Kreu Arte pamore Morfologjia e simbolikës së Kinostudios deri në detaje

Morfologjia e simbolikës së Kinostudios deri në detaje

Nga Enver S. Morina

(Mbi librin “Kinostudioja ‘Shqipëria e Vjetër’” të Gëzim Qëndros)

Dromca fragmentare që vetëm gjuha na i bënë të mundshme që të hyjmë në mendimin e lartësuar dhe shterues të Kinostudios përmes citatit. Monografi monumentale për ikonografinë e Kinostudios. Vepra e Gëzim Qëndros është një guidë, është një hartë, është një glosar i thelluar në zonat e më të imëta dhe “të fshehta” të Kinostudios. “KINOSTUDIOJA “SHQIPËRIA E VJETËR” me nëntitullin në kllapa “Aventura seminare e gjurmës” botuar në serinë e Surrealizmit Socialist nga Shtëpia Botuese “Onufri” në vitin 2016. Vepra është e ndarë në pesë pjesë: në vend të prologut “Flurimi i hutinit”, tre kapituj “Gjurma mbi dyllë, “Procesi i gjurmëlënies” e “Aventura seminare e gjurmës” dhe pjesa e fundit në vend të epilogut “Kujtesa si hapësirë heterotopike”… 

Çdo histori, çdo vepër që shkruhet për Kinostudion, për kinematografinë “e vjetër” shqiptare duhet të niset nga hyrja, nga fjalia hyrëse si citat i veprës së Gëzim Qëndros: E shkuara po bëhet edhe më i paparashikueshme se e ardhmja (Svetllana Boym).

Një hyrje përmbajtësore dhe më përgjegjësi intelektuale. Dhe artistike për nga vlera njëkohësisht. Hyrja në këtë vepër shërbeu për të hyrë tashmë në epokën e artit socrealist. Për të rihyrë në kthinat e kësaj krijimtarie duhet harruar momentumin e përballjes së parë më të. Dhe përballja e parë ishte kinemaja në ambient të hapur, ishte ekrani i televizorit.

“Hutini i Minervës ngrihet në fluturim vetëm pasi bie muzgu,” – thotë Hegeli duke nënkuptuar, ndër të tjera, se vetëm pas perëndimit të një epoke historike fillon procesi i mirëfilltë i hulumtimit dhe njohjes në thellësi të natyrës dhe veçorive të saj të papërsëritshme. Kjo figurë misterioze e mitologjisë greko-romake (sivëlla me hutinin e Athinasë), quhet simbol i hulumtimit dhe filozofisë jo vetëm sepse arrin të shohë edhe në terrin më të plotë, por edhe sepse rri vazhdimisht mendjengritur duke shqyrtuar imtësisht gjithçka që hyn në fushën e shikimit të tij të mprehtë. Mbi epokën e stalinizmit shqiptar ka rënë prej kohësh “muzgu i historisë,” ndërkohë që mbi territorin e tij plot humbella, guva e hone të errëta, “hutini” ka nisur tashmë fluturimin e tij të heshtur.” Një hyrje të tillë zgjidhje enigme si prosede krijues e hasim tek “Ftesë në studio” të Ismail Kadaresë.

Në veprën e Gëzim Qëndros, destruksioni i Derrida-s vjen e bëhet diskurs me nuanca e pikë referimi themeltar. E tërë vepra në “përmbylljen” deshifruese i përmbahet në pafundësi thënies së Derrida-s se “kuptimi nuk varet nga identiteti subjektiv por nga sfera të ndryshme të cilat prodhojnë interpretime.” (Cituar nga “Fjalori i kritikës moderne”).

Çasti fluturak i një vetëdije përjetimi dhe vraga e gjurmës prekëse sikur të deh për një ekzistencë tjetër, jo vetëm të një dileme të rizbuluar por të faktit të dokumentuar. “Dihet se akti zbulues nga një dialog i brendshëm, i cili në momentin e zbulimit na bën të përjetojmë përvojën, të ndërgjegjësohemi për një fakt, duke harruar idetë që kishim më parë për të. Pikërisht kjo vetëdije e përjetimit, ky dialog me veten që përbën themelin e fenomenologjisë, brendashkruan përvojën njerëzore në struktura kuptimdhënëse duke ia nënshtruar objektin e zbuluar analizave racionale dhe përsiatjeve me synim gjetjen e një domethënieje të re.”

Në kërkim të një refuzimi estetik drejt majave të ajsbergut “të pavetëdijshëm” komunist?! “Njerëzit që jetojnë nën diktaturë janë të obseduar nga dykuptimësia.”, thotë Gëzim Qëndro. Maksima empirike dhe racionale e një studiuesi prej shkencëtari: “Ne duhet doemos të kuptojmë atë që ndodhi vërtet duke kapërcyer stereotipet, pasi epoka e stalinizmit shqiptar është shumë më e ndërlikuar dhe më komplekse nga se është paraqitur deri tani.”

Përmes artit të interpretimit hermetik tashmë si shthurje e njohje Gëzim Qëndro e kërkon Gjurmën e Vulës a Vulën e Gjurmës tek Kinostudioja. Si bazë merr mendimin e Paul Ricceur të cituar disa herë për konceptin e Gjurmës në triptikun e analogjisë platoniane “ideja e të Njëjtit, Tjetrit dhe Ngjashmit”, nën skandalin e mendimit te Russell për thelbin e qasjes shkencore prirë “kah skepticizmi konstruktiv dhe i frytshëm.” Përherë rikthimi tek thelbi i një qasjeje shkencore është një nga paradigmat apriori të suksesshme. Ta rrëmosh shtrembërimin është një tjetër synim dhe uverturë e studiuesit. I vështirë për të hequr dorë, por konsekuent për ta shpjeguar saktë dhe më vërtetësi.

Kujtesa borgesiane e trand epokën. Riceur, i cituar nga Gëzim Qëndro ecën edhe një hap më tej. “Ne nuk e njohim të shkuarën, por mendimet dhe idetë tona për të shkuarën.” Filozofi francez Riceur e thyen kohen për ta futur në memorien e të tashmes si gjurmë paradigmatike e themel i ekzistencës.

Autori shqyrton, analizon në detaje pronaosin, kontekstin hapësinor e simbolik në imtësi, simbolikën përbërëse të elementeve, analogjinë me një tempull tjetër të kësillojt, me katedralen bazilikë në Vilnius në Lituani, vend në afërsi të vendlindjes së arkitektit rus të Kinostudios, Georgij Lavrovit.

Hapi i parë përballja me planimetrinë qarkore hyrëse te Kinostudios. Autori tashmë po bënë hapin e parë, syri i parë përmes të tretit ilustruar me fotografi.

Vetëm pak muaj para se të shpërfytyrohet pamja, një si ngjizje e modernes me të kaluarën, bëra disa fotografi të Kinostudios. Ende nuk kishin ndërhyrë inxhinierët dekorues të kohëve moderne. Pastaj Kinostudioja u bë pronë e Ministrisë së Kulturës. Sa e bukur do të ishte po të bëhet ambient për shitjen e çadrave.

Personale: Në vitin 1985 gjeometria deskriptive m’u bë obsesion por që fatkeqësisht nuk mu bë pasion. Përgatitesha për të nisur studimet e arkitekturës por hoqa dorë në çastin e fundit. Formulat matematikore më ishin bërë abstrakte dhe të pakapshme në zbrazësinë e tyre pragmatike për përfundime llogaritjeje jetësore.

Autori Gëzim Qëndro si një hulumtues i pakompromis dhe me një përpikëri shkencore i drejtohet edhe profesionistëve “anësor”. Njohësi i teologjisë dhe praktikave fetare të krishtera prof. Christopher Lockwood jep mendimin e Tij, fragment i cili jepet gjatë në libër.

Me një observim prej shkencëtari dhe njohësi të civilizimit shpirtëror Gëzim Qëndro ecën në imtësitë, detajet e objektit të Kinostudios si një kamerë shumëdimensionale dhe e pakufishme, thelbësore në sfidën për të arritur sa më afër të vërtetës. Siç edhe sistemi i ri kishte fillesat e dirigjuara nga lart për t’i lënë pavetëdijshëm pezull, edhe kuptimi merrte përmasat e shthurjes së mesazhit ikonik. Uji si pastrim nga ndotja, një si pastrim nga Njeriu i Ri socialist? Na ishte njëherë një shatërvan në sheshin “Liria” në Durrës. Përballë teatrit “Aleksandër Moisiu”. Ndoshta, u rrëzua nga se mungonte guaska në dorën e Gjon Pagëzorit që i hedh Krishtit ujë mbi kokë. Në kohet moderne qyteti bregdetar lejon prishjen e sheshit “Liria” dhe ndërtimit të të riut më plate graniti!

Po të ndalojmë për një referencë analogjia në kërkim tek sprova për një poetikë te Sabri Hamitit, atëherë vepra e Gëzim Qëndros është bioletra për një ideoletër, është kritikë që dëshmon për një objekt që shpalon një ideologji.

Referncialiteti, vjen e bëhet diskurs për njohje dhe rilexim. Pas leximit të parë siç thotë Sabri Hamiti te “Ideologji  e utopi letrare” “realja jetësore bëhet kundërshtarja më e madhe e ideores.”

Pedimenti i Kinostudios me tre shtatore

Tri shtatorët në pediment dhe simbolika e tyre: “Organizimi formal i pedimentit përkthen pamorisht epërsinë e Idealit komunist, duke vendosur një hierarki të qartë midis besnikërisë së detyrueshme ndaj tij, që përfaqësohet nga shtatorja që ngre yllin dhe besnikërisë së individit kundrejt grupit etnik dhe kulturore të cilit i përket.” Autori në përpikëri dhe më një simetri mahnitëse analogjike hulumton konfiguracionin e Gjurmës “qe nuk përputhet me substancën e Vulës”, që është synimi kryesor dhe themeltar. I rëndësishëm për historinë e objektit të Kinostudios.

Kryqi dhe planimetria e tij? Autori citon Hans Biederman në lidhje me simbolikën dhe kuptimin e Kryqit. Është kontesti kontekstual i përballjes mes simbolikës së kryqit në epoka dhe territore të ndryshme, në veçanti si simbol i planimetrisë së kishave të krishtera dhe militantizmit ateist të bolshevikëve.

Shpjegimi i kubesë në katin e dytë të Kinostudios dhe krahasimet me ndërtimet e disa formave të tilla në kohë dhe hapësira të ndryshme të se kaluarës së largët të ndërtimeve arkiteknike qoftë në antik, qoftë në Mesjetë na jep një dimension tjetër të kureshtjes tonë si lexues. Si mbamendje dhe përvojë kur të vizitojmë, për shembull, kishën e Sofisë në Stamboll, kubenë e saj.

Një nga nënkapitujt shpjegues, i shkruan me dije të lartë jo vetëm nga të dhënat që jep është “Karakteri arkitektonik dhe “fshehja” e kubesë”. “Përdorimi i saj (kubesë-vër e. s. m.) si strukturë mbulimi ka shërbyer si udhërrëfyes për klasifikimin e orientimeve kryesore të historisë së arkitekturës, sepse mund të ballafaqojmë arkitekturat e kubeve (romake, mesjetare) me arkitekturat e rrafshëta (egjiptiane, greke)”, thotë autori.

Pikturimi jashtë aksit të simetrisë i kryqit të kubesë së Kinostudios

Një libër i mbyllur që përmban një univers të gjerë të Kinostudios. Në dimensionin e hapur shohim ndërtimin e asaj lagje përreth por edhe të tërë Tiranës së thellë verilindore rrëzë Dajtit dhe përreth Arkivit të Filmit.

Hulumtimet e autorit vijnë tek teoria e arkitektit neoklasik Claude-Nicolas Ledoux, në gjurmët e termit arkitekturë folëse. Analogjia me Kinostudion është mbresëlënëse. Është propaganda e kohës ajo që diktonte projektet. Stalini ishte gjallë. “Roli që kish luajtur në shekuj propaganda përmes arkitekturës dhe artit në nxitjen e sakrificave ishte shumë i njohur, prandaj Stalini e shfrytëzoi potencialin e artit, muzikës dhe arkitekturës për t’i frymëzuar njerëzit të vetësakrifikohen në emër të idealit komunist.”

Për ata që kanë të bëjnë me studimin e filmit artistik shqiptar, sidomos të periudhës së parë të saj, është veçanti dhe njëkohësisht madhështi ta kesh një vepër si të Gëzim Qëndros. Libri kap nivele të gjëra të ontologjisë dhe fenomenologjisë së Kinostudios, të qenies së saj. Nënthelbi i librit është Ajo “thjeshtësi fisnike dhe madhështi e qetë” (cituar Qëndron sipas të cituarit nga ai të Winckelmann-it-vër. e. s. m.) janë të dhënat kontekstuale dhe analogjike “përanash” që e bëjnë këtë libër edhe më afër lexuesit kureshtar. Sipas autorit funksion i rëndësishëm i arkitekturës deklamative ishte “paraqitja triumfuese e kumteve politike armiqve ideologjikë.”

Dhe shpjegimi “… Kinostudioja i ka kthyer shpinën haptas kryeqytetit të huaj që e mirëpriti duke u kthyer me “fytyrë” nga kryeqytetit ku u projektua.”, një pikëçuditëse bindëse a një anakronizëm në përmasa totale të pakapshme! Mohon Tiranën për t’u këshilluar me “liderin” e vendeve socialiste, siç edhe vet konstruktimi mohon traditën për t’u dirigjuar nga “e reja” e realizmit socialist!

Përmes shpjegimit dhe analogjisë me përvojën e rrjedhave të kulturës e artit në përgjithësi, pandehmës si kahja e kryqit të kubesë dhe vështrimi i shtatores së gruas na dërgon në fakt, se kahja dhe vështrimi janë drejtuar qëllimisht kah Kremlini.

Autori arrin në përfundime sa imagjinative (në diskursin e sotëm konspirativ) aq edhe shkencore: “… ndodhemi përballë një programi të mirëfilltë ikonografik me përmbajtje fetare të cilën autori as që ka mundimin ta fshehë.”

I bazuar në metoda dhe dije qenësore fenomenologjike autori përqendrohet tek hapësira në kohë dhe njëkohësisht koha në hapësirë për të rishikuar fillimisht, për ta vlerësuar më tej dhe për të arritur në përfundime të shteruara si një shikues fanatik ndaj objektit, ndaj simboleve “të fshehta” kontekstuale në kontestet e veprimtarisë të një institucioni si censurë dhe autokritikë agjitprope dhe ambiguitive klasike. “Nga fenomenologjia e artit dimë se subjekti vështrues është tejet i rëndësishëm, madje themelor, pasi forcat pamore që përcaktojnë fuqinë e kompozimit të një vepre arti, përfshirë edhe një ballinë ndërtese, nuk gjenerohen ashtu vetvetiu, nga brenda veprës, por nga subjekti vështrues, duke kaluar nëpër proceset e perceptimit, interpretimit dhe shijimit estetik. Fenomenologjia e artit merret pikërisht me strukturat e këtij procesi.”

Vërtetë funksioni pamor ka arritur qëllimin e estetëve të regjimit sovjetik se “objektet estetike duhet të shfaqeshin si prani të heshtura.” dhe arkitektura socialiste si “pasqyrim i realitetit në dinamizmin e tij revolucionar.”

Bashkëbisedimi i një regjisori me liderin e kohës dhe njërin nga pesë, gjashtë personalitetet kyçe të Luftës së Dytë Botërore, në mbamendjen e trashëgimisë së civilizimeve botërore, sjell filmin “Ivani i tmerrshëm”. “Filmi Ivani i Tmerrshëm është një nga dëshmitë më elokuente dhe të drejtpërdrejta të simbiozës së teorisë së “Romës së tretë” me ambicien e Stalinit për ta kthyer Moskën në qendrën ekumenike të komunizmit botëror dhe fesë ortodokse.”

Nënkapitujt “Profecia e “Romës së trete” dhe “Manipulimet sovjetike me teorinë e Filofei-t” janë më të afërta dhe përmbajtësore në marrëdhënieve me filmin, duke vënë në simetri prodhimin e një filmi epik, në kohë të papërshtatshme dhe në përballje me liderin vendimmarrës. Në anën tjetër vet kinematografia shqiptare për dekada nuk arriti ta tejkaloj “Skënderbeun” e vitit 1953. Ndoshta ishte realizimi “Nëntori i dytë” vepra epike e historike njëkohësisht për ta bërë më të diskutueshme dhe më sipërfaqësore mungesën e Skënderbeut në një version të dytë. Qoftë ky edhe si bashkëprodhim!?

Pikarritje në ambiguitetin e trinomit fe-histori-kulturë: “Me programin ikonografik dhe me produktin e saj, filmin, Kinostudioja u bë pjesë e synimit të propagandës që të luante përmes ideologjisë zyrtare rolin e dikurshëm të fesë për të krijuar një identitet të ri shqiptar, një model të ri njeriu dhe një kulturë të lidhur me agjenda me të cilat, për mirë apo keq feja, historia dhe kultura e një vendi në shekuj janë lidhur pazgjidhshmërisht. Historia e regjimeve totalitare me frymëzim marksist-leninist tregon se edhe ato kishin agjenda të tilla politike.”

Lënda e hulumtimit zgjerohet. Tek Kreu i dytë “Procesi i gjurmëlënies” autori largohet nga objekti i Kinostudios, kapërcen tek zanafilla e veprimtarisë së “largët” të gjenezës, tek jeta dhe vepra e arkitektit të Kinostudios, tek arkitektura në kohën e Stalinit dhe qëndrimi i shtetit sovjetik ndaj fesë dhe kishës ortodokse ruse. Në detaje jepet qëndrimi dhe kthesa e marrëdhënieve të Stalinit me kishën ortodokse ruse nga viti 1917 deri në vitin 1953. Fillimisht terrori policor e pas pushtimit nazist, shkas afrimi i kishës ortodokse dhe lirisë fetare. Dhe afria me tematikën thelbësore të veprës: qëndrimi i pushtetit shqiptar ndaj fesë nga përurimi deri sidomos në vitin kur feja u ndalua me dekret (1967).

Autori Gëzim Qëndro duke cituar e gjënë krahasimin përshtatës dhe analogjik. Shembulli i cituar nga Zhdanovi “mish-mash i çmendur” dhe “mish-mashi i stilit arkitekturor të Kinostudios”.

Pikëpamjet e Stalinit për gjuhën e folur elaborohen në detaje për ta shkëputur dhe lënë “të lirë” gjuhën e simboleve, një dukuri tjetër e trajtuar me shkas në ikonografinë jo vetëm të Kinostudios. Shembulli i dy simboleve të lashta Yllit dhe kryqit, siç thotë autori “pavarësisht se kanë një histori shumë më të lashtë se komunizmi dhe krishterimi nuk mund të luajnë funksione simbolike të ndryshme nga identiteti që kanë marrë.”

Në kapitullin “Proletariati ynë që je në tokë” elaborohet karakteri i hapësirës së kubesë, përvoja fenomenologjike e kubesë dhe apoteoza e Njeriut të Ri në marrëdhënie me apoteozën e Punës. Zhbirimi, thellësia e rrjedhshmërisë së një studimi analitik na jep të dhënat përmbajtësore të qëndrimit fillimisht tradicional ndaj Punës dhe më pas qëndrimin marksist. Puna në mitologji dhe në nismën histori qenka parë si sinonim i mundimit dhe torturës! Marksizmi e kthen “përmbys” duke e vënë të kundërtën e punës, siç thotë autori, “demokratizimi dhe parazitizmi shiheshin si “mëkatet më të rënda” për moralin puritan socialist.”

Filozofia e historicizmit, determinizmit, “fundit të historisë” etj. i kanë paradigmat marksiste si lufta e klasave dhe forcat prodhuese për të arritur tek “vetpërcaktimi i Qendrës” si forma më e lartë në panteonin simbolik të një objekti laik. Autori citon dhe mbështetet tek Marksi, Hegeli, Trocki, Poperi, Dunkani, Derrida, Berlini etj. Që “matricën teologjike” ta vë në rrjedhshmërinë e traditës dhe fundin e historisë.

Derrida është shprehur, cituar nga Gëzim Qëndro se “perëndia e re, i shënjuari i ri transcendental është gjuha.” Dhe siç thotë studiuesi në analogji me këtë thënie dhe se si dogma teologjike “gjuha shkencore” e propagandës “nuk merr përsipër të provojë asgjë.”

Poetika dhe ngushëllim, fundi i diktaturave. Derisa filmi i regjisorit Saimir Kumbaro “Vdekja e kalit” me skenar të Nexhati Tafës erdhi shpejt dhe më tërë ironinë e pashkruar si një përsëritje ciklike e harresës së regjimit, ndërhyrja në pronaosi vite më pas është një shenjë e shkërmoqjes të së kaluarës edhe në pikën e vetme të mundësisë së fshehtë e “të pavetëdijshme” të ikonografisë fetare. Kjo nuk ndodhi as pas vitit 1967. Gjysmëshekulli më pas “revizionimi” dhe mbyllja e plagëve qëllon në shenjën e një vepre të shpëtuar në ingranazhin e pushtetit komunist. Nuk konservohet, as nuk restaurohet por hiqet që objekti të kaloj për një veprimtari tjetër. I vetmi objekt që sipas Gëzim Qëndros ruan lidhjen e kohës Moskë-Tiranë dhe jo anasjelltas dhe gërsheton arkitekturën socialiste me ikonografinë e krishterë deri në periudhën kur “duhet” ndërhyrë në pamje të parë. Kapërcyelli i ndërrimit të sistemeve siç thotë autori vuajtësit nga regjimi e përcollën xhelatin “duke brohoritur drejt e në morgun e historisë.”

Nëse tashmë gjatë leximit në faqet e parafundit kemi arritur te njohja e objektit, në këtë rast Kinostudios, nën shembullin e cituar se “Iluminizmi kërkoi ta çlironte Historinë prej fatit të parathënë mitik por, padashur, hyri në të njëjtën hulli mendimi.” nuk arrijnë dot të njëjtën gjë për të shkruar për veprën me syrin e kritikës kritike, sepse autori arrin majat e shterimit të lëndës duke treguar një dije të lartë ligjërimi, një vepër të përkryer studimore. Prandaj edhe këtë shkrim e mbizotërojnë citimet që mbet ana më programatike e një vepre.

Është Gëzim Qëndro që me një libër voluminoz, me një përkushtim përmes gjuhës të na jap tërë imazhin e Kinostudios në një gjendje të ngrirë, tashmë si histori e Kinostudios “së vjetër”.

Nostalgji: Filmin e parë artistik shqiptar e kam parë në Kijevë, në ambient të hapur, në mbrëmje. Rreth vitit 1971. Ishte “Njësiti gueril”. Një te premte gjyshi paska pritur në radhë për një biletë për ta parë filmin “Skënderbeu”. Dhe qenkan grumbulluar shumë të interesuar. Në rrëmujën e krijuar në Kino “Rinia I” në Prishtinë, gjyshi me veshë kombëtare, tirq, shokë, xhamadan, cigare qelibari dhe plis dallohet nga trupgjatësia filigran. Një polic i rëndit i kishte thënë: “O plak, ma mirë me pas shku me fal xhumanë, se si ke ardhur në këtë rrëmujë për biletë filmi!” Gjyshi vdiq në vitin 1972. Më vonë këta filma i përcillnim çdo të diele në TVSH pas programit te Teatrit të Kukullave. Kinostudioja nuk e dinim që ekzistonte. Vetëm 50 vite nga ndërtimi dhe përurimi e pashë për herë të parë. Afër 800 veta kanë qenë të shkruar në siglën e tridhjetë e tre filmave artistik prodhim të Kinostudios deri në vitin 1972. Gjashtëdhjetë vite pas ndërtimit, në prag të restaurimit bëra fotografitë e para të objektit të Kinostudios, sidomos te pronaosit, pedimentit në përgjithësi. Dhe fjalia në kapitullin e fundit “U përpoqëm vetëm të propozojmë një lexim të ri nj ndërtese historike me shpresën se përmes këtij leximi kemi parë atë që regjimet totalitare e fshehin, por që padashur e tradhëtojnë veten në artin e tyre zyrtar.”

Megjithatë, në fund mesazhi i autorit ishte i qartë, është i dhembshëm: “Kinostudioja, mund të gjallonte ende si formë e mnemes, (kujtesa si njohje), si njëra nga rrugët për t’u kthyer të e shkuara, për ta kuptuar dhe njohur më mirë.”

Në objektin e Kinostudios është vendosur Ministria e Kulturës. Një shpërfytyrim “i domosdoshëm” do të thoshin oligarkët e pushtetit mbi kulturën!

Është Gëzim Qëndro, është libri e Tij “Kinostudioja…” vepra më monumentale, tashmë në përjetësi që përjetëson këtë institucion të rëndësishëm të ndërtimit dhe përurimit vetëm 7, 8 vite pas lufte. “I rrënuar” në përmbajtje dhe i shpërfytyruar përreth, objekti i Kinostudios “së vjetër” (në thonjëza “i vjetër” sepse nuk ka më të re), tashmë nostalgjia dhe historia (1953-1990) ruhet në këtë libër. Po cilët libra si literaturë themeltare deri me sot kanë të bëjnë me Kinostudion dhe filmin artistik shqiptar përgjatë rrjedhave kinematografike? Paraardhësit, si Abaz T. Hoxha, Abdurrahim Myftiu, Josif Papagjoni dhe të tjerë. Për historianët e filmit do të mbetët si një kujtim “Na ishte njëherë një Kinostudio” (titull i librit të studiuesit të përkushtuar dhe historianit të filmit Abaz Hoxha, botuar në vitin 2013), për estetët e filmit si një ikonografi simbolike e Kinostudios “Shqipëria e vjetër” dhe për nostalgjikët dhe pasionantët, si një rrëfim brilant, një paradigmë shkencore, një studim shumëdimensional e shterues e një studioje kinematografike me më rreth 700 punëtorëve të saj, e prodhimin e qindra dokumentarëve, kronikave e kinozhurnaleve, përgjatë 30 viteve të ekzistencës.

Ndonjë studiues fanatik i Kinostudios mund të dyshoj në kohërat moderne, se ishte pikërisht inaugurimi që u bë në përvjetorin e themelimit të Ushtrinë Popullore, që pastaj shumica e filmave t’i kushtohen Luftës Nacional-Çlirimtare.

Autori është konsultuar me literaturën që trajton orientimin e objekteve të kultit e fjalor të simboleve, ka takuar shumë dëshmitar të kohës, ka pyetur ekspert dhe njohës profesional, është bazuar në vizatime të dërguara nga studioja sovjetike.

Lexuesi i librit të Gëzim Qëndros përtej kufirit? Duhet kapërcyer rrugë të gjatë, edhe me lakore imagjinatave që një lexues nga Kosova të arrij te Kinostudioja “Shqipëria e Re”. Nostalgjia të bënë kurioz. Filmat si “Njësiti gueril”, “Debatikët”, “I teti në bronx” pas vetëm një dekade (1971-1981) të shfaqur në dhjetëra kinematë e atëhershme në Kosovë, u mbyllen në ekranin e Televizionit Shqiptar në disa rajone të Kosovës. Studentët shqiptar në Beograd i janë gëzuar kur filmi “Lulëkuqet mbi mure” mori çmimin kryesore, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në vitin 1980. Nga të dhënat për këtë film thuhet se askush nga realizuesit e filmit nuk ndodhet në Beograd, bile edhe vet informacioni kishte arritur vonë në Tiranë!

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Arjan Miluka: Si erdhe në jetën time? Dhe si u largove?

Bashkëshortes sime, Shpresa Bërdëllima, në ditëlindjen e saj Në një ditë të zakonshme  ndodhi e jashtzakonshmja jonë. Të...

“Misteret e Beratit”, etyde nga Xhevair Lleshi

«Jeta është historia që thonë për ty, jo ajo që tregon ti…»John green 1 Basti ynë...

“Etyd”, tregim nga Fatmir Mborja

Kishte një copë herë që rrinim në verandën e mbuluar të hotelit, e cila gjatë verës përdorej si birrari dhe gumëzhinte nga...

“Një mënyrë e mirë për të vdekur”, tregim nga Istref Haxhillari

- Mezi të njoha, - thirri me zë buçitës, si goditje tamburi. Sytë e prushtë, shtati masiv, siguria në...

KATEGORITË