Martinit qëndron pikërisht dëshira e tij instiktive për pushtetin erotik-seksual (nevoja për afirmimin e “burrërisë” seksuale “dominante”) dhe xhelozia e tij se dikush tjetër mund të bëjë me Etlevën atë që do ta bëjë ai i pari; ideja që Etleva mund t’i “përkasë” dikujt tjetër. Kjo xhelozi përshkallëzon teksa kupton që as Fari Ferra nuk kishte qenë ai që e zhvirgjëroi Etlevën dhe që Etleva në të vërtetë ishte ndjerë e kënaqur dhe e plotësuar seksualisht nga Fariu dhe kishte vijuar të takohej me të. Kjo kulmon me lidhjen në martesë të Etlevës me Medarin, mikun e ngushtë të Martinit. Tërë ky frustrim i shfaqet atij përmes ëndrrës.

Ëndrra na jepet në dy nivele, apo dy gjuhë komunikimi: atë të drejtpërdrejtë, ku ne njihemi me dëshirat erotike të Martinit pa asnjë formë fshehtësie gjuhësore, ku më pas kalon drejt hiperbolizimit, dhe në atë simbolik, përmes gjuhës onirike. Në rrafshin e parë rrëfehet ëndrra që i dha Martinit ndjesinë dhe sadisfaksionin e mprehtë të ndjesisë seksuale[6]:

Ai i qe futur pa u ndjerë në dhomë. I qe avitur në majë të gishtave krevatit ku dergjej në gjysmëterr trupi i zbuluar i Etleva Xh. Zbardhëllinin në atë natë mug të blertë në të marrtë pjesët e buta të shalëve të saj, gjinjtë e gufuar me vijën e thellë në mes, beli dhe barku i saj si kupë e rrumbullt dhe mollaqet e bardha, të pambuluara krejtësisht nga rrypthi i hollë e i tejdukshëm i mbathjeve të bardha me lule të kaltra. Ajo flinte. Ai u afrua dhe qëndroi mbi të: gjithë duke u dridhur nga ankthi, hyri pa u ndjerë në shtresa, duke ndjerë afshin e saj të valë t’i ngjitej menjëherë me trokthe të turbullta nëpër gjak. Etleva Xh. zgjati krahët me tahmin, ashtu, përgjumshëm, dhe rrasi kokën në gjinjtë e saj të kallajtë, cipëfreskët. Gishtërinjtë e tij rrëshqitshëm avash nëpër fjordin e bardhëllemë të barkut, rrëshqitshëm përnën mbathje dhe u pleksën në baqthin e saj si “Viet -Nam i rruar me napalm” – siç shprehet një poet i madh. Ajo zuri të rënkojë e ta shtrëngojë atë, duke i pëshpëritur: “Farí! Farí!”, kurse ai ia doli t’ia hiqte mbathjet, duke iu ngulur në një pafundësi të tillë, të ngjashme me rënien e lirë  të trupave. Befas ajo zuri të zmadhohej, të zgjeroj në përmasa të tilla të hatashme, sa i ngjante se qe shtritë në një plazh të pamatë mishi, një buburrec i vockël mbi atë bina të madhe femre […] Pastaj, turbull i kujtohej se qe bërë mëngjes dhe Etleva Xh. e viganizuar, qe rrotulluar brinjë më brinjë në krevat, kishte flakur shtresat dhe kishte mbathur një palë pantallona të shkurtra, duke e përmbyllur brenda Martin Gegën e minimizuar. Me mundime të tmerrshme ai, më në fund, doli së andejmi nëpërmjet xhepit të vogël të pantallonave të saj.[7]

Përmes kësaj ëndrre ne kuptojmë dy gjëra kryesore, duke pasur parasysh idenë e Freud-it që në ëndrra individëve u shfaqen frikërat apo dëshirat e tyre më të fshehta:

Duke e përdhunuar Etlevën teksa ajo e thërret atë pavetëdijshëm “Farí”, përforcohet ideja që në instinktin e tij seksual Martini është po aq persekutor sa Fariu, dhe se po të mundte do ta kishte realizuar edhe ai aktin e tmerrshëm.

Duke pasur parasysh që Martini e përdhunon Etlevën në gjumë dhe që më pas ai shfaqet shumë i vogël (fizikisht) përballë saj, Martini karakterizohet nga njëfarë pafuqie/impotence dhe pasigurie seksuale.

Prandaj ai synon të “maskohet” si mbrojtësi Etlevës, për të fshehur pikërisht këtë pasiguri dhe dëshirë të tijën. Këto përforcohen në ëndrrën simbolike:

Po rrinte buzë lumit dhe befas shqoi se në vend të valëve rridhnin peshq të bardhë, të palëvizshëm, të coftë. Kush pra i shtynte ata ashtu? Një zot e di. Ndiente një dhembje të madhe në ije. Ngriti këmishën dhe u tmerrua. Si nuk e paskësh parë atë plagë aq të mashe, me një dregëz të trashë përsipri? Kurse në qendër të saj ishte një krimb i bardhë, të cilit vetëm koka i dukej. Koka që lëvrinte e nuk gjente rehat, duke i shkaktuar kësisoj, dhimbje të mprehta. Ai u përpoq ta zinte krimbin nga koka, ta hiqte e të shpëtonte nga dhimbjet, porse s’po ia dilte dot. Më në fund e gërrici dregëzën me thonj, e zuri krimbin nga koka dhe zuri ta tërhiqte. Tërhiq e tërhiq e s’kishte të sosur. Kaq thellë të jetë rrasur? Ndërsa e tërhiqte, ndjente në vete një dobësi të papërballueshme, një këputje e rraskapitje të madhe. Ja, se ç’na doli: ai paska qenë gjarpër, jo krimb, siç e pandehu në fillim. Ishte një gjarpër kaq i bukur, sa ai ndiente një mall të harruar që i kujtonte do kohëra fort të shkuara, të cilat kujtesa e tij nuk ishte në gjendje t’i përcaktonte dot. Mbase ç’prej kohërash, kur shpirti i tij endej në rrugën e përbotshme, duke u përsëritur me mijëra herë nëpër trupat e tjerë të paraardhësve të vet. “Shpirt i ngrënë nga përdorimi” – mendoi ai me vete. Por, gjarpri rrinte në këmbë vertikalisht, dhe ja tek zuri të qante me një zë të hollë e piskatës sirenash. O zot, çfarë sysh të bukur që kishte! Sy të tillë kaq të njohur… Pa dale! Po, po, ai i njohu menjëherë: ata ishin sytë e Etleva Xh. me atë lëng prore të ndërdukshëm. Pikërisht. Dhe qante ajo, me atë zë të mprehtë që ngrihej pizgë.[8]

Sipas Feud-it, gjithë veprimtaria ëndërrimore ka për funksion të shfaqë në mënyrë të censuruar pavetëdijen, e cila strukturohet dhe bëhet e pranishme si një gjuhë tjetër[9]. Pavetëdija sipas tij flet përmes ëndrrave, të cilat janë pikërisht gjuha përmes së cilës flet e pandërgjegjshmja. Freud-i dallon qartë një përmbajtje të fshehur nga një përmbajtje e shfaqur e ëndrrave dhe përqendron vëmendjen e tij tek aspekti i parë, duke vëzhguar e analizuar “veprimtarinë e ëmdrrave”, e cila shprehet nëpërmjet “proceseve simbolike”[10].

Nga persekutor potencial në dhunues

Në këtë pikë instinktet e Martinit nuk përmbahen më. Shtypja e tyre, mbajtja e tyre nën presion, i ka bërë ato të dalin akoma më të frikshme e më të tmerrshme se ç’ishin kur bënin pjesë vetëm në botën psiko-seksuale të Martinit. Ai plotëson tashmë dëshirën e tij të papërmbajtur mu në pusin e shtëpisë së re të Etlevës, në mungesë të burrit të saj. Pusi kështu kthehet në një simbol të dyfishtë: nga njëra anë një simbol psikologjik dhe psikanalitik që përputhen me errësirën e thellë dhe të pafund të psikologjisë perverse të Martinit, dhe nga na tjetër një simbol erotik jonik.

[…] Martin Gegës iu ngroh trupi, dhe një baticë e nxehtë gjaku i oshëtiu ndër veshë, – e ankthshme e epshore, thuaj po e rrufiste të gjallë. Ai filloi t’i perceptonte me babëzi: dhe parfumin që frynte nga gjinjtë e saj, dhe trajtat e kolme për nën rroba, dhe cipën aq të lëmuar e të freskët të fytyrës me buzët e tulta, dhe sytë, dhe flokët, dhe, – duke bërë llogari se gjithçka mund t’i humbte, po qe se vinin t’u ndihmonin për t’i nxjerrë, – atij filloi t’i rrahë zemra me forcë dhe e kaploi një zbehje e këputje fuqie, aq e papritur, sa mend po i binte të fikët. Sa për atë, kurrë mos dalshin prej andej! Ai ishte i lumtur dhe uronte që kjo gjendje e dërguar me aq bujari nga zotat, të zgjaste e të zgjaste pambarimisht. Ai qe gati të rrinte përjetësisht në këtë fund, edhe sikur dikush t’u kumtonte se ky vend kishte për t’iu qenë tash e mbrapa, varri i tyre i përbashkët.[11]

Martini kthehet vetë nga mbrojtës në persekutor. Në thellësitë pa dritë bëhen transformimet e fshehta kafkjane të opozitarit idealist në persekutor të dhunshëm.[12] Nga persekutor/dhunues potencial në persekutor/dhunues të vërtetë, ashtu siç ishte dhe Fari Ferra. Ndryshe prej këtij të fundit ama, aktin përdhunues nuk e kryen nga urrejtja ndaj rivalit, por si shfryrje e instiktit dhe hakmarrje viktimës mbrojtja ndaj së cilës i iku kot. Ndaj, me të drejtë për S. Salihun “Dueli” është rrëfim mbi të dhunuarin që klith së brendshmi: Rrofshin dhunuesit! Është rrëfimi mbi mungesën e kufirit (ose për praninë e një kufiri të shpifur) ndërmjet dhunuesit dhe dhunuesit potencial. Është rrëfim për një shoqëri ku shumëkush është në shërbim të atyre që dhunojnë; është rrëfim mbi prirjen për të dhunuar dhe prirjen për t’u nënshtruar; është rrëfim për prirjen sadiste dhe mazohiste brenda qenies njerëzore[13].

Nga ana tjetër, për sa i përket Etlevës, viktima do të bëhet tashmë dy herë viktimë. Një herë është viktimë e pushtetit persekutuesparadoksalisht ka filluar t’i japë dhe kënaqësi materiale, erotike, mazokiste. Pastaj bëhet për së dyti edhe viktimë e hakmarrjes së ushtruar nga ish mbrojtësi i saj, i zhgënjyer sepse heroizmi i tij ka mbetur pa objekt. Por kjo dhunë e dytë nuk i jep më kënaqësi erotike viktimës sepse nuk e ka atë agresivitet origjinal të përdhunimit nga ana e persekutuesit të parë[14].

Pas kryerjes së këtij akti, Martini nuk do ta lërë me kaq. Në Rusi do të ketë edhe dy histori të tjera pasioni, një me Varvara Vanë dhe një me Ljuban.

Kompensimi i impotencës

Historia me Varvara Vanë do e çojë atë në një duel me Fari Ferrën rus, Maksim Drashkoviqin, i cili në fakt as nuk do të shfaqet fare në duel. Kjo histori me “të dashurën” ruse duket se nuk do arrijë dot të kompensojë mungesën e Etleva Xh.

Martin Gega kurrë nuk e mësoi dot në qe ose jo i lumtur me të, porse pati ndjerë një kënaqësi të mprehtë prej ngadhënjimtari kur, i ndodhur rastësisht në suitën e adhuruesve të saj, ai, i huaj, me shanset më të pakta në atë luzmë pretendentësh, arriti ta nënshtrojë aq befas e aq paparashikueshëm simbolin e mitit femëror, enigmatiken dhe ekstravaganten Varvara Va, duke ua hequr kësisoj balsamin e ëndrrës pretendentëve të tjerë. Porse, po asaj nate, kur një hënën e madhe astrale, e pastër dhe e ndritshme si llampadhe kishte, me dritën e saj të marrë hua, ra mbi kurmin e zhveshur e të fjetur të Varvara Va, si të lyer me vernik mbi batanijet e ashpra të krevatit të tij në atë dhomë konvikti, ai, epsheshkrehur dhe i munduar nga pagjumësia, kërkoi me tahmin cigaret dhe, që në vrundujt e parë të tymit, me trurin esëll si ndonjë Zeus, u vu të gjykonte gjithë rëndësinë e asaj që sapo kish ndodhur: zbuloi se nuk e sëkëlldiste më ajo ndjesia e ngjashme me një dhuratë të pamerituar.[15]

Ky “triumf” i Martinit do të jetë veçse afatshkurtër, kur të kuptojë që në të vërtetë marrëdhënia me Varvara Vanë nuk e përmbush atë as seksualisht e as emocionalisht, duke e bërë të pamundur për të të kompensojë mungesat apo pasiguritë e veta psikoseksuale:

Marrëdhëniet e tyre kishin mbetur po ato të fillimit, pa arritur të krijonin ndonjë kontur më të përcaktuar. Mbase që të dy e kishin pyetur veten me qindra herë: çfarë lloj ndjenje të qenkësh kjo? Dashuri? Jo. Megjithatë asnjëri nuk bëri kurrë përçapje ta zinte në gojë këtë gjendje pezulli dhe, secili, tinëz, fajësonte tjetrin për “vullnet të pamjaftueshëm në bërjen e dashurisë”.[16]

Në këto kushte, të shkuarit e Martinit në duel kundër Maksimit për Varvaran është po aq i pavlerë sa dhe “mbrojtja” që i bëri Etlevës para Fariut, kur të shohë që tërë ajo përgatitje dhe tërë ai ankth do të dalin të kota teksa merr vesh që Maksimi nuk po shfaqet fare për duel.

Raporti i tretë dhe i fundit është ai me Ljuban. Ljuba jepet e frikësuar nga Maksi, i cili përdhunon vajzat e lagjes dhe i mban më pas si të dashura. Frika e saj më shumë se nga përdhunimi është nga pasoja, pra, se mos edhe ajo dashurohet me dhunuesin e saj. Martini betohet e në duel me Maksin do ndeshet edhe në emër dhe mbrojtje të saj, por më pas ai kthehet vetë në “Maks”. Ai e përdhunon Ljuban ashtu siç përdhunoi Etlevën, nga xhelozia apo frika se mos e bën Maksi i pari, nga frika se mos edhe Ljuba dashurohet me Maksin. Ai pretendon se po e shpëton ndërkohë që nuk është asgjë  veçse dhunues vetë, duke dashur të vendosë dominancën për të sheshuar xhelozinë e tij dhe për të fshehur pafuqinë e tij. Ndaj dhe Ljuba i kthehet atij duke i përplasur të vërtetën në fytyrë:

– Ah, ti, i poshtër! – iu shkreh ajo atij me dënesë. – E kuptova më në fund, duelin tënd! […] ti e bëre këtë në shenjë inati, për të kompensuar injorimin që të bëri e dashura, duke të ftuar e duke mos dalë në takim. Ti më përdore mua për t’u hakmarrë ndaj një tjetre! Dhe unë, budallaqja, nuk i rashë në të. Kështu është, kështu! Dhe në mos qoftë kështu, atëherë, ti, patjetër, do të jesh një nga shokët e përbindshëm të Maksit. Ti s’je aspak më i mirë se ai! Njëlloj jeni ju të gjithë, si t’ju ketë lindur një nënë! […] E ç’ndryshim, në fund të fundit ke ti nga Maksi? Ai të përdhunon, po të njëjtën gjë bëre dhe ti me mua! Veçse ai, këtë e bën hapur, kurse ti e vërtit punën aq nën rrogoz, saqë e merr vesh vetëm pasi ta kanë tundur brenda.[17]

Heroi i rremë

Në këtë roman, Martin Gegën nuk mund ta quajmë dot protagonist të mirëfilltë, e aq më tepër hero. Ai na kujton deri diku atë që në teorinë semiotike të Vladimir Propp-it quhej “hero i rremë”[18]. Në skemën proppiane, rrethi i veprimeve të heroit të rremë përfshin nisjen për kërkime, reaksionin ndaj kërkesave të dhuruesit – gjithnjë negative, dhe në cilësinë e funksioneve specifike – pretendimet e rreme[19]. Martini kështu del si hero i rremë jo vetëm nga Etlevës dhe Ljubës, por edhe ndaj vetes dhe tenton të dalë si i tillë edhe ndaj lexuesit, duke menduar e pretenduar se po i mbron vajzat për të cilat ushqen ndjenja. Ai vetë shkruan: nuk ju lë zelli juaj, ai i perskutorit për të pasur viktima, ndaj po vij, po vij, t’i shkul me rrënjë, rrënjët e pemës suaj mortore, mbirë në atë vend ku fryjnë shkërdhatat, t’i shuaj gjer më një, frytet e errëta të gjakut tuaj[20], derisa më pas bie vetë pre e instinktit të vet, duke e denoncuar veten si dhunues po aq sa dhe Fari Ferra dhe Maksim Drashkoviqi

Metafora e duelit

Dueli në roman nuk del vetëm si dueli fizik i pritur por i parealizuar mes Martinit dhe Maksit. Dueli në vetvete kthehet në një metaforë të dilemave, përplasjeve dhe dueleve të njeriut me veten, me instinktet dhe pavetëdijen e tij: një duel i pambarimtë mes prirjeve masokiste dhe atyre sadiste; një duel mes dëshirës për mbrojtje dhe asaj për pushtet, qoftë edhe pushtet (dominancë) seksuale ndaj palës tjetër; një duel mes vetëpërmbajtjes e harresës dhe prirjes së fshehtë e të errët për të kompensuar mungesat dhe pasiguritë psikofiziologjike të individit.

Si zë i brendshëm i vetëdijes dhe pavetëdijes, plaku ia zbulon këtë Martinit: kërkojeni duelin diku gjetkë… aty ku ju dhemb më shumë… në rrënjë… në zanafillën e dhimbjes suaj – aty ku, për së pari, ju, për shkaqe të panjohura për mua, e braktisët, o nga frika, o nga papërfillja, nga dobësia e trupit apo e mendjes, – por ta dini mirë, ai është aty, – peng mijëra vjeç! Do t’ju terrorizojë kujtesën dhe genet e racës, po qe se nuk do ndesheni me , aty ku ju pret![21]

Estetika moderne e autorit

Estetika moderne e Agron Tufës, siç del në romanin “Dueli”, ndërtohet mbi një shkrirje të thellë mes psikanalizës, erotikës dhe dhunës, duke e zhvendosur prozën shqipe pas ’90-s nga rrafshi i narrativës tradicionale drejt eksplorimit të errët të pavetëdijes njerëzore. Në këtë kuptim, Tufa i largohet modelit të heroit pozitiv dhe ndërtimit linear të konfliktit, duke krijuar një univers narrativ ku personazhi kryesor është një qenie e fragmentuar, e pushtuar nga instinkte, frikëra dhe impulse të dhunshme. Siç vëren S. Hamiti, proza moderne shqiptare anon drejt “ego-roman-it”, ku subjekti rrëfimor shndërrohet në një hapësirë introspektive dhe problematike, dhe pikërisht këtë e realizon Tufa përmes Martin Gegës, një antihero që lëkundet vazhdimisht mes rolit të mbrojtësit dhe atij të persekutorit. Estetika e tij mbështetet në çmitizimin e moralit, duke e paraqitur dhunën jo si përjashtim, por si pjesë përbërëse të natyrës njerëzore dhe të kujtesës kolektive pastotalitare. Duket se vetë zgjedhja dhe nevoja për ta trajtuar këtë tematikë vjen si një reagim dhe shpërthim ndaj presionit e shtypjes ideologjike mbi vetë artin letrar dhe si një tentativë për të kompensuar mungesën e lirisë krijuese.

Në planin stilistik, moderniteti i Tufës shfaqet përmes gjuhës së ngarkuar simbolikisht, përdorimit të ëndrrës, metaforës dhe imazheve trupore që ndërtojnë një prozë të tensionuar dhe shqetësuese. Skenat onirike, të frymëzuara qartazi nga psikanaliza frojdiane, funksionojnë si mjete për të zbuluar përmbajtjen e fshehur të personazhit dhe për të rrëzuar maskën e “mbrojtësit” idealist. Kështu, romani bëhet pjesë e estetikës moderne, ku e vërteta morale nuk është e dhënë, por kthehet vazhdimisht në problematikë. Kjo qasje e afron prozën e Tufës me prirjet evropiane të letërsisë bashkëkohore, ku arti nuk synon më të qetësojë lexuesin, por ta vërë atë përballë ankthit, fajit dhe ambiguitetit etik të individit modern. Vetë Tufa, në monografinë e tij për letërsinë e shekullit XX shprehet se shpirti i modernit është i vdekur ose mungon fare: pikërisht këtu e shohim bazën psikologjike të modernit. Ai e shkurtoi në mënyrë radikale vëllimin e Unit të vërtetë dhe të vërtetën e ekzistencës në pikat e intensivitetit të skajshëm.[22]

S. Hamiti thekson:

Prandaj dueli ndërmjet Protagonistit dhe autorit është proces i pambaruar në romanin Dueli. Ky proces e bën këtë vepër të përkryer, të shkakut e të pasojës së njeriut shqiptar në komunizëm.

Kurorë e këtij dueli është vepra Dueli, pa dyshim, amëz tematike e stilistike e letërsisë së Tufës dhe, besoj, një nga romanet më të mira të letërsisë së tashme shqipe.[23]

Jo rastësisht, edhe Ismail Kadare e ka cilësuar “Duelin” si një nga krijimet më të rëndësishme të letërsisë shqipe të postkomunizmit, pikërisht për guximin estetik dhe thellësinë e tij psikologjike.


[1]  Hamiti, Sabri. Kanoni: ese për letërsinë shqipe, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2025, f. 360.

[2]  Fuga, Artan. Adhurimi i viktimës për persekutorin, në: Tufa, Agron. Dueli, “Onufri”, Tiranë, 2016, f. 9.

[3]  Po aty, f. 11.

[4]  Po aty, f. 15.

[5]  Po aty.

[6]  Tufa, Agron. Dueli, “Onufri”, Tiranë, 2016, f. 71.

[7]  Po aty, ff. 71-72.

[8]  Po aty, f. 94.

[9]  Rrokaj, Shezai. Filozofia e gjuhës. Prej Antikitetit deri në kohët e sotme, “Graphic Line-01”, Tiranë, 2022, f. 106.

[10]  Po aty, f. 105.

[11]  Tufa, Agron. Dueli, Onufri, Tiranë, 2016, ff. 101-102.

[12]  Fuga, Artan. Adhurimi i viktimës për persekutorin, në: Tufa, Agron. Dueli, “Onufri”, Tiranë, 2016, f. 19.

[13]  Salihu, Salajdin. “Dueli” i Agron Tufës, rrëfim tronditës për dhunuesin, viktimën dhe dalzotësin, “ObserverKult”, 22 maj 2023. Siguruar më 8 dhjetor 2025 në: https://observerkult.com/mbi-adhurimin-e-dhunuesit/.

[14]  Fuga, Artan. Adhurimi i viktimës për persekutorin, në: Tufa, Agron. Dueli, “Onufri”, Tiranë, 2016, f. 19.

[15]  Tufa, Agron. Dueli, “Onufri”, Tiranë, 2016, f. 34-35.

[16]  Po aty, f. 36.

[17]  Po aty, ff. 165-166.

[18]  Shih: Pozzato, Maria Pia. Semiotika e tekstit: metoda, autorë, shembuj (përkthyer nga Dhurata Shehri), “Albas”, Tiranë, 2017, ff. 15-22.

[19]  Propp, Vladimir. Morfologjia e përrallës (përkthyer nga Agron Tufa), “Pika pa sipërfaqe”, Tiranë, 2011, f. 92.

[20]  Po aty, f. 131.

[21]  Tufa, Agron. Dueli, “Onufri”, Tiranë, 2016, f. 170.

[22]  Tufa, Agron. Letërsia dhe procesi letrar në shekullin XX, Vëll. 1, Botimet M&B, Tiranë, 2018, f. 17.

[23]  Hamiti, Sabri. Kanoni: ese për letërsinë shqipe, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2025, f. 362.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË