More
    KreuLetërsiBibliotekë"Një bukuri e 'sëmurë' në panairin e librit", tregim nga Dhimitër Pojanaku

    “Një bukuri e ‘sëmurë’ në panairin e librit”, tregim nga Dhimitër Pojanaku

    Panairet e librit do hapeshin nga vjeshta e dytë. Lufta, një luftë e ftohtë, plot dredha, kish kohë që kish filluar. Pasioni tek shkruesit pa talent të dukshëm, punonte ethshëm, pa orar. Mediat e shkruara dhe vizive ishin pothuaj nën këmbët e tij. Me një bukurshkrim magjepsës kish cituar nëpër banderola vargje të poetëve të tij më të spikatur, bezet ishin lidhur fjongo në trupat e neonëve. Në Mongoli, panairi ish hapur më shpejt se në vendet e Evropës. Ndodhitë e dy ditëve të para, lindën nevojën urgjente të një takimi mes pasionit tek shkruesit me talentet të dukshëm dhe të pasionit tek shkruesit pa talent të dukshëm. Takimi nxitej nga botuesit e pasionit të poetëve me talent të dukshëm. Botuesit, kishin zbuluar ndër disa syresh, shenja gjenialiteti dhe trembeshin se mos kjo shpërfillje kaq e hapur, mund t’i lëkunde ndjeshëm poetët e brishtë.

    Para se të hapej panairi, lexuesit ngriheshin që në orët e pasmesnatës, zinin radhë. Stendat e poetëve pa talent të dukshëm i kish mbërthyer paniku. Librat shiteshin rrufe, shtypshkronjat punon nën një trysni të paparë. Dy poetët pa talent të dukshëm, që pasioni i kish vënë moderatorë në disa stacione televizive të njohura, mend po mbyteshin nga njerëzia. Radhët e gjata drejt tyre i ngjanin peligrinazheve të Mekës. Rrëmuja, përplasja, kish sjellë edhe të lënduar ndaj, para rrugës të panaireve, ambulancat rrinin me sinjale ndezur e shpesh vërshëllimat e tyre të rrëqethnin.

    Pasioni te shkruesit pa talent të dukshëm, kapardisej, ngrefosej, nuk donte të ulej për bisedime. Erdhën emisarë nga vende të njohura, akademikë, diplomatë, fitues të Nobelit në zgjidhjen e konflikteve më të nxehta, por pasioni nuk donte të dëgjonte nga ai vesh.T honë se e bindi një emisar nga Tunizia. Ai ju përgjërua se donte një vend tek pallatet e tij, qoftë edhe në katet përdhes, se enkas kish veshur petkun e emisarit. Pasioni u josh, lëshoi pe. Bisedimet u zhvilluan jashtë kamerave, diku nën brinjë të Alpeve. U arrit që të paktën një rresht i lexuesve të zinte radhë para stendave ku shfaqeshin librat e pasionit tek krijuesit me talent të dukshëm. Kështu ndodhi, por radha drejt poetëve me talent të dukshëm, ishte tepër zbehtë, e heshtur , e qetë si agoni. Ndoshta, botuesit , të cilët e prisnin një shpërfillje shokuese të paparë e dëgjuar prej vitesh, sajuan të tjera rrugë për poetët me talent. Dikush mungonte se kish takim tek mbreti i Persisë, dikush tek një konference paqeje. Nëse ata nuhasnin marrëveshjen, do u thyhej krenaria që u buronte nga vetëdija e krijimit dhe do ndërprisnin kontratat e botimit. Pa dale, se më duket po gaboj. Më ra në sy një poet serb, kandidat dy herë për çmimin mbretëror të Spanjës. E njoha nga kopertina e pasme. Rrinte i mardhur, si një zogth i vogëlth i rënë nga foleja pikërisht në dimër, në atë dimër të egër për të e për të gjithë sojin e tij, ndërkohë që tek poetët pa talent të dukshëm pranvera, derdhte pa kursim hiret e saj.

    Por ja ndodhi ajo që ish paralajmëruar, që nuk kish shmangie, që dogji atypëraty pikën e vetme të marrëveshjes së arritur në brinjë të Alpeve. Posa u derdh lajmi se po vinte për autografe njëri prej autorëve të librit të një poeti pa talent të dukshëm, radhët u shprishën, turma rendi drejt poetëve, filluan brohoritjet, klithma gëzimesh, hipnin mbi supet njeri tjetrit, dhe kur mbërrinin për autograf, mezi merrnin frymë, pikonin mbi bojë dhe kthenin siglat e mbishkrimeve në hieroglife të padeshifrueshme.

    Në të njëjtat ditë, në Paris ndodhi një incident që ja plasariti paska famën pasionit pa talent të dukshëm. Në stendën më të populluar, qëndronte si sfinks, një poet me profesion psikiatër, afër moshës së tretë, që botonte për herë të parë. Pasioni vetëm tani mundi ta kapte. I kish rënë pas edhe në rininë e hershme, por xixa nuk ju ndez. Xixa kish ndenjur e fjetur por aspak e shuar. Ethet e pragpleqërisë e zgjuan tmerrshëm. Për më pak se një muaj, poeti krijoi njëqind lirika, të gjitha për dashurinë. Botuesi do i printonte në pesëdhjetë mijë kopje. Zjarrmia e krijimit e kish kthyer poetin në trillet e adoleshencës. Posterat e poetit llamburitnin panairin. Lindja e këtij poeti në moshë të thyer, ish një nga kryeveprat e pasionit tek shkruesit pa talent të dukshëm. Kish ndodhur edhe herë të tjera por fuqia e krijimit nuk kish zbritur kurrë-më-parë me kaq revan. Konferencat e panumërta për shtyp para panairit, e kishin kthyer poetin në mit. Më duket se u largova pak nga incidenti, por dekorova pak skenën për të kuptuar përse fakti mori përmasa tronditëse. Pra, nga turma e panairit, ju afrua poetit një vajzë e bukur, me trupin lastar, me flokë të zinj e të shndritshëm si nata në hënë të plotë, me sy përpirës. Sy të kaltër me thellësira blu.

    Ish modele. Modelja, në vend t`i jepte librin për autograf siç e donte nderi, i zgjati poetit të famshëm një kartelë mjekësore. Kërkonte me ngulm t’i shënonte një ilaç të ri kundër depresionit që ia kish këshilluar një plakë mulate. Ma hiq Zoloftin, doktor, i përgjërohej. Kam makthe në pasarelë, nuk buzëqesh dot! E di që një modele pa buzëqeshje është ajo diva e skenës kur zërin ja zë shtriga në mes të këngës?! Katër idhtarë të poetit, renditur si në një konkurs bodybuilding, i grisën kartelën. Kaq mjaftoi që modelen ta mbërthente një krizë e fuqishme histerie, të bërtiturat saj drodhën ndërtesat e larta qeveritare që ishin përballë salloneve të panairit.

    Modelen e ngritën hopthi, duar më duar, se poshtë nuk kish rrugë, e nxorën tek ambulancat, që edhe këtu, ashtu si Mongoli, ishin sërenditur si taksitë pritëse. Ma hiq Zoloftin, doktor, çirrej ajo. Ma kthe buzëqeshjen! Në ikje ju shuan edhe rrokjet e fundit plot ngashërime. Të gjithë i çuditi qetësia e poetit psikiatër. M’u kujtua, belbëzonte poeti me një të qeshur narcisti, nga to që nuk ju drejtohej askujt, por qiejve. M’u kujtua, përsëriste, vinte që e vogël tek unë. Është e sëmurë mendërisht, shumë e sëmurë, por, fatkeqësisht, jetojnë edhe bukuri të sëmura.

    Mimo nobelisti që jetonte afër korpuseve të gradaçelave të pasionit të shkruesve pa talent të dukshëm, nuk ish në dijeni të panaireve. Tek zbriste nga papafingo, streha e tij e krijimit, në televizorin ku po shihte Tesa, pa skenën e modeles. Po kthehen, përshpëriti, më shumë si për veten. Cilët?, reagoi Tesa. Ata. Cilët Ata? Tanët. Tesa desh ta pyeste më tej por ai kish ngjitur tok me gotën e qumështit edhe shkallën e fundit. Po kthehen. Ata. Tanët, meditoi Tesa. Po cilët po kthehen? Kuptohet, të ikurit. Po si ktheheshin, të humbur apo fitimtarë. Dhe për kë ktheheshin, për kë?! Eh, moj Tesa, i foli vetes për herë të parë me zë të lartë. Nuk u mësove me nëntekstet e tij? Në letra, ai kur do edhe ujin e fsheh nën rrogoz. Pse hyn në një pyll kur e di se nuk del dot. Jo, nuk duhet të dorëzohem, këmbëngulte Tesa. Doemos, duhet t`i kthehem ekranit, ta rrishoh skenën. Atje rri zgjidhja e enigmës.

    Pasioni pinte në një kazino kur i sollën lajmin. Mend u xhindos. Dyshoi se mos vajzën, e kish infiltruar pasioni tek shkruesit me talentet e dukshëm për të mbjellë gjullurdi. E përse u dashka ardhur nga Ukrainë në Paris për ca flakonë depresivë?! U shojtën mjekë psikiatër? Gënjeshtër me bisht! U bë mavi në fytyrë, iku në dhomë, dhe mori një vendim, ndoshta një vendim që do ish fatal për pasion me talent të dukshëm, të cilit i kish shërbyer deri ahere me devotshmëri të përkorë. Hëpërhë, që të mos nxitohej, vendosi që para vendimit përfundimtar të linte një takim tetë a tetë ,në dhomën ku fumoheshin zërat, me poetin psikiatër. Duhej dëgjuar version i tij. Ndërkohë, nëpër korridoret e pallateve te qelqta, shëtiste si fantazmë një gojëthënë, që nëse do diltë e vertetë, do sillte një tjetër rrënim për pasionin. Përflitej se kandidati për Nobel në stendën e panairit nuk ishte poeti i vërtetë por sozia e tij. Poeti i vërtetë ndodhej për kënaqësinë e një mikeshe, në ceremoninë gala të çmimeve Oskar. Nëse kjo konfirmoj, ishin të gjithë të sigurtë se pasioni tek talentet e padukshëm, mund të kish fatin e modeles ukrainase.

    Pasioni priste në ankth. Po shkonte dy pas mesnate dhe doktori s’po dukej. Në stendat librore, radhët e lexuesve tek poetët pa talent të dukshëm s’kishin asnjë shenjë zbehje. Ndërkohë, të gjitha kanalet televizive ndërprenë programet duke titruar lajmin më të fundit. Vëllimi poetik “Më veremosi dashuria”, i poetit psikiatër, sa hap e mbyll sytë, ish kthyer në bestseller.

    Lajmi po rrotullohej botës.

    (nga proza “Dredhitë e pasionit”)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË