Kreu Opinion Nata e varrit dhe njeriu politik

Nata e varrit dhe njeriu politik

Nga Nebi Bardhoshi

Shoqëria tradicionale, frymëzuar nga besime të krijuara apo pranuara me ngenë e saj, krijoi institucionet e së vërtetës. Dikush, ende sa pa vdekur, linte në këtë jetë “të fundit fjalë”.
Njerëzit tradicionalë të asaj kohe kishin ndjesinë e vazhdueshme se po vdisnin. Kjo ndjesi duket sikur nuk ka mbërritur dhe aq sot. Por me gjasë diçka rri ndër ne, si shprehi e të jetuarit në mes të dy botëve. Ata apo këta që na qeverisin, ose kryetarët e partive kryesore, e ndiejnë se këto janë ditët e tyre të fundit. Vuajtja e tyre është e thellë, sepse institucionet e së vërtetës në institucionet bashkëkohore nuk kanë të njëjtin funksion. Për rrjedhojë, nuk shkaktojnë as të njëjtin kuptim për “rrëfimin” e as për “amanetin”.
Nëse njeriu me pushtet sot dëshmon të vërtetën për borxhet e pashlyera në këtë jetë, ajo çka e pret është burgu. Në të shumtën do të ishte burgu në përjetësi. Nuk do të kishte ndëshkime me vdekje, sepse dënimi me vdekje është hequr… Njeriu tradicional duhej të dëshmonte të vërtetën për borxhet e pashlyera, sepse shpirti i tij/ saj do të ngelte mes dy botëve ose në asnjërën botë plotësisht. Më kanë thënë që nëse i vdekuri nuk i rrëfen pengjet e shpirtit pa vdekur, goja i mbetet e hapur, po ashtu edhe sytë. Prandaj i duheshin shtrënguar nofullat me forcë e t’i lidheshin, përndryshe goja nuk i mbyllej. Oh, për sytë e hapur s’kishte zgjidhje! Sytë dëshmojnë më shumë se çdo gjë tjetër pengjet e poezitë e kësaj bote.
Njeriu politik me shumë pushtet ndër ne, i mban gojën dhe sytë hapur nga frika dhe lakmia.
Më kanë thënë se njerëzit dikur (aty-këtu edhe sot) besojnë te Nata e Varrit. Disa e quajnë thjesht si ditë gjykimi për çfarë kanë bërë në jetë… Kurse njeriu në politikën tonë e njeh mundësinë e gjykimit vetëm përpara të fortit e më të fortit se ky i fundit. Pra, njeh ligjin e më të fortit! Prandaj ai gjithë kohën mendon se si të jetë edhe më i fortë, por s’ka asnjëherë, asnjë shtysë se si të jetë më i drejtë. Njeriu tradicional kujdeset t’i lajë borxhet pa vdekur: kjo e bën të pranueshëm për botën ku beson se do të shkojë, por edhe shpreson se nuk do t’i shahet shpirti në botën që lënë pas. Prandaj njeriu politik në ditët tona kërkon dhe ia del të shembë çdo formë lidhjeje me tjetrin, veç lidhjes dhe nënshtrimit prej të fortit e përdorimit e nënçmimit të të dobëtit.
E kur ju vjen dita e vdekjes politike, ata rendin të bëhen më të fortë, ose të gjejnë strehë tek të fortët. Të vërtetën s’e dëshmojnë dot! *Antropolog

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Pushkini: Jeta në kohë epidemie

Në prag të kolerës, në korrik 1831, Pletniov i shkruante Pushkinit për vdekjen e plakut Mollçanov, me të cilin ishte i...

Ardian Ndreca: Epidemia e kolerës së vitit 1916 në rrëfimin e Atë Anton Harapit

Tek libri Andrra e Prêtashit, i botuem në Romë në vitin 1959 prej sivllaut të tij Danjel Gjeçaj, me shtypajt që Ernest Koliqi kishte...

Virion Graçi: Vendlindjet e shkrimtarit Romeo Çollaku

Shkrimtarin dhe përkthyesin Romeo Çollaku e kam njohur e lexuar që në hapat e parë të karrierës së tij krijuese; libri i...

Rexhep Ferri: Fjala gënjeshtër e gënjeshtra kukull vitrine

1. Për të parë ose lexuar kurrë nuk kemi qenë më shumë. Kurrë nuk kemi qenë...