More
    KreuLigjëratë"Njëshi", ligjëratë nga Stefano Massini

    “Njëshi”, ligjëratë nga Stefano Massini

    Përshtatur në shqip nga Gëzim Puka

    Si lind diktatura?! Si formohet diktatura?! Një përgjigje e mora disa ditë më parë prej një ngjarjeje të vogël në parkun afër shtëpisë. Ndërsa po shëtisja në lulishte qenin tim, vërej disa fëmijë të sapodalë nga shkolla, që po luanin në cirkun aty pranë. Një djalë i hequr mënjanë vjen  të përkëdhelë dhe të luajë me qenin tim. Nisa një bisedë me të. Më thotë se quhet Marko dhe është shtatë vjeç. E pyes se pse nuk luan me shokët e klasës dhe Markoja duke më treguar rrëshqitësen e parkut, më përgjigjet më njëfarë toni paksa të zemëruar: “Jo, nuk mund të luaj, sepse aty është edhe Kevini. Është ai që vendos se si duhet të luhet…”

    Më tërheq vëmendjen ky personazh, Kevin…Vështroj fëmijët dhe lojën që po zhvillohet tek rrëshqitësja, ku në fakt është një djalë, që po jep porositë e nevojshme. Vetëm ai vendos se si duhet të luhet. Loja në rrëshqitëse të bëhet në krahun e kundërt, domethënë, duhet të ngjitesh nga përpara dhe të zbresësh nga prapa. Kevini madje ruan edhe radhën se kusht duhet të ngjitet dhe kush duhet të zbresë. Ndonjërit i jep edhe vlerësimin me notë për lëvizjen e shkathët. Atëherë unë e pyes Markon: “Po ti, a i ke thënë Kevinit që rrëshqitësja nuk është e tij dhe se ti ke të drejtën të luash siç dëshiron.”

    Atëherë djali i vogël shtatë vjeçar më jep një mësim të vërtetë politike. Duke shkundur kokën në shenjë ironie ndaj pyetjes sime aspak të zgjuar, më thotë: “Jo! Nuk është faji i Kevinit, por i të tjerëve…”, – dhe ikën duke vrapuar.

    Ky është një leksion i vërtetë.

    E shoh Kevinin me vëmendje dhe nuk dalloj asgjë të veçantë në krahasim me fëmijët e tjerë. Nuk është më i madh në moshë dhe as më i bëshëm. Jo, thjesht, ai është një nga ata që di të të imponohet.

    Po të tjerët?! Të tjerët, që simbolizojnë mbase secilin prej nesh, lehtësisht tërhiqen vetëm për shkak të përtesës. Po, po, prej përtesës. Kështu udhëheqësit karizmatikë lindin prej përtesës. Demokracia është diçka e mrekullueshme, por në fakt është edhe e lodhshme, sepse demokracia është sforcim. Të kesh një ide dhe ta mbrosh atë, kërkon që me dikë i cili nuk mendon si ti, duhet që të sforcohesh, që të diskutosh, qoftë edhe duke e respektuar. Kjo gjë gjithsesi kërkon një sforcim që shpesh nuk kemi dëshirë që ta bëjmë. Ndaj shpesh themi: “Po, unë po ia delegoj të gjitha Kevinit e të vendosë ai çfarë loje të bëjë, të vendosë ai se kur e kam unë radhën dhe a e kam bërë mirë apo keq.”

    Ky është udhëheqësi karizmatik. Kjo është figura për të cilën ne jemi të gatshëm të lëshojmë rrugë edhe pse na kushton humbjen e shumë hapësirave tona të lirisë. Kështu ndodh që udhëheqësit karizmatikë shndërrohen më vonë në diçka tjetër, në diktatorë. Kevin nuk vendos vetëm se si të tjerët duhet të luajnë, por ai vendos të shpëtojë edhe gjithë parkun e lojërave. Më vonë për të qëndruar në drejtim Kevini duhet të shpikë edhe një armik, një armik të brendshëm. Diktatorët krijojnë një armik, sepse vetëm përmes frikës qëndrohet në këmbë.

    Po si merr formë diktatura?!

    Për këtë mund të japim shembullin e bashkëbisedimit të Njëshit me Zeron.

    Njëshi i thotë Zeros: “Duket që ti je vërtet një hiç! Edhe unë nuk jam diçka më shumë se ti, sepse përballë Dyshit jam vetëm gjysma, përballë Treshit jam një e treta, për të mos folur pastaj për Shtatën, Tetën dhe Nëntën, që janë shumë përpara meje. Por edhe pse jam diçka më shumë se hiçi, e dashur Zero, unë kam mësuar një hile. Dhe a e di se çfarë bëj?!  Marr një ose disa zero si ti, i vendos prapa dhe bëhen Dhjetë, Njëqind, Një mijë edhe Një milion nëse përkushtohem…”

    Kjo është puna që bëjnë diktatorët. Në të vertëtë janë të vegjël, por me të gjithë njerëzit që i shkojnë pas, me të gjitha Zerot që i rreshtohen prapa, vetëm kështu bëhen dikushi, ose më mirë të themi bëhen NJËSHA.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË