Përktheu nga origjinali: Sidita Hoxhiq
NJË
Nju-Jork, shtator 1942
Xhesika Mej mori pozë, dhuroi buzëqeshjen e saj të famshme dhe ngriti krahun lart, me lëvizjet e përsëritura, si të një mekaniku a saldatori, apo si të gjitha profesionet e tjera që po bënin gratë ato ditë. I vetmi ndryshim ishte që ndodhej në një fabrikë dhe nuk kishte veshur kominoshe pune.
Qëndronte mbi një platformë të bardhë, me një sfond të mrekullueshëm qielli vjeshtor, kishte veshur një fustan të bardhë prej mëndafshi, i gjatë porsi një fustan nusërie.
E kishin qepur që t’i rrinte ngjitur pas trupit në pjesën e përparme të bustit, por për këtë e ndihmonin edhe ventilatorët që kishte përballë dhe puhiza artificiale që krijohej pas krahëve të saj, aq sa e bënin të dukej si një perëndeshë. Nga qafa i valëvitej një shall i hollë, që e shtonte edhe më shumë atë ndjesi qiellore.
Pranë saj, valëviteshin me krenari dy flamuj të mëdhenj amerikanë dhe teksa mbante krahun e shtrirë dukej sikur ishte gati për të deklaruar diçka të rëndësishme, nga çasti në çast. Por këto detaje ishin gjithashtu pjesë e mashtrimit. Që kur na paska për të thënë diçka të rëndësishme për patriotizmin dhe luftën një modele?
Njëherë e një kohë ajo kishte marshuar gjithë pasion nëpër rrugët e Parisit për të protestuar kundër fashizmit, së pari kundër ideologjisë së poshtër që përfshiu Spanjën, më pas kur Italia dhe Gjermania u bënë edhe më groteske. Tani Xhesika Mej ishte thjesht shtatorja e një anijeje. Ose Toni Frisell, fotografi, e kishte kthyer në një figurë të tillë, pasi do ta kishte prerë dhe përpunuar për ta publikuar në revistën Vogue. Duhej të ishtenjë kopertinë tronditëse, siç kërkohej në fund të vitit 1942. Asnjë nuk e dinte se aty nuk kishte as anije, as det, as puhizë deti, as perëndeshë. Ishin thjesht disa pamje të një fushe fshati në veri të Nju-Jorkut, pranë një tufe lopësh me sy të çuditshëm që përtypnin bar dhe u trazohej herë pas herë qetësia baritore.
Toni i kërkoi që të ndryshonte mimikat. Të dukej më hijerëndë. Të respektonte flamurin, burrat, vendin dhe luftën. Xhesi bëri siç i thanë.
– E përkryer, – tha Toni më pas. – Nuk më duhen më poza.
Xhesi zbriti nga platforma dhe shtyu asistentën e garderobës që donte ta ndihmonte të zbriste. Hoqi pelerinën dhe u zhvendos pas një perdeje të hapur, ku asistentja e ndihmoi të vishte rrobat e tjera, një kostum banje ‘Claire McCardell’ të zi prej fanellateje, me një dekolte shumë të hapur dhe një rresht teminash në formë syri që mbyllej në pjesën e poshtme.
Këtë herë, kur u ngrit në platformë, Xhesi u ul ndërmjet flamujve dhe bëri sikur po prekte me gishta detin imagjinar, në mënyrë që lexuesit e revistës Vogue të mendonin se ishte buzë detit. Ajo buzëqeshi dhe ngriti kokën me fytyrë nga dielli, trupin e përkulur përpara të mbështetur mbi bërryla. Një lopë aty pranë e përshëndeti veprimin e saj dhe ajo qeshi. Toni e kapi këtë çast menjëherë me aparatin e tij fotografik.
Në rrugën me baltë përgjatë fushave panë të vinte një makinë me shumë shpejtësi. Belinda Bouer, redaktorja e Vogue dhe shoqja e Xhesit, zbriti nga makina dhe mori rrugën mespërmes lëndinës. Kishte veshur një fund që i ngjitej pas trupit dhe taka. Ecte duke u tundur, por që donte të mos dukej sikur stononte me ambientin përreth, si ndonjë nga ata që vesh një kostum serioz në plazh. Toni uli aparatin fotografik, ndërsa Xhesi drejtoi trupin. Bela nuk ndërhynte kurrë gjatë foto sesioneve. Me siguri kishte ndodhur diçka e rëndë.
Këtë e vërtetoi Belinda vetë kur u afrua pranë Xhesit dhe i tregoi një reklamë të Kotex-it në një faqe të tërë të McCall’s. Fjalia “Gratë e pranojnë me shumë dëshirë” ishte shkruar me shkronja të mëdha në krye të faqes. Më poshtë dukej Xhesi që po pozonte me një fustan mbrëmjeje, sikur nuk e shqetësonte asgjë në këtë botë dhe sidomos një temë aq tabu sa mestruacionet.
– E marrtë dreqi! – tha Xhesi.
– E marrtë dreqi! – përsëriti edhe Bela. – Mbaroi sesioni i fotove, – iu drejtua ajo parukierëve, grimierëve, asistentes së Tonit dhe vetë atij.
Toni po vinte aparatet në kuti, pa bërë asnjë pyetje, por sytë e të gjithëve ishin te Xhesi dhe Bela. Nuk dukej se kishte ndonjë arsye të fortë që të ndërpritej një sesion fotosh që po ecte aq mbarë. Vetëm nëse Xhesika Mej ishte në telashe të mëdha. Sigurisht që gjasat ishin të tilla dhe askush nuk donte ta humbiste këtë thashethem.
– Me siguri ka qenë Emili, – mërmëriti Xhesi, ndërsa ecnin të dyja drejt fushës ku dukeshin lopët. – Ai ma ka shkrepur vjet këtë foto. Duhet t’ia ketë shitur Kotex-it.
– Ma mori mendja dhe mua, – iu përgjigj Bela. – U përpoqa t’i ndryshoja mendjen Kondesit. Dreqi e marrtë, donte të flisja unë me të. Ti e di që të adhuron. Por gjithashtu e dimë se agjencitë e reklamave do të na braktisin menjëherë, akoma pa hequr rrobat Xhoan Blondelli.
E pavarësisht kësaj, Xhesi buzëqeshi me këtë shaka. Pastaj psherëtiu. Bela kishte të drejtë. Asnjë nga reklamuesit e Vogue nuk do të donte që produktet e tyre të reklamoheshin nga e njëjta modele që shfaqej edhe në kopertinën e një reviste për reklama pecetash higjenike. Kjo sepse që sot e tutje ajo do të njihej si vajza e Kotex-it.
Madje edhe jetesa me Emilin pa qenë të martuar zyrtarisht nuk ishte mëkat aq i madh sa menstruacionet.
– Sa do të më mbajnë në listën e zezë? – pyeti ajo.
– Nuk e di, – iu gjegj sinqerisht Belinda. – Varet për sa kohë shfaq reklamën Kotex-i. Konde shpreson që të mund të të kthejmë si modele vitin e ardhshëm, por…
– Deri atëherë, duhet të vras Emilin dhe të gjej një mënyrë tjetër për të paguar qiranë, – iu kthye Xhesi.
– Konde dëshiron që të shkosh sonte në festën e tij. Nuk është se do të të përjashtojë fare.
Jetesa ime, mendoi Xhesi, tashmë e zymtë. Në moshën njëzet e dy vjeçare dhe pas gati tre vjetësh, qindra veshjesh, mijëra herësh që vinte buzëkuq, imazhesh të panumërta të Xhesika Mejit në faqet e Vogue, Harper’s Bazaar dhe Glamour dhe pas zhurmës së madhe që ishte bërë për flokët bjondë, gjithçka kishte marrë fund. Ajo nuk do të përjetësonte më ëndrrën se, pavarësisht luftës, ekzistonte ende një botë në të cilën një grua mund të blinte një kostum plazhi trup gjatë një shëtitjeje buzë detit, do të takonte princin e kaltër dhe do të binte në dashuri.